[Java, 03.03.2012]
E.Q.(Ervin Qafmolla): Cili është qëndrimi juaj ndaj vendimit të qeverisë për të lejuar importin e një game të gjerë mbetjesh, me qëllim përpunimin e tyre në Shqipëri?
B.K. (Bashkim Kopliku):
Lejimi i importimit të Plehrave në Shqipëri, është një shitje e shëndetit, e jetës së shqiptarëve, në këmbim të mbajtjes së pushtetit nga qeveria aktuale, me në krye z. Sali Berisha. Duhen fonde për të blerë mosreagimin e popullit ndaj saj, e duhen edhe për blerje të personaliteteve në botë që ata të mos reagojnë për shkeljet e demokracisë shqiptare, e këto fonde përpiqen t’i sigurojnë edhe duke importuar plehra.
Politikanët e mazhorancës e ata që venë pas tyre, duket sikur po gënjejnë edhe veten, se rreziku që i kërcënohet Shqipërisë nga Importi i Plehrave, nuk qenka aq i madh, apo se me masat e duhura, rreziku u zvogëluaka deri në nivele të papërfillshme, se importuakan plehra edhe gjermanët etj. etj. E thënë më popullorçe, po e bëjnë si ajo historia e gomarit i cili e shihte se po i vërsulet ujku, the i thoshte vetes, bëje zot ëndërr.
E pra, rreziku për jetën e shqiptarëve nga importimi i plehrave, është realitet, e jo ëndërr. Politikanët esëll e dinë mirë se ndaj çfarë rreziku të madh po e ekspozojnë Shqipërinë, por babëzia për pushtet i deh duke i shtyrë në ekstreme. Fatkeqësisht, këta politikanë të mazhorancës aktuale janë njësoj si ata të mazhorancës së kaluar, të asaj me z. Fatos Nano në krye: edhe ata u përpoqën mjaft të fusnin plehrat e botës në Shqipëri, por nuk u mjaftoi koha, sepse i përzunë nga pushteti. Por të sotmit duket se kanë kohë më shumë: pothuajse edhe një vit deri në zgjedhje, e prandaj po e realizojnë synimin e tyre makabër—prandaj duhet realizuar sa më shpejt referendumi kundër importit të plehrave.
E.Q.: A mendoni se Shqipëria zotëron kapacitetet administrative, teknike dhe njerëzore për ta menaxhuar këtë proces në mënyrë të përgjgjeshme dhe pa rrezikuar mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve?
B.K.:
Në zhvillimin aktual të saj, Shqipëria nuk ka kapacitete për të menaxhuar problemin shumë kompleks të importimit të plehrave, pa vrarë njerëzit e saj, fakt që e bën të papranueshëm një ligj për importimin e plehrave në Shqipëri, sado mirë të jetë shkruar ligji (mos të ketë shpresë njeri se me “një ligj të mirë”, shmanget rreziku!). Të zbatosh një ligj për importin e plehrave kërkohet një klasë nëpunësish të aftë e të ndërgjegjshëm, kërkohet një opinion publik, një shoqëri, që i mbështetë këta nëpunës që të punojnë me eficiencë. Në Shqipëri, mungojnë të dyja këto.
Për të kuptuar thjeshtë se çfarë do të ndodhë nëse do të importohen plehra, shihni rezultatin e zbatimit të një ligji shumë më të thjeshtë, ligjit për ndalimin e duhanit në lokalet publike. Nuk ka lokal publik në Shqipëri ku mos të pihet duhan, pavarësisht se ligji e ndalon qartë këtë gjë. Një gjendje edhe më e rëndë do të ishte me zbatimin e ligjit të importit të Plehrave: këtu do të importohej çdo lloj plehu, e pikërisht më shumë ato plehrat që do t’i ndalonte qartë ligji. Ryshfetet që do t’u ofrohen nëpunësve tanë do të ishin shumë më të mëdha se ato që u japin sot pronarët e lokaleve për të lejuar pirjen e duhanit. Shqiptarët nuk po arrijnë të shqetësohen për tymin e duhanit që u merr frymën dukshëm e u shkakton fshehtas kancerin, aq më pak do të tunden nga radiacionet e plehrave, nga toksinat, nga mikrobet, e nga sa e sa faktorë të tjerë vdekjeprurës e të fshehtë të plehrave.
E.Q.: A mund të ndani me ne ndonjë përvojë personale nga postet e shkuara që keni mbajtur lidhur me çështje të një natyre të ngjashme?
B.K.:
Në vitin 1991, isha kryetar i Bashkisë së Durrësit (me terminologjinë e kohës, isha “kryetar i komitetit ekzekutiv pluralist të qarkut”). Shqipëria sapo ishte hapur me botën, por gjendja ekonomike ishte skandaloze: dyqanet bosh, edhe buka prodhohej nën mbrojtjen e forcave speciale të policisë, dhe shitej në dyqane të blinduara me hekura, sikur të ishin banka.
Në atë kohë takoja edhe të huaj që bënin propozime shumë joshëse, me shumë të ardhura për qytetin, nëse do të importonim e përpunonim plehra. Këto propozime vinin në sfondin e një reje mizash që kishte mbuluar qytetin, miza që vinin nga disa gropa të mëdha ku groposesh duhani i importuar, i rrezatuar nga shpërthimi i centralit atomik të Çernobilit. Qeveria komuniste, edhe ajo në uri për para, kishte pranuar importin e atij “plehu” të rrezikshëm. Mizat ishin ngacmimi që tërhoqi edhe vëmendjen e publikut, shkaktoi transparencë ndaj gjendjes, duke u bërë temë e diskutimeve dhe e interesimit, duke bërë të vetëdijshëm një rreth të gjerë njerëzish, për rreziqet e dëmet e mëdha që kanoseshin nga këto lloj plehrash.
E kemi pasë diskutuar shpesh variantin e importimit të plehrave në Shqipëri, gjatë gjithë qeverisjes së PD-së në fillimet e viteve 90 kur unë gjatë tri vjetëve të para isha zëvendëskryeministër. Kemi arritur të refuzojmë çdo propozim, megjithëse dukeshin mjaft joshëse. Baza e kundërshtimit ishte bindja se nuk do të arrinim të menaxhonim lejimin e hyrjes së plehrave të padëmshëm, dhe ndalimin e të dëmshmëve, pa dëmtuar jetën e shqiptarëve. Prandaj mënyra më e mirë ishte, dhe është, ndalimi krejtësisht i importimit të plehrave.
Kam pasë bërë edhe llogari të ftohta ekonomike, duke vlerësuar edhe jetën e njerëzve me para etj., dhe më ka pasë rezultuar, dhe më rezulton edhe sot, se edhe ekonomikisht importimi i plehrave në Shqipëri është me humbje ekonomike!
E.Q.: Si i konsideroni përpjekjet e aktorëve të ndryshëm të shoqërisë civile për të realizuar mbajten e një referendumi kombëtar për këtë çështje?
B.K.:
E vetmja shpresë për ndalimin e importit të sëmundjeve dhe vdekjes në Shqipëri, është mbajtja e referendumit. Kam besim se AKIP do t’ia dalë ta organizojë referendumin, e nuk do të shitet, apo frikësohet nga presionet qeveritare.
E fundit por jo më pak e rëndësishmja. AKIP: po bëjnë punë vullnetare, pa u paguar e pa pasur fondet e domosdoshme për të realizuar detyrën që kanë marrë përsipër. Nëse nuk mblidhen fonde, referendumi do të dështojë, që në nisje. Duhet hapur një llogari bankare, dhe t’u bëhet thirrje shqiptarëve që të dhurojnë para për të siguruar bërjen e referendumit. Edhe nga jashtë do të na ndihmojnë—shumica janë të ndershëm dhe e dinë sesa vdekjeprurëse është për një vend të prapambetur, si Shqipëria, importimi i plehrave.
Bashkim Kopliku
Phone: +355 52 223663; +355 52 229209
Mob: +355 672858090
International mob: +39 3887865398
E-mail:
optional:
Please, send important e-mails
on both addresses!