Kriza, sfida e “Ruzhdies” dhe protestat

0
97

Edi Rama

Edi Rama, 27.02.2010

Reagimi i qeverisë ndaj hapit të hedhur nga opozita në kërkim të zgjidhjes së krizës ishte një reagim i padenjë për nivelin e përgjegjësisë së drejtpërdrejtë që ka qeveria për këtë zgjidhje, i padenjë për momentin shumë delikat që kalon vendi dhe pritshmërinë legjitime të qytetarëve tanë që presin zgjidhjen, por edhe i padenjë në raport me detyrimin e përbashkët ndaj një komuniteti ndërkombëtar të shqetësuar, por edhe me plotë të drejtë dhe të angazhuar në kërkim të kësaj zgjidhjeje të krizës.

Për fat të keq, pushteti u soll si të mos kishte krizë dhe e bëri këtë me vetëdije të plotë, në një përpjekje për ta trajtuar hyrjen tonë në parlament si pjesë të argumenteve të turpshëm të një propagande që vazhdon prej muajsh, për ta eksportuar krizën e thellë të demokracisë, krizën e thellë të shtetit të së drejtës, të ekonomisë, krizën në tërësi, brenda PS-së, përmes instrumenteve të një propagande që mbështetet nga fuqi mediatike të sponsorizuara drejtpërdrejt nga pushteti.

Sigurisht që keqardhja nuk mjafton dhe padyshim që ne jemi edhe më të vendosur për ta çuar përpara betejën tonë drejt zgjidhjes së një krize, që është një krizë e mirëfilltë demokratike në vend.

Kjo është arsyeja pse sot dua t’i bëj apel komunitetit ndërkombëtar, për të mos lejuar që kjo krizë të rëndohet, për shkak në radhë të parë të refuzimit të qeverisë për ta njohur krizën. Dua të nënvizoj se dje, ne prisnim një lëvizje për të vënë në lëvizje mekanizmin e debatit lidhur me ofertën tonë, në instancën e duhur të parlamentit.

Jo vetëm që asgjë nuk ka ndodhur në këtë drejtim, por përkundrazi, vëmë re me keqardhje dhe me shqetësim përpjekjen për ta trajtuar ofertën tonë si një nga pikat e kalendarit të rutinës parlamentare. Ky është një gabim infantil, fëmijëror, i një pushteti i cili vazhdon të tregojë arsyen e forcës, ndërkohë që ne vazhdojmë të përpiqemi me forcën e arsyes.

S’ka dyshim se cilido që mendon se ne shkuam në kuvend për të futur në një kanal zvarritës kauzën tonë, jo vetëm mendon gabim, por në rastin e vetë pushtetit që kështu mendon, merr një përgjegjësi të madhe për të gjitha pasojat e kësaj sjellje të papërshtatshme.

Në Kuvend nuk kemi depozituar dy projektligje. Kemi depozituar një dokument amendamentesh të ligjit ekzistues dhe një projektvendim për të ngritur komisionin hetimor parlamentar, mbi ligjin ekzistues.

Prononcimi im para grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe opinionit publik, si edhe prononcimi i Kryetarit të Asamblesë Kombëtare në parlament, janë qartësisht shprehje e vullnetit për ta zgjidhur krizën në çdo rrugë të mundshme.

S’ka pikë dyshimi se protesta është jo vetëm në axhendën tonë, por është pa diskutim edhe një mënyrë demokratike që ne do ta përdorim pa asnjë ngurrim, dhe e përsëris pa ndalim, në rast se gjithçka tjetër do të ezaurohet kështu siç po e ezauron dita-ditës ky pushtet, që ende për fat të keq nuk po do ta shoh të vërtetën në sy dhe ende kërkon t’ju fshehë shqiptarëve krizën e madhe që ka prodhuar me papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e vet në të gjitha planet, jo vetëm në planin e demokracisë.

Megjithatë, unë dua ta ritheksoj, se ne jemi të vendosur që t’i japim çdo shans dhe çdo mundësi të gjitha palëve për të krijuar kushtet për të zgjidhur një problem themelor të së ardhmes së vendit, që është problemi i lirisë dhe ndershmërisë së zgjedhjeve.

Në Kuvend, Kryetari i Asamblesë Kombëtare të partisë, duke i folur parlamentit dhe opinionit publik, bëri një sfidë dhe edhe kjo sfidë është pjesë e përpjekjeve tona për të bashkëpunuar jo vetëm me palën tjetër, por edhe me median, me opinionin publik në kërkimin e rrugës për realizimin e transparencës, gjithmonë nëpërmjet forcës së arsyes.

Zoti Berisha ka kohë që vajton publikisht, apo bën sikur vajton humbjen e një mandati në Fier, për shkak të një vendimi, sipas tij, të gabuar të gjykatës, lidhur me votimin në komunën e Ruzhdies, në një qendër votimi dhe duke thënë këtë, thotë se megjithatë ai respekton vendimin e gjykatës.

Ne e kemi thënë dhe e përsëritim pa u lodhur çdo ditë, se kërkesa jonë për transparencë nuk ka absolutisht asnjë lidhje me vendimet e gjykatave apo me rezultatin e zgjedhjeve të shkuara.

Për këtë ka një rast për shembull që mund t’i referohen të gjithë, që është rasti i të njëjtës zgjidhje, për të njëjtën arsye të transparencës, që është dhënë në parlamentin skocez, ku është bërë transparencë e kutive të votimit.

Por, le të qëndrojmë te sfida e bërë dje nga ana jonë në parlament, nëpërmjet Gramoz Ruçit dhe tek kutia e bërë e famshme nga vetë z. Berisha, e Ruzhdies.

Aty PD dhe koalicioni i saj ka korrur një fitore spektakolare, që, sipas Berishës, i është mohuar nga gjykata. Ndërkohë që ne jemi të mendimit që janë të gjitha kushtet dhe mundësitë që ajo kuti të hapet përpara publikut dhe në rast se nga vlerësimi i dokumentacionit zgjedhor që gjendet në atë kuti do të rezultojë ajo që pretendon Berisha, dhe nuk do të rezultojë ajo që pretendojmë ne, atëherë palët kanë të gjitha arsyet për të reflektuar lidhur me bindjet e tyre.

Por, në rast se do të provohet e kundërta, sigurisht që janë të gjitha arsyet që palët të përparojnë në këtë përpjekje për transparencë. Në atë kuti janë të gjitha mundësitë për të parë se si funksionon mekanizmi i korrupsionit elektoral që ne e kemi identifikuar.

Kauza jonë nuk është kauza e një pale kundër një tjetre, sepse nuk është një mjet për të marrë pushtetin, por është kauza e demokracisë në Shqipëri, e cilësisë së procesit të demokracisë në Shqipëri.

E përsëris, zoti Berisha për të mbyllur këtë krizë, për të zgjidhur këtë problem të madh që të jeni të sigurt se ne nuk do ta lëmë pa e zgjidhur, mjafton të ketë vullnet duke bërë hapjen e një kutie të vetme dhe jo të një kutie ku ne pretendojmë se kemi fituar, por të një kutie, ku zoti Berisha pretendon se ka fituar.

Këshilli i Europës mund ta pyesë Komisionin e Venecias, nëse do që ta sqarojë më mirë këndvështrimin e vet. Ne nuk kemi nevojë as ta pyesim Komisionin e Venecias dhe as presim nga Komisioni i Venecias të na zgjidhë ne problemin.

Ne kemi depozituar në parlament jo amendime të kushtetutës, por amendime të ligjit, për ta bërë me ligj atë që sot është thjesht një ofertë e palës tjetër në përgjigje të kërkesës sonë, pra që shumica në komision t’i takojë opozitës dhe nga ana tjetër për ta ligjëruar transparencën e zgjedhjeve përmes parlamentit, jo vetëm për këtë herë, por për çdo herë tjetër, duke i dhënë çdo opozite në të gjitha kohët mundësinë që me shumicën në komision hetimor të hetojë jo për përmbysjen e rezultatit, por për të nxjerrë në pah ecurinë e administrimit zgjedhor si një mundësi që populli ia jep parlamentit përmes kontrollit parlamentar.

Çfarë bën parlamenti? Parlamenti bën ligje. Çfarë është kontrolli parlamentar? Kontrolli i parlamentit për zbatimin e ligjeve. Pse janë komisionet hetimore? Për t’i dhënë mundësi parlamentit për ta ushtruar këtë kontroll parlamentar duke hetuar për çështje të veçanta me interes publik në funksion të zbatimit të ligjshmërisë.

Çfarë po heton apo duhet të hetojë parlamenti sipas nesh? Duhet të hetojë mënyrën se si ligji i tij, ligjet e këtij vendi zbatohet në procesin më të rëndësishëm të demokracisë, që janë zgjedhjet.

Dhe se si administrata zgjedhore funksionon nga komisioneri në fshatin më të largët deri te kryetari i KQZ. Këtë askush nuk mund t’ia pengojë parlamentit dhe askush nuk mund të thotë se parlamenti nuk ka të drejtë ta bëjë. Pjesë e këtij kontrolli janë edhe kutitë.

Nuk mund t’i hiqet parlamentit e drejta të hetojë për mënyrën se si zbatohet një ligj në procesin më të rëndësishëm. Kjo është diçka e paimagjinueshme.

Sot një gjë e tillë as nuk diskutohet fare në vendet me demokraci të konsoliduar, sepse nuk diskutohet fare çështja e transparencës së kutive. Është një çështje e mbyllur prej kohësh. Ka një rast konkret, në një parlament të Europës, ku kjo gjë është bërë pikërisht për të hetuar procesin.

Këtu në Shqipëri jemi në kushtet e një refuzimi, që ka vetëm një arsye: arsyen që pushteti dhe personalisht zoti Berisha e di që transparenca mund t’i turpërojë përpara popullit. Por, kjo nuk mund të jetë një arsye për popullin për të hequr dorë nga transparenca.

Ne kemi ndërmarrë një hap të shumë kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar me të drejtën e një këndvështrimi, që vjen nga një distancë e caktuar, ku nuk mund të perceptohen të plota arsyet tona dhe ne e mirëkuptojmë këtë.

Sot nuk ka bojkot, por kriza është mes nesh. Sot janë të gjitha mundësitë që komuniteti ndërkombëtar t’i adresohet krizës drejtpërdrejtë duke kërkuar që kjo krizë të zgjidhet, pa qenë i penguar nga perceptimi për vetë bojkotin.

Ne duam të realizojmë një objektiv, i cili është publik dhe i cili është në interes të të gjithë publikut dhe për ne është e domosdoshme të eksplorojmë çdo rrugë, çdo mundësi, çdo shans. Ne nuk e kemi kufizuar asnjëherë veten dhe nuk do ta kufizojmë.

6 muajt e para na kanë vlejtur jashtëzakonisht shumë për ta kthyer këtë në një çështje të madhe të interesit publik përmes rritjes së vëmendjes së publikut dhe njëkohësisht për ta ndërkombëtarizuar këtë çështje, që sot është në çdo tryezë ndërkombëtare ku flitet për Shqipërinë. Kemi hyrë në një fazë të dytë që është faze e konkretizimit të betejës sonë.

Vazhdojmë të kërkojmë zgjidhjen, pa përjashtuar asnjë rrugë, që do të thotë se është një pozicion dinamik, nuk është një pozicion statik dhe në këtë pozicion dinamik unë dhe gjithë lidershipi i PS, jemi në harmoni të plotë me vullnetin e popullit opozitar dhe me të gjithë ata që votuan me 93 % për rizgjedhjen time, apo edhe atyre 7% të tjerëve që nuk më votuan për të rizgjedhur mua, por votuan për të zgjidhur këtë problem.

Vala e protestave që do ngrihet në Shqipëri, në rast se kjo lojë për të zvarritur opozitën do të vazhdojë, do të jetë vala më e madhe që Shqipëria ka parë për votën e lirë dhe do të jetë një valë protestash që nuk do të ulet pa garantuar votën e lirë.