Shekulli Online, 04.06.2010
TIRANE – Përfundon sot afati i ndërkombëtarëve për zgjidhjen e ngërçit politik në Shqiperi, dhene lidereve Berisha e Rama ne darkën e Strasburgut, nderkohe qe zgjidhja duket ende larg.
Mazhoranca kërkon t’i imponojë opozitës një paketë për zgjidhjen e krizës politike, kurse opozita i kerkon kreut te qeverise reflektim dhe te pranoje zgjidhjen qe e ka tashme ne tavoline.
Burime nga PD-ja thanë për gazetën se në tryezën e bisedimeve ekzistojnë disa variante të propozuara si nga PS-ja, PD-ja, por edhe vetë ndërkombëtarët dhe se asnjëra prej tyre nuk dominon mbi tjetrën. Përpos negociatave intensive dhe jo publike, deri më tani dy partitë kryesore në vend nuk kanë gjetur kompromis dhe ngërçi kryesor i bisedimeve qëndron pikërisht tek mënyra se si do të procedohet për fletët e votimit.
Të dy partitë kryesore në vend janë dakord për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Edhe PD-ja, ashtu si edhe PS-ja, pranon që shumicën dhe kryesimin e tij ta udhëheqë opozita. Ky komision, sipas variantit të PD-së, autorizohet që të hapë kutitë e materialeve zgjedhore, por më short. Nëse gjatë shqyrtimit të materialeve zgjedhore, komisioni hetimor do të nxjerrë në pah probleme, atëherë për fletët e votimit, çështja dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, e cila, nëse e shikon të arsyeshme, mund t’i kërkojë mendim Komisionit të Venecias.
Por, PD-ja ka edhe një variant b për fletët e votimit, ajo e djegies së tyre në momentin që hapen kutitë e materialeve zgjedhore. Variantet e huazuara nga të dy partitë kryesore në vend po diskutohen gjerësisht nga përfaqësues të dyja partive.
Varianti i ndërkombëtarëve
Kreun e komisionit hetimor ta ketë opozita
Shumicën e komisionit ta ketë opozita
Hapjen e kutive të materialeve zgjedhore
Ngritjen e fletëve të votimit sa të shqyrtohen materialet zgjedhore
Nëse nuk ka probleme fletët të asgjësohen. Nëse ka probleme, atëherë i kërkohet mendim Komisionit të Venecias
Varianti i PS-së
Kreun e komisionit hetimor ta ketë opozita
Shumicën e komisionit ta ketë opozita
Hapjen e kutive dhe shqyrtimin e materialeve zgjedhore
Për fletët e votimit, komisioni hetimor të dalë me një rezolutë ku të autorizojë kryetaren e Kuvendit që t’i drejtohet Komisionit të Venecias
Varianti i PD-së
Kreun e komisionit hetimor ta ketë opozita
Shumicën e komisionit ta ketë opozita
Hapjen e kutive dhe shqyrtimin e materialeve zgjedhore me short
Fletët e votimit
Varianti a) Për fletët e votimit çështja të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe nëse kjo e fundit e gjykon të arsyeshme i kërkon mendim Komisionit të Venecias
Varianti b) Fletët e votimit do të digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së në momentin kur do të hapen kutitë e materieve zgjedhore
* * *
Rama apel Berishës: Prano kompromisin brenda afatit dy javor
UPDATE – Kryetari i PS-së, Edi Rama, i ka bërë thirrje Berishës që të pranojë kompromisin. “Dua t’i kujtoj z.Berisha se jemi pranë pikëmbërritjes që na është lënë nga miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë për të zgjidhur krizën e transparencës dhe nuk duhet t’i rëndojmë Shqipërinë e shqiptarët me pasojat e moszgjidhjes së kësaj krize”, tha Rama, ndërsa shtoi se “këto pasoja janë bërë shumë të qarta në tryezën e Strasburgut dhe janë shprehur hapur edhe nga drejtuesi i delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor, europarlamentari i djathtë Eduard Kukan”.