Kosova dhe Shtetndërtimi

0
30

Albin Kurti, 02.11.2009

Shtetndërtimi’ në Kosovë i bazuar te neoliberalizmi dhe decentralizimi po ia rimerr bazat perspektivës për një shtet tonin. Nuk ndërtohet shteti me metoda që janë menduar për ta zvogëluar atë. A është Kosova (akoma) shtet i dobët apo shtet i dështuar (tashmë)? E këtillë është pyetja të cilën na e zbulojnë kategorizimet që studiues të huaj ia bëjnë Kosovës.

Çfarëdo qofshin përgjigjet e tyre, ato i bashkohen ligjërimit publik të politikanëve, intelektualëve e analistëve tonë, se prej 17 shkurtit 2008 Kosova është shtet. Dobësia, e madje edhe dështimi, nuk e kontestojnë qenien.

Konstatimi se shtetit të Kosovës i mungon substanca, se pavarësisë i mungon sovraniteti, nuk sjell diçka të re. Një shtet pa substancë është shtet i dobët në rastin më të mirë; shtet i dështuar, përndryshe.

Çështja është që shteti në Kosovë nuk u bë me 17 shkurt 2008. Me shpalljen e pavarësisë nuk na erdhi edhe shteti. Jo se nuk u bë shteti kur u shpall pavarësia, por për shkak se shteti ishte këtu edhe para 17 shkurtit 2008.

Ashtu siç ishte ai edhe në kohën e UNIMK-ut, të Serbisë, të Jugosllavisë, të Gjermanisë naziste e të Perandorisë Osmane. Aparati represiv (policia, gjyqësia, ushtria) dhe ai ideologjik i shtetit (mediat, sistemi i edukimit, organizatat fetare e kulturore) ishin përherë këtu.

Problemi ishte që ky shtet s’ishte yni. Problem ky që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Drejtimi politik dhe ekonomik nuk përcaktohen nga ne, vendësit, dhe përmbi institucionet vendore ka instanca supreme me fuqi ekzekutive.

Prandaj, përgjigja mbi atë nëse jemi shtet nuk thotë asgjë. I kujt është ky shtet thotë gjithçka. Besnik Pula me të drejtë ka argumentuar se shteti në Kosovë nuk është problem i qenies (së tij) por i pronësisë (mbi të).

Me gjuhën e një imagjinate deleuziane: shpallja e pavarësisë nuk ka vendosur kurrfarë binarësh në shkretëtirë. 17 shkurti i vitit të kaluar nuk është datë kur shkretëtira si hapsirë nomadike është riterritorializuar përmes binarëve si shenjë e shtetit. Jo për shkak se nuk janë vendosur binarë të rinj (ndonëse kjo është njësoj e vërtetë), por, mbi të gjitha, sepse nuk kishim shkretëtirë paraprakisht.

Atëherë, mbi këtë premisë, ç’ka paraqet shtetndërtimi në Kosovë? Çfarë shteti po ndërtohet këtu ku shteti nuk mungonte?

Nga pikëvështrimi i interesit të qytetarëve të Kosovës, shtetndërtimi do të paraqiste pronësi mbi shtetin me qëllim të orientimit të mekanizmave shtetërorë drejt rritjes së mirëqenies, lirisë dhe sigurisë për popullatën.

Pra, jo qysh në fillim më shumë substancë shteti, por më shumë substancë shteti për pjesën tonë në duart tona, e vetëm për pasojë, edhe më shumë substancë shteti mandej.

Ndërkaq, nga pikëvështrimi i burokracisë ndërkombëtare, shtetndërtimi është term kryesisht teknik që konsiston në rritjen e efikasitetit të administratës dhe qeverisjes, në funksionalitetin e institucioneve.

Natyrisht, për hir të stabilitetit i cili, në njërën anë, ruan harmoninë e fuqive të mëdha dhe, në po të njëjtën anë, garanton mosacarimin e Serbisë. Kjo kundërthënie pikëvështrimesh, në fakt, është kundërthënie interesash. Funksioni i krerëve partiakë dhe institucionalë vendorë është pikërisht amortizimi i kësaj kundërthënie.

Meqë secili zhvillim e ka të pashmangshëm dimensionin ideologjik, edhe vitet e pasluftës në Kosovë, sado kaotike të duken, nuk kanë qenë aspak imune nga nënshtrati determinues ideologjik.

Anarkia nuk ishte rastësi. Anarkia ishte e projektuar. Derregullimi si tipar themelor i neoliberalizmit prodhoi anarki përfundimtare oligarkisë e cila, më tutje, krijonte iluzionin e lirisë te qytetarët.

Disi ngjashëm sikurse gjendja e parregullsisë dinamike brenda një burgu, e cila, atëherë kur ngjan, i rrëmben aq shumë të burgosurit, saqë atyre iu bëhet se u zhduk burgu.

Kështu ndodhi në Kosovë me ekonominë, shëndetësinë, arsimin, kulturën etj. Kaos i organizuar, anarki e programuar. Me mënyrat të cilat janë të mirënjohura për reduktimin e shtetit, në Kosovë thuhet se do të ndërtohet shteti.

Neoliberalizmi si metodë që e zvogëlon shtetin është etabluar si drejtim i shtetndërtimit! Gjersa shteti më i fuqishëm në botë, ShBA-ja, ka ndërmarrur veprime për ta forcuar rolin e vet (p.sh. nacionalizimi i General Motors-it), në njërin nga shtetet më të dobëta në botë fuqizohet neoliberalizmi.

Vitet e pasluftës të shpallura si vite të ndërtimit të institucioneve dhe koha pas shpalljes së pavarësisë e propaganduar si shtetndërtim, përputhen me dallimin ndërmjet dy fazave të njëjtit njeri: Milton Friedman. Nëse Milton Friedmani i parë ishte përvetësuar si guru nga UNMIK-u, Milton Friedmani i vonë u bë guru i EULEX-it dhe Pieter Feith-it.

Përderisa Milton Friedmani i hershëm thoshte privatizoni sa më shpejt, sa më shumë, Friedmani i vetëreviduar pas krizës aziatike financiare të viteve 1997-1998, thoshte: sundimi i ligjit (dhe privatizoni sa më shpejt, sa më shumë).

Privatizimi neoliberal në Kosovë e ka edhe anën tjetër të medaljes së ‘shtetndërtimit’. Ajo quhet decentralizim mbi baza etnike. Tërësia territoriale, sovraniteti dhe sistemi unitar i grumbullimit të taksave, janë thelbësore për çdo shtetndërtim. Në Kosovë kemi decentralizimin sipas Planit të Ahtisarit që e copëton vendin përbrenda, dhe suplemetin gjashtë pikësh i cili krijon sistem të ndarë doganor në veri.

Përderisa në Evropë po ngjan centralizimi nëpërmjet akordimit për Traktatin e Lisbonës, ne në Kosovë e bëjmë decentralizimin para sovranitetit, sepse e dimë mirë që Bosnjën nuk po e lejojnë të avancojë në integrime evropiane pikërisht për shkak se është aq e decentralizuar.

Në letrën e hapur drejtuar popullit të Bosnjës para dy javëve, ministri i jashtëm suedez, Carl Bildt, dhe zëvendës-sekretari i shtetit amerikan, Jason Steinberg, thanë: “Një shtet i cili nuk ka sovranitet të plotë, nuk mund të jetë kandidat i vlefshëm për anëtarësim në BE”. Në 30 vitet e fundit në botë gjithsesi kishim një tendencë të fuqishme për dobësimin e faktorit shtet.

Jo vetëm për shkak të derregullimit që e predikonte neoliberalizmi duke vendosur kështu supremacinë e tregut të lirë, por edhe nga frika prej shteteve totalitare dhe krimeve të tmerrshme që ato tashmë kishin kryer anekënd globit. Mirëpo, pas krizës globale financiare dhe në kohën kur po ngrihen edhe perandori të tjera, shteti po rikthehet në skenë me shpejtësi. Por jo edhe Kosova.

Te ne vazhdohet me metodat, tanimë të vjetra, të rrudhjes së shtetit, madje ende pa e pasur ne atë. Në anën tjetër, Kosova është një vend aq i vogël, saqë është qesharake të mendohet se shteti i saj do të mund ta rrezikonte dikë. Fuqitë e mëdha mund të kenë frikë nga ndonjë shtet i një vendi relativisht të madh.

Në rastin e Kosovës është absurde çfarëdo druajtje. Shtete të rrezikshme mund të jenë, siç edhe kanë qenë tradicionalisht, Serbia dhe më tutje Rusia, por jo edhe Kosova. M’u ashtu sikurse që i rrezikshëm është nacionalizmi i popujve të mëdhenj në shtete të fuqishme, e jo ai në vende si puna jonë.

‘Shtetndërtimi’ në Kosovë i bazuar te neoliberalizmi dhe decentralizimi po ia rrëmih bazat perspektivës për një shtet tonin. Nuk ndërtohet shteti me metoda që janë menduar për ta zvogëluar atë.