Gjon Bruçi, 30.08.2010
Me gjithë përbetimet e fushatave elektorale dhe deklaratat e kundërdeklaratat e përditshme të politikano-pushtetarëve tanë për luftën pa kompromis e tolerancë zero ndaj korrupsionit, ky i fundit po përparon, po lulëzon e po buçkaritet çdo ditë e më shumë dhe galopi i tij nuk ka të ndalur.
Nëse deri dje “Zoti Korrupsion” edhe maskohej, apo lëvrinte natën e në terr, për t’iu shmangur syve të botës, tani jo vetëm ka dyfishuar vrapin, por rend pa frikë e drojë në mes të ditës, në mes të fushës e bash para syve e hundëve të qytetarëve.
Kjo ndodh, sepse ashtu siç e thotë saktë zoti Armand Vinçani në shkrimin e djeshëm tek “Shekulli”, korrupsioni tashmë është bërë legjitim, çka do të thotë se ai ka fituar “qytetarinë” dhe nga një fenomen shoqëror i rrezikshëm, është kthyer në një bashkudhëtar i yni i pashmangshëm, është kthyer si të thuash në një “institucion”, që rivalizon denjësisht e madje me shumë sukses me institucionet e tjera të shtetit tonë.
Dhe siç tregojnë “parametrat ” e tij aktualë, ai, d.m.th. korrupsioni do të vijojë të marshojë edhe në të ardhmen në rrugën e tij të palavdishme.
Këtë konkluzion sarkastiko-pesimist na e dikton panorama aktuale politike, ekonomike e shoqërore e cila në mënyrë intensive vijon të zhytet çdo ditë e më shumë në pellgun e qelbur të korrupsionit. Në katër plus një vite të qeverisjes së dytë berishiane, ku dhe “logoja” e antikorrupsionit është recituar më bukur se asnjëherë, nuk kemi asnjë korrupsionit të rangut VIP të zbuluar, demaskuar e dënuar ligjërisht.
Shumë, shumë është kapur ndonjë pulastren, por asnjëherë dhe asnjë nga “gjelat e majmë” të detit, të cilët mbështillen në dengun e pulave të kotecit dhe vijojnë të kakarisin e lëshojnë pas erën e tyre karakteristike….
Siç e ka vërtetuar e po e vërteton gjithë tranzicioni ynë tejzgjatur ” demokratik”, asnjë prokuror e asnjë gjykatës i çfarëdo shkalle qoftë, nuk ka mundur e nuk do të mundë të mbërthejë korrupsionin me emrin VIP. Kjo për arsyen e thjeshtë: Korrupsionisti VIP, siç e cekëm dhe më lart, nuk është “bibë” (budalla), por “gjel e madje kaposh” i mençur e me shkollë.
Shkallët e korrupsionit ai i ka ngjitur një e nga një dhe me tepër kujdes, duke marrë masa paraprake për forcimin e konsolidimin e bazamentit ku është ngjitur. Fillimisht ai hyri në “ekonominë tonë të tregut” si çdo fenomen tjetër shoqëror, por falë zgjuarsisë së tij si “korrupsionist” dhe duke shfrytëzuar “rregullat pa rregulla” të politikës dhe ekonomisë sonë të tranzicionit, nga fenomen, korrupsioni u bë personazh.
Dhe jo personazh i thjeshtë, por personazhi kryesor i dramës sonë njëzetvjeçare, pjesëtarë i denjë i piramidës së shtetit tonë të vetëquajtur demokratik. Shkallët e ngjitjes së korrupsionit në piramidën tonë shtetërore, në mënyrë të thjeshtë kanë qenë këto : Shkalla e parë individët.
Në shoqërinë tonë, si në çdo shoqëri njerëzore, gjenden plot individë që u pëlqen e u vjen për osh shoqëria e miqësia me “zotin Korrupsion”. Prej shkallës së parë, d.m.th. prej individëve korrupsioni ka ngjitur shkallën e dytë, atë të partive politike.
Janë individët , që duke u grupuar sipas interesave krijojnë partitë e subjektet politike. Këto të fundit janë ato të cilat shërbejnë për marrjen e pushtetit e zotërimin e shtetit, që është dhe shkalla e tretë dhe e fundit për arritjen në majën e piramidës në fjalë.
Fenomeni i korrupsionit padyshim është i pranishëm në çdo vend e në çdo shtet. Varet nga lloji i sistemit, apo mënyra se si është ngritur ai, që ky fenomen të mbetet i tillë, domethënë vetëm fenomen, apo në të kundërtën të përparojë e të lulëzojë duke u bërë person VIP i strukturave shtetërore e shoqërore, e madje duke i sfiduar ato. Në vendin tonë ka ndodhur kjo e fundit.
“Zoti Korrupsion” nuk ka mbetur në pozicionin e fenomenit, por falë shkallëve që ka ngjitur me kujdes e mençuri, është shkrirë e bërë një me vetë piramidën e shtetit e të shoqërisë sonë., duke iu futur asaj si spirale nga baza gjer në kupolë.
Kjo spirale është tepër e lëmuar, tamam si ngjala, sa që i rrëshqet çdo lloj grepi. Ajo mundet të kapet vetëm në fund të piramidës, ose në majën e saj. Në fund mund të hiqet ndonjë “tullë”, por fundi, apo baza e piramidës është tepër e gjerë dhe heqja e disa tullave nuk e lëkundin piramidën.
Rreziku piramidës së pushtetit e shtetit i vjen në kupolë. Mirëpo në kupolë grepi e ka të vështirë të kapë. Por edhe kur ndodh që kap, hyn në lojë rimarrja e imunitetit, ose “rrotacioni paqësor” i pushtetit dhe kupola në fjalë e kalon lumin pa u lagur.
Të korruptuarit e kupolës, sapo ndjejnë rrezikun se mund t’i kapë “grepi”, pranojnë “rrotacionin” dhe hidhen në opozitë, ku nisin konsumimin qetë, qetë të zahireve, që kanë siguruar kur ishin në pushtet.
Shtrohet pyetja: A ka ndonjë shpresë për të dalë nga kjo situatë ? Teorikisht po. Nëse do të arrijmë të nxjerrim nga kthetrat e korrupsionit partitë politike që janë subjekte të marrjes së pushtetit , do të mund të shporrej korrupsioni edhe në piramidën e shtetit dhe shoqërisë.
Në të kundërtën, sa herë të ndërrohen pushtetet, dhe në demokraci kjo është normë, aq herë do të “rifreskohet ” edhe korrupsioni në majën e piramidës. Dhe një gjë që rifreskohet e stërhollohet jeton shumë gjatë.
Duke pasur parasysh përbërjen, fizionominë dhe veprat e gjertanishme të partive politike që kanë alternuar e alternojnë pushtetin, unë si qytetar jam tepër pesimist se do të shpëtojmë nga kthetrat e korrupsionit.
Duke vrarë mendjen për këtë situatë korrupsioniste pa rrugëdalje, mendja më shkoj tek një episod nga jeta e Ali Pashë Tepelenës, lexuar në romanin me të njëjtin titull, të Sabri Godos:
Ndodhte që qytetarë të asaj periudhe, pasi nuk gjenin gjykim të drejtë tek Kadiu (gjyqtari) për hallet e tyre, përfundonin në Divan përpara Aliut. Pashai i përmendur, ashtu i shtrirë e me nargjilen e duhanit në gojë, bënte davanë (gjykimin) duke i lënë ankuesit, në mos të kënaqur, të paktën “të bindur”.
– Pasha i nderuar, – fliste ankuesi, – Hasani më ka vjedhur lopën. – Për Allah nuk është e vërtetë, – ia kthente Hasani, përkulur dyfish përpara Aliut. Si t’ia bënte Pashai ?
Si ta ndante davanë e tyre ? Situatës së koklavitur Ali Pashë Tepelena i jepte këtë zgjidhje origjinale : Nëse i akuzuari për vjedhjen e lopës ishte i shëndoshë nga trupi, Aliu konkludonte dhe urdhëronte : ” Jepi mexhitet (lekët) se ti do ta kesh vjedhur e ngrënë lopën , ndaj je shëndoshur”.
Ndërsa kur qëllonte që vetë ankuesi ishte i shëndoshë dhe i akuzuari për vjedhjen e lopës i dobët në trup, Aliu thoshte : “Po të ta kishte marrë ky lopën, do të ishte shëndoshur si ti, ndaj ik se nuk është ky hajduti….”. Dhe davaja e Ali Pashë Tepelenës nuk ishte apel….
Sigurisht demokracia e sotme nuk mund të aplikojë metodat e Ali Pashë Tepelenës, por një gjë mund ta themi me bindje : Të gjithë ata që gjer tani janë akuzuar për vjedhje e korrupsion kanë qëlluar njerëz të shëndoshë, me qafë e gushë që u kërcen mbi jakën e zbërthyer të këmishës.
Të jenë vërtet të korruptuar ?! Vetëm Ali Pashë Tepelena mund ta përcaktonte!