KRIJUESIT E ARTISTËT PJESË E SHOQERISË SË MOLEPSUR NGA FRIKA

0
46

KOLEC TRABOINI

Eshtë koha që krijuesit e artistet të flasin e angazhohen. Heshtja e tyre tregon se frika e ka sfiduar karaktarin e vertetë si opozitar të përjetshëm të së keqes dhe promotor të përparimit. Nuk mund të ketë krijues jashtë politikës së interesave të popullit të vet. E njëjta gjë ka ndodhur nëvitin 1990-1991 kur personalisht kam organizuar mitingun e parë të intelektualëve e krijuesve në përkrahje të proceseve demokratike në janar 1991, ku kanë folur edhe dy liderët e sotëm Berisha e Rama.

Nuk ka qënë meting partiak, siç kanë shkruar dy liderët në shkrimet e fjalimet e tyre, por ka qenë miting i organizuar nga krijuesit e Kinostudios. Shkrimtarët e artistët janë shpirti i kombeve të veta, e ky shpirt e kjo zemër e tyre nuk mund të jetë e ftohtë, e akullt, e ngrirë, indiferente për fatet e popullit të vet. Kjo është apati e padurueshme në një shoqëri të molepsur nga frika. Të vërtetave që po ndodhin në sytë tanë nuk kemi si t’i fshihemi. Ne nuk mund të bashkohemi me psikologjinë e ergodan-talibaneve, shënjat e të cilëve kanë indicje në shoqërinë tonë. Personalisht nuk kam frikë e as droje të radhitem i deklaruar publikisht në krahun e rotacionit e ndryshimit të pushtetit.

Me këtë nuk ndryshoj bindjet e mia, por bashkohem me dëshirën e përgjithshme për ndryshimin e gjëndjes së padurueshme, ku gjithçka bëhet në emër të partisë, ku titujt e nderimet bëhen në ëmër të partisë e për ithtarët e partisë në pushtet, kur nëpër vende pëllumbash caktohen fëmijët, vëllëzrit, kushurinjt e fisi, ku diplomacia është fole për zogjtë e klloçkës politike, ku edhe subvecionet për programet filmike i merr burri i ministres së pseudointegrimit, e ne si kineastë të vjetër të filmit nuk mund të marrim asnjë qindarkë, në kushtet kur edhe vendi i punës ka ngjyrën politike. Jo, kjo gjendje nuk mund të vazhdojë. Edhe unë si disa miq të mi kasha menduar variantin e abstenimit si një mënyrë për të shprehur protestën por me ngjarjet që po ndodhin, me angazhimin e tërë shtetit politiko-policor për të mbajtur pushtetin me çdo kusht më detyron të reflektoj në ndërgjegjen time e të dal nga pozicioni i abstenuesit, e të deklaroj publikisht bindjet e pozicionin tim në këtë pragzgjedhje 2013.

Për të mos patur ndonjë keqkuptim nga ndonjë demokrat i vonuar, dalë vonë nga veza, po kujtoj se kam qënë unë që I pari në Shqipëri kam shkruar në shtyp “Të hiqet ylli komunist nga Flamuri kombëtar”në gazetën RD nr.3, 16 janar 1991, prandaj çdo lloj aludimi apo akuzë marroke që mund të bëhet nga guzhina e guzhinjerët e parties, për gjoja ide komuniste tek unë, janë destinuar të jenë një mashtrim e dështim. Po i informoj gjithashtu, se kam qënë unë Kolec Traboini, që kam ardhur nga Greqia përmes sakrificash në mars 1992 për të votuar për PD, më pas e kam stigmatizuar mënyrën e qeverisjes, që sollën vitin e mbrapsht ‘97, në një refleksion nga Bostoni, kam shkruar në vitin 2004 të vijë sërisht Berisha, me shpresen e luftës kundër korrupsionit galopant ekonomik, që e kishte paralizuar Shqipërinë, por sot mbas tetë vjetësh i zhgënjyer them, është koha të vijë Edi Rama e Sali Berisha të ikë, jo vetëm nga pushteti por edhe nga politika, sepse vendit por edhe Partisë Demokratike i duhen energji e mendësi të reja. Përfundimisht shpreh bindjen se rotacioni duhet të bëhët, ai është i dobishëm për Shqipërinë, dhe kjo të jetë një mësim për të gjithë ata, që inspirojnë një pushtet autokrat, që ka kapur shtetin deri sa i ka zënë frymën.

Të më falin e kuptojnë të gjithë miqtë e mi të çfarëdo krahu politik qofshin, nuk mund t’i fsheh idete e mia, nuk mund të mos them çfarë ndjej, nuk di si mund të gjykoj veprimin tim në të ardhmen, por unë sot jam për Rotacion, për Ndryshim, për Rilindje.

18 qershor 2013