Kriza greke që po ndryshon Evropën

0
49

Adrian Civici

ADRIAN CIVICI, 06.05.2010

Mbas debateve, hezitimeve, frikës e propozimeve të të gjitha llojeve , më në fund, u arrit që të gjendej një marrëveshje “relativisht qetësuese” e “garantuese”, të të gjitha palëve për rrugëdaljen e krizës greke. Aktorët kryesorë vendimmarrës si Komisioni i BE, Banka Qendrore Evropiane, FMN-ja dhe Qeveria greke, më në fund ranë dakord për një nga marrëveshjet më të vështira, që vetë BE kishte nënshkruar ndonjëherë. 145 miliardë euro ndihmë për Greqinë në tre vitet e ardhshme, 80 miliardë nga të cilat do të sigurohen nga vendet partnere të zonës euro.

Nga ana e saj, Banka Qendrore Evropiane miratoi plotësisht “masat drastike të Qeverisë greke”, duke nënvizuar qartë se “programi i Greqisë është i kompletuar” dhe masat e parashikuara prej saj “do të ndihmojnë në rivendosjen e besimit dhe shpëtimin e stabilitetit financiar të zonës euro”. Tashmë, me përjashtim të grekëve që duhet të përballojnë koston dhe shtrëngimet e jashtëzakonshme të kësaj krize të financave të tyre, ndoshta për një periudhë të ardhshme 20-30 vjeçare të vështirë, të gjithë të tjerët po ndjehen disi më të lehtësuar.

Por gjithsesi, ky “lehtësim” ka akoma mjaft pikëpyetje brenda tij. A do mundet Greqia të dalë nga kjo situatë “normalisht”?, A mjafton vetëm ky plan shpëtimi për ta kthyer në ekuilibër ekonominë greke dhe eliminuar pasojat zinxhir të efekteve negative të saj në vende të tjera të BE-së apo të Ballkanit?, aq më tepër që për rajonin e Ballkanit, sipas BQE, 2010 pritet të jetë një vit i vështirë ekonomik e financiar.

Por, përtej kësaj zgjidhje dhe përgjigjeve “in extremis”, zona euro dhe vetë Bashkimi Evropian duket se po “e lexojnë” me shumë vëmendje “leksionin grek”. Kjo krizë dhe mësimet e nxjerra prej saj po fillon një start të ri për vetë të ardhmen e Evropës, për vendet anëtare, ato kandidate, apo akoma më shumë, ato në proces integrimi, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Periudha e “post krizës greke” po konsiderohet si themeli i tretë i rëndësishëm në impaktin e saj, sikurse futja e monedhës së përbashkët evropiane dhe zgjerimi i BE me vendet e Evropës qendrore dhe lindore.

Shumë nga këto “rregulla të reja” do të duhet t’i përballojë dhe Shqipëria në procesin e saj të integrimit në BE, apo edhe në zonën euro, prandaj njohja e mirë e tyre duhet të na shërbejë si element thelbësor i politikave tona ekonomike e financiare në muajt e vitet në vazhdim, që pritet të jenë periudha më intensive e integrimit tonë evropian.

Konkluzioni i parë dhe më i rëndësishëm konsiderohet ai se “për të pasur një euro të fortë e të qëndrueshme, BE ka nevojë urgjente për një qeverisje ekonomike e financiare unike”. Zgjerimi në 27 vende anëtare nuk u shoqërua me forcimin dhe unifikimin e vendimmarrjes në politikat ekonomike e financiare, duke i lënë mjaft hapësirë e pavarësi vendimeve nacionale.

Kosto e lartë e përballimit të krizës greke dhe frika e vendeve të zonës euro se ajo mund të përhapet edhe në vende të tjera si Portugalia, Spanja apo Irlanda e bëri më se evident faktin se duhen gjetur urgjentisht mekanizma, e vendosur rregulla të ashpra komunitare, që “asnjë vend të mos ketë mundësi që të tentohet e të aplikojë politika ekonomike populiste apo të disproporcionuara në raport me mundësitë e tij ekonomike”. Kjo kërkesë u konkretizua nga Kancelarja gjermane Merkel, që kërkon “vendosjen e rregullave të reja për eurolandin”, për të qenë plotësisht të garantuar në të ardhmen nga shfaqja e këtyre lloj krizash.

Evropa po kërkon me urgjencë që të rishikojë dhe forcojë “paktin e stabilitetit”, i cili u tregua inefektiv në rastin e krizës greke. Përse u lejua Greqia apo dhe vende të tjera të zonës euro dhe BE-së, që të kenë deficite publike në nivelet 12-13% në raport me PBB, apo borxh publik më të lartë së 100%/PBB, kur kriteret e paktit të stabilitetit i kufizojnë këto në 3% dhe 60%? Këtu pritet të ndodhë edhe ndryshimi i madh.

Propozimet janë të shumta, duke filluar me kërkesën e Gjermanisë për ngritjen e një “agjencie evropiane të vlerësimit financiar” që do punojë vetëm për llogari të “paktit të stabilitetit” dhe Komisionit Evropian. Së dyti, kërkohet që të shtohen rregullat e supervizionit dhe rregullimit të tregjeve financiare në Evropë, duke shtuar dhe ashpërsuar sanksionet ndaj “nxënësve të këqij”, duke arritur deri në një ndërprerje të së drejtës së votës në Këshillin e Ministrave të BE-së apo siç propozon Gjermania, “edhe një përjashtim të mundshëm nga monedha euro”.

Ka ardhur koha që të vendosen rregulla më të qarta dhe të rrepta për vendet që hyjnë në zonën euro, të cilat ashtu siç do të përfitojnë nga hyrja në këtë zonë, po ashtu duhet të jenë në gjendje të respektojnë detyrimet e të qenit anëtar të saj. Rregullat e grupit nuk duhet lejuar në asnjë rast që të shkelen, qoftë kjo me qëllim qoftë si pasojë e mungesës së legjislacionit përkatës.

Së treti, po kërkohet “vendosja e mekanizmave të zbulimit të simptomave negative dhe dhënies së alarmit për vendet problematike”. E gjithë kjo mendohet se duhet shoqëruar dhe me një politikë të re evropiane “për zvogëlimin e diferencave ekonomike e financiare ndërmjet vendeve anëtare”. Për këtë propozohet që “forcimi i qeverisjes ekonomike evropiane të shoqërohet me një shtrirje të objektivave dhe masave të paktit të stabilitetit edhe në fushën e politikave dhe reformave strukturore”, sepse është pikërisht mungesa e këtyre reformave, arsyeja thelbësore e nivelit të ulët të rritjes ekonomike në mjaft vende anëtare apo kandidate të BE-së. Për këtë kërkohet që të stimulohen gjithnjë e më shumë edhe një kategori tjetër liderësh e politikanësh në vendet evropiane: udhëheqës me ambicie e formim sa më të gjerë komunitar, dhe jo thjesht udhëheqës të mirë nacionalë.

Një drejtim tjetër i rëndësishëm ndryshimesh, që në vetvete paraqet një revolucion në menaxhimin e financave publike, është propozimi për të “forcuar kontrollin multilateral të buxheteve dhe financave publike të vendeve anëtare”. E thënë me terma më teknikë, kjo nënkupton krijimin e ligjeve dhe institucioneve që do bëjnë të mundur aprovimin reciprok të buxheteve nacionale nga ana e të gjithë vendeve anëtare, përpara se ato të aprovohen nga Parlamentet e çdo vendi. Me fjalë të tjera, Evropa duket se po shkon drejt krijimit të një “Fondi Monetar Evropian” si një instrument shumë i përshtatshëm për parandalimin apo menaxhimin e krizave të mundshme financiare në gjirin e saj. Mendohet se ky fond do të ketë në dispozicion mbi 2000 miliardë euro, për të arritur që ta luajë cilësisht rolin e tij.

Kriza greke hapi dhe një debat tjetër të madh. Si mund të minimizohet fakti që shtete të fuqishme të BE-së, si Gjermania apo Franca, që presupozohet se duhet ta ndihmojnë Greqinë, në fakt po përfitojnë prej situatës së vështirë të saj?

Ndërkohë që përqindjet e interesit për borxhin grek po kapin majat, përqindjet e interesit për bonot e thesarit gjermane apo franceze po ulen ndjeshëm, duke ja bërë shumë të lirë borxhin publik këtyre vendeve. Logjika e një veprimi të tillë nga fondet e investimeve është e qartë: sa më e komplikuar bëhet situata në Greqi, apo sa më tepër ulet nota e vlerësimit të ekonomisë dhe financave greke nga agjencitë e specializuara ndërkombëtare, aq më tepër investuesit orientohen drejt tregjeve të sigurta gjermane e franceze, dhe aq më shumë ngrenë normat e interesit për eurobondet greke. Në gjuhën financiare, kjo quhet “rendje e likuiditeteve drejt cilësisë” dhe konsiderohet si një veprim normal.

Në tregjet financiare duket se po mbizotëron mendimi se metoda e përdorur për shpëtimin e Greqisë, metodë e stilit dhe praktikave tipike të FMN-së, ku mbizotëron filozofia e shkurtimit drastik të shpenzimeve publike, mund ta fusë Greqinë në një spirale recepsioniste, që mund të zgjasë gjatë në vite. Greqisë po i kërkohet sot të bëjë atë që bëri Amerika Latine në vitet 80-të të shek.XX-të, masa që vërtet e nxorën nga kriza financiare, por që i kushtuan më shumë se një dekadë stanjacion apo dhe recesion ekonomik.
Në këndvështrimin e këtij mekanizmi duhet parë dhe çështja e vështirësive që lidhen me eurobondin shqiptar.

Kriza greke krijoi një panik të paprecedent në tregjet financiare dhe shprehje të tipit “kujdes me investimet”, “mos investo”, etj., dominuan këto tregje. Në këto ditë duket se është shumë e vështirë të dalësh në tregun e eurobondeve, po aq sa është pothuajse e sigurt që normat e interesit janë më të larta se mesatarja e tyre në kohë normale. Kjo gjendje me siguri që mund ta shtyjë në kohë thithjen e borxhit të supozuar prej 400 milionë eurosh nga Shqipëria, por, më e rëndësishme se kjo, janë sinjalet që vijnë nga ekonomia dhe financat shqiptare.

Kompania vlerësuese “Moody’s” e etiketoi borxhin shqiptar në nivelin cilësor B1, ndërsa disa ditë më vonë, agjencia tjetër “Standard & Poor’s” e vlerësoi atë me notën B+, që janë pak a shumë i njëjti nivel vlerësimi, i cili nënkupton një investim në ambient me elemente të evidentueshme risku. Në këtë aspekt, për Shqipërinë është thelbësore që në këtë interval kohe, deri sa tregjet financiare të “qetësohen” dhe frika e krizës greke të ketë kaluar, të përpiqemi ta përmirësojmë sa mundemi imazhin dhe përmbajtjen e disa nga treguesve më të rëndësishëm makroekonomikë e financiarë të vendit.

Duhet të dëshmojmë se reformat tona strukturore dhe përmirësimi i indikatorëve makroekonomikë janë një politikë e qëndrueshme afat-gjatë. Nëse ekonomia apo financat tona “nxihen” vazhdimisht apo “lustrohen” thjesht dhe vetëm në funksion të konjukturave e rivalitetit politik, ai që “rritet” mund të jetë vetëm interesi i borxhit të eurobonove apo një vonesë akoma më e madhe në sigurimin e tyre.