
Andrea Stefani
Një tjetër ultimatum ka mbërritur nga Brukseli në Tiranë. Këtë herë janë ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian që “kërcënojnë” liderët shqiptarë të politikës se “tani është koha e fundit për zgjidhjen”. E fundit fare, fare? Apo do të ketë përsëri një tjetër kohë sikundër ka ndodhur disa herë përgjatë këtij viti? Pyesim kështu, sepse tani jemi në qershor 2010, ndërsa kriza filloi në qershor 2009. Ka një vit që shteti zvarritet në krizë, edhe për faktin se “ndërkombëtarët” nuk kanë treguar vullnetin e duhur për të vënë pikat mbi “I” dhe për t’i dhënë secilit prej liderëve shqiptarë hakun. Si Sali Berishës ashtu edhe Edi Ramës. Është fakt se Shqipëria po devijon nga kursi evropian, për shkak të klasës politike dhe se rreziku i një izolimi të dytë nga Europa ka nxjerrë kokën në horizont.
Po flitet më me pak eufori për “vizat”, ndërkohë që baronesha Ashton e ndjeu të nevojshme të nënvizonte dëshirën e saj “që Shqipëria të jetë në rrugën e BE-së”. Ndërkaq, përgjegjësia e forcave politike, dhe mbi të gjitha e liderëve të tyre, për këtë gjendje mjerane të punëve të Shqipërisë nuk është e njëjtë. Prandaj të flasësh në përgjithësi për përgjegjësinë e të dyja palëve për krizën dhe për zgjidhjen e munguar, pa thënë saktë se ç’është mirë të bëjë njëri dhe ç’është mirë të bëjë tjetri, do të thotë t’i çlirosh të gjitha palët përgjegjëse për krizën nga përgjegjësia konkrete. Do të thotë t’u krijosh liderëve politikë rrethanën ideale për alibinë e krizës, që gjithkush t’ia hedhë fajin për krizën kundërshtarit dhe për rrjedhojë, askush të mos jetë i interesuar për stopimin e krizës. Prandaj nëse ka sot një moment final, ai është momenti i të folurit troç. Edhe për “ndërkombëtarët”.
* * *
Përgjegjësia e liderit socialist për krizën sa rraskapitëse aq edhe të rrezikshme që vuan sot Shqipëria, shtrihet në gjithë periudhën nga tragjedia e Gërdecit dhe deri në zgjedhjet e 28 qershorit. Është periudha e errët kur opozita në emër të një “stabiliteti” fals, toleroi dhe nuk këmbënguli deri në fund (sikundër po këmbëngul me të drejtë sot për kutitë) për ndëshkimin, fillimisht politik, të qeverisë për masakrën e Gërdecit, që qartazi ishte vepër e duarve të saj të përlyera me trafiqe armësh e municionesh. Opozita dhe Rama toleruan Berishën, edhe pse ishte e qartë, se sikundër thoshte me të drejtë Ilir Meta në atë kohë (dhe prandaj kjo bashkëqeverisje sot me Berishën është një turp për të) se pa u larguar Berisha nga pushteti nuk mund të ketë hetim të vërtetë dhe drejtësi për të vrarët e Gërdecit.
Sot Meta, si zëvendës i Berishës, po jep kontribut që thënia e tij e djeshme të gjejë zbatim të plotë, pra që të mos ketë drejtësi për Gërdecin. Paradoksalisht Berisha doli më i fortë nga “Gërdeci”, edhe sepse në vend që të kërkonte me ngulm largimin e Berishës sikundër dhe e meritonte, Rama iu fut reformave “historike” në konsensus me të. Ndryshoi Kushtetutën e Republikës pa transparencë (pa atë që me të drejtë e kërkon sot) “brenda natës”, duke jo vetëm e rilegjitimuar Berishën si “njeri të reformave”, por edhe duke e bërë të pathyeshëm si Kryeministër.
Në fakt Rama ka një vit që sulmon pikërisht ato fortifikata kryeministrore që u ngritën edhe me kontributin e tij. Por, mbi të gjitha, Rama dhe “specialistët” pranë tij që sot e kritikojnë për disfatën, u treguan të pakujdesshëm në hartimin e Kodit Zgjedhor, duke lejuar të çara në formulime, të çara që do të bëheshin më pas edhe alibia “ligjore” e berishistëve për të penguar transparencën “me ligj”.
* * *
Por ndërsa përgjegjësia e socialistëve për krizën shtrihet në gjithë periudhën parazgjedhore, e gjithë përgjegjësia për periudhën postzgjedhore lidhet me emrin e Kryeministrit Berisha. Ky i fundit është bashkautor për krizën në periudhën para zgjedhjeve, ndërkohë që ruan ekskluzivitetin e përgjegjësisë nga 28 qershori e deri më sot. Gjithmonë kryeautor i krizave në këto 20 vjet, Berisha nuk mund të bënte ndryshe edhe këtë herë. Ndërsa shihej qartë se votat po peshonin më në shumicë majtas ai vaiste, tamam si dikur më 26 maj 1996, në heshtje dhe prapaskenë punishten e vjedhjes së votave. Teknika e maskimit është po ajo e punishtes së heshtur të Gërdecit që kur shpërtheu, trandi gjithë Ballkanin.
Edhe punishtja e vjedhjes së votave hodhi në erë zgjedhjet dhe sot rrezikon të hedhë në erë edhe integrimin e Shqipërisë. Ishte po Berisha që deklaroi se nuk dinte gjë për punishten e Gërdecit, megjithëse i biri këmbente telefonata me Delijorgjin (rastësi?), ndërkohë që edhe baxhanaku i Kryeministrit, që humbi jetën ditën e shpërthimit, rezultoi të ishte një nga mbikëqyrësit e punishtes (përsëri rastësi?). Sot është po Berisha që deklaron se nuk di gjë për ekzistencën e ndonjë “punishteje” të vjedhjes së votave.
Por ka harruar thënien latine se injoranca nuk është argument. Aq më tepër injoranca e shtirur. Sepse nëse vërtet Berisha nuk do të kish vjedhur vota, nëse vërtet do kish fituar me anë të ca zgjedhjeve që ai i deklaron më të mirat e tranzicionit, nuk do të kishte as ligj dhe as Kushtetutë që ta pengonte atë të kryente transparencën dhe t’i jepte rivalit të tij më të rrezikshëm sot, Edi Ramës, një goditje shkatërruese. Të gjithë e dinë se e vetmja gjë që e mbajti Ramën në krye të PS-së pas 28 qershorit është pretendimi se ai nuk i ka humbur zgjedhjet dhe se votat janë vjedhur.
Dhe statuti i PS-së thotë që lideri largohet nëse humb zgjedhjet. Statuti nuk thotë që lideri largohet edhe kur kundërshtari vjedh zgjedhjet. Prandaj nëse transparenca do konfirmonte se zgjedhjet nuk u vodhën, por ishte PS-ja që humbi, Edi Ramës nuk i mbetej gjë tjetër veç se të linte karrigen e kreut të PS-së. Por kjo nuk ndodhi. Përse? Përgjigjja është evidente. Ajo nuk i volit Berishës ashtu sikundër nuk i volit çdo vjedhësi.
Transparenca do nxirrte vjedhjen e votave. Si në Ruzhdie. Prandaj Berisha, ky agresor i palodhur i Kushtetutës dhe i gjykatave, e pengon atë duke nxjerrë si alibi Kushtetutën dhe gjykatat. Ka një vit që vazhdon ky teatër absurd, ku Kushtetuta, si në asnjë vend demokratik në botë, bëhet pengesë për një parim kushtetues si transparenca. “Ndërkombëtarët” kanë përgjegjësi që prej një viti bëjnë sikur nuk kuptojnë se e gjithë kjo është një inskenim i Berishës që kombinon kapjen e një kolegji zgjedhor me vjedhjen e votës.
Është rasti i rëndomtë dhe i kudondodhur kur një gjykatë ka marrë vendim në favor të një vjedhësi dhe prandaj nuk duhet shenjtëruar sikundër kërkon të bëjë Berisha. Dhe megjithatë, ekzistojnë disa opsione që edhe ekzigjenca e Berishës për “pavarësinë e gjyqësorit” të mos preket, që edhe vendimi i Kolegjit të Berishës të mos preket, por edhe transparenca e zgjedhjeve të kryhet.
Një ndër to është edhe opsioni i formuluar për herë të parë në publik nga ambasadori i OSBE-së, Bosch, dhe të cilit, sikundër thonë, i përfarohet edhe nisma Daul dhe Shulz. Nëse, më në fund, “ndërkombëtarët” këmbëngulin për një opsion të tillë që çon te transparenca, zgjidhja është afër. Por nëse ata do të tolerojnë përsëri një Berishë që i vë paradoksalisht si barrierë transparencës së votave Kushtetutën, atëherë kriza nuk do të ketë fund edhe këtë herë. Dhe do të jetë i kërcënuar jo vetëm integrimi i Shqipërisë, por edhe stabiliteti i saj.







