Korrupsion legjitim në një shtet jo legjitim

1
38

Armand Vinçani, 26.08.2010

Korrupsioni dhe lufta ndaj tij ka qenë dhe vazhdon të mbetet një nga temat më të rrahura në mjedisin e partive politike, medieve e strukturave të shtetit.

Këto të fundit janë parë nga opinioni vendas dhe ai i huaj (të paktën teorikisht) si subjekt që detyrohen me ligj për t’ju kundërvënë kësaj plage që sa vjen e thellohet duke arritur sot përmasa të tilla, ku gangrenizimi i saj është pothuajse i pamundur të ndalohet nga një pushtet që jo vetëm nuk ofron asnjë profilaksi ndaj saj, por, përkundrazi, ka krijuar klimën e favorshme për molepsjen e pandalshme.

Ngjarjet e fundit me dy deputetë të parlamentit ku njëri prej tyre vazhdon të jetë edhe në postin e ministrit të Ekonomisë dhe heshtja absolute e pushtetit tregojnë katërçipërisht se tashmë në Shqipëri nuk ka më një korrupsion ilegjitim në një shtet legjitim.

Sigurisht, një shoqëri krejtësisht e pakorruptuar do të ishte një ideal utopik, por realiteti ynë është aq i hidhur sa shoqëria shqiptare ndodhet para faktit se korrupsioni ka fituar të drejtën legale të qytetarisë në atë shkallë sa të papajisur me pasaportën e saj kanë mbetur vetëm “budallenjtë” (ata që akoma vazhdojnë të besojnë në djersën e ballit) dhe idealistët (ajo pjesë e tyre që vazhdon akoma të shohë ëndrra me sy hapur).

Dikur kemi dëgjuar një shprehje të urtë qindravjeçare që thoshte se qeveria e kap lepurin me qerre. Natyrisht, një shprehje e tillë metaforike ka pasur shumë shtytje, por në minimum ka marrë të mirëqenë ekzistencën si të qerres ashtu dhe të lepurit.

Qerrja ishte shteti legjitim i vendosur për t’i dhënë jo vlera, por kundravlera korrupsionit e lepuri përfaqësonin “akrobatin” që bënte “pirueta” sapo dëgjonte kërcitjen e rrotave. Por sot jemi në kohëra moderne ku lepuri udhëton pa iu trembur syri në të njëjtën karrocë të qeverisë ku në sajë të “lubrifikimit” tejet cilësor jo vetëm që nuk bëhet fjalë për kërcitje, por nuk ekziston asnjë lloj fërkimi.

Një pushtet që refuzon të bëjë transparencën e ngjitjes në post është çdo gjë përveçse jo legjitim. Prej më se një viti opozita kërkon të shtjerë në dorë çelësat e kutive të votimit që ruhen në Lundër apo gjetiu tjeter duke besuar se ato i ka Berisha. Por opozita shpesh harron se ato kuti kanë edhe një dry të dytë çelësin e të cilit e kanë ata që e kanë mbërthyer si në darë pushtetin e kutive të mbyllura.

Pra, rruga për tek e vërteta kalon përmes katakombeve dhe këtë e dinë mirë individët si dy deputetet që përmenden sot çdo ditë në opinionin publik shqiptar. Prandaj, ata as nuk zmbrapsen e as nuk tremben edhe pse çdo ditë deklarojnë broçkulla që edhe një prokurori të rëndomtë do t’i mjaftonin për t’i nxjerrë zbuluar në fare pak kohë mjafton të kishte guximin dhe përkrahjen për t’u imbarkuar në rrugën përmes skutave që kanë “varrosur” transaksionet që kanë krijuar milionat, ndërsa të tjerët luftojnë për të mbijetuar.

Nëse korrupsioni nuk do të ishte legjitim zonja deputete nuk do të guxonte të deklaronte pa iu trembur syri se ajo, bashkëshorti apo ai, me të cilin ajo bashkëjeton kanë dhënë shuma marramendëse për të fituar biznesin apo koncesionin.

Kjo zonjë nuk do të bënte kurrë vullnetarisht një deponim të tille nëse do të kishte një shtet legjitim, sepse edhe një i pa shkollë e di mirë se ligji dënon njësoj si atë që jep mite po ashtu dhe atë që merr.

Pehlivanllëqet me deklaratat evazive për ballafaqime dypalëshe me kreun e opozitës janë vetëm shfrytëzim i pamoralshëm i ekuilibrave politike dhe aleancës me pushtetin për një mbrojtje qesharake ndaj diskreditimit që po ju rrëshqet tokën nën këmbë.

Si ministri “ujk” që i janë varur mëlçitë në qafë, duke i dhënë çelësat e ekonomisë ashtu dhe deputetja që bën cirk me mungesën e shtetit të vërtetë një ditë nuk do t’i shpëtojnë ballafaqimit me ata që janë detyruar sot të përballen me kufijtë ekstremë të varfërisë e për të siguruar mbijetesën kanë dërguar djemtë e vajzat e tyre rrugëve të botës.

Luksi i tyre i sotëm i vënë mbi kurrizin dhe pronat e të tjerëve nuk do të mund t’i shpëtojë ballafaqimit me nëpërkëmbjen që iu kanë bërë të drejtave humane të shumicës së popullsisë, të atyre që sot ju serviren dy kokrra vezë më shumë si prosperitet i paparë ekonomik.

Në kushtet e sotme, kundërvënia ndaj korrupsionit është krejtësisht e pamundur. Opozita përpiqet të sjellë fakte që qartazi tregojnë implikimin e drejtuesve të lartë të pushtetit të sotëm në afera të përmasave të tilla që do të admiroheshin edhe nga mafiet më të avancuara.

Sidoqoftë, ajo përsëri është e paartikuluar dhe opinioni publik ka plotësisht të drejtë të jetë skeptik se një qeveri e mundshme e tyre në të ardhmen do të mundësonte çmontimin e korrupsionit dhe praktikave korruptuese të një pushteti që e ka copëtuar Shqipërinë në vilajete me pashallarë të rinj që kanë përvetësuar e ndarë çdo pasuri mbi e nën tokë e në bashkëjetesë me krimin ordiner e kanë kthyer vendin në një xhungël ku ligjin e vërtetë e bën ai që ka pushtetin ekonomik.

Ky grup pashallarësh është mafia e sotme e Shqipërisë dhe ajo mund të neutralizohet vetëm nëse një forcë politike serioze nuk do të kërkojë pushtetin për të marrë revanshin në pasurimin galopant, por do të tregojë me vepra se është e vendosur për t’iu kthyer të drejtat e vjedhura e të mohuara njerëzve të thjeshtë e pa përkrahje.

Hapi i parë i këtij serioziteti do të ishte anliza e thellë dhe pa ngjyrime politike e korrupsionit që është kthyer në një shtyllë legjitime të shtetit të sotëm, duke spostuar ndjeshëm pushtetet e tjera si atë të gjyqësorit që është krejtësisht i asfiksuar, nën goditjen dhe presionin e pashembullt të partisë në pushtet.

Pa një program të qartë që do të tregojë se si do të arrihet nxjerrja në ilegalitet e këtij pushteti legal të sotëm që ka emrin e frikshëm “korrupsion” vështirë të fitohet besimi i humbur i elektoratit që u përball në 8 vitet e qeverisjes së Nanos me “artin” e mashtrimit shkollën e të cilit po e vazhdon sot besnikërisht Berisha.

Opozita e sotme duhet të kuptojë se përdorimi i së njëjtës strategji të mbushur me slogane e premtime emocionuese, por të mbarsura me mashtrime që solli në pushtet Berishën 5 vjet më parë në kushtet e sotme do të ishte dështim. Elektorati tashmë falë zhgënjimit të pësuar me të dyja forcat politike është shumë dyshues e më shumë nuk beson në seriozitetin e ndershmërinë e partive politike.

Për njerëzit e thjeshtë nuk ka fare rëndësi nëse korrupsioni ka ngjyrë të kuqe apo blu. Ndërrimi thjesht i ngjyrave do të ishte edhe me keq se ngjyra që kemi sot, sepse do të vriste përfundimisht edhe atë fije shprese të venitur.

Ç’legalizimi i korrupsionit të sotëm në pushtet nuk kërkon më shumë ligje, nuk kërkon legjislacion të ri, nuk kërkon fjalime patetike. Ka një aksiomë mjaft të njohur e të vërtetuar tashmë: sa më shumë ligje aq më i thellë është korrupsioni. Ajo ç’ka i lypset sot një force politike që kërkon të angazhohet seriozisht në përballjen me korrupsionin është thjesht operimi me duar të pastra e transparencë të plotë në sytë e opinionit publik.

Hapi i dytë dhe më i rëndësishëm është kuptimi i drejtë i nocionit të korrupsionit. Edhe pse një fjalë e përdorur rëndom e me frekuencë në rritje në fjalimet me karakter politik apo propagandistik e vërteta është se kuptimi është mjaft i cekët. Është detyrë e opozitës së sotme t’i shpjegojë elektoratit se lufta ndaj korrupsionit është pjesë e pandarë e përpjekjeve për të mbrojtur të drejtat njerëzore.

Historia 20-vjeçare e periudhës post-komuniste në vendin tonë tregon se korrupsioni ka motivuar shfrytëzimin dhe padrejtësinë ku aktorët politike kryesore kanë abuzuar me pushtetin që iu është dhënë duke u përkujdesur për përfitimet e një grupi të vogël të ndarë në klane në kurriz të shumicës.

Lëvizja për të drejtat themelore të njeriut duhet të jetë e pandarë nga një lëvizje masive kundër korrupsionit. Është detyrë e opozitës së sotme të shpjegojë me fakte se si shtresat e margjinalizuara të popullsisë vuajnë sot pasojat e kësaj plage të thellë.

Kjo kërkon të shpjegohet jo vetëm se si u pasuruan në kurriz të të tjerëve një deputet, ministër apo kryeministër, por të shpjegohet se si vuajnë pasojat e saj shkollat, shëndetësia, gjykatat, policia, si dhe shërbime të tjera publike, gjendja e të cilave është e mjeruar ku korrupsioni zbret vertikalisht e shtrihet në çdo qelizë të administratës publike, ku një njeri i thjeshtë duhet të paguajë nën dorë për të siguruar edhe një të drejtë minimale që i njeh ligji e Kushtetuta.

Opozita duhet të shpalosë një program të qartë ku të tregojë vullnetin e saj për të kthyer naftën, energjinë, centralet, minierat, pronat e grabitura e shumë sektorë të tjerë jetikë që nga pasuri kombëtare e të gjithëve sot janë kthyer në pronësi të individëve të veshur me pushtet e njerëzve rreth tyre.

Opozita duhet të shprehet qartë e pa ekuivokë se është e vendosur të kthejë mbrapsht e anulojë të gjitha koncesionet, licencat, kontratat e instrumentet e tjerë financiarë të dhënë në mënyrë abuzive nga pushteti i sotëm.

Paralajmërimet për të nxjerrë nesër përpara ligjit këdo që sot përdridhet duke luajtur teatër në kuvend, shtyp, televizion e shmanget përgjegjësisë duke shfrytëzuar mbrojtjen e korrupsionit legal në pushtet nuk mund të vazhdojnë të jenë thjesht “kërcënime” që nuk trembin as mizat e jo më deputetët e ministrat e sotëm të plotfuqishëm.

Opozita duhet të ndërgjegjësohet se është domosdoshmëri përçimi i qartë i mesazhit se nesër në pushtet ajo do të zbatojë me konsekuencë konventat e të drejtave njerëzore që përcaktojnë detyrimet ligjore të një qeverie e kryesisht ato në trajtimin e barabartë të të gjithë shtetasve.

Në mënyrë të veçantë, një program serioz i opozitës duhet të përfshijë angazhimin e saj për të zbatuar Konventën kundër Korrupsionit të Kombeve të Bashkuara, e cila bën përgjegjës aktorët e shërbimit publik dhe privat për krime si ato të përvetësimit të fondeve, favorizimeve e klientelizmit, abuzimit me pushtetin, pasurimit të paligjshëm dhe pengimit të drejtësisë.

Kriminalizimi i këtyre akteve, sipas kësaj Konvente, përbën bazën ligjore për përgjegjësinë e një shteti dhe hap rrugën drejt ndalimit të abuzimit me të drejtat njerëzore. Për këtë qëllim, opozita duhet t’i shpjegojë sot elektoratit se si cikli i korrupsionit lehtëson, dhe institucionalizon shkeljen e këtyre të drejtave.

Hapi i tretë konsiston në një iniciative gjithëpërfshirëse e përsëri në përputhje me Konventën e mësipërme si detyrim për të promovuar një pjesëmarrje aktive të shoqërisë civile. Një masë e tillë do të detyronte shtetin të kërkonte, publikonte dhe përhapte informacionin për korrupsionin në vend e krijonte kanalet e duhura për raportimin në kohë të shkeljeve, abuzimeve, favoreve e simptomave të tjera.

Krijimi i një hapësire të tillë për të angazhuar shoqërinë civile në mbrojtjen e të drejtave njerëzore e luftën ndaj korrupsionit kërkon një qeveri që do të bëjë të kundërtën e asaj që bën qeveria sot.

Lufta ndaj korrupsionit nuk mund të shërbejë si një mjet kërcënues ndaj opozitës. Përkundrazi, ajo fillon nga mazhoranca që ka pushtetin dhe mundësinë, siç dhe po tregojnë faktet e shumta sot.

Prandaj, shoqëria civile është më mirë në gjendje të analizojë korrupsionin e sotëm që inkurajon diskriminimin, deprivon njerëzit e thjeshtë nga trajtimi i barabartë dhe të drejtat e tyre ekonomike, politike, civile, shoqërore dhe kulturore.

Vetëm një lëvizje masive që do e konsiderojë përballjen me korrupsionin si pjesë të pandarë të luftës për mbrojtjen e të drejtave njerëzore mund të rindezi shpresat e elektoratit.

Vetëm një angazhim serioz që, së pari, do të kërkojë të ndërrojë statusin aktual të korrupsionit nga legal në ilegal dhe të pushtetit nga ilegal në legal mund të krijojë kushtet për një bashkëbisedim të hapur të opozitës me gjithë shoqërinë shqiptare sot.

Një bashkëbisedim i tillë do të jepte mesazhin e vërtetë se koha e retorikëve, krekosjeve dhe përdredhjeve, si ato të ministrit apo deputetes të pranishëm sot në publik, shumë shpejt do t’ju vijë fundi duke iu lënë vendin pyetje-përgjigjeve që do të zbërthejnë “karrierën” e tyre financiare, si dhe të të tjerëve që gëzojnë imunitetin e qeverisë së sotme duke i detyruar të dorëzojnë çelësat e atyre “kutive” që ruhen pas kutive të mbyllura të votimeve.

1 COMMENT

  1. Me ne fund po i kthehemi realitetit: E pranoj qe jam pa “pasaporte”, jo prej budallallekut, por prej idealizmit.
    Jam dakord me sa shpreheni:
    1)”Ne kushtet e sotme, kundervenia ndaj korrupsionit eshte krejtesisht e pamundur.”
    2) “Nje force politike serioze do te tregoje me vepra se eshte e vendosur per t’iu kthyer te drejtat e vjedhura e te mohuara njerezve te thjeshte e pa perkrahje.”
    Zgjidhja juaj eshte :
    – Hapi i pare: Analiza e thelle e korrupsionit. PYETJE: KUSH DUHET TA BEJE?
    – Hapi i dyte: Kuptimi i drejte i korrupsionit. PERGJIGJE: DUHET TA KUPTOJNE TE GJITHE.
    – Nje levizje masive. PYETJE: KUSH DUHET TA ORGANIZOJE?
    – Nje angazhim serioz. PYETJE: NGA ANA E KUJT?
    – Nje bashkebisedim midis opozites dhe shoqerise shqiptare. PYETJE: CFARE PRESIM APO PRESIN?

    Realiteti nuk kerkon thjesht ndryshim pushteti, por ndryshim elite, vlerash dhe filozofish politike.
    Vendi ka nevoje per drejtim me drejtesi :
    – Nje pushtet legjislativ real, me shqiptare qe njohin drejtesine, por mbi te gjitha qe jane te drejte, te ndershem, dhe me karakter
    – Nje ekzekutiv qe i pergjigjet realitetit, Parlamentit, detyrave te se sotmes dhe te ardhmes me persona qe dijne te mbajne pergjegjsi, kane kompetenca, ndershmeri, drejtesi dhe seriozitet.
    – Nje pushtet gjyqesor qe zbaton ligjin, ai ne radhe te pare: “Te gjithe jemi te barabarte para ligjit”; qe nuk e shkel ate, por e zbaton ne perputhje me
    standartet europiane e boterore me te mirat. I perbere nga juriste qe dine, qe kane dhe qe jane te ndergjegjshem per rolin e tyre.
    – Organe te garancise se funksionimit te regullt ligjor:
    1) President te zgjedhur nga populli, dhe jo nje kukull te kompromiseve partiake
    2) Nje gjykate kushtetuese, sovrane ne çeshtjet e kushtetutes dhe kur s’eshte ne gjendje per sovranitet t’i drejtohet Sovranit, popullit.

    Duke dashur qe te hyjme ne keshtjellen e Europes me idealet e socialdemokracise, neve, populli, shoqeria publike ja deleguam aspiratat, ndjenjat, problemet, deshirat, endrrat, “PERFAQSUESVE” tane dhe ata na e kane shperblyer ne kete menyre: Kemi marre malet, nga syte kembet, pa barinj, kemi zbritur nga mali ne koder dhe kush na gjen po na shqyen, jemi bere mish per top… te vazhdoje me?

    Pershendetje Agim Shkodra.

Comments are closed.