Lorenc Vangjeli, 05.06.2010
Liberalizimin e vizave të Shqipërisë, Brukseli e ka kushtëzuar, veç të tjerash, dhe me luftën kundër korrupsionit. Një vështrim i shpejtë mbi atë çfarë mendon Uashingtoni për korrupsionin në vend dhe një raport evropian mbi të njëjtën çështje. Ja çfarë e mban peng dhe të izoluar Shqipërinë e sotme. MAPO jep pa koment argumentat e skanerit të huaj e të besueshëm.
Ndodh shpesh që fenomenet serioze, të shpjegohen më mirë në mënyrë “karagjoze”. Serioze është çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, “karagjoze” është një anekdotë e vjetër që pak a shumë thotë: Një mik telefonon tjetrin dhe i kërkon ta takojë urgjentisht për një hall. Dhe miku i përgjigjet: “Hajde kur të duash, por jo të hënën se kam punë. Të martën jam në takime gjithë ditën dhe nuk bëhet fjalë që të shihemi, të mërkurën kam një drekë të gjatë tek vjehrra, të enjten e kam të pamundur sepse kam një hall timin shëndetësor, të premten duhet të mbyll patjetër një punë mjaft të rëndësishme, kurse të shtunë e të dielë jam në udhëtim me familjen dhe nuk shihemi dot. Por ti hajde kur të duash që të më takosh”.
Që nga viti i largët 1990, ëndrra e vjetër e shqiptarëve për ta bërë dhe Shqipërinë si Evropa, ka kaluar vit mbas viti në të njëjtin kalvar. Natyrisht jo për faj të Evropës; i zoti i shtëpisë, kur të hap derën dhe të fton brenda, ka të parashikuar edhe që mysafiri do të respektojë rregullat e vetë shtëpisë. Fjala vjen, nuk mund të hysh brenda me këpucë plot baltë dhe t´i lesh ato mbi tavolinë, nuk mund të vjedhësh, të shohësh nga këmbët të zonjën e shtëpisë, të thyesh xhamat e kështu me rradhë.
Në rastin e shtëpisë serioze evropiane, për t´i rënë pak më shkurt e më seriozisht, duhet të ndash të njëjtat vlera me të, për lirinë, demokracinë, shtetin e të drejtës, pronën private, zgjedhje të ndershme e të tjera, e të tjera, me një fjalë, të përafrosh standartet politike, ekonomike dhe sociale me Evropën.
Sot, 20 vjet pas dhjetorit të vitit 1990, ngjan se Shqipëria është në metrat e fundit për të thyer një nga muret gjithashtu të fundit “të izolimit” të saj të ri, kësaj rradhe jo të ngritura nga ideologjia e dikurshme kriminale komuniste, por nga mungesa e standarteve të sotme evropiane në vend.
Kushtet për vizat
Një nga kumtet e fundit të ardhur nga Evropa, përcakton se Shqipëria duhet të plotësojë ende tre kushte për marrjen e liberalizimit të vizave. Të thjeshtuara ato janë:
Zhvillimi i një strategjie dhe politike për të mbështetur riintegrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer;
Përforcimi i kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe zbatimi me efektivitet i kuadrit ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, edhe nëpërmjet ndarjes së burimeve të mjaftueshme njerëzore dhe financiare; dhe,
Zbatimi me efektivitet i kuadrit ligjor në fushën e konfiskimit të aseteve nga krimi i organizuar.
Më shumë se kumt, këto tre pika janë kushte, për të mos folur për krizën politike në vend dhe zërat gjithmonë e më autoritarë që gjejnë një lidhje të shkurtër mes liberalizimit të vizave dhe zgjidhjes së krizës politike (qeveritare e përcaktojnë krizën të tjerë zëra autoritarë) në vend.
Kushti i parë dhe i tretë, për një shtet pothuaj “hilacak” dhe me një qeveri pothuaj “hilacake”, janë në dukje lehtësisht të zbatueshme.
Gjithë problemi është tek pika e dytë që flet për korrupsionin. Që ngjan pikë për pikë me anekdotën qesharake me ditët e javës. “Hajde kur të duash, por jo të hënën, të martën, të mërkurën, të enjten, të premten ose të shtunën e të dielën”! Por kur flitet nga Evropa për korrupsionin në Shqipëri, një vend me perceptim të frikshëm publik dhe me korrupsion të frikëshëm real, atëherë çështja ndërlikohet.
Raportet e të huajve, amerikanët
SHBA është partneri strategjik i Shqipërisë. Duke u shmangur për një moment nga Brukseli, po të shihet se çfarë thotë Uashingtoni për korrupsionin në Tiranë, situata bëhet vërtet e rëndë. MAPO rikthen në vëmendje të publikut “Raportin për Të Drejtat e Njeriut”, kapitullin Shqipëria, të Departamentit Amerikan të Shtetit.
MAPO zgjedh të përdorë këtë skaner të specializuar dhe tërësisht të besueshëm si kriter të së vërtetës për të shmangur me sa mundet pasaktësitë subjektive në gjykim.
Raporti është publikuar në 11 mars 2010. Raporti, si çdo vit, e nis paragrafin e tij të parë me fjalët: “Republika e Shqipërisë është një demokraci parlamentare me një popullsi prej afërsisht 3.6 milionë banorë. Kushtetuta ia njeh autoritetin legjislativ Kuvendit Popullor (parlamentit) me një dhomë, i cili zgjedh edhe kryeministrin edhe presidentin.
Kryeministri kryeson qeverinë, ndërkohë që presidenca ka pushtet të kufizuar ekzekutiv. Më 28 qershor, vendi zhvilloi zgjedhje parlamentare, të cilat Zyra për Institucione Demokratike dhe Të Drejtat e Njeriut (ODIHR) e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE) i përshkroi si zgjedhje që shënuan përparim krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, por që nuk përmbushën plotësisht standardet ndërkombëtare”.
Pastaj vijojnë me rradhë kapitujt e ndryshëm. Duke kontrolluar fjalën kyç: “Korrupsioni”, që është dhe kushti i dytë që duhet të plotësojë Shqipëria për liberalizimin e vizave, shihet se kjo fjalë përmendet plot 18 herë. Më poshtë, pa asnjë koment, MAPO boton pikërisht këto paragrafë.
1. Policia:
“Pati raportime që policia rrahu dhe keqtrajtoi rëndë të dyshuarit gjatë marrjes në pyetje dhe gjatë ndalimit. Korrupsioni në radhët e policisë dhe mosndëshkueshmëria vazhduan. Korrupsioni në qeverisje mbeti një problem serioz dhe i pazgjidhur”;
“Pavarësisht nga reformat në rekrutimin e oficerëve të policisë dhe standardizime të tjera nga Ministria e Brendshme, performanca e gjithanshme e zbatimit të ligjit mbeti e dobët. Sjellja joprofesionale dhe korrupsioni, përzier me pagat e ulëta, mbetën pengesa madhore për zhvillimin e një force policore civile të efektshme”;
2. Mohimi i Gjyqit të Drejtë Publik
“Kushtetuta siguron një gjyqësor të pavarur; megjithatë, presioni politik, kanosja, korrupsioni i përhapur gjerësisht dhe burimet e kufizuara hera-herës nuk e lejonin gjyqësorin që të funksiononte në mënyrë të pavarur dhe eficiente”;
“Ekziston një sistem funksional i së drejtës civile ku shtetasit kanë të drejtën e ankimimit; megjithatë, ky sistem ishte i prekshëm nga korrupsioni, ineficienca dhe ndërhyrjet politike. Zyra e Përmbarimit është përgjegjëse për ekzekutimin e gjykimeve civile. Ligji lejon përmbaruesit privatë që të ekzekutojnë gjykimet, duke lehtësuar si entet publike ashtu edhe ato private që të ndihmojnë ekzekutimin e vendimeve. Megjithatë, gjatë vitit ligji nuk u vu në zbatim”;
3- Kthimi i Pronave
“Ligjet që rregullojnë kthimin ose kompensimin e pronave private apo fetare të konfiskuara gjatë kohës së komunizmit janë komplekse dhe një numër i madh çështjesh që kanë të bëjnë me pretendimet nga pronarët e rinj dhe shtetit, nga njëra anë dhe pronarëve të mëparshëm mbetën të pazgjidhura. Në shtator 2008, Parlamenti Evropian nxori një dokument informues mbi kthimin e pronave në vend, i cili vërejti se raundi i parë i gjykimeve nga Gjykata Evropiane për Të Drejtat e Njeriut kishte konstatuar “mangësi serioze” në sistemin administrativ dhe gjyqësor të vendit për sa i përket kthimit dhe kompensimit të pronave për pronarët e mëparshëm. Probleme të tjera të identifikuara në dokument përfshinin ngadalësinë e qeverisë në ngritjen e strukturave administrative në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si në nivel qendror edhe në nivel rajonal si dhe mbizotërimin e procesit të kthimit nga transaksione informale dhe korruptive”;
4- Liria e Fjalës dhe Shtypit
“Në 2 nëntor, një kritik i hapur i qeverisë, gazetari Mero Baze, pronar i gazetës Tema dhe drejtues i një programi në Vizion Plus, u sulmua në një klub në Tiranë. Dëshmitarët pohuan se u sulmua nga Rezart Taçi, një biznesmen i njohur dhe i afërt me qeverinë, dhe nga truprojat e tij për shkak të raportimeve nga Baze për pretendime për korrupsion në privatizimin e ARMO, rafineria shtetërore e naftës, të cilën qeveria më parë ia kishte shitur Taçit. Në fund të vitit, policia po hetonte incidentin dhe biznesmeni dhe dy nga truprojat e tij të akuzuar ishin liruar me kusht në pritje të gjyqit”;
5- Arsimi
“Korrupsioni në sistemin e arsimit ishte i përhapur gjerësisht. Zyrtarët e universiteteve sipas raportimeve kërkonin pagesa që studentët të siguronin regjistrimin. Për një pagesë, pedagogët supozohej se shkruanin materiale apo detyra për studentët, të cilët braktisnin orët e mësimit në mënyrë rutinë. Zyrtarët hera-herës kërkonin ryshfet apo favore seksuale nga studentët që ata të kalonin klasat apo provimet”;
6- Korrupsioni Zyrtar dhe Transparenca e Qeverisë
“Ligji siguron ndëshkime penale për korrupsionin zyrtar; megjithatë, pavarësisht një numri arrestimesh të zyrtarëve të lartë të qeverisë qendrore dhe vendore, korrupsioni qeveritar mbeti një pengesë madhore për reformat domethënëse. Indekset e Bankës Botërore për qeverisjen për vitin 2008 tregonin se korrupsioni ishte një problem serioz. Qeveria ndoqi penalisht zyrtarë të korruptuar dhe administroi ankesat për korrupsionin në polici me anë të avokatit të popullit.
“Gjatë vitit, Ministria e Brendshme raportoi se policia e shtetit kishte hetuar 1,610 raste të lidhura me korrupsionin dhe krime financiare. Qeveria konfiskoi afërsisht 700 milionë lekë në asete, nga të cilat 550 milionë lekë ishin nga pastrimi i parave; pjesa tjetër ishte nga kontrabanda e mallrave dhe produkteve ilegale”;
“Njësia e Përbashkët Hetimore për Luftën Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit (NjPH) hetoi dhe ndoqi penalisht korrupsionin publik dhe krime të tjera financiare, megjithëse aftësia e saj për të hetuar dhe ndjekur penalisht gjyqtarë, anëtarë të parlamentit dhe zyrtarë të tjerë të korruptuar u pengua nga imuniteti i gjerë prej ndjekjes penale ofruar nga kushtetuta”;
“Gjatë vitit, NjPH hetoi dy ish-kryebashkiakë të një komune pranë Tiranës për një skemë mashtrimi me pronat. Ata u dënuan për korrupsion, pastrim parash dhe akuza të tjera sëbashku me tre zyrtarë dhe dy shtetas të tjerë. Gjykata vendosi dënime që varionin nga tre në gjashtë vjet burgim; megjithatë, Gjykata e Apelit më pas i pakësoi disa prej akuzave dhe shumicën e dënimeve, duke shkurtuar dënimin më të gjatë në tre vjet”;
“Në një çështje të bujshme që kishte të bënte me kthimin e pronave në Komunën e Kasharit, shtatë persona u dënuan për korrupsion, pastrim parash dhe akuza të tjera. Kjo komunë e vogël, midis Tiranës dhe Durrësit, përfshin tokë me vlerë pranë autostradës kryesore”;
“Në një çështje mashtrimi me prokurimet në Ministrinë e Mbrojtjes, tre nga katër të pandehur u dënuan, përfshi Shkëlzen Madanin, drejtor i administrimit të burimeve. Madani, dënuar për korrupsion pasiv dhe falsifikim dokumentesh, u dënua me dy vjet e gjysëm burgim, një gjobë prej 1.8 milionë lekë dhe iu ndalua mbajtja e postit publik për një vit. Madani, një bashkëpunëtor i afërt i ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu dhe të tjerët kishin marrë rreth 2,000 euro si ryshfete për çdo licensë importi dhe eksporti municionesh që Ministria e Mbrojtjes i jepte enteve civile. Dy të pandehur të tjerë u dënuan me më pak se dy vite burgim”;
Kultura e mosndëshkimit
Ky term nuk është përdorur në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, por është bërë shumë familjar për shqiptarët, sipas sentencës së trishtuar të një amerikani të madh, shkrimtarit Mark Tuen që thoshte: “Kush vjedh një bukë hyn në burg, kush vjedh një hekurudhë, bëhet senator”. Raporti amerikan përmend me emër dhe mbiemër dy ministra të dy kabineteve Berisha 1 dhe Berisha 2.
“Në shtator, prokuroria rrëzoi akuzat kundër ish-ministrit të jashtëm Lulzim Basha, i cili ishte paditur për abuzim detyre në lidhje me projektin më të madh të punëve publike në vend, për arsye teknike, lidhur me imunitetin e tij si ministri i ri i rendit”;
“Gjatë vitit, Gjykata e Lartë vendosi që ish-ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu kishte imunitet ndaj ndjekjes penale në lidhje me hetimin e shpërthimit në vitin 2008 në një depo çmilitarizimi në Gërdec, e cila çoi në vdekjen e 26 personave. Imuniteti i Mediut, i cili ishte revokuar në vitin 2008, u rivendos pas rizgjedhjes së tij në parlament në 28 qershor. Për pasojë, çështja u rrëzua. Deri në fund të vitit, nuk kishte pasur kërkesë nga prokuroria e përgjithshme për t’i hequr imunitetin Mediut”;
Përsëri ministrat
Nga Uashingtoni sërish në Evropë, një shoqëri serioze jo qeveritare, FRIDE, citohet të ketë shkruar në raportin e saj, pikërisht për këta dy emra ministrash:
“Shumë çështje korrupsioni janë shtyrë apo pezulluar në mënyrë të dyshimtë. Një ndër shembujt është gjyqi ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në lidhje me shpërthimin e fabrikës së municioneve në Gërdec në vitin 2008, ku humbën jetën 26 persona.
Pavarësisht faktit se zoti Mediu dha dorëheqjen në 17 mars të vitit 2006 dhe iu hoq imuniteti parlamentar, çështja ndaj tij u pezullua pas emërimit si ministër në kabinetin “Berisha” në shtator të vitit 2009, duke luajtur me kartën e imunitetit. Gjykata e Lartë hoqi akuzat kundër Mediut, duke argumentuar se nuk kishte mjaftueshëm prova për t’i kërkuar parlamentit heqjen e imunitetit për të dytën herë. Një tjetër proces është ai i ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, në lidhje me korrupsionin në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Kjo çështje u pezullua për shkak procedurash, vendim ky që u kundërshtua nga ekspertët ndërkombëtarë, të cilët e cilësuan si mjaft subjektiv”.
Po vizat?
Duke e “zhveshur” çështjen si banane dhe për t´u marrë me thelbin, kushti i dytë që do t´u lejonte shqiptarëve të udhëtojnë pa viza në Evropa, maksimalisht deri në datën 1 janar 2011, është i lidhur me progresin e detyrueshëm që qeveria shqiptare duhet të bëjë në luftë kundër korrupsionit. Dmethënë, të ndreqë urgjentisht situatën në polici, gjyqësor, kthimin e pronave, lirinë e fjalës dhe të shtypit, arsim dhe në qeverisje.
Në letër dhe në konferenca shtypi, shqiptarët mund të jenë bindur se qeveria e tyre do ta luftojë korrupsionin, problemi është sa do të bindet edhe kësaj here Evropa, që të mos na lerë ende peng të mallkimit të vjetër të izolimit. Siç e kishte lënë dikur vendin regjimi kriminal komunist. Një regjim që nuk u prodhua me të “drejtën e një populli për të ndryshuar qeverisjen e tij”, por që mbeti në këmbë duke e shkelur me këmbë popullin e tij.
– Marrë nga revista MAPO