Bledar H. Prifti, 16.07.2010
Ka kaluar më shumë se një vit nga fillimi i krizës politike dhe kurrkund nuk shihet ndonjë dritë shprese për zgjidhjen e krizës. Shkaku, kohëzgjatja, intensiteti dhe larmishmëria e palëve të përfshira e bëjnë këtë krizë politike të paprecedentë jo vetëm për politikën Shqiptare, por edhe për cilindo sistem demokratik. Shumëkush mund të pyesë me të drejtë se si ka mundësi që një krizë e tillë politike të qëndrojë e pazgjidhur për muaj me radhë?
Nëse kjo krizë do të ishte rezultat i tekave të opozitës, atëherë përse mazhoranca Berisha-Meta dhe Europianët nuk e zgjidhin vetë këtë krizë, pasi ata i disponojnë të gjitha mjetet dhe mekanizmat ligjore? Ky shkrim orvatet të shpjegojë arsyet kryesore se përse kjo krizë po vazhdon në pafundësi dhe se të humburit e vërtetë të kësaj krize janë populli dhe demokracia.
Për të kuptuar tiparet apo karakteristikat e krizës politike, ne duhet, së pari, të analizojmë palët e pleksura në konflikt dhe interesat e gjithsecilës prej tyre. Në mënyrë të thjeshtëzuar, palët në konflikt përfshijnë organizmat Europiane, opozitën, dhe mazhorancën. Dikush mund të pretendojë dhe të deklarojë se organizmat Europiane janë të pavarura në këtë konflikt, por autori beson fuqishëm se kjo nuk është e vërtetë.
Organizmat Europiane nuk mund të quhen kurrsesi asnjanëse në këtë krizë politike, pasi janë organizmat si OSBE/ODHIR, të cilat kanë bërë vlerësimin dhe certifikimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Vlerësimi dhe certifikimi i zgjedhjeve është pjesë e diplomacisë dhe e politikave të jashtme të Bashkimit Europian (BE) përkundrejt Shqipërisë.
Dashje pa dashje dhe me apo pa vetëdije, organizmat Europiane u shndërruan në palë konfliktuale në momentin kur ato u shprehën për zgjedhjet e 28 qershorit dhe kur vendosën që të mbanin anën e qeverisë Berisha-Meta.
Tashmë mund të flitet më plotë gojë se organizmat Europiane janë viktima ose të injorancës së politikanëve të tyre mediokër ose viktima të disa funksionarëve Europianë të sponsorizuar dhe blerë nga qeveria Berisha-Meta.
E vërteta qëndron se Europa në asnjë mënyrë nuk do të dëshironte transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Europa do të preferonte arkivimin e çështjes në dëm të opozitës dhe demokracisë, sesa të dilte në dritë paaftësia e diplomatëve dhe politikanëve të saj.
Nëse do të lejonte transparencën e plotë, atëherë diplomacia Europiane në Shqipëri do të gjendej papritur përpara “Ruzhdijeve” të tjera dhe fakteve të pakontestueshme se zgjedhjet e 28 qershorit nuk ishin gjë tjetër, por një maskaradë zgjedhore alla-Berishiane.
Ky zbulim do të përbënte një dështim total të diplomacisë Europiane, OSBE/ODHIR, dhe do të shkatërronte kredibilitetin dhe autoritetin e tyre. Ata që studiojnë sadopak diplomacinë, duhet ta kuptojnë se Europa e ka pjesë të pandashme të veprimtarisë së saj diplomatike parandalimin e çdo akti që do të vinte në pikëpyetje apo shkatërronte autoritetin e saj.
Për të arritur këtë objektiv, autoritetet dhe zyrtarët Europianë kanë ndërmarrë shumë iniciativa për ta shuar protestën opozitare, iniciativë e cila kulminoi me takimin mediakër, tip prapaskene, që Europianët organizuan tek “Krokodili”.
Ndaj, mund të themi pa frikë se Europianëve u intereson jo demokracia dhe të drejtat kushtetuese për transparencë të opozitës dhe popullit Shqiptarë, por nevoja për të shpëtuar fytyrën dhe nderin e diplomacisë së saj mediokre dhe të paaftë përkundrejt Shqipërisë.
Por të jemi të qartë në një pikë. Diplomacia Europiane, si institucion, nuk ka as më të voglin interes për të mbajtur dhe mbështetur një krahë të caktuar politik në Shqipëri. Për këtë arsye, diplomacia Europiane në Shqipëri mund të konsiderohet viktimë e marrë peng nga diplomatë mediokër dhe të paaftë ose si institucion që përdoret nga diplomatë dhe politikanë primitivë për përfitime personale.
Në vazhdim, mazhoranca Berisha-Meta ndodhet pak a shumë në të njëjtën varkë me diplomacinë Europianë.
Duhet theksuar se mazhoranca Berisha-Meta përfshin edhe elementë politik të “opozitës” Socialiste, të cilët sulmojnë kauzën opozitare të transparencës për shkak të urrejtjes kundër lidershipit Socialist, si rrjedhojë e mospërfshirjes së tyre në listat për deputetë, për shkak të dëshirës për marrje pushteti partiak, nëse dështon kauza dhe që do të pasohej me largimin e lidershipit aktual, dhe për shkak se disa marrin shpërblime dhe përfitime ekonomike nga pushtetin Berisha-Meta.
Në kundërshtim nga Europianët, të cilët janë kundër transparencës për shkak të frikës së diskreditimit të diplomacisë së saj, mazhoranca Berisha-Meta janë kundër transparencës për shkak të pushtetit.
Berisha në asnjë mënyrë nuk do të lejonte një transparencë, e cila do ta shkatërronte jo vetëm legjitimitetin e qeverisë së tij, por dhe të ardhmen politike të forcës së tij politike.
Në skenarin më të keq, Berisha do të pranonte zgjedhje të parakohshme, por kurrsesi bërjen e transparencës. Nga ana tjetër, Meta nuk do të pranonte transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, pasi ai rrezikon të shkatërrohet politikisht nëse bëhet publike maskarada zgjedhore në komunën Ndroq, nga ku ai përfitoi mandatin e deputetit pasi pranoi të bashkëpunonte me Berishën kryeministër. Transparenca do të ishte zgjidhja e fundit që Meta do të bënte në karrierën e tij si politikan.
E parë me gjakftohtësi dhe nga jashtë, mazhoranca Berisha-Meta shkon përtej së majtës dhe të djathtës duke përfshirë në gjirin e saj të gjithë atë kastë (klasë) protagonistësh politikë, të cilët kanë keqmenaxhuar për njëzet vjet fatin e Shqipërisë dhe Shqiptarëve.
Mazhoranca e sotme ka në gjirin e saj treshen Berisha-Nano-Meta dhe të gjithë ujqërit dhe hienat, të cilët kanë masakruar në mënyrën më barbare jetën e çdo shqiptari dhe shqiptareje. Ndaj, kriza politike nuk mund të konsiderohet si betejë politike midis forcave politike, por si një betejë midis dy klasave (elitave) politike që mbartin principe, vlera dhe filozofi politike diametralisht të kundërta.
Nga ana tjetër e frontit politik gjendet e vetmuar opozita dhe përkrahësit e saj. Mund të cilësohet e vetmuar, por kurrsesi nuk mund të konsiderohet e dobët. Arma më e fuqishme që posedon sot opozita Shqiptare është e vërteta dhe e drejta e saj kushtetuese për transparencën e plotë të procesit zgjedhor të 28 qershorit.
Opozita nuk kërkon asgjë më tepër sesa bërjen e transparencës, legjitimitetin e pushtetit Berisha-Meta, dhe nxjerrjen në shesh të vërtetës elektorale ku ajo beson se është bërë viktimë e manipulimeve. E vërteta nuk duhet të trembë askënd! Askush, dhe aq më keq Europianët, nuk mund t’i tregojnë opozitës përrallat se gjoja transparenca bëhet atëherë kur e lejon Kushtetuta.
Nuk ka kushtetutë në botën demokratike që të ndalojë transparencën e pushtetit dhe të procesit zgjedhor. Përndryshe, Europianët dhe Amerikanët nuk do të mund ta konsideronin Kubën e Fidel Kastros si një vend antidemokratik, pasi çdo veprim totalitar është i bazuar në kushtetutën Kubane.
E njëjta gjë është edhe me pushtetin Berisha-Meta. Nëse Europianët vërtet besojnë se transparenca e zgjedhjeve varet nga kushtetuta, atëherë, ata duhet të pranojnë se Shqipëria qenka një Kubë e vogël në lindje të Europës.
Madje, pak kohë më parë, edhe Afganistani dhe Iraku zhvilluan transparencën e zgjedhjeve. Por, meseleja Shqiptare nuk është e vërtetë dhe Europianët e dinë shumë mirë këtë fakt. Problemi është se nuk e kapërdijnë dot turpin dhe dështimin e diplomacisë dhe politikave të saj përkundrejt Shqipërisë.
Për opozitën, rezolutat Europiane dhe bisedimet midis krerëve partiakë dhe ndërkombëtarë kanë shumë pak rëndësi në krahasim më rëndësinë që mbart e drejta e saj kushtetuese për të bërë transparencë të zgjedhjeve. Pak rëndësi ka për opozitën se çfarë flitet lartë e poshtë apo brenda e jashtë.
E rëndësishme është që opozita të mbrojë deri në fund me vetëmohim të drejtat e saj kushtetuese. Opozitës nuk duhet t’i interesojnë sofizmat dhe sentimentalizmat e hedhura nga cilido.
Opozita nuk duhet t’ia lejojë vetes të intimidohet nga kurrkush. Opozita duhet gjithashtu të kuptojë se e vetmja gjë që ajo duhet të diskutojë është e drejta e saj kushtetuese për transparence. Opozita duhet të kuptojë se ajo nuk duhet të shqetësohet për krizën politike, por për të drejtat e saj kushtetuese.
Dhe mbi gjithçka, opozita duhet ta kuptojë se të drejtat e saj kushtetuese nuk mund të bëhen objekt tregtie dhe negociatash. Kush tregton të drejtat e tij, shumë shpejt do të humbasë jo vetëm të drejtat dhe të ardhmen, por edhe nderin dhe lirinë.
Si përfundim, gjithsesi, situata nuk mund të konsiderohet pa rrugëdalje. Gjithmonë ka një rrugëdalje, sidomos në politikë. Me sa u kuptua më lart, janë të pakta shpresat se opozita mund të lëshojë terren në të drejtën e saj kushtetuese. Është shumë e thjeshtë. Opozita nuk ka asnjë detyrim moral, politik, apo kushtetues për ta bërë një gjë të tillë, pasi ajo dhe demokracia janë viktimat e vetme të krizës politike.
Europianët nuk do ta kapërdinin dot një dështim publik të diplomacisë Europiane në Shqipëri, edhe pse ata do ta kuptojnë se opozita ka të drejtën dhe detyrimin moral për të mbrojtur dhe kërkuar të drejtat e saja kushtetuese. Mazhoranca Berisha-Meta do të fillojë ta shikoj veten si protagonistja negative e krizës dhe do të përpiqet të zgjedhë të keqen më të vogël.
Ata do të pranonin zgjidhjen e krizës politike përmes mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Kjo gjë do të gëzonte tej mase edhe autoritetet Europiane, të cilët duan të ruajnë kredibilitetin dhe autoritetin e OSBE/ODHIR. Por mazhoranca Berisha-Meta do të kërkojë një shpërblim të vogël nga Europianët.
Ata do të donin që, për në zgjedhjet e ardhshme, kostoja politike e dorëheqjes se pushtetit Berisha-Meta të balancohej pozitivisht me përfitimin politik nga liberalizimi i vizave. Europa do ta pranonte këtë me shumë kënaqësi. Ndërkohë, opozita nuk do të duhej të bënte asgjë tjetër përveç mbrojtjes të së drejtave të saj kushtetuese.