Kosova, në kërkim të së vërtetës dhe të drejtësisë

0
29

Nga Le Monde, 01.03.2011

Gazeta e njohur franceze “Le Monde” boton një shkrim për raportin e Dick Marty dhe vë në dyshim hipotezën e trafikut te organeve.

Një raport i hartuar nga senatori zviceran Dick Marty për trajtimin çnjerëzor të personave dhe trafikun ilegal të organeve njerëzore në Kosovë, u adoptua të martën më 25 janar në Këshillin e Europës dhe u diskutua në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 16 shkurt.

Efekti i nxehtë mediatik që shkaktoi ky lajm, shkoi deri atje sa u duk sikur të gjithëve u vinte keq pse kishin njohur një shtet të rrezikshëm dhe dështak dhe të gjithë panë se ky raport dukej se po shmangej nga kërkimi i së vërtetës dhe i drejtësisë për të cilin ai ishte hartuar.

Në fillim kërkimi i së vërtetës.

Këtu nuk është fjala për të mbrojtur një lider politik, Hashim Thaçin, as të mohosh se ka pasur kampe të burgosurish ngritur prej UÇK-së, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe as trajtimet jo njerëzore dhe ekzekutimet e hamendësuara që janë praktikuar atje.

Proceset e Gjykatës Penale të Hagës për ish-Jugosllavinë kanë vertetuar tashmë realitetin e krimeve të tilla dhe misioni Eulex ka hapur një dosje për të paktën dy kampe të tillë të UÇK-së në Shqipëri. Nëse raporti i Dik Martit është një ndihmesë në këtë drejtim, ne vetëm se mund ta falenderojmë atë.

Por për fat të keq na duhet të konstatojmë se, që kur është bërë publik, ky raport ka shërbyer për të tjera qëllime, dmth : të relativizojë krimet e kryera nga regjimi i Milosheviçit; të kriminalizojë UÇK-në në tërësinë e saj ; të deligjitimojë pavarësinë e Kosovës dhe të ngadalësojë procesin e njohjes së saj në vijim ; ta rëndojë dialogun që do të hapet mes Serbisë dhe Kosovës dhe të diskreditojë institucionet ndërkombëtare
Z. Marti mbrohet duke thënë se nuk është ky qëllimi i tij. Le t’i besojmë për një çast.

Sipas tij-në një intervistë dhënë një medieje shqiptare Albinfo.ch-, “raporti i tij është interpretuar keq. Nuk është UÇK-ja si e tillë që është kriminalizuar ose kritikuar(…), nuk është kriminalizuar një popullsi e tërë, (…). Unë besoj se pjesa më e madhe e kosovarëve kanë qenë viktima dhe u është dashur të paguajnë një çmim të rëndë., (…) unë nuk them se z. Thaçi është drejtpërdrejt i implikuar në një trafik organesh, por them se persona afër tij janë implikuar, (…), kurrë nuk e kam kontestuar pavarësinë e Kosovës si të tillë”,etj..

Si t’i kuptojmë atëhere kontradiktat mes vetëpërmbajtjes së treguar këtu dhe radikalitetit të komenteve që kanë shoqëruar dhe mbështetur këtë raport? Mos duhet të shikojmë këtu një kthim prapa ose një pedalim në të kundërt dhe me destinacion opinionin shqiptar, atje ku pasojat e argumenteve të pamjaftueshme mund të nxisin interpretime tendencioze?
Një hetim i ri ?

Nëse kërkimi i së vërtetës vuan nga kjo mungesë qartësie, kërkimi i drejtësisë a mund të kryhet që më parë me përpjekjet e z. Marti? Asgjë nuk është më pak a më shumë e sigurtë.

Duke përzier e ngatërruar krimet e luftës me krimet politike dhe antinjerëzore dhe duke përqëndruar vëmendjen te trafiku i organeve, raporti ngjall indinjatën për një aferë nga më sensacionalet, por dhe më të brishtat sa u takon provave.

Këto zhurma vijnë nga ish-prokurorja e TPI-së, Karla del Ponte, e cila, megjithëse deklaronte se hetimet e saj nuk kishin mundur të arrinin deri në fund, ajo deklaronte më 2008 një trafik me përmasa të mëdha në të mallkuarën “shtëpi të verdhë”, ndërsa dy vjet më pas, hetimi i zotit Marti që flet vetëm për disa dhjetëra raste dhe lokalizon heqjen e organeve në një tjetër lokalitet.

Kështu, rrëfimi për këtë trafik është modifikuar në mënyrë të ndjeshme. Por, pavarësisht ndryshimeve të dallueshme të bëra prej autorit që trashëgoi këtë aferë, raporti nuk sjell asnjë element prove të re ose përcaktuese.

Hetimi i z. Marti kërkon një hetim të ri për të gjetur provat. Ndërkaq, nëse kjo dosje nuk ka qenë e mbështetur më parë e aq më pak mund të mbështetet tani, ajo do të çojë në të vërtetë në një impas juridik.

Kjo çështje nuk do të vihet atëherë përpara çështjeve të tjera që janë në skenë, si çështja e të zhdukurve prej konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës (le të kujtojmë se viktimat e UÇK-së janë në pjesën më të madhe shqiptarë dhe se janë ende 1823 të zhdukur, të cilët në pjesën më të madhe janë zhdukur prej regjimit të Milosheviçit) se, për kundërpeshë, kjo çështje mund të bjerë në harresë duke diskredituar kështu edhe angazhimin e Europës për t’i gjetur ata.

Më tej akoma, propozimi për të krijuar një Gjykatë të Krimeve kundër Njerëzimit ad hoc, vendosur jashtë Kosovës të lë një shije jo të mirë. Z. Marti në fakt thotë se misioni europian që është në vend, Eulex, është “i paaftë të çojë deri në fund një hetim serioz”.

Megjithatë pasazhet më solide të raportit të tij mbështeten mbi rezultatet e hetimit të Eulex-it dhe rezoluta e Këshillit të Europës i jep Eulex-it mbështetjen e saj.
Misioni europian, me anë të zëdhënësit, ka afirmuar vullnetin e tij dhe aftësinë për të drejtuar procesin juridik.

Mbrojtja e dëshmitarëve nuk kërkon krijimin e një organizmi juridik, por forcimin e shërbimit të mbrojtjes së dëshmitarëve, i krijuar tashmë nga Eulex dhe angazhimi i shteteve europiane për të marrë në mbrojtje dëshmitarët në rast nevoje
Raporti i Martit trajton një temë themelore atë të të zhdukurve, por përqëndrimi mbi akuzat për trafik organesh dhe denigrimi i Eulex-it, siç bën autori i këtij denoncimi, e shpërbëjnë kauzën që ai pretendon të mbrojë. Kjo kauzë që kushtëzon ndërtimin e Kosovës si një shtet të vërtetë të së drejtës duhet të mbrohet. Ndryshe dhe seriozisht.

Antoine Garapon, Joël Hubrecht, Georges-Marie Chenu, Pierre Hassner, anëtarë të komitetit « Kosova » Përgatiti në shqip Ilir Yzeiri, bashkëpunëtor i TV5 Monde dhe Le monde.