BalkanWeb
Kosovë, opozita kërkon dorëheqjen e Kusari-LilësPRISHTINE – Interpelanca e ministres Mimoza Kusari-Lila, sipas kërkesës së grupit të deputetëve lidhur me vendimin e marrë nga MTI për vendosjen e tarifës prej 35 për qind për importimin e çimentos nga Shqipëria, është përcjellë me një debat të gjatë dhe kritika për këtë vendim.
Ndërsa partitë në pushtet kanë kërkuar rishikimin e këtij vendimi nga ana e Qeverisë, partitë opozitare kanë kërkuar shfuqizimin e vendimit dhe shkarkimin e ministres.
Gjatë interpelancës kanë qenë prezent vetëm katër deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, tre të Koalicionit për Kosovë të Re, si dhe deputetët e opozitës.
Kjo interpelancë është thirrur nga deputeti i koalicionit për Kosovë të Re, Emin Germeshi, i cili është edhe bashkë partiak i Kusari-Lilës. Gërbeshi ka thënë se vendim për 35 për qind të tarifës së çimentos është në shërbim të “Sharrcemit”, pasi ai krijon monopol. Arsyetimet e ministres për këtë vendim ai i ka quajtur të turpshme.
Gërbeshi ka thënë se “Titani” kontrollon çimenton në rajon, ndërsa në Kosovë është zënë duke kontrabanduar mallrat në dogana, që, sipas tij, është dashur të ndëshkohej e jo të krijojë monopol.
“Në shtetet demokratike, kur ministri merr vendim që prodhon efekte negative, jep dorëheqje moralisht”, – ka theksuar Gërbeshi.
Nga ana tjetër, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka arsyetuar vendimin e vet. Ajo ka thënë se ky nuk është vendim kundër Shqipërisë.
“Vendimi është për të gjithë importin e çimentos që ka hyrë në Kosovë. Ankesat kanë ardhur nga Serbia e Maqedonia. Kompania nga Maqedonia është ankuar për vendimin. Për më tepër, të gjitha kompanitë, si në Shqipëri e Kosovë janë në pronësi të huaj. Vendimi është rezultat i çimentos së tepruar në rajon, për shkak të taksës ekologjike. Italia ka bartë çimento me çmim të ulët, në kohën kur kërkesa kishte rënë në të gjithë rajonin, pos në Kosovë”, ka theksuar Kusari-Lila, transmeton “Kosovapress”.
Ministrja ka thënë se kjo nuk mund të konsiderohet si monopol, pasi që, sipas saj, monopol konsiderohet kur dikush ka më shumë se 40 për qind të tregut, ndërkohë që “Sharrcemi” ka 33 për qind.
Kryetari i GP të PDK-së, Adem Grabovci, ka kërkuar që të analizohet ky vendim dhe të gjendet një rrugëdalje. Ndërkohë që kryetari i GP të LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se për interesa të “Sharrcemit” mbyllet kufijtë, duke e lënë tregun në mëshirën e “Titanit”.
“Kjo vërtetohet përmes çmimeve të larta e kontrabandimit. Ambiciet e ‘Titanit’ për monopol në Ballkan janë të paskrupullta. Fatkeqësisht, në këtë luftë të konkurrencës u përfshi ministrja”, ka thënë Beqiri.
Nga ana tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka thënë se për herë të parë po vendoset një masë e tillë edhe ndaj Shqipërisë.
“Nuk mund të rrimë indiferente ndaj ‘Sharrcemit’. Pronarët janë grekë… Nuk mund të rrimë indiferentë ndaj një vendi që ndaj shqiptarëve është sjell si shtet fashist”, ka thënë Aliu.
Deputetja nga radhët e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se shteti po e mbron një kompani në emër të prodhimit vendor, kompani e cila para një jave u pa se po e vidhte shtetin.
“Detyrimin doganor prej 45 për qind e ka përcaktuar vetë ‘Sharrcemi’”, ka thënë ajo, duke shtuar se ministrja ka përqindje ditore për ta zgjatur këtë vendim. “Të shfuqizohet vendimi dhe të ofrohet dorëheqja e ministres. Nëse nuk ndodh kjo, edhe gjeneratat e tjera do të vazhdojnë të jetojnë në agoninë e një shteti anormal”.
Interpelanca ka përfunduar pa asnjë rezultat, pasi nuk pati kuorum.
(er.nu/BalkanWeb)







