Nga Edi Rama
Në të majtën tuaj janë forcat e punës në Shqipëri dhe në të djathtë janë shqiptarët e punësuar. Përfshin 10 vjet, nga viti 2000 në vitin 2010. Është e datës 3 shkurt, pra e vetëm pak ditëve më parë. Rritja e forcave të punës dhe rënia e numrit të të punësuarve në 10 vjet është dramatike. Kryeministri nuk rresht së akuzuari opozitën si gënjeshtare, sepse prej vitit të shkuar ne themi se në Shqipëri ka 1 milionë të papunë. Le ta shohin të gjithë shqiptarët tabelën e të dhënave nga Banka e Shqipërisë ku del qartë si drita e diellit se kush gënjen.
Gënjen opozita që thotë se të papunët në Shqipëri kanë arritur në 1 milionë, apo gënjen kryeministri që flet për rritje të punësimit dhe për opozitën, që sipas tij gënjyeka 1 milionë herë. Nëse gënjen Banka e Shqipërisë atëherë ka vetëm një gjasë, papunësia është edhe më shumë se kaq. Sepse Banka e Shqipërisë nuk është as institucion i opozitës, as institucion i pavarur, por një institucion që e ka humbur pavarësinë në funksion të propagandës dhe të politikës barbare ekonomike të kryeministrit të Shqipërisë.
Shiheni në të majtën tuaj si janë rritur në vite forcat e punës, ndërsa në të djathtë shihet qartë sesi sot Shqipëria ka nivelin më të ulët të punësimit që nga viti 2001. Këto janë shifrat, kjo është e vërteta, në mos qoftë edhe më keq se kaq. Prandaj edhe unë sot i them kryeministrit në emër të opozitës dhe të së vërtetës së shifrave:
Turp! Turp! Turp!
Tre herë turp! Turp për qeverinë që ka dështuar si mos më keq në sfidën më të madhe që ka sot familja shqiptare, që është punësimi.
Turp për kryeministrin që e gënjen, si derri i kënaqun i Migjenit, popullin shqiptar duke fshehur me rrena të përbindshme të vërtetën e hidhur të gjendjes ekonomike e sociale të vendit.
Turp për Saliun, që në vend që të pranoj dështimin e shprehur kokëfortësish në shifra, i turret opozitës që e thotë dhe do ta thotë me zë të lartë të vërtetën.
Shqipëria ka 1 milionë të papunë, sepse shqiptarët kanë një qeveri që nuk punon për mirëqenien e tyre, sepse është e paaftë, sepse është e paditur, sepse është e korruptuar deri në thonj. E në një vend ku forcat e punës janë 2 166 000, e të punësuarit vetëm 917 000, s’ ka sesi të mos rriten përditë shifrat e kriminalitetit.
Edhe për shifrat e kriminalitetit kemi tabela shumë interesante, që hedhin poshtë shifrat e propaganduara nga qeveria. Do t’i bëjmë publike të premten, në Tryezën e Programit për Rendin Publik. Por, lejomëni të them sot se programi ynë “Për një Rilindje Shqiptare” është e vetmja rrugë për ta sfiduar frontalisht krimin. Duke luftuar ballë për ballë me krimin, por edhe me shkaqet e tij. Sot jetojmë në një vend që tronditet përditë nga vrasjet, eksplozivët dhe nga grabitjet me armë në dorë. Vrasin bandat kriminale, por vrasin edhe të rinjtë e dëshpëruar në rrugën e grabitjeve për t’i mbijetuar varfërisë dhe papunësisë. Vret vet shteti me armë zjarri dhe kryeministri i quan vrasësit heronj, duke goditur haptas ata që e luftojnë krimin me në krye Prokuroren e Përgjithshme të Republikës.
Humbasin jetën njerëz të pafajshëm që gjenden rastësisht në rrugën ku kërcasin plumbat e banditëve që janë sot sundimtarët e ditës dhe të lajmeve të ditës. Mijëra vjedhje “të vogla” as nuk regjistrohen fare nga policia që bën sikur merret me vrasjet dhe me grabitjet e mëdha. Në krye të policisë qëndrojnë xhagajdurë me imunitet kryeministror që shpërdorojnë detyrën për përfitime krejt personale. Që kontrollojnë me uniformë dhe radio policie rrugët e kontrabandës së drogës dhe të naftës. Që bashkëpunojnë me krimin në një simbiozë monstruoze dhe pastaj i kthejnë pushkët popullit që proteston. Jeta është e pambrojtur, prona është e pambrojtur, biznesi është i pambrojtur. Më keq akoma, e ardhmja është e pambrojtur!
Papunësia e të rinjve, më e rënda papunësi për një shoqëri nuk zbutet dot me shqyerjen e dyerve të universiteteve publike dhe me kërpudhëzimin e universiteteve private. Rrënjët e këtij kriminaliteti që po ndrydh përditë e më shumë shoqërinë dhe po tmerron njerëzit e zakonshëm dhe të ndershëm të këtij vendi janë të thella. Janë tek politika e egër që s’ka asnjë standard etik dhe pushtetin vetjak e ka të vetmin qëllim. Janë tek arsimimi kallp dhe shkollat e mbërthyera nga terri i militantizmit partiak që përcakton standardet e papranueshme të jetës në shkollë.
Janë tek plagët e tmerrshme sociale, varfëria e papunësia në radhë të parë dhe korrupsioni i kudondodhur që ju jep njerëzve shembullin më shkurajues të paligjshmërisë. Janë tek kultura e pandëshkueshmërisë që ka asgjësuar parimin themelor të demokracisë që është barazia para ligjit. Janë tek drejtësia e kalbur prej shërbimeve haptazi të paligjshme ndaj pushtetit dhe nënshtrimit ndaj parasë që përcakton fatin e proceseve gjyqësore. Janë tek një shërbim policor i rrënuar prej shkatërrimit të standardeve të profesionalizimit dhe të meritës në karrierë. Shkurt janë tek mungesa e shtetit të kthyer në një funksion të pushtetit që vjedh votat për të vjedhur dhe sunduar me përdhunë Shqipërinë.
Programi ynë synon goditjen frontale të krimit duke prerë njëkohësisht rrënjët që e ushqejnë pemën e tij përditë edhe më hijerëndë. Ne do t’i japim shqiptarëve në dorë një platformë të detajuar të luftës që do t’i hapim krimit dhe shkaqeve të krimit qysh ditën e parë të qeverisjes sonë. Ndërkohë, duhet të paraqesim në parlament disa masa urgjente ligjore për të rënduar dënimet, si pjesë e ligjeve që do të diskutohen së shpejti për të marrë 3/5 e votave të parlamentit. Gjendja është e padurueshme, e patolerueshme, e pajustifikueshme.
Krimi po merr përditë terren dhe po dikton axhendën e lajmeve të përditshme duke e rënduar ditës ditës psikologjinë shoqërore. Kriminelët po fitojnë çdo ditë një superioritet të frikshëm ndaj shtetit, të rënë në kthetrat e krimit dhe të korrupsionit. Vrasësit dhe grabitësit po gëlojnë, sepse kanë vrarë në radhë të parë frikën nga ligji dhe nga gjykatat që janë gjunjëzuar përballë tyre dhe parave të tyre. Kjo gjendje duhet të ndryshojë! Këtë gjendje nuk e ndryshon dot kjo qeveri. Kjo sfidë është e jona. Ne duhet të jemi në lartësinë e saj.
I garantoj shqiptarët se ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për këtë dhe jemi gati ta përballojmë këtë sfidë me reforma të thella, vendime të guximshme, veprim të pandërprerë kundër krimit dhe shkaqeve të krimit.
Së fundmi, lejomëni ta falënderoj median për zbulimin e djeshëm të dokumentit tronditës të analizës që vetë struktura e brendshme e policisë i kanë bërë katrahurës së 21 janarit. Ai dokument flet më mirë se çdo koment për katandinë e policisë së shtetit. Për rrënimin e profesionalizimit dhe të moralit të policisë. Për keqpërdorimin e forcave të rendit në 21 janar. Për faktin se vrasjet ishin të paramenduara dhe u kryen jo për të mbrojtur institucionin, por për të ekzekutuar dënime me vdekje ndaj opozitës.
Për të vërtetën se përgjegjësia për ato vrasje barbare është politike dhe përgjegjësit e drejtpërdrejtë janë ish ministri i brendshëm dhe vetë personalisht kryeministri. Kjo është një e vërtetë gjithnjë e më e qartë për të gjithë. Mbi këtë të vërtetë duhet të bëhet drejtësi, jo vetëm për të ndëshkuar deri në fund masakrën e 21 janarit, por edhe për të ndarë përfundimisht të shkuarën në pushtet nga e ardhmja e shtetit të të gjithë shqiptarëve.
* * * * *
Kryesocialisti Rama u shpreh sot se shifrat e Bankës së Shqipërisë në lidhje me papunësinë në vend faktojnë atë që opozita e ka deklaruar prej kohësh: nivelin alarmant të papunësisë në vend.
Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama u shpreh se shifrat tregojnë se Shqipëria ka tashmë nivelin më të ulët të punësimit që nga viti 2001.
“Në tabelën e nxjerrë nga BSH del qartë si drita e diellit se kush gënjen. Opozita që thotë se janë 1 milion të papunë apo kryeministri që thotë që është rritur numri i të punësuarve. Shiheni si janë rritur në vite forcat e punës, ndërsa sivjet Shqipëria ka nivelin më të ulët të punësimit që nga viti 2001. Kjo është e vërteta, në mos qoftë edhe më keq se kaq”, tha kreu i selisë rozë.
Sipas tij, shifrat tregojnë dështimin e qeverisë në politikat e punësimit dhe janë turp për kryeministrin, i cili thotë se opozita gënjen kur flet për numrin e të papunëve.
Rama u ndal në nivelin e kriminalitetit në vend, rritja e të cilit nuk mund të mos lidhet me gjendjen e vështirë ekonomike dhe mungesën e drejtësisë.
“Jetojmë në një vend që tronditet përditë nga vrasjet e grabitjet. Vrasin grupet kriminale, vrasin të rinjtë për të shpëtuar nga kthetrat e varfërisë, vret shteti dhe shpall heronj vrasësit. Jeta është e pambrojtur, prona, biznesi dhe e ardhmja.
Krimi po merr përditë terren. Kriminelët po fitojnë superioritet ndaj shtetit. Vrasësit dhe grabitësit gëlojnë sepse kanë vrarë frikën ndaj drejtësisë. Ne jemi të vetëdidjshëm për këtë situatë dhe jemi gati ta përballojmë këtë sfidë”, tha Rama. / Gazmira Ndoja