DITMIR BUSHATI, 24 Nëntor 2012
Java që po mbyllet u shoqërua me dy zhvillime dramatike nga Kroacia prej të cilave ia vlen që të nxjerrim mësime. Lirimi nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë i ish-gjeneralit Ante Gotovina, dorëzimi i të cilit pranë Tribunalit të Hagës ishte një ndër kushtet kryesore të BE-së për fillimin e bisedimeve për anëtarësim dhe dënimi me 10 vjet burg nga Gjykata e Zagrebit të ish-kryeministrit Ivo Sanader për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Koincidenca e këtyre lajmeve qëndron në faktin se qeveria e Ivo Sanaderit i dorëzoi Tribunalit të Hagës gjeneralin Ante Gotovina, i cili konsiderohej si hero, duke hapur kështu rrugën e Kroacisë për në BE.
Për një kohë të gjatë, Ivo Sanader, Kryeministër nga 2003-shi deri më 2009-n, konsiderohej i paprekshëm. Nga pasues i Presidentit autoritar Franjo Tudjman, ai u shndërrua në një kritik të tij. Është i padiskutueshëm roli i tij në transformimin e HDZ, nga një parti nacionaliste që mbarte mbi supe trashëgiminë e hidhur të luftës në ish-Jugosllavi, në një parti moderne të qendrës së djathtë, gjatë qeverisjes të së cilës Kroacia u anëtarësua në NATO.
Por, Sanader u bë epitomë e korrupsionit, duke kalbëzuar në këtë mënyrë qeverisjen dhe sistemin politik. Për këtë arsye, gjatë procesit të bisedimeve për anëtarësim, BE vuri theksin te rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit, sidomos te nivelet e larta politike dhe vendimmarrëse. Ndërkohë që kapitujt 23 dhe 24 të bisedimeve për anëtarësim u kthyen në qendrën gravitacionale të avenirit europian të Kroacisë.
Kroacia u vendos përballë dilemës të rrënimit të mëtejshëm të sistemit politik përmes korrupsionit apo të transformimit demokratik të nevojshëm për përparimin në procesin e integrimit europian. Kroacia dëshmoi vullnet politik dhe vokacion europian. Falë kushtëzimit që imponon procesi i integrimit europian, Ivo Sanader u tërhoq nga skena politike dhe iu nënshtrua më pas procesit gjyqësor për akuza që rëndojnë mbi të në lidhje me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës.
Drejtësia kroate e tha fjalën e saj në këtë proces të bujshëm në historinë e Ballkanit Perëndimor për nga statura e të akuzuarit, në mënyrë profesionale dhe të paanshme, duke dëshmuar në të njëjtën kohë gatishmërinë e saj për të përballuar sfidat që burojnë prej procesit të anëtarësimit në BE. Ky shembull elokuent i ligjzbatimit është pasaporta europiane e Kroacisë që vitin e ardhshëm do të jetë vendi i 28-të anëtar i BE-së.
Kontrasti i rastit “Sanader” me profile pak a shumë të ngjashme në Shqipëri është drithërues. Siç është drithërues nënshtrimi e kapitullimi total i Drejtësisë shqiptare ndaj presionit qeveritar, që e ka kthyer atë në një certifikues të “proceduralizmit jodemokratik”. Por Kroacia është modeli që duhet të ndjekim, pasi përmes reformave të vërteta po zhvillohet, demokratizohet dhe, rrjedhimisht, anëtarësohet në BE. Ndërsa ne vijojmë retorikën boshe me procesin e integrimit europian.
Le mos ushqejmë asnjë iluzion. Modeli i Kroacisë dëshmon qartë se procesi i përparimit për në BE nuk varet nga lista e gjatë e ligjeve që nuk vlejnë as sa copa e letrës mbi të cilën janë shkruar. Por, nga vullneti dhe gatishmëria jonë për të pranuar e zbatuar standardet demokratike. Kemi nevojë për demokratizimin e jetës publike, ku askush nuk është mbi ligjin, e ku korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës shoqërohet me gjurmë provash solide dhe emra konkretë zyrtarësh të lartë, qofshin këta politikanë, gjyqtarë, prokurorë apo administratorë të pasurive publike.
Kemi nevojë për prokurorë dhe gjyqtarë kurajozë që nuk dalin nga zgjatimi i oborrit kryeministror në Presidencë, por që kanë frikë nga Kushtetuta, ligji dhe opinioni publik. Për një media dhe shoqëri civile që mbikëqyr në mënyrë të pamëshirshme gjithçka ndodh me hapësirën tonë publike.
Nuk na duhet të hedhim vështrimin larg në shoqëri me demokraci dhe tradita shtetformuese të konsoliduara. Jo! Mjafton të ndjekim modelin kroat e të heqim dorë nga “politizimi i drejtësisë”, në mënyrë që t’i hapim rrugë “pastrimit të politikës”. Ky nuk është një proces lehtësisht i arritshëm, por është e rëndësishme të nënvizohet që shënon thelbin e procesit të europianizimit të shoqërisë. E, për këtë, nevojitet një model i ri demokratik që prodhon kompromis shoqëror dhe standarde më të larta demokratike, ekonomike dhe institucionale, për të ndaluar rrënimin e mëtejshëm.