Nga: AFRIM KRASNIQI
Çdo shtet ka një strategji të sigurisë kombëtare, përmes së cilës përcaktohen interesat dhe prioritetet kryesore të politikës së jashtme, të mbrojtjes dhe të bashkëpunimit ekonomik. Ky dokument është produkt i bashkëveprimit të disa institucioneve kryesore kushtetuese, miratohet në parlament dhe merret si udhëzues bazë për çdo qeveri, të majtë e të djathtë, njëherësh për maxhorancat dhe për opozitat politike. Synimi është të ketë një unifikim qëndrimesh rreth asaj se cilat janë prioritetet dhe rreziqet, kërcënimet dhe interesat në fushën e diplomacisë, mbrojtjes, ekonomisë dhe fushave të tjera jetësore për një shtet e një shoqëri. Praktika amerikane mëson se parimet e strategjisë kombëtare të sigurisë dhe partneritetit janë udhëheqëse për çdo kabinet presidencial. Modele të tilla gjenden edhe në të gjitha shtetet e tjera anëtare të NATO-s dhe të BE-së.
Një dokument i tillë ekziston edhe në Shqipëri. Ai është ndryshuar disa herë, është kaluar në parlament, ka marrë miratimin e të gjitha palëve politike dhe mund të konsiderohet një produkt konsensual afatgjatë, politikisht të detyrueshëm për çdo institucion politik në vend. Në funksion të këtyre parimeve hartohen edhe programet qeveritare të radhës, të cilat vijnë si produkt zgjedhor dhe kanë funksion kryesor qeverisjen e vendit për një periudhë të caktuar kohore.
Jashtë leximit ligjor dhe formal të rolit të strategjisë kombëtare dhe përgjegjësive të institucioneve politike ndaj saj, ne kemi një realitet tjetër të përditshëm, një traditë negative dhe të paqëndrueshme, të cilat vijnë në kundërshtim me frymën e prioriteteve, strategjive dhe interesave afatgjata kombëtare. Le të referojmë dy modele qeverisëse. Gjatë qeverisjeve të majta, kryeministrat deklaronin herë në Romë, herë në Uashington dhe herë në Athinë se ai vend ishte partneri kryesor strategjik për Shqipërinë. Më 1998-ën, një kryeministër propozoi protektorat italian mbi Shqipërinë. I njëjti politikan pak vite më vonë propozoi kujdestari greke mbi Shqipërinë. Të djathtët në opozitë i denoncuan këto praktike negative dhe spekulative me interesat kombëtare të partneritetit, por kur erdhën në pushtet ata vijuan me të njëjtat praktika.
Kështu, vetëm gjatë dy – tre muajve të fundit kemi parë kryeministrin të cilësojë partner strategjik të Shqipërisë një vend fqinj si Italia, një kryediplomat që i njeh këtë rol një vendi tjetër fqinj si Greqia, apo një kryeparlamentare që ia njeh këtë partneritet strategjik një vendi tjetër në rajon, si Turqia. Po ashtu kemi parë deklarata të krerëve të shtetit dhe politikëbërjes, të cilët njohin si avokatë të Shqipërisë në BE herë Gjermaninë, herë Italinë, herë Spanjën, herë Austrinë, herë Greqinë dhe madje njëherë edhe Belgjikën apo Slloveninë.
Në marrëdhëniet ndërkombëtare janë të njohura praktikat e vlerësimeve dhe kortezisë diplomatike, por në vendet me demokraci e shtet serioz e të konsoliduar nuk ndodh asnjëherë që krerët e shtetit brenda pak muajve, madje edhe pak ditëve, të shpallin partnerë strategjikë shtete krejt të ndryshme, ndonjëherë edhe rivale ndaj njëra tjetrës. Kjo ndodh për tri arsye. E para, sepse deklaratat bëhen për nevoja të suksesit personal dhe kryesisht gjatë vizitave zyrtare në shtetet përkatëse. E dyta sepse politikanë të veçantë synojnë të krijojnë admirim e raporte besimi personale ndaj shteteve të caktuara, pavarësisht politikës zyrtare që duhet të përfaqësojë. E treta, sepse ne nuk zhvillojmë akoma një diplomaci dhe politikë institucionale, por thellësisht personale dhe për konsum ditor. Në thelb humori dhe interesi ditorë të politikanëve kanë përvetësuar një pushtet ekstrakushtetues, të drejtën të caktojnë e të shpallin vendet mike, vendet strategjike, vendet vëllazërore, vendet partnere dhe vendet problematike, pa marrë në konsideratë asnjë konkluzion ligjor dhe institucional.
Situata të tilla joserioze ndikojnë dukshëm në imazhin e diplomacisë dhe klasës politike në raport me vendet e tjera, partnerët seriozë ndërkombëtarë dhe vetë shtetet e përfshira në investime pro e kundër. P.sh, koha kur kryeministri i Shqipërisë deklaronte votën publike në KS të OKB-së për Gjermaninë dhe një javë më vonë për Italinë, apo kur një kryeministër tjetër rikthente votën për Gjermaninë duke thënë se ia ka premtuar vite më parë një politikani të lartë të këtij vendi, mund të mbetet në rekordet e marrëdhënieve diplomatike si një rast papërgjegjshmërie dhe joserioziteti.
E njëjta gjë mund të thuhet për kohën kur titullarët e shtetit shqiptar fillimisht betoheshin për miqësinë pa kushte amerikane, pastaj akuzonin amerikanët për hyrje në punët e brendshme dhe në fund kërkonin mbështetje në shtete kritike europiane ndaj SHBA apo në ndonjë kontinent tjetër.
Sjellje arrogante provinciale si ato kur kryeministri shqiptar botonte në gazetat amerikane një koment kritik kundër BE-së dhe shtyllës së saj drejtuese, boshtit Berlin – Paris, apo ato të një tjetri kryeministër që në samite ndërkombëtare jepte leksione kundër babëzisë kapitaliste dhe europiane mbeten një kujtim i keq, dhe më e pakta, një xhest feudal me efekt të kundërt për shtetin e shoqërinë shqiptare.
Shqipëria është një vend i vogël, jo një aktor politik kontinental apo global. Ne jemi me fat se kemi aleat të interesave themelore shqiptare shtete të mëdha dhe vendimmarrëse si SHBA, Gjermania, Britania apo Italia. Synimi ynë është integrimi në BE dhe thellimi i miqësisë e bashkëpunimit me SHBA. Kaq mjafton për të shpjeguar cilat janë shtetet dhe prioritetet tona kombëtare, kush duhet të jetë partneri ynë strategjik.
A mund dhe si mund të ndryshojë kjo praktikë e gabuar? Në rastin më të mirë do të duhet që politika dhe vendimmarrësit të kuptojnë se shteti dhe interesat kombëtare, aleancat dhe partnerët strategjikë, nuk janë pronë e një apo disa individëve; janë asete kombëtare dhe vendimmarrja mbi to mund e duhet të jetë vetëm institucionale. Kjo kërkon kohë dhe lidhet një mentalitet e kulturë të re politike shumë më të ndryshme nga ajo që shohim sot.
Në rastin më të keq do të duhet të hyjnë në veprim institucionet përgjegjëse të koordinimit, përpunimit dhe vendimmarrjes në politikën e jashtme. ne kemi një MPJ që ka përgjegjësinë e përgatitjes së tezave diplomatike, kemi një Këshill të Sigurisë Kombëtare që do të duhet të koordinojë qëndrimet strategjike, kemi një parlament që do të duhet të votojë strategjitë dhe njëherësh të kërkojë e hetojë përmes komisioneve përkatëse, ecurinë, progresin dhe problematikat e zbatimit të tyre. Drejtuesit e këtyre institucioneve paguhen me taksat tona, udhëtojnë me taksat tona, flasin në emrin tonë, janë në pushtet e në qeverisje me besimin tonë. Mbetet që çdonjëri prej nesh, qytetar e bashkësi qytetarësh, përmes debateve, nismave publike dhe çdo forme tjetër kritike t’u kërkojmë atyre, as më pak dhe as më shumë sesa të përmbushin me cilësinë dhe në kohën e duhur detyrën e tyre kushtetuese.