Korniza

0
36

Arbën Xhaferi, 13.08.2010

Më 13 gusht bëhen 9 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, një dokument që ndërpreu një luftë që sot e kësaj dite nuk dihet pse filloi, por dihet pse dhe si u ndërpre.

Shumë kush përpiqet të depërtojë te misteri i kësaj ngatërrese, por vështirë do të arrijnë ta ndriçojnë, ashtu si atentatin kundër ish-presidentin maqedonas, Kiro Gligorov.

Sa për ta gudulisur imagjinatën do përmendja edhe vdekjen aksidentale të ish presidentit maqedonas, Boris Trajkovski i cili, sa ishte i gjallë, përbuzej nga miq e armiq dhe kur ndërroi jetë u mitizua, së pari nga opozita dhe pastaj nga të tjerët, në fund edhe nga bashkëmendimtarët e tij politikë.

Mitizimin e tij e filloi në mënyrë inteligjente ta përhapë opozita për të ikur nga dyshimet bezdisëse. Vetëm shqiptarët mbetën indiferentë, mbase, për shkak të mungesës së informatave, nuk dinin çka po ndodhë në realitet.
Sot, edhe pas 9 vitesh, konfuzioni por edhe dyshimet lidhur me konfliktin e 2001.

vazhdojnë të thellohen, mbi të gjitha për shkak të shpjegimeve naive dhe tallëse: kryengritja paskësh filluar për ta penguar marrëveshjen Georgijevski- Xhaferi për ndarje të Maqedonisë!

Mua ky argument më duket i sajuar nga disa hokatarë që nuk e njohin mirë mendësinë e shqiptarëve të cilët kurrë nuk do të merrnin pjesë në një kryengritje motivesh të këtilla. Fundja, komunikatat e para nuk jepnin sqarime të këtilla, ngaqë rrallë kush do t’i përgjigjej një kushtrimi të këtillë.

Madje, marr guximin të shtoj se shqiptarët e Maqedonisë me siguri masivisht do të merrnin pjesë në një luftë, që do të pengonte ndarjen e Kosovës sesa të Maqedonisë. Natyrisht se këto pohime mbështeten në intuitën politike, në të ashtuquajturën inteligjencë emotive, që heton se diçka është apo nuk është në rregull me argumentimin.

Nëse këto ngjarje dramatike që e shoqërojnë Maqedoninë prej themelimit të saj, antagonizmat e skajshme lidhur me ekzistencën e saj si shtet, si komb, si gjuhë, si histori, pastaj problemet me kohezionin e brendshëm që shfaqet si antagonizëm i pashërueshëm ndëretnik, përfundimisht luhatjet lidhur me aleancat gjeostrategjike nuk mund të dëshmohen drejtpërdrejt, atëherë duhet kërkuar metoda të tjera që hedhin dritë mbi këto zhvillime.

Shumë studiues të historisë janë të një mendimi se zanafillën e ngatërresave të ndryshme rreth Maqedonisë duhet kërkuar te anulimi i Marrëveshjes së Shën Stefanit ( 1878) nga ana e Kongresit të Berlinit (1878) ku u mor vendimi që territoret, të ashtuquajturës Maqedoni Antike t’ia kthejnë Perandorisë Osmane me qëllim që të mos lejohet zgjerimi i Bullgarisë (Rusisë) në qendër të Ballkanit.

Interesat e ndryshme gjeostrategjike, ekonomike, kombëtare në fund nxorën idenë për themelim të një shteti të ri që do të merrte rolin e amortizatorit të përplasjeve të interesave të ndryshme. Kjo ide pati një vonesë të arsyeshme, por megjithatë u realizua. Në Jugosllavinë e Dytë u formua një republikë ku maqedonasit fituan mundësinë që t’i realizojnë idealet e tyre.

Por cinikët parashtronin një dilemë sfilitëse: a mundet një komb historikisht “inekzistent” të ketë ideale kombëtare? Ose: a e formoi ideali kombëtar shtetin apo shteti (interesat gjeostrategjike) e formoi kombin!? Popujt që sot kontestojnë diçka nga qenia maqedonase janë ithtarë të opsionit të dytë: shteti e paska formuar kombin.

Këto përmisime nuk do të kishin vlerë sikur të mos bëhej fjalë, për një metodë të të vepruarit politik që arsyeton zgjerimin: krijohet një identitet i ri etnik, pastaj kërkohet territori ku do të ndërtohet shteti për të.

Pra, me formimin e Jugosllavisë në këto hapësira u vendos një inkubator, që sajonte tipare etnike, që listës së ngjashmërive shtonte tipare që veçonin, duke krijuar identitete të reja, fillimisht etnike, pastaj edhe kombëtare. Grupi i ri etnik, pos vullnetit politik nuk kishte realitet, ose argumente historike, të atilla që dëshmojnë ekzistimin e tij ndër shekuj.

Kjo lehtësi që shfaqet si përpjekje për shpikje të kombeve të reja, natyrisht se lë pasoja në planet tjera. Sa për të mos harruar, këta inxhinierë etnikë tentuan që edhe me shqiptarët e Jugosllavisë të bëjnë një eksperiment të këtillë, të formojnë një komb të ri.

Në Jugosllavi, por edhe gjatë një periudhe më të gjatë historike zhvillohet antagonizmi serbo- shqiptar në të gjitha rrafshet. Po ashtu në Jugosllavi heshtur, por në vazhdimësi përcaktohej linja ndarëse ndërmjet popujve me origjinë etnike dhe atyre, që cilësoheshin si kombe politike.

Maqedonasit, malaziasit, boshnjakët, deri diku edhe sllovenët të cilët, në fazat e ekzaltimeve nacionaliste kroate quheshin “Alpski konjushari”(timarxhinjtë alpinë), i takojnë grupit të popujve me identitet politik.

Nga aspekti teorik s’ka asgjë të keqe nga të qenit popull politik. Të tillë ka shumë, madje edhe SHBA-të, ashtu si Franca paraprakisht, kanë pranuar këtë zgjidhje që funksion si më mirë.

Nga ana pragmatike kjo përzierje e mënyrave të ndërtimit të kombit dhe të shtetit, përplasjet ndërmjet parimit etnik dhe atij politik, që krijon hapësirë për ekspansion dhe hegjemoni, ngushton mundësinë për zgjidhje të antagonizmave të tjera ndëretnike, veçmas të atij serbo-shqiptar.
Pra, problemet lindin kur ngatërrohen parimet.

Maqedonasit refuzojnë zgjidhjen politike të çështjes së identitetit dhe ngulin këmbë në tezën se ata janë etnikisht maqedonas. Njëkohësisht ata, popujve që kanë identitet të verifikueshëm etnik dhe janë shtetas të Maqedonisë u ofrojnë variantin politik të kombformimit, atë variant që ata vetë e refuzojnë. Përfundimisht, të gjitha këto përplasje, megjithatë burojnë nga shteti që shpesh herë është jo luajal ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve.

Kjo kakofoni ligjërimesh antagoniste krijon konfuzion edhe te faktori ndërkombëtar. Për të pasur një zgjidhje sa më të qëndrueshme ata ofrojnë kategorizimin e nocioneve që kanë një semantikë të kuptueshme për ta.

Prandaj në negociatat e Ohrit përdorën nocionin “kornizë” që do të thotë se Maqedonia do të ekzistojë në këtë kornizë që e ka. Politikët maqedonas dinë fare mirë domethënien politike të fjalës”kornizë”(maqedonisht “ramka”, anglisht “framework”). Nocioni “kornizë’ atyre ua siguron ekzistencën gjeostrategjike: në Europën jug-lindore është krijuar një shtet i ri, një kornizë që askush nuk mund ta eliminojë, madje edhe vetë maqedonasit.

Për popujt që bëjnë vërejtje dhe shfaqin rezerva ndaj shtetit të ri, faktori ndërkombëtar u ofron zgjidhjen brenda kornizës. Ta thjeshtoj shpjegimin: deri më tani maqedonasit fituan kornizën, shtetin unitar, ndërkaq shqiptarët shansin që një pjesë të brendshme të kornizës ta përshtatin interesit të vet, të drejtën për diversitet që garantohet me veton etnike (koncept i demokracisë konsensuale).

Por, jo vetëm klasa politike, por edhe shumica e maqedonasve refuzojnë të pranojnë e lë më zbatojnë një marrëveshje të këtillë.

Bie fjala të majtët maqedonas kërkojnë që të nënshkruhen marrëveshjet tjera ndëretnike, sipas insistimit të faktorit ndërkombëtar, të sigurt se do të gjejnë metoda se si ta pengojnë zbatimin real të Marrëveshjes së Ohrit.

Ata këtë edhe bënë gjatë qeverisjes 2002-2006. Të djathtët, kryesisht hapur konstatojnë se pas “Marrëveshjes së Ohrit” më nuk do të ekzistojë ajo Maqedoni që ata dikur e paskan njohur. Qeveria e sotme përmes nacionalizmit të tyre klerikal aq shumë përhapin simbole nacionale dhe fetare, saqë i përmbysin të gjitha simbolikat tjera, kryesisht të shqiptarëve.

Kryeministri maqedonas ka marrë një vendim që t’i sfidojë të gjithë me qëndrimin e tij radikal: faktorin e brendshëm, atë të jashtëm, profesionistët, krijuesit etj. Z. Gruevski ka gjetur shtegun për t’i sendërtuar ëndrrat e fëmijërisë së tij, por jo vetëm kaq: ai me këto veprime i teston limitet e durimit të të gjithë faktorëve, veçmas të shqiptarëve.

Ai jo vetëm që nuk mendon ta implementojë Marrëveshjen e Ohrit, por atë e ka shndërruar në floskulë diplomatike, që në mungesë të temave të tjera përdoret si uratë, apo si mallkim. Nuk mbaj mend asnjë diplomat të mos e ka përmendur togfjalëshin “implementimi i Marrëveshjes së Ohrit”.

Kjo temë dhe kjo frazë tashmë, pos misionit hakmarrës dhe tallës ka humbur çdo kuptim. Marrëveshja nuk implementohet ngaqë askush nga faktori i huaj nuk tregon gatishmëri që të hapet çështja që mezi u mbyll. Por ku të kërkohet zgjidhja? Te kontestimi i paluhatshëm i varianteve që nuk përputhen me Marrëveshjen e Ohrit si dhe zgjerimi i mëtejmë i të drejtave sipas frymës së marrëveshjes.

Çdo kompromis me ngushtimin e të arriturave sipas kësaj marrëveshjeje, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, përfaqësimi adekuat, përdorimi i plotë i mekanizmit të konsensusit, zbatimi i ligjit për amnisti etj. do t’i trimërojë edhe më shumë nacionalistët maqedonas që kanë humbur sensin e realizmit: ata ndryshojnë të kaluarën, historinë, përvetësojnë ngjarje dhe personalitete, sfidojnë durimin jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të UE-së, SHBA-së, NATO-s, luajnë me alternativat gjeostrategjike etj.

Për ata që nuk i kuptojnë këto mesazhe kanë ofertë tjetër, atë të ngurtësuar, urbanistik, SHKUPI 2O14, Aleksandri i Madh tok me Qirilin dhe Metodin dhe një varg “dejcash” (veprimtarësh) të periudhës së rilindjes(?!) hedhin vallen e lumturisë së amshuar sipas koreografisë së kryeministrit Gruevski.

Sipas të gjitha gjasave kemi të bëjmë me një pansinkretizëm që shfaqet në të gjitha fushat: politikë, histori, art etj. Si duket ekipi i kryeministrit pandeh se nocioni “sinkretizëm” ka konotacion pozitiv.

Parimi kryesor në Marrëveshjen e Ohrit është kërkesa që koncepti i shtetit ta pasqyrojë karakterin, realitetin multietnik të shoqërisë. Ky parim ka më shumë peshë se çdo nen i Marrëveshjes së Ohrit, ngaqë rregullon çështjen e barazisë në çdo segment.

Ky parim mund të shërbejë si standard edhe për interpretimin e neneve dualiste brenda Marrëveshjes së Ohrit. Bie fjala në Kushtetutë, gjuha shqipe trajtohet si gjuhë zyrtare, ndërkaq në ligje ajo segregohet në krahasim me gjuhën maqedonase.

Inkoherenca të kësaj natyre ka shumë dhe nuk nevojë të shpenzohet kohë dhe mund për analiza të përsëritura.

Problemi kryesor nuk është një person politik, që përpiqet ta rishkruajë historinë sipas nevojave të sotme, por të një politikë që shënon vazhdimin me konceptet dhe atavizmat që paraprakisht e patën shpërbërë Jugosllavinë.