Kostoja që shkakton keqqeverisja

0
44

Ermelinda Meksi

Tashmë është e qartë për këdo kostoja që po i shkaktohet popullit si pasojë e keqqeverisjes së një pushteti të rrjedhur nga votat e grabitura.

Në këtë situatë, Partia Socialiste, rritjen e mbështetjes publike dhe politike të saj duhet ta bazojë në avantazhet e saj. Është koha të drejtojmë kapacitetet tona intelektuale dhe politike në oponencën ndaj qeverisjes.

Disa nga avantazhet tona në betejën politike, të cilat na vendosin në pozicion superior ndaj mazhorancës dhe mbi të cilat duhet të mbështetet veprimi ynë opozitar janë:
Argumenti, institucionalizmi, dialogu, debati, si dhe uniteti në diversitet.

Nuk po ndalem në realizimin e tyre brenda partisë sonë, por në realizimin e tyre në raport me mazhorancën.

Kujtoj me këtë rast, që së bashku me Shkëlqim Canin, si ekspert i ekonomisë, apo Arben Malaj si deputet dhe ekspert njëkohësisht, por dhe kolegë të tjerë, kemi shpalosur alternativën tonë të ndryshme nga ajo e mazhorancës, për qëndrimin që duhej mbajtur ndaj efekteve të krizës financiare globale në ekonominë tonë që në vitin 2008. Më vonë, në Kongresin paraelektoral u shpalos qartë alternativa jonë; se me ardhjen në pushtet do të rishikonim buxhetin dhe do të zbatonim paketën antikrizë dhe do të përpunonim strategjinë për një zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm.

Ne, me kohë, konsideruam të gabuar euforinë qeveritare se Shqipëria nuk preket nga kriza dhe kritikuam në vazhdimësi gjatë 2009-s, si të pamundur dhe jorealist entuziazmin qeveritar për rritje ekonomike 6.5%. Po ashtu parashtruam argumentet tona për buxhetin jorealist, po elektoral të 2009-s. Në këto kushte paralajmëruam se kjo rritje ekonomike programohej djallëzisht që të kamuflonte rritjen e shpenzimeve në një vit elektoral, të gjitha këto në kurriz të ekuilibrave makroekonomikë të një ekonomie të brishtë si kjo e jona. Rritja e deficitit buxhetor dhe e borxheve që vijnë si rrjedhojë e një politike të tillë të gabuar janë fenomene që sjellin dhe po sjellin pasoja negative në ekonomi. Për këtë, ne kritikuam praktikën qeveritare mbi transparencën ekonomike qysh në tremujorin e parë të 2009-s, kur me të dhëna pjesore, qeveria reklamonte rritjen e të ardhurave dhe nuk shihte në të njëjtën kohë shenjat e efekteve të krizës në Shqipëri, që u shfaqën me rënien e depozitave, rënien e kreditimit për biznesin etj.

Kur analizonim faktorët dhe paralajmëronim se rritja e të ardhurave të tremujorit të parë ishte jorealiste dhe do të vinte në rënie, duke i kërkuar qeverisë të tregohej e matur me shpenzimet elektorale që do të rëndonin ekonominë më shumë, mazhoranca na anatemoi se po ngjyenim realitetin me bojë të zezë dhe e zhvendosi debatin në opinionin publik, mbi faktin nëse ishim prekur apo jo nga kriza, duke vazhduar të trumbetonte me entuziazëm grotesk, se ne ishim një vend i veçantë nga të gjithë vendet e tjera, një yll ndriçues jo vetëm në Europë.

Euforia qeveritare vazhdonte e vazhdon,me gjithë rënien e rritjes së të ardhurave buxhetore, nga 13% në tremujorin e parë në 8% në gjashtëmujorin e dytë, që shpuri deri në rënien e ndjeshme në -5% në tremujorin e fundit (si ne e patëm paralajmëruar). Ndërkaq, tregues të tjerë paralajmëronin këtë rënie si: rënia e nivelit të kredidhënies të biznesit, rënia e vëllimit të tregtisë me pakicë, apo investimet publike. Këto do të sillnin, siç sollën së fundi, dhe pranimin e detyruar zyrtar të rënies së rritjes ekonomike. Ne mendojmë se kjo situatë është pasojë e faktit se për qëllime
Elektorale, shpenzimet dhe investimet publike ndoqën një cikël politik, gjë që nuk ndodh në asnjë vend të zhvilluar. Ato u realizuan në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, sa 166% të atyre të vitit paraardhës, ndërsa në tremujorin e fundit u realizuan vetëm 56%. I ashtuquajturi argument qeveritar për stimul ekonomik, përgënjeshtrohet nga zvogëlimi drastik i tyre në gjashtëmujorin e dytë dhe sidomos tremujorin e fundit. Përvoja ndërkombëtare e stimulit ekonomik çoi në daljen e tyre nga kriza dhe ruajtje të punësimit, kurse rasti i ekonomisë sonë vërteton të kundërtën. Këtë e tregon qartazi fakti se pas rënies së investimeve në 56% në tremujorin e fundit, vërehet rënia e të ardhurave dhe rënia ekonomike qe evidente. Prandaj me kohë, qysh në Asamblenë e 16 dhjetorit, parashikuam rënien e PPB në tremujorin e fundit dhe ngritëm nevojën e programit antikrizë, duke bërë dhe rekomandimet përkatëse për buxhetin e 2010 në mënyrë që të mos binim në recesion më pas. Mazhoranca jo vetëm nuk reflektoi, por të nesërmen e këtij aktiviteti, në Parlament anatemoi egërsisht qëndrimin tonë antikrizë. Ajo duke përdorur avantazhet e pushtetit, duke kufizuar lirinë e medias, nuk mungoi të gjejë fajtorin tek opozita, që sipas saj nxin realitetin. Megjithëse tashmë disa përfaqësues të saj flasin për krizën si diçka normale në kapitalizëm etj. Këtë fenomen ne e pohuam me kohë, atëherë kur qeveria as pranonte të përmendej fjala krizë, por në dallim me ta, ne mendonim se pasojat e efekteve të krizës zvogëlohen kur parashikohen në kohë dhe si duhen nga qeveria. Kjo gjë nuk ndodhi në Shqipëri, sikurse në vendet rreth nesh, ku u morën masat përkatëse të sugjeruara dhe nga institucionet ndërkombëtare financiare.

Tashmë është e qartë se argumenti ynë ka fituar mbi demagogjinë qeveritare. Nuk ka dyshim se rënia e ekonomisë në vendin tonë erdhi më shumë se nga efektet e krizës globale, nga keqqeverisja e mazhorancës. Shantazhi i mazhorancës dhe sulmi i personalizuar ndaj kujtdo, i cili nuk pajtohet me keqqeverisjen, pushimet nga puna për efekte politike, denigrimet ndaj kolegëve tanë është bërë metoda kryesore e mazhorancës dhe Kryeministrit. Ne mendojmë se zgjidhja nuk është shantazhi ndaj opozitës, por reflektimi. Në rast të kundërt, ky qëndrim arrogant do të thellojë rënien. Por ndërsa kostoja e qeverisjes po bëhet gjithnjë e më evidente, mazhoranca po e shton egërsinë e reagimeve të saj dhe ngushton mundësitë për informacion.

Bllokimi i informacionit ekonomik edhe për tremujorin e parë të 2010-s, si filozofi e kësaj mazhorance, është forma më brutale për manipulim, duke tentuar të propagandoje dështimet si sukses. Kjo sepse edhe të dhënat për muajin janar e shkurt të këtij viti flasin për të njëjtën situatë në rënie të ekonomisë, që do të detyronte qeverinë të pranonte recesionin e mohuar deri më sot me kokëfortësi. Kjo është arsyeja që qeveria nuk publikon informacionin. Ironikisht, Kryetarja e Parlamentit na sugjeroi të kërkojmë informacion, megjithëse gjatë debatit tonë politik publik në Parlament, këtë kemi kërkuar.

Po le të shohim konkretisht ku shprehet kostoja e keqqeverisjes që po paguajnë sot shqiptarët.
Pretendohet se janë realizuar investime të mëdha, rritje pagash e pensionesh. Por ndërsa të ardhurat buxhetore në 2009 nuk u rritën 36 miliardë sa u parashikuan me eufori në buxhetin fillestar, por 5 herë më pak ose 7 miliardë lekë, shërbimi i borxhit u rrit 6 miliardë lekë dhe parashikohet të arrijë mbi 10 miliardë sivjet, për të arritur shifra të frikshme në vitin 2012. Ne këtë situatë, ne socialistët, me shqetësim pyesim se: me këtë nivel të ardhurash sa do jemi në gjendje të shlyejmë borxhet dhe në këtë logjikë ku do gjenden paratë e tjera për të financuar rritjen pagave aq të nevojshme për të kompensuar të paktën inflacionin dhe me se do financohen investimet për të garantuar rritjen ekonomike? Nga analiza për 2009-n, rezulton se të ardhurat buxhetore neto janë rritur vetëm 1 miliard lekë. Pra financimi i shtesës së shpenzimeve 27 miliardë lekë me të cilat mburret qeveria, u realizua nëpërmjet parave nga privatizimi i nxituar dhe marrja e borxhit të ri shtesë nga qeveria.

Por çfarë rezulton nga dy privatizimet e nxituara të OSSH-së dhe të ARMO-s? Shitja e tyre e shpejtë në kohë krize i përngjan, atij djalit plangprishës që për t’u zbavitur në pub, shet orenditë e shtëpisë. Rezultati? Asnjëri prej privatizimeve nuk mund të vlerësohet sot i suksesshëm.

I pari, ai i privatizimit të OSSH-së, u shoqërua me rritje të çmimit të energjisë elektrike. Dhe kjo, kur viti 2009 dhe fillimi i vitit 2010 ka pasur një nivel të tillë reshjesh që jo vetëm nuk impononte rritjen e çmimit, por mund të sillte uljen e tij. Por abuzimi me pozitën monopol në sektorin e energjisë elektrike, çoi në përmbytje të vazhdueshme, që nuk rezultuan 1 herë në 100 vjet, por 3 herë në 3 muaj.

Pra privatizimi i reklamuar si i suksesshëm i OSSH u shndërrua në barrë për popullin dhe në përfitime të pamerituara nga qeveria dhe monopolet në sektorin energjetik.

I dyti, ARMO, është shoqëruar me rritjen e papunësisë, zvarritje e mosdhënie të pagesave të premtuara të të prekurve nga reforma apo vonesa të tjera në pagesa punëtorëve, si dhe vështirësitë financiare për “Albpetrolin”.

Po kështu, për të mbuluar rritjen e shpenzimeve të tjera, u mor borxh i ri me interesa të larta, që do të paguhen në vitin 2010, 2011, 2012. Ndërkaq, të tjera borxhe të reja do të merren për të mbuluar mosrealizimet në të ardhurat buxhetore në disa qindra miliona euro, për të cilat qeveria hesht, ndërsa PS kërkon përgjegjësitë te keqqeverisja në vend të mburrjeve të saj. Opozita ka theksuar se borxhet përtej normave gërryejnë ekonominë dhe depozitat bankare, të cilat në vend që të shkojnë në rritje të kredive për ekonominë, janë ulur jo pak, sepse po financojnë borxhin publik nëpërmjet bonove të thesarit, interesat e të cilave mbajnë të larta dhe interesat e kredive. Kjo situatë është reflektuar në zhvlerësimin e lekut, që solli një rritje të lartë çmimesh të të gjitha produkteve; veçanërisht rritje të lartë të produkteve ushqimore, në një kohë kur në botë ka pasur ulje të çmimeve të këtyre produkteve, krahas rritjes së çmimit të ujit, të energjisë, pa përmendur faturat aforfe, të cilat duhet të hiqeshin vite më parë. Kjo rritje çmimesh, pasojë e borxheve nga keqqeverisja, është një barrë të rëndë dhe e drejtpërdrejtë te qytetarët, që ka sjellë rënien e fuqisë së tyre blerëse. PS, për këtë arsye, kërkon indeksimin e pagës së tyre nga këto efekte, jo si bamirësi të qeverisë, por detyrim për të mos cenuar nivelin e jetesës së qytetarëve tanë.

Prandaj alternativa jonë e ravijëzuar në rezolutën e aprovuar të Asamblesë tonë të 16 dhjetorit është më publike se kurrë, më i qartë dhe i drejtë për vendin, si dhe parakusht i fitores sonë elektorale.
Ja pse solidariteti ynë, argumenti dhe lufta e mençur politike përkundrejt demagogjisë, hipokrizisë, por dhe protestat, i shërbejnë sensibilizimit për situatën e krijuar nga papërgjegjshmëria dhe zgjidhjet që ofrojmë ne si opozitë.

Ne nuk kemi luksin të harxhojmë energji të vyera, duke u përpjekur të arrijmë perfekten dhe të humbim shansin për të bërë të domosdoshmen. E domosdoshme për ne dhe për Shqipërinë, në këtë moment, është ndalimi i keqqeverisjes së vendit nga mazhoranca aktuale.