Kriza, Grupi i PS-së: Nuk japim konsensus për asnjë ligj në Kuvend

0
47

Shekulli Online, 30.06.2010

TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka vendosur rishikimin e marrëdhënieve me Kuvendin dhe rinisjen e protestave për kauzën e transparencës, si e vetmja rrugë që shpie në zgjidhjen e krizës.

Berluskoni dhe Berisha

Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të grupit, pas te cilit kreu i Grupit, Gramoz Ruçi ka njoftuar se “Që nesër grupi i PS përshkallëzon marrëdheniet me Kuvendin, duke mos votuar asnjë ligj, as me shumicë të thjeshtë e as me të cilësuar”.

Deklarata e Ruçit

Sapo mbaroi një mbledhje e Grupit Parlamentar, i cili diskutoi në lidhje me situatën aktuale politike në vend. Arriti në përfundimin se ajo në vend që të përmirësohet po përkeqësohet nga dita në ditë.

Së dyti, diskutoi lidhur me problemin e transparencën së zgjedhjeve të 28 qershorit dhe të kauzës politike që PS ka lidhur me transparencën për këto zgjedhje. Për të cilën Grupi Parlamentar arriti në përfundimin që mazhoranca, në vend që të hedh një hap drejt përafrimit të marrëdhënieve pozitë-opozitë, po i largohet çdo ditë e më shumë.

Së treti, Grupi Parlamentar diskutoi edhe njëherë me shumë shqetësim lidhur me hapat e fundit të qeverisë, siç janë dy ndër më kryesoret: Ai i ndryshimit të Rregullores së Parlamentit, gjë që bën uzurpimin e organeve të drejtësisë dhe veçanërisht të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Njëherësh dhe projektligji i fundit që është për t’u diskutuar në seancën e nesërme, lidhur me inspektimin e financave publike. Gjë që çon në një trysni, gjë që çon në një kontroll, gjë që çon në një paralizim financiar, administrativ nën tutelën e qeverisë të gjykatave, të KLD, të SHISH, të OJQ-ve, veçanërisht pushtetit vendor, e pse jo deri tek institucioni i Presidentit.

Pra, nisur nga të gjitha këto Grupi Parlamentar i PS vendosi që:

1. Duke filluar që nga dita e nesërme Grupi Parlamentar Socialist përshkallëzon marrëdhënien me parlamentin shqiptar, duke kushtëzuar mardhëniet ndaj këtij parlamenti, duke mos votuar asnjë ligj, as me shumicë të thjeshtë e as me shumicë të cilësuar.

2. Grupi Parlamentar do të përgatisë gjatë ditëve në vazhdim axhendën e tij opozitare në mardhënie me parlamentin.

3. Lidhur me hapat e mëtejshme Grupi Parlamentar Socialist në sesionin e ardhshëm, apo të ri, parlamentar që fillon në shtator, do të bëjë publike hapat e mëtejshme lidhur me marrëdhëniet dhe me qëndrimin ndaj parlamentit shqiptar.

_________________

Vetem nje dite me pare, nënkryetari i Parlamentit dhe njëkohësisht deputet i Partisë Socialiste, Namik Dokle, thekson se në rast të mosgjetjes së një zgjidhjeje të shpejtë të krizës politike opozita do të përdorë të gjitha mjetet kushtetuese, pa lënë jashtë aksionit politik edhe rifillimin e grevës së urisë. Hapat e mëtejshme që PS do të ndjekë në ditët në vijim do të jenë objekt shqyrtimi edhe në forumet drejtuese të kësaj partie.

Për socialistët, mazhoranca keqpërdori shansin që opozita i dha për të reflektuar lidhur me zgjidhjen e krizës politike që ka përfshirë vendin pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas deputetit Namik Dolke, edhe pse mazhorancës iu dhanë të gjitha shanset për të reflektuar për zgjidhjen e krizës politike, ajo reflektoi shumë pak duke gjetur shpëtim tek rezolutat e ndryshme. Çelësi i zgjidhjes së krizës, për deputetin socialist, është vetëm transparenca e zgjedhjeve të kaluara çka është edhe një kërkesë e të gjithë shqiptarëve. “Ne do të luftojmë me të gjitha mjetet kushtetuese dhe do të luftojmë deri në fund, në parlament dhe jashtë tij, në Strasburg dhe jashtë Strasburgut, në grevë urie ose jo, në Tiranë dhe jashtë Tirane, në Bruksel dhe jashtë Brukselit”, – nënvizoi anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste.

Duke besuar tek kërkesa e tyre për hapjen e kutive të votimit si një e drejtë legjitime, socialistët paralajmëruan përshkallëzimin e veprimeve të tyre me një ashpërsi edhe më të madhe. Nënkryetari i Parlamentit vlerësoi grevën e opozitës dhe theksoi se dosja me kërkesat e saj nuk është mbyllur. “Kjo dosje është hapur shumë përpara grevës së urisë. Në grevë u shkrua një kapitull shumë i artë i luftës së opozitës për një kauzë shumë të drejtë”, tha në fjalën e tij anëtari i kryesisë së PS. Ndërkohë, socialistët do të vazhdojnë të kërkojnë mbështetje edhe të faktorit ndërkombëtar.

Nënkryetari i Parlamentit, Namik Dokle, foli edhe për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, duke e cilësuar si një provokim të hapur që i bëhet opozitës në një kohë kur në Parlament ishin dekretet e Presidentit të Republikës. “Nuk kemi kërkuar që të votohet hapur për dekretet. Votimi i hapur është një puç për sa i përket votës së fshehtë në Parlament. Dhe ky puç është marrë në një moment moralisht të dyshimtë, – theksoi zoti Dokle. Për socialistët ndryshimi që iu bë Rregullores së Kuvendit është një presion i hapur që i bëhet institucioneve të pavarura në vend, duke përshirë gjykatat dhe tërë sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Për të marrë një vendim për qëndrimin që Partia Socialiste do të mbajë për dekretet e Presidentit, por edhe për qëndrimin ndaj Parlamentit, pritet të mbahet sot një mbledhje e grupit të deputetëve.

_____________________________

Dy dite e pare apeloi per rishikim te marredhenieve me Berishen dhe Kuvendin edhe deputeti i PS-se, Blendi Klosi. “Duhet të rishikojmë edhe një herë raportin me Sali Berishën dhe Parlamentin. Do të duhet të mendojmë raportin me elektoratin që na mbështet dhe që na erdhi kaq shumë pas nesh. Mendoj se Partia Socialiste e ka vendin në protestë karshi kësaj qeverie në detyrën e fortë të saj opozitare”, u shpreh deputeti Klosi.