Bledar H. Prifti, 07.01.2010
Stabiliteti politik i një vendi është i varur nga efektiviteti dhe legjitimiteti i qeverisë dhe institucioneve politike. Efektiviteti është përmbushja nga ana e qeverisë dhe institucioneve politike i atyre funksioneve të kërkuara nga popullata dhe grupet e fuqishme të interesit, qofshin këto grupime të karakterit ekonomik ose social.
Një qeveri efektive cilësohet ajo qeveri që ka potencialin dhe vullnetin për t’i mbrojtur dhe shërbyer interesave të shoqërisë që ajo përfaqëson. Legjitimiteti është bindja ose perceptimi popullor që aprovon se qeveria dhe institucionet politike ekzistuese shprehin dhe përfaqësojnë vlerat dhe interesat e vet shoqërisë.
E thënë ndryshe, legjitimiteti është bindja që ka populli se qeveria dhe institucionet politike përfaqësojnë vullnetin e tij politik të shprehur përmes zgjedhjeve elektorale të lira dhe të ndershme. Prej këtej rrjedh që destabiliteti politik ndodh atëherë kur kemi të bëjmë me krizë ekonomike (në disa raste edhe morale) si rrjedhojë e paaftësisë së qeverisë për t’i shërbyer shoqërisë dhe mungesës së legjitimiteti që ka kjo qeveri në popull.
Duke u nisur nga debatet mbi krizat në Shqipëri, ne mund të fokusohemi te debatet mbi krizën ekonomike dhe krizën e ligjitimitetit të qeverisë dhe institucioneve politike aktuale. Nëse i pari (kriza ekonomike) është një koncept i njohur, i dyti (kriza e legjitimitetit) është një koncept që ka ngjallur debate për shkak të interpretimeve të ndryshme që ofrohen nga analistët dhe pushtetarët.
Në lidhje me krizën ekonomike, dhe si një shembull, gjatë fushatës elektorale për postin e presidentit të SHBA-së, dhe në një kohë kur kriza ekonomike kishte mbërthyer Amerikën, kandidati republikan, John McCain, deklaroi se bazat e ekonomisë Amerikane ishin të forta dhe se ekonomia nuk ndodhej në krizë.
Kjo deklaratë bëri që kundërshtarët politik dhe mediat ta sulmonin McCain, duke e konsideruar atë një person të pavetëdijshëm për hallet e popullit dhe një individ që nuk jetonte me realitetin.
Kjo gjë bëri që McCain menjëherë të ndryshonte qëndrim, duke e pranuar krizën dhe duke ofruar alternativat e tij për të nxjerrë vendin nga kriza.
Por, krejt e kundërta ndodh në Shqipërinë tonë.
Ndërsa opozita socialiste po bën muaj që ofron fakte që vërtetojnë praninë e krizës ekonomike në vend, qeveria Berisha-Meta e mohojnë këtë pretendim në mënyrë kategorike. Ndërsa opozita ofron strategji dhe alternativa për të nxjerrë vendin nga kriza, qeveria vazhdon të trumbetoj me arrogancë për një vit 2009 të lavdishëm dhe madhështor.
Por se sa e lavdishme edhe madhështore ishte 2009-ta këtë gjë e tregon niveli i lartë i papunësisë, ulja drastike e fuqisë blerëse, rritja e deficitit buxhetor, borxhi i jashtëm, dhe paaftësia e qeverisë për të ofruar shërbimet sociale më minimale. Por, gjithsesi, pak rëndësi ka nëse qeveria e pranon ose jo krizën.
Populli është ai që e ndjen krizën në çdo çast të jetës dhe jep verdiktin e tij. Shqiptarët e kanë kuptuar më së miri krizën ekonomike gjatë festimeve të fundvitit. Këto festime kaluan në një atmosferë të zymtë dhe të papërjetuar për vite me radhë.
Por, kjo arrogancë qeveritare, për të mos pranuar krizën dhe paaftësia e saj për të ofruar alternativa bindëse për të nxjerrë vendin nga kriza, fatkeqësisht, do të bëjë që kriza të akumulohet shumë shpejt dhe të “shpërthejë” në një të ardhme të afërt.
Ky mentalitet primitiv i qeverisë Berisha-Meta rrezikon ta çojë ekonominë e vendit drejt një kolapsi të paprecedent. Qeveria po e kamuflon dhe injoron krizën për arsye banale politike dhe për të mos kundërshtuar deklaratat e Berishës për një 2009 “të lavdishme” dhe “madhështore”.
Pavarësisht deklaratave të Berishës dhe Metës për të mos i “hequr vellon” krizës ekonomike, kjo krizë ka për të “shpërthyer” dhe për t’u bërë publike diku nga mesi i vitit dhe fill pas daljes së rezultatit mbi liberalizimin e vizave.
Por, ajo që e bën situatën politike të rënduar dhe anormale është kriza që shumë e konsiderojnë krizë politike ose institucionale.
Parë nga një këndvështrim akademik, ne mund të deklarojmë se nuk kemi të bëjmë me një krizë politike ose institucionale për vet faktin se qeveria dhe institucionet politike vazhdojnë të funksionojnë, pavarësisht se funksionimi i tyre mund të jetë i çalët.
Por, ajo që Shqipëria po përjeton tani është një krizë ekstreme e legjitimitetit të qeverisë dhe e institucioneve politike dhe një krizë e tejskajshme e demokracisë.
Mungesa e legjitimitetit të qeverisë dhe institucioneve politike pranohet jo vetëm nga populli, por edhe nga të gjithë aktorët e politikës Shqiptare. Kudo në popull flitet për votat të vjedhura.
Debati popullor zhvillohet për të identifikuar se kush ka vjedhur më shumë. Gjithashtu, është fatkeqësi të shikosh se si të gjithë krahët e politikës akuzojnë njëra-tjetrën për vjedhje të votave në zgjedhjet e 28 Qershorit. Partia Socialiste akuzon Partinë Demokratike për vjedhje masive të votave. Nga ana tjetër, PD akuzon PS për vjedhje të votave.
Për më shumë, LSI i akuzon të gjithë për vjedhje votash. Si përgjigje për kërkesën legjitime të opozitës për transparencë të zgjedhjeve, kryeministri Berisha deklaron se po të hapen kutitë e votave në Fier, partia e tij do të merrte një mandat më shumë.
LSI pretendon se i janë vjedhur dhjetëra mandate, por ashtu si Berisha dhe PD, për çudi, ata janë kundër transparencës së zgjedhjeve. Duket se nga të gjitha forcat politike, PS është e vetmja që është pro transparencës dhe që nuk i trembet asaj që gjendet në ato kuti.
Pyetja që shumë Shqiptarë duhet t’i bëjnë vetes është: Përse PD dhe LSI nuk duan të bëhet transparencë e zgjedhjeve? Pavarësisht përgjigjes, të gjithë pajtohen me faktin që zgjedhjet e 28 Qershorit deformuan vullnetin e popullit, dhe rrjedhimisht qeveria dhe institucionet politike janë ilegjitime.
Por, kriza më e madhe që po përjeton vendi është kriza e demokracisë. Shqipëria është zhytur në një krizë demokracie të paprecedentë për një vend që përdor si njësi matëse standarde demokratike dhe jo ato diktatoriale.
Dikush mund të pretendojë se nuk ka krizë politike dhe institucionale për faktin se parlamenti dhe qeveria po funksionojnë, por asnjëri nuk mund ta quaj demokratike faktin që opozita ndodhet jashtë proceseve politike të aparatit të shtetit.
Shumëkush mund ta quaj ligjor vendimin e kolegjit zgjedhor mbi zgjedhjet, por askush nuk do ta quante demokratike t’i mohosh të drejtën opozitës dhe një popull për transparencën të votës. Nuk ekziston vend në botën demokratike ku kryeministri i vendit t’i shpallë luftë opozitës dhe ta konsideronte atë mafie dhe të keqe të vendit.
Kryeministri Berisha dhe zëvendësi i tij, Meta, mund të mendojnë se hapja e kutive është “ogurzezë” dhe “katastrofike” për vendin, por çdo person normal do të pohonte se nuk ka gjë më ogurzezë dhe katastrofike për një demokraci se sa vjedhja e votës dhe deformimi i vullnetit të popullit.
Nga këtu buron çdo krizë dhe e keqe që ka mbërthyer politikën dhe shoqërinë Shqiptare. Ndaj, asnjë krizë tjetër nuk mund të zgjidhur pa zgjidhur më parë krizën që ka pllakosur demokracinë Shqiptare.