TemA, 3 Tetor 2012
Privatizimi i ndërmarrjeve publike në Kosovë po diskutohet në Kuvendin e Republikës, diskutime këto të cilat po shoqërohen edhe me debate të nxehta ndërmjet ligjvënësve.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka kundërshtuar sot mënyrën e këtij privatizimi, duke thënë se autoritetet nuk kanë denjuar as të bëjnë përpjekje për të përmirësuar mangësitë e shënuara.
Krasniqi madje ka thënë se Kuvendi duhet të kërkojë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për të ndërprerë privatizimin, përderisa nuk forcohet sundimi i ligjit në vend.
“Mungesa e ligjeve të mira, ekzistimi i liderëve mbi ligjin së bashku me krimin e organizuar, janë argumente të fuqishme se privatizimi nuk po bëhet për të mirën e publikut”, ka thënë Krasniqi.
Kjo legjislaturë, sipas tij, ka dalë nga zgjedhjet e vjedhura, institucionet pastaj kanë dalë prej atyre zgjedhjeve dhe si të tilla nuk e kanë legjitimitetin e plotë për të privatizuar pasurinë publike.
Duke përmendur edhe rastin e përfolur për afera korruptive në privatizimin e hotelit “Grand”, Krasniqi tha se ky rast ka dëshmuar se “ka pasur sekserë, të cilët kanë kërkuar miliona para, por tash duhet kërkuar kush është boss-i privatizimit”.
“Dikush mund ta akuzojë të ndjerin Dino Asanaj, por ai nuk ka qenë aq i fortë, ai nuk ka pas truproja, që të jetë boss-i. Kush është boss-i i vërtetë? Këtë duhet ta tregojë gjyqësia dhe hetuesia”, ka thënë Krasniqi. /REL/