Krim si ndëshkim

0
35

Nga Mero Baze, 16 Korrik 2013

Shqipëria i është dorëzuar një vale të shfrenuar krimi që ka prekur rrugët dhe familjet shqiptare. Brenda një jave, një qytetar shqiptar ka mundësi të shikojë gjithë koleksionin e vrasjeve dhe format e krimit në këtë vend, si në një film të përsëritur. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë përpiqet të krahasojë të vdekurit e sivjetshëm me ata të vitit të shkuar dhe shikon në mënyrë cinike arritje, ndërsa kryeministri në detyrë është i angazhuar gjithë ditën në Facebook duke folur me popullin virtual, pas braktisjes që i bëri populli real.

Vala e krimit është e gjitha një produkt politik dhe po lejohet si një ndëshkim ndaj shoqërisë shqiptare që refuzoi pushtetin aktual. Pas një humbje spektakulare, pushtetit duket se i ka i mbetur vetëm një mjet hakmarrje në dorë, t’i vërsulë krimin shoqërisë shqiptare, për t’i treguar se çfarë të ardhme do të ketë pa ata në pushtet.

Tipari i parë i natyrës politike të kësaj vale krimi, është reagimi i kryeministrit në detyrë, Ministrit të Brendshëm në detyrë dhe Drejtorit të Policisë ndaj kësaj vale krimi. Në kulmin e vrasjeve dhe pasigurisë fizike të krijuar në vend, kryeministri ynë bën çdo ditë postime autike deklaratash në Facebook rreth zgjedhjeve në PD dhe pasardhësit që do të emërojë. Në gjithë këto ditë kur krimi po tmerron shqiptarët, ai seç ka një lloj gëzimi të brendshëm për këtë që po ngjet, dhe për të treguar mungesën e plotë të përgjegjshmërisë ndaj vendit dhe postit që mban zaptuar, bën kujdes të tregojë se nuk ka më punë me popullin shqiptar, por vetëm me një grusht njerëzish, militantë idiot, që çdo ditë i dërgojnë letra nën moton “duam Babën”.

Elementi i dytë është Ministri i Brendshëm në detyrë. Përzgjedhja e një figurine të tillë në postin e Ministrit të Brendshëm, qysh në fillim ka pasur një prapavijë perverse, për t’i treguar shqiptarëve, por dhe opozitës, që janë nën mëshirën e një idioti, i cili mund t’u bëjë gjëmën nëse nuk arrin objektivin e vet. Objektivi i tij ishte të prekte zgjedhjet, dhe ai bëri sa mundi. Tropoja dhe Kukësi kishin vëzhgues në çdo qendër forcat speciale dhe policinë, por përtej atij qarku, ku policia votoi në emër të popullit, Shqipëria mori ngjyrën vjollcë duke i bërë gjyq historik regjimit.

Nën drejtimin e kësaj figurine, Shqipëria humbi më shumë se në çdo kohë komisarë policie, policë të tradhtuar nga struktura të lidhura me krimin, dhe qytetarë të pafajshëm, viktima të tij. Tani që ai e ndjen veten të ikur, dhe kur vetë pushteti ka marrë reston për fyerjen që i është bërë me këtë idiot, ai kërkon të tregojë se diçka ia ka vlejtur kur ishte ministër dhe ka ndërsyer krimin në rrugë. Ne sot paguajmë çmimin e mospranimit në asnjë minutë të këtij njeriu si Ministër i Rendit në këtë vend, duke tentuar të na provojë se pa të është edhe më keq.

Një tipar i tretë dhe shumë thelbësor i natyrës politike të kësaj vale krimi është vetë Policia e Shtetit. Ajo është e shkrehur tërësisht dhe jashtë funksionit, jo se nuk e përballon dot valën e krimit, por për shkak të përdorimit politik. Gjithë shefat e komisariateve, me përjashtime të rralla, nga Tropoja në Sarandë, janë kuksiane ose tropojanë, të emëruar në mënyrë nepotike, me gangsterë që bëjnë karshillëk politik në vend që të merren me detyrën e tyre si policë. Shumica e tyre janë më shumë të shqetësuar që shqiptarët kanë votuar Edi Ramën se sa që krimi ka dalë në rrugë dhe bën ligjin. Të qartë se ata janë në ato detyra për shërbime politike dhe se në shtator mund të mos jenë më në polici, ata janë vetëshkarkuar nga detyra, duke treguar biografinë e tyre politike, para asaj profesionale.

Ata nuk kanë as qetësinë e duhur për të fshehur emocionet politike, as aftësinë e duhur profesionale për t’u sjellë si policë, dhe as sedrën qytetare që të frenojnë valën e krimit që po terrorizon shoqërinë dhe po varros imazhin e Shqipërisë në këtë tranzicion pushteti. Kupola e policisë shqiptare, jo vetëm që nuk po bën asgjë për t’u sjellë si polici shteti ndaj kësaj vale krimi, por tenton të bëjë dhe krahasime suksesi mes krimeve të këtij viti dhe të një viti më parë, duke tentuar të na thotë se paska dhe më keq. Ata janë vetëçarmatosur si policë, jo vetëm pse nuk janë të tillë nga ana profesionale, por se për tetë vite përdorimi nga politika, nuk e kuptojnë veten e tyre të shkëputur nga fati i atyre që po ikin nga pushteti dhe si rrjedhojë po sillen si pjesë e atyre që po hakmerren për humbjen.

Pavarësisht kësaj, Shqipëria do t’ia dalë të mbijetojë dhe dy muaj përballë kësaj vale krimi, por në shtator, një nga kriteret e reformave duhet të jetë doemos mënyra se si pushteti u soll me tranzicionin e pushtetit. Ata që shitën e blenë prona këtë dy muaj, duhet të shpronësohen, ata që lejuan krimin të dalë në rrugë këto dy muaj, duhet të nxirren në rrugë, ata që nxitojnë të marrin koncesione dhe tendera këto dy muaj, duhet t’i kthejnë, dhe mbi të gjitha, ata që duan të dorëzojnë Shqipërinë një copë toke të djegur këto dy muaj, duhet të digjen përfundimisht jo vetëm nga politika, por dhe nga liria qytetare. Ata po përdorin krimin si ndëshkim ndaj shoqërisë shqiptare që i refuzoi. Po ikin me të vetmin aleat në krah, që kanë qeverisur tetë vjet. Krimin!