Kriza mund të precipitojë

0
43

Zyrtari i SHBA-së, Stuard Xhons, dhe analisti Bugajski, apel për zgjidhjen e krizës:

Nga Uashingtoni ka mbërritur një sinjal që situata politike në Shqipëri kërkon ndërmjetësimin e menjëhershëm për gjetjen e një zgjidhjeje. Zyrtari i Departamentit të Shtetit, Stuard Xhons, tha se përplasja, është e dëmshme për vendin. Ndërsa analisti Janush Bugajski ka bërë thirrje për mosacarimin e mëtejshëm. Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington zhvilloi një konferencë mbi Ballkanin dhe sfidat e tij në rrugën e integrimit europian.

Pjesëmarrësit në konferencë theksuan përparimin e bërë deri tani nga vendet e rajonit, por vunë në pah gjithashtu edhe sfidat me të cilat përballen ato, mes tyre edhe Shqipëria dhe Kosova. Duke folur për mosmarrëveshjet e fundit politike në Shqipëri, zv/ndihmëssekretari i shtetit për çështjet e Europës dhe Euroazisë, Stuart Xhons, tha se ato janë të dëmshme për integrimin europian të vendit.

“Tani po shohim mosmarrëveshje serioze politike në Shqipëri. Greva e urisë, bojkoti, mendoj se janë shumë të dëmshme për perspektivën e Shqipërisë në integrimin europian. Por faji nuk mund t’i vihet askujt përveçse vetë shqiptarëve”, u shpreh ai. Janush Bugajski, drejtor i Projektit për Demokracitë e Reja Europiane në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, po ashtu thotë se gjendja në Shqipëri është serioze kur bëhet fjalë për polarizim dhe kur Parlamenti nuk arrin të funksionojë. “Ky është një ngërç që nuk lejon miratimin e ligjeve të rëndësishme, reformave të rëndësishme dhe t’i tregojë Bashkimit Europian se vendi është i bashkuar të paktën për sa u përket parimeve bazë”, theksoi ai.

Protestat, thotë zoti Bugajski, janë të paparashikueshme dhe nuk dihet rezultati i tyre. Ajo që mund të jetë më e rrezikshme, thotë ai, është paralizimi i mundësisë për qeverisje. Por nëse palët në Shqipëri nuk arrijnë t’i zgjidhin vetë mosmarrëveshjet e tyre, çfarë roli mund të luajë komuniteti ndërkombëtar? “Zgjidhja duhet të vijë nga shqiptarët, por mund të ndërmjetësohet nga jashtë. Dhe këtu mendoj se Shtetet e Bashkuara mund të luajnë një rol të rëndësishëm dhe pozitiv”, u shpreh analisti.

Duke folur për Kosovën dhe sfidat e saj, zyrtari i BE, Xhons, tha se çështja e zgjerimit të njohjeve, mund të gjejë zgjidhje pas vendimit këshillimor nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Megjithatë, ai tha se për Shtetet e Bashkuara kjo çështje është e qartë. “Për sa u përket Shteteve të Bashkuara, çështja e statusit të Kosovës është zgjidhur. Sovraniteti dhe pavarësia e saj janë të pakthyeshme dhe këtë mendim e kanë edhe 22 vende partnere tona europiane”, u shpreh ai.

Por njoftimet e fundit nga Kosova flasin edhe për sfida të reja brenda vendit. Bugajski komenton edhe hetimet e fundit për korrupsion brenda qeverisë. “Mendoj se është mirë që ndodhin, sepse është proces më i hapur hetimi për t’i treguar popullit të Kosovës se askush nuk është i paprekshëm para drejtësisë. Dhe nëse ka korrupsion në nivelet më të larta, atëherë do të ketë hetime, akuza dhe dënime”, vlerësoi ai.

Bugajski thotë se për aq kohë sa hetimet të jenë të drejta dhe të mos bëhen në baza partiake, kjo do të jetë një gjë pozitive. Ndërsa, për reformën në qeverinë e Kosovës, zoti Bugajski thotë se ky ishte vetëm fillimi. “Do të doja që reforma të ishte më e gjerë. Të përfshinte më shumë institucione dhe individë. Të kishte një kontroll më të hollësishëm të pasurive, lidhjeve, rrjeteve të secilit individ në qeveri, në mënyrë që publiku ta dijë se kë po zgjedh”, nënvizoi Bugajski. Megjithatë, shton ai, reformat nuk janë thuajse kurrë të mjaftueshme.

Marrë nga VOA