Kosova, një KURBAN për pushtetin Berishist?

0
32

Andrea Stefani, 12 Nëntor 2011

Kryeministri Berisha duket se në planet e tij për t’u jetëgjatësuar pafundësisht në pushtet, ka edhe një ndarje të mundshme te territoreve të Kosovës mes Tiranës dhe Beogradit. Ky është një nga përfundimet që Andrea Stefani ka nxjerrë në librin e tij “Komploti kundër Lirisë” që po i servilet këto ditë lexuesit shqiptar nga shtëpia botuese “Onufri” në panairin e librit. Përfundimi për këtë rrezik të mundshëm është nxjerrë nga autori nëpërmjet shqyrtimit të vëmendshëm të diplomacisë berishiane, por edhe të disa dokumenteve diplomatike të publikuara më së fundi nga Wikileaks. Po i japim lexuesit të “Temës” fragmentin e librit ku autori trajton këtë shqetësim:

Plane për Copëtimin e Kosovës?

Ndarja e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë është i vetmi opsion realist.- Ivica Daçiç

Mbështetja e verbër për autokratin Berisha mund t’i ketë rrënjët jo pak edhe në interesat gjeostrategjike të Perëndimit në gadishullin e Ballkanit. Në vitin 2009 Berisha bëri një vizitë në Kosovë ku u dekorua nga Hashim Thaçi me “urdhrin e lirisë”. Ishte ironike dhe e dhimbshme që këtij autokrati t’i jepej urdhri i lirisë nga një ish luftëtar i UÇK-së të cilin, policia e Berishës e kish arrestuar dikur, ndërsa vepronte në Tiranë në interes të UÇK-së. Propaganda qeveritare në të dy shtetet bëri kujdes ta paraqiste Berishën si lideri i të gjithë shqiptarëve. Të krijohej përshtypja se, me atë vizitë, Berisha donte t’i tregonte SHBA-ve dhe BE-së se nuk ishte lider vetëm i Shqipërisë por, në një kuptim, edhe i Kosovës dhe se largimi i tij nga pushteti, mund të kishte pasoja negative deri edhe rajonale. Ca vite më vonë, në korrik të vitit 2011 gazeta “Koha Ditore” do botonte një dokument të “Ëikileaks” ku shprehej brengosja e Hashim Thaçit, për ndikimin e Berishës në Kosovë. Sipas dokumentit, në fakt një kabllogram i Ambasadës amerikane në Prishtinë drejtuar Departamentit të Shtetit, rezulton se në një bisedë private me zyrtarë të ambasadës amerikane në Prishtinë, më 13 gusht 2009, Thaçi ishte shprehur i brengosur nga “përzierja në politikën e Kosovës” që sipas tij bën kryeministri i Shqipërisë:

“Për më tepër, Thaçi kishte ishte shprehur se përzierja nga Shqipëria në politikën kosovare paraqiste “kërcënim” për Kosovën, ndërsa ka kërkuar ndërhyrje amerikane te Berisha, duke theksuar se “Kosova është një shtet i pavarur, dhe jo krahinë e Shqipërisë…Thaçi tha se përfshirja shqiptare në politikën në Kosovë paraqet një kërcënim për Kosovën dhe kërkoi nga Ambasada që të kundërshtojë një përfshirje të tillë”, thuhet në kabllon diplomatike. “Ai po ashtu kërkoi nga Qeveria e SHBA-së që, përmes Ambasadës në Tiranë, të peshojë me Berishën dhe të kërkojë nga ai të përmbahet nga deklarimet apo veprimet që ngritin frikë në rajon nga panshqiptarizmi”.

Por ndryshe nga ç’kërkonte Thaçi, ndërkombëtarët vazhdimisht kanë ndjerë nevojën që Tirana të ndërhyjë kohë pas kohe për të qetësuar ujërat mes Kosovës dhe Serbisë. Berisha ka bërë gjithçka për të dëshmuar se është lideri që e ka ekskluzivitet tutorializmin mbi liderët shqiptarë në rajon. Është ndihur edhe nga fakti se jo pak kosovarë, për shkak të një tendence lokaliste të fortë, e perceptojnë atë si të tyrin. Simpati që nuk e kanë shfaqur kurrë as për Fatos Nanon dhe as për ndonjë politikan tjetër në Tiranë. Si për shembull, për Pandeli Majkon, që kur ishte kryeministër, ka bërë për kosovarët shumë më tepër se Berisha në momentet e eksodit të tyre biblik. Por Berisha është nga Tropoja, një krahinë malore në Veri të Shqipërisë, thuajse pjesë e Kosovës në pikëpamje gjeografike dhe që ndan shumë tradita lokale me të. Ndryshe s’ka si shpjegohet kjo simpati për një lider që kur ja ka dashur interesi i pushtetit, ka bërë dukshëm gjëra jo në përputhje me interesin e Kosovës. Këtu hyjnë jo vetëm kontrabanda e naftës me regjimin e Millosheviçit apo sugjerimi për mosnënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë, por deri edhe përndjekjet e figurave të UÇK.

Të lind dyshimi se rikthimi i Berishës nuk është i palidhur me “panshqiptarizmin” që përmend me shqetësim edhe Hashim Thaçi. Për çfarë panshqiptarizmi bëhet fjalë? Kjo mbetet të shihet. Por është fakt se një nga lajtmotivet e qeverisë Berisha pas vitit 2005 ka qenë normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Për këtë qëllim, në vitin 2010, zëvendëskryeministri Ilir Meta, bëri edhe një vizitë në Beograd. Pas kësaj vizite, në pranverën e vitit 2011 nga politika serbe edhe me gojën e presidentit Tadiç, u lëshua teza se duhet të jenë Tirana dhe Beogradi ato që duhet të zgjidhin çështjen e Kosovës. Kjo do të thoshte të nxirrej jashtë loje jo vetëm Prishtina por edhe sovraniteti i Kosovës si shtet. Pse kjo preferencë e Beogradit për Tiranën, në fakt, për Berishën? Përse preferohej Berisha si palë dhe jo Prishtina? Në fakt Beogradi po e trajtonte Kosovën jo si shtet të pavarur por si krahinë të Shqipërisë. Pikërisht ashtu siç Thaçi ankohej se Berisha po sillej ndaj Kosovës. Në këtë pikë nuk mund të mos kujtojmë edhe akuzat e sipërcituara që gazetarë perëndimorë kanë publikuar lidhur me Berishën si politikan i mbështetur nga qarqe britanike proserbe.

Nën këtë optikë, Berisha na shfaqet edhe si një “Kalë Troje” i Serbisë, i gatshëm që në momentin e duhur dhe për interesa të përjetësimit në pushtet, të bëjë ato lëshime në kurriz të Kosovës që nuk do t’i bënte dot asnjë politikan tjetër shqiptar. Dukuria nuk ka qenë një mëkat i panjohur për qeveritarët shqiptarë. Zogu kish shitur Shën Naumin dhe Vermoshin. Enver Hoxha, në ballafaqim me Titon, nuk kish këmbëngulur për respektimin e të drejtës së vetëvendosjes e Kosovës. Berisha, edhe sikundër shihet në kabllogramet e Ëikileaks, ishte koshient për padrejtësinë që i bëhej Shqipërisë, ka ofruar deri dhënien e ujërave detare Greqisë. Ai ka bërë me të huajt mjaft koncesione rrënuese për shtetin shqiptar. Tradicionalisht, pushtetarët shqiptarë kanë shitur shtetin dhe interesat e tij në emër të pushtetit. Tani kish ardhur koha që edhe Berisha të shiste kombin!

Nëse pranohet kjo hipotezë, mund të thuhet se edhe largimi i Fatos Nanos u mbështet ndoshta edhe për faktin se ai nuk e luante dot një rol të tillë. Ka mbetur ende mister se çfarë është biseduar mes Nanos dhe zëvendësdrejtorit të CIA-as që vizitoi Tiranën pak para zgjedhjeve të korrikut 2005. Pëshpëritet se Nanos i është thënë të largohet. Fakt është se Berisha u rikthye në pushtet duke patur ende më pak vota se e majta. Dhe që nga ajo kohë po qëndron në pushtet edhe më me pak vota se opozita. E gjitha bie erë e një skenari apo marrëveshjeje të fshehtë që ndoshta do të zbardhet ndonjë ditë. Po në këtë logjikë mund të komentohet edhe thashethemnaja se “ndërkombëtarët nuk e duan Edi Ramën”. Nëse këtu ka diçka të vërtetë, me shumë gjasa, ajo nuk ka të bëjë me veset e Ramës si politikan. Po të ish për vese, ndërkombëtarët duhet të kishin flakur me kohë autokratin dhe të korruptuarin Berisha. Ka më shumë të ngjarë që mungesa e mbështetjes nga ndërkombëtarët për ardhjen e Edi Ramës në pushtet, të ketë të bëjë pikërisht me faktin se ai, ndonëse ka një origjinë nga qyteti verior i Shkodrës, mendohet nuk është në gjendje të ndikojë fuqishëm në politikën kosovare sikundër Berisha. Ndoshta sepse e ndjenin këtë mangësi, njerëz pranë Ramës nisën të artikulojnë, andej nga fillimi i vitit 2011, nevojën e një vizite të tij në Kosovë.

Nëse është vërtet kështu, ky pragmatizëm i ndërkombëtarëve ka inkurajuar jo pak, autokratizmin berishist dhe tendencat tiranike në Tiranë. Por duhet pranuar se Berisha ka qenë më i qartë se të gjithë rivalët e tij duke parashikuar se do të vinte momenti që interesat rajonale dhe gjeostrategjike të perëndimorëve, të prevalonin mbi ato të demokracisë në një vend të vogël si Shqipëria. Prandaj ai e ruajti me xhelozi statusin e tij si një lider me ndikim në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare. Ky duket ka qenë dhe shkaku se përse ai e sulmoi me tërbim Fatos Nanon kur ky i fundit kuturisi të takohet me Sllobodan Milosheviçin. Gjë që nuk e bëri në rastin e Ibrahim Rugovës edhe pse ai e takoi diktatorin serb, pikërisht kur i kish vënë zjarrin Kosovës. Nuk ishte meraku për “Atdheun” që e bëri Berishën të denonconte Nanon si tradhtar të kombit, por frika se po i rrëmbente statusin ekskluziv të liderit me ndikim rajonal.

Që Berisha është përpjekur të krijojë edhe tek amerikanët dhe ndërkombëtarët kultin e liderit mbarëshqiptar, duket edhe në një sërë kabllogramesh të publikuar nga Ëikileaks nga rezulton se Berisha i angazhohet amerikanëve se do të ndikojë mbi politikanët kosovarë për probleme të ndryshme dhe veçanërisht për raportet e tyre më Sërbinë. Ai nuk e fsheh fare pretendimin për të qenë një “Dutch Uncle” apo mentori i rreptë i politikanëve kosovarë. Nga ana e tyre, edhe amerikanët nuk ngurrojnë t’ia kërkojnë Berishës ushtrimin e këtij ndikimi. Kjo e kënaq Berishën sepse një nga synimet e tij është të mbetet i nevojshëm për ndërkombëtarët, veçanërisht për amerikanët. Sepse nëse ia kanë nevojën pafundësisht, do ta mbajnë në pushtet pafundësisht. Ndërkaq, amerikanët e kanë porositur disa herë të bënte kujdes që shtetet fqinje, të ishin të sigurt se Tirana nuk ushqente ëndrrën e “Shqipërisë së Madhe”. Dhe duket se Berisha është konfirmuar me këtë sugjerim të amerikanëve. Një pozicion ku shihet qartë se nuk ndihet komod. Dhe nuk është fare puna se ndihet keq nga që po e detyrojnë të tradhtojë një ideal kombëtar. Si përherë, çështja është te pushteti dhe lavdia e tij personale. Të krijohet përshtypja se Berisha përkund në kokë një skenar të fshehtë të “Shqipërisë së Madhe” që nënkupton edhe ndarjen e Kosovës. Skenar që në një moment të caktuar, shpreson t’ia imponojë amerikanëve dhe si një “realpolitikë”.

Dihet se ndarja e Kosovës është një opsion i ofruar nga Beogradi. Një opsion që kundërshtohet nga SHBA por mund të përtypet nga një Europë e lodhur me çështjen e Kosovës. Shenja e parë që Berisha nuk do të qe kundër një opsioni të tillë u dha sapo ai u rikthye në pushtet. Në mars të vitit 2006 ambasadorja amerikane në Tiranë, Marsi Ris i raportonte Departamentit:

“Ministri i Jashtëm Mustafai turbulloi së fundi ujërat duke sugjeruar se kufijtë e tjerë mund të ndryshojnë në se Kosova do të ndahej, një koment aspak i zgjuar në klimën korrente”. (Ëikileaks, kabllograme të ambasadës amerikane në Tiranë, 06TIRANA313)

Diplomatja Ris duket nuk kuptonte se deklarata e pazgjuar ishte pjellë e mendjes dinake të Berishës. Ministri Besnik Mustafai, nuk do guxonte ta nxirrte nga xhepi i vet një deklaratë të tillë me impakt rajonal. Berisha po testonte pulsin e ndërkombëtarëve për ndarjen e Kosovës, duke inspiruar një deklaratë ku nuk dilet vendosmërisht kundra këtij opsioni por thuhet se, nëse ndarja ndodh, atëherë do të ndryshohen kufijtë. Gjë që nënkupton bashkimin e pjesës së mbetur të Kosovës me Shqipërinë. Dhe kjo duket se është ëndrra “atdhetare” e Berishës.

Kur, një muaj më vonë, ambasadori Ëisner i rekomandon Berishës të qetësojë vendet e tjera se Tirana nuk ushqen ëndrrën e “Shqipërisë së Madhe” Berisha, nga ana e tij, ia hedh fjalën se edhe në Beograd këmbëngul ideja e “Serbisë së Madhe”. Nuk duket rastësi. Qëndrimi i ngurtë i Sërbisë ndaj pavarësisë së Kosovës, është një premisë më shumë që një ditë t’i vijë koha pazarit për ndarjen e Kosovës. Por sakaq, Berisha premtoi të konformohet me kërkesën amerikane edhe pse, sikundër pohon, i duhet të dalë kundra idesë së Shqipërisë së Madhe me të cilën është rritur.7

Nga shqyrtimi i kabllogrameve të publikuara nga Ëikileaks rezulton që Berisha të ketë ngucur idenë që Kosova të mbetet jashtë organizatës së Kombeve të Bashkuara. Gjë që do t’a bënte Kosovën edhe më vulnerabël ndaj një copëtimi të mundshëm në të ardhmen. Kështu mësohet se në takimin me Ëisner:

“Berisha e shprehu se dikush mund të argumentonte mohimin e një vendi për Kosovën në OKB si një masë që Serbia të ruajë prestigjin e saj. Ambasadori Ëisner u përgjigj se ishte shumë herët që bisedimet të merrnin parasysh një strategji të tillë. Gjithashtu vuri në dyshim se kjo strategji mund të çonte në fund në marrëveshje me serbët. Ai theksoi se tani është e gabuar të merreshin për bazë propozime të tilla – serbët nuk kanë dhënë ndonjë shenjë se ekziston një çmim më i ulët sesa pozicioni i tyre i preferuar (i.e. “më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi). (Shih Ëikileaks, Kabllograme 06TIRANA408)

Më pas ambasadorja Ris raporton se Berisha nuk kundërshtoi konceptin e nevojës së një fleksibiliteti në këtë rrafsh. Por nuk kish si ta dinte se me “fleksibilitet” Berisha kuptonte tjetër gjë nga ajo që synonte diplomacia amerikane. Për Berishën të jesh fleksibël do të thotë të mbash hapur shanset për skenarët që bluan në kokë Berisha.

Duket se në Beograd kur lëshonin nga fillimi i vitit 2011 idenë e “Shqipërisë së Madhe” pa Mitrovicën, llogaritnin edhe natyrën e Berishës si një politikan egotist që shet gjithçka për të qëndruar pa fund në pushtet. Ndoshta ata ndjenin se Berisha do ta shikonte “bashkimin” si një mënyrë për të kompensuar humbjen e mbështetjes nga shumica e elektoratit në Shqipëri. Kosova do ta furnizonte me zgjedhës që mund ta votonin thjesht për solidaritet krahinor. E ku kishte më mirë që edhe të shfaqeshe si politikani që bashkoi kombin por edhe ta përdorje këtë bashkim, në dobi të përjetësimit në pushtet!

Dhe që ky skenar mund të ketë qenë real, përveç deklaratave nga Beogradi, kemi dhe një tjetër tregues. Eshtë vetë heshtja e Berishës ndaj propozimit serb. Ky “patriot” që kish lëshuar rrufera kundër takimit të ish-Kryeministrit socialist Fatos Nano me diktatorin Millosheviç, heshti si “fija e barit” kur Beogradi i propozonte Tiranës të ndanin bashkë Kosovën! Është një heshtje që flet jo pak për këdo që dëshiron të kuptojë.

Kur kam diskutuar me njerëz të ndryshëm skenarin e ndarjes së Kosovës mes Tiranës dhe Beogradit, zakonisht ndeshja një reagim që e shikonte të pamundur një gjë të tillë, gati si një hapje të “kutisë së Pandorës” në Ballkan. Kjo, në një farë mënyre, është e vërtetë. Por a nuk qe konsideruar parimi i mosndryshimit të kufijve po aq i shenjtë edhe para Luftës së Kosovës? Dhe a nuk u bë një përjashtim duke e çmuar Kosovën një rast të veçantë? Pse të mos bëhej një tjetër përjashtim kur tashmë do të hynte në lojë një faktor i ri, bashkëpëlqimi i palëve? Le të bëhej pazari dhe më pas do ishte propaganda që do t’ia bënte trutë dhallë shqiptarëve. Do tu thuhej se vërtet kombi humbte ca toka në Veri të Kosovës, por për herë të parë ai do qe i bashkuar si asnjëherë më parë në histori. A nuk e vlente bashkimi i shqiptarëve sakrifikimin e ca pak trojeve? Mund t’u thuhej edhe se korrigjimi i padrejtësisë së madhe të ndarjes së kombit kishte një kosto, një tjetër padrejtësi më e vogël që mund të korrigjohej në të ardhmen. Kështu tradhtia do paraqitej si kulmi i patriotizmit! Por edhe opinionit ndërkombëtar mund t’i thuhej se ndarja e Kosovës mes Tiranës dhe Beogradit nuk qe një ndryshim kufijsh. Fakti që palët, në Tiranë, Prishtinë dhe Beograd do të bien dakord, a nuk e bën një gjë të tillë…”vetëvendosje”?

Mund të qe thjesht koincidencë por, gjithsesi, nuk mund të mos ngjallte dyshim fakti që paralel me deklaratat e Tadiç për “Shqipërinë e Madhe”, qeveria Berisha ngutej të realizonte një regjistrim popullsie ku përfshihej edhe vetëdeklarimi i kombësisë. Një nismë që ngjalli jo pak dyshime në opinionin publik shqiptar se mund të keqpërdorej nga qarqe shoviniste greke për t’i hapur rrugë rivendikimeve në Jug të Shqipërisë. Ishte fakt se, për vite me radhë, qeveritë greke kishin ndjekur një politikë që nxiste ndërrimin emrave nga myslimanë në ortodoksë të emigrantëve shqiptarë. Shteti grek ofronte pensione për shqiptarët që deklaroheshin me kombësi greke. Pra ekzistonte një frikë, jo e pa bazë, se vetëdeklarimi i pa dokumentuar i kombësisë, mund të rriste fiktivisht madhësinë e minoritetit grek në Shqipëri.

Prandaj kundër këtij projekti, të menaxhuar nga ministri Genc Pollo, u organizua edhe një lëvizje që mori emrin “Aleanca Kuq e Zi”. Ajo hartoi edhe një projektligj për regjistrimin e popullsisë që eliminonte rreziqet që paraqiste projektligji “Pollo”. I nënshkruar nga mijëra shqiptarë, projekti iu dorëzua Parlamentit në prag të diskutimit të projektligjit “Pollo”. Por shumica Berishiste nuk e mori fare në konsideratë nismën e aleancës “Kuq e zi”. Në korrik 2011 kjo shumicë miratoi dokumentin “Pollo” duke shpallur zhvillimin e regjistrimit në tetor. Aleanca “kuq e zi” akuzoi publikisht se në votim nuk kish patur 71 deputetë, sa ç’qe kuorumi i domosdoshëm për votimin e projektiligjit, por vetëm 69. “Aleanca” publikoi edhe kopjet e biletave të avionit të të dy deputetëve që mesa duket ndodheshin jashtë shtetit kur në emër të tyre votohej për miratimin e ligjit “Pollo”. Shihej qartë se votat qenë manipuluar dhe se qeveria ngutej ta miratonte ligjin sa më shpejt. Pse ky nxitim? Më në fund edhe vetë Berisha u deklarua publikisht në mbrojtje të regjistrimit duke i akuzuar kundërshtarët e tij si njerëz pa identitet dhe “faqezinj”.

Për shkak të këtyre zhvillimeve, lindin dyshime që skenari i Tadiç i “Shqipërisë së Madhe” pa Mitrovicën mund të integrohej edhe me skenarin e kënaqjes së disa pretendimeve greke për “Vorio Epirin” në Jug të Shqipërisë. Kështu qetësohej disi nacionalizmi i acaruar serb por edhe ai grek. Por edhe nacionalizmit shqiptar i ofrohej për herë të parë pas një shekulli bashkimi i kombit, “Shqipëria e madhe” ndonëse, përsëri jo aq e madhe. Regjistrimi i popullsisë duket edhe si një taktikë dinake e Berishës për ta nxitur dhe Athinën të jetë një faktor aktiv presioni mbi Uashingtonin drejti imponimit, si realpolitikë, të një ridizenjimi të kufijve në këtë pjesë të Ballkanit në kurriz të trojeve shqiptare.

Skenarë edhe për zgjidhje të tilla të çështjes së komplikuar nacionale në Ballkan, mund të hamendësohen si një nga shkaqet që shpjegon se përse ndërkombëtarët kanë ngurruar ta lëshojnë Sali Berishën edhe pse shihej qartazi se ky autokrat, i diskredituar keq qysh në vitin ’97, po e thellonte zullumin me korrupsion e krim, me skandale si Gërdeci, masakra si 21 Janarit e deri te grabitja e hapur e mandatit të bashkisë së Tiranës në zgjedhjet e 8 Majit. Berisha po përfitonte nga që perceptohej si një lider krahu i të cilit shtrihej tej kufijve të Shqipërisë dhe pra, që mund të ndikonte në zgjidhjen e çështjes së koklavitur Kosovë-Serbi? Një çështje kjo jo pa peshë sepse kish të bënte jo vetëm me Beogradin por edhe me marrëdhëniet e Perëndimit me Rusinë e Putinit. Dhe nën optikën e kësaj logjike, ç’rëndësi kish nëse Berisha dhunonte parimet e demokracisë liberale në një shtet të papërfillshëm si Shqipëria ndërkohë që, nga ana tjetër, mund të qe i vlefshëm për t’i dhënë fund ca halleve gjeostrategjike të Perëndimit në Ballkanin tashmë vërtet jo në flakë, por përsëri një fuçi baruti që qëndronte mbi një mangall plot prush nacionalizmash?

Ndërkaq nuk mund të mos shtrohet edhe një pyetje: Përse Perëndimi nuk po këmbëngulte të zgjidhte çështjet e koklavitura nacionale në Ballkan me anë të të integrimit të shteteve të këtij të fundit në BE? Përse në vend se të konvencionalizoheshin kufijtë me anë të integrimit multietnik në BE, po shfaqeshin skenarë që prireshin kah ndryshimi i kufijve dhe shteteve me homogjenitet etnik? Mos vallë qe perëndimorëzimi i vështirë, e deri i pamundur, i vendeve si Shqipëria që diktonte një modifikim të tillë? Apo lobime të forta nacionaliste po modelonin një tjetër axhendë të Perëndimit për Ballkanin?