Kritikë ndaj kritikëve të pandershëm të neoliberalizmit

0
42

Adri Nurellari

Adri Nurellari

Edhe pse kanë kaluar dy dekada prej rënies së regjimit komunist dhe kemi kombin më të ri në Europë, mentaliteti marksist dhe shabllonet që e karakterizojnë vazhdojnë të kultivohen masivisht dhe bindshëm në ligjërimin publik shqiptar. Një ndër format më tipike me të cilën shfaqen haptazi rudimentet marksiste, është interpretimi i shtrembër që i bëhet liberalizmit klasik ose neoliberalizmit në ligjërimin tonë, duke përdorur dendur klishetë e kohës së regjimit komunist. Konkretisht, Kapitali i Marksit e interpretonte liberalizmin si një përpjekje të klasës borgjeze për të legjitimuar pozicionin e vet sipëror dhe shfrytëzues nëpërmjet kësaj ideologjie. Ende sot dominon ky interpretim i veprës së Adam Smithit, nëpërmjet filtrave të Karl Marksit nga shumë individë publikë, të cilët ende s’e kanë marrë mundimin ta lexojnë drejtpërdrejt Smithin.

Në fakt Smithi nuk nxjerr argumente në favor të interesave të sipërmarrësve borgjezë apo aristokratëve të fuqishëm, por flet për një sistem të mbështetur te liria që më së shumti do ndihmonte të varfrit. Sipas tij, ekonomia e udhëhequr prej dorës së padukshme të tregut, do të bënte të njëjtën shpërndarje të produkteve të nevojshme për jetën, që do të ishin bërë sikur bota të ishte e ndarë në porcione të barabarta mes banorëve, dhe në këtë mënyrë, pa e pasur synim, pa e ditur, avancon interesat e gjithë shoqërisë.

Nëse këta njerëz do kishin mirësinë dhe ndershmërinë intelektuale t’i lexonin vetë drejtpërdrejt veprat kryesore liberale, e mos të mjaftoheshin me keqinterpretimet apo copëzat e nxjerra jashtë kontekstit të komentuesve subjektivë të këtyre veprave, do të zbulonin se liberalët kanë të shenjtë vetëm lirinë dhe biznesi konsiderohet armiku numër një i lirisë pas shtetit.

Lidhur me shtetin dhe biznesin, marrëdhënia e liberalëve është delikate dhe ambivalente. Liberalët janë miniarkistë, pra janë në favor të një qeverisjeje të vogël e të domosdoshme, ama janë kundër një shteti të madh dhe intruziv. E njëjta gjë vlen lidhur me bizneset, sipërmarrësit janë të domosdoshëm në ekonomi, ama ata duke ndjekur interesin e ngushtë të tyre kanë një prirje tipike për të kufizuar konkurrencën dhe imponuar monopole, mundësisht duke u marrë vesh me shtetin. Në këtë rast ata shndërrohen në armiq të lirisë e prandaj garantimi i lirisë ekonomike dhe konkurrencës ngelet objektivi kryesor i ithtarëve të ekonomisë së tregut.

Socialistëve, duke qenë se konsiderohen si përfaqësues politikë të interesave të klasës proletare, u nevojitet që të kenë një antipod për të motivuar luftën e klasave, duke ia përshtatur strukturës së tyre materialiste të të menduarit. Pra, me logjikën e tyre, përderisa socialistët pretendojnë se përfaqësojnë të varfrit, të tjerët, armiqtë, duhet të përfaqësojnë të pasurit. Për ta vlen vetëm përqasja dikotomike, keq-mirë, bardhë-zi, me të varfrit apo me të pasurit. Për marksistët ose neomarksistët është i pakonceptueshëm pluralizmi dhe fakti që liberalizmi si ideologji është për barazi para ligjit, për mundësi gare për të gjitha segmentet e shoqërisë dhe ç’është më e rëndësishme, është e vetmja ideologji që kombinon efikasitetin me moralin.

Në fakt, Adam Smith ka qenë profesor i filozofisë së moralit në universitetin e Gllasgout, dhe fill para se të shkruante “Pasurinë e Kombeve”, që njihet si libri që themeloi shkencën e ekonomisë, kishte shkruar librin “Teoria e Ndjenjave Morale” (“Theory of Moral Sentiments”). Ai doli në konkluzionin se tregu, ekonomia e bazuar në tregun e lirë, është më e ndershmja dhe njëherazi më efikasja, jo duke pasur synim gjetjen e një justifikimi për interesat e biznesmenëve, por duke synuar të gjente një sistem që përmbushte standardet më të larta morale. Për rrjedhojë, ata që shkruajnë e pretendojnë se neoliberalët, apo liberalët klasikë, kanë për qëllim mbrojtjen e interesave të ngushta të biznesmenëve në kurriz të konkurrencës së lirë, janë në rastin më të mirë naivë e injorantë dhe në rastin më të keq dashakeqë e manipulatorë.

Prandaj është e pandershme që ekonomia në Shqipëri dhe Kosovë të përshkruhet si liberale klasike apo neoliberale. Mund të quhet oligarkike, plutokratike, monopoliste, oligopoliste, kleptokratike, kaotike etj., por kurrsesi liberale. Mjafton të përmenden disa tipare bazike të situatës ekonomike në Kosovë e Shqipëri dhe të krahasohen me parimet thelbësore liberale, për të treguar sa larg të qenit liberale janë ekonomitë e dy shteteve shqiptare. Së pari, njëherë mjafton të shikohet përmasa e sektorit publik dhe roli vendimtar që luan shteti në ekonomi, për të thënë se aktori kryesor ekonomik është shteti e jo sektori privat.

Shteti jo vetëm ndërhyn në mënyrë flagrante dhe deformuese në treg, por është njëherazi punëdhënësi kryesor dhe konsumatori kryesor i ekonomisë, duke bërë që ekonomia të jetë peng e politikës dhe jo e konkurrencës. Po ashtu është e vërtetë që privatizimi rekomandohet nga liberalët, me qëllim që ekonomia t’i nënshtrohet mekanizmit të ofertë-kërkesës, mirëpo procesi i privatizimit që është aplikuar si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, është shumë larg të qenit liberale. Kjo pasi privatizimi nuk është bërë në kushtet e konkurrencës së lirë, duke pasur qëllim rritjen e efikasitetit të ekonomisë, por ka qenë një formë shpërblimi ndaj aktorëve politikë ose satelitëve të tyre.

Madje në disa raste privatizimi thjesht ka bërë që monopoli publik të zëvendësohet nga një monopol privat, që është edhe më i keq se ai shtetëror. Kjo pasi publiku ndaj kompanisë monopol publike ka njëfarë ndikimi nëpërmjet votës, kurse ndaj atij privat është krejt i çarmatosur. Prandaj, nëse për rezultatet e tanishme të ekonomisë i vihet faji privatizimit në vetvete, e jo mënyrës dashakeqe me të cilën është bërë privatizimi, është njësoj sikur të shajmë thikën e bukës meqenëse dikush e përdor për të vrarë e jo në kuzhinë.

Dimensioni oligarkik duket akoma më qartë nga fakti që ekonomia dominohet nga një grusht aktorësh, të cilët kanë pozita të privilegjuara e të garantuara nga lidhja që ata kanë me politikën, duke imponuar çmimet dhe cilësinë që atyre iu konvenon dhe duke vjelë pjesën më të madhe të fitimeve nga ekonomia. Në Kosovë, më pak se 10 biznesmenë zotërojnë shumicën dërrmuese të ekonomisë dhe nuk e kanë për gjë ta mbytin tregun kosovar me mallra të importuar nga Serbia, duke ia zënë frymën prodhimit vendas dhe konkurrencës së mallrave me origjinë tjetër.

Pak javë më parë opozita dëshmoi publikisht se në Shqipëri rreth 60 kompani me lidhje apo mbështetje politike qarkullojnë mbi 4 miliardë euro në vit, duke dëshmuar qartë që ekonomia e Shqipërisë është oligopoliste. Përpos kësaj, mjafton të shikohet arena politike dhe fakti që ajo është e dominuar nga i njëjti numër i vogël politikanësh të shumëfuqishëm, për të kuptuar që oligarkia politike ka shkaktuar oligopolet ekonomike.

Janë të panumërta elementet që demonstrojnë se ekonomia shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë është infektuar keq nga elitat politike të korruptuara që kanë futur duart thellë në ekonomi. Analiza e situatës aktuale dëshmon që ne si komb nuk jemi duke ndjekur një model kapitalist neoliberal, por jemi duke adoptuar gjithnjë e më shumë tiparet e ekonomive oligarkike të Amerikës Latine. Prandaj para se socialistët të bërtasin që liberalizmi ka dështuar në Shqipëri dhe Kosovë, iu duhet që fillimisht të provojnë nëse liberalizmi ekonomik është aplikuar ndonjëherë te ne.

Përderisa të gjitha tiparet tregojnë se kjo gjë është e paprovueshme, kritikët e neoliberalizmit duhet që ta përmbajnë marazin e tyre të brendshëm ideologjik dhe urrejtjen individuale që kanë ndaj tregut, ta shfryjnë në nivel filozofik e teorik, apo duke marrë shembuj të tjerë, sepse ekonomia e Kosovës dhe Shqipërisë gjithçka mund të jetë, përveçse ekonomi e tregut të lirë.