Preç Zogaj
(Vijim i shkrimit të djeshëm “Çfarë presidenti kanë në mendje”)
Në numrin e djeshëm argumentuam se presidenti politik që ka në mendje Berisha është një president kukull si profil dhe mediokër si person, të cilin ai, kur ti vijë dita, do ta paraqesë me superlativa, si mishërimin e vlerave dhe virtyteve më të larta njerëzore , duke e përcjellë këtë tiradë me nënqeshjen e tij të brëndshme karakateristike. Si njeri, ai ka luksin të tallet me politikanin Berisha. Qytetarët e kanë fatkeqësi dyzimin në këtë shkallë të kreut të qeverisë së tyre. Por kjo është nje temë tjetër.
Le të provojmë të shohim tani se çfarë presidenti ka në mendje shefi i opozitës, zoti Rama. Ky kërkim është pak më i vështirë për arsye se Rama është provuar shumë me pak se Berisha si propozues kandidaturash, ndërkohë që nuk i është dhënë rasti të votojë ndonjëherë as pro as kundër kujt në kutinë e fshehtë në Kuvend. Në palmaren e tij modeste të përfshirjes dhe kontributeve për funksionin e Presidentit të Republikës shohim të ketë mbetur diku emri i gjeneralit Arjan Zaimi, i cili doli për pak orë si kandidaturë konsensuale në vitin 2007, por u braktis paskëtaj nga një evoluim zhvillimesh që nxorri fitues Bamir Topin. Në vitin 2007 Rama arriti gjithsesi t’i fshihte deri diku preferencat për emrat konkretë, duke i dhënë përparësi procedurës.
Këtë po bën edhe kësaj here. Po ngulmon për një president konsensual , megjithese e ka të qartë se me kushtetutën e ndryshuar konsensusi është shumë më i largët se sa ishte me kushtetutën e pandryshuar. Kur zgjidhej me shumicë të cilësuar prej tetëdhjetë e katër deputetësh kushtetuta diktonte marrëveshje, manovra, konsensus. Tani që zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej shtëtëdhjetë e një deputetësh qeverisë i mjafton shumica që ka. Nga një anë, duke kërkuar konsensus në këto kushte, Rama i ekspozohet kritikës se si bashkautor i ndryshimeve kushtetuese atij nuk i shkon të kërkojë një gjë që e ka lëshuar me vullnetin e tij të lirë para tre-katër vjetësh.
Nga ana tjetër, i vëtëdijshëm për taksën e inkonsekuencës që duhet të paguajë me këtë rast, ai dëshëron të paraqitet në sytë e publikut më i mirë dhe më i hapur se kryeministri, duke shkuar me mendimin se njerëzit preferojmë me shumë një President konsensual të palëve se sa një president politik të një pale, domethenë të Berishës. Kjo është e vërtetë, sado që si çdo e vërtetë, ka edhe anën tjetër të medaljes. Kërkimi i konsensusit në politikë, sa ç’është vlerë në rrethana të caktuara, po aq është shprehje dobësie në rrethana të tjera. Sa të mendohet i mençuri, budallaj ka mbaruar punë, thotë populli; gjithçka harrohet kur hidhet lumi. Atij që s’ka bërë tjetër veçse ka thënë uratë dhe lutje në breg nuk i mbetet gjë tjetër veçse të ngushëllohet duke numëruar tespie.
Rama le të mbajë tezën e konsensusit, shpresat dhe utopitë nuk kushtojnë asgjë. Por në vend që thjesht ta artikulojë nga larg për t’u diferencuar nga Berisha, apo për tu dëgjuar nga Berisha dhe Meta, apo për ta rregjistruar si qëndrim konstruktiv pranë kancelarive të vendeve mike, ai duhet ta shndërrojë kërkesën në fjalë në një lëvizje politike aktive me synimin që opozita dhe shefi i saj të mos jenë në pozitat e atyre që luten, por në pozitat e atyre që bashkevendosin. Konsensuale apo politike qoftë zgjidhja.
Një pjesë e publikut prêt që Partia Socialiste të sqarojë përfundimisht në rrugë ligjore çeshtjen e vlefshmërisë apo pavlefshmërisë së tre raundeve të para të zgjedhjes së presidentit me 84 vota, nëse në sallë janë më pak se 84 deputetë. Në Kosovë është shkarkuar një president i zgjedhur- Behgjet Pacolli- ngaqë në dy raundet e para në sallë nuk ishte korumi i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit me dy të tretat e deputetëve të gjithë Kuvendit. Dy seancat e para u konsideruan të paligjshme nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Rjedhimisht i gjithë procesi ra, pra edhe raundi i tretë kur Pacolli ishte zgjedhur me shumicë të thjeshtë.
A janë të njëjta dispozitat e Kushtetutës së Shqipërisë me dispozitat e Kushtetutës së Kosovës për këtë çeshtje? Kjo nuk është shumë e qartë. Optimizmi dhe vendosmëria e Berishës për ta zgjedhur Presidentin e ri me shtëtëdhjetë e një deputetë të lenë të kuptosh se ai nuk sheh asnjë pengesë dhe njeh si raund të parë raundin e katërt. Vendosja në kushtetutë e tre raundeve pa vlerë do të ishte pa kuptim, pavarësisht ndonjë fjalie kineze dhe hileqare që shoqëron tekstin e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, fjali e cila, sipas disa analistëve politikë, i bën nul manovrat politike të opozitës me korumin. Gjithsesi, PS duhet të jetë e qartë me veten dhe me publikun për ketë çeshtje. Po qe se ka hapësirë për interpetim kushtetues, kjo duhet bërë që tani. Nuk ka vlerë pas pilafit. Nuk ka vlerë pas zgjedhjes së Presidentit.
Nëqoftese duhet korumi me 84 deputetë në tre raundet e para, Rama dhe opozita kanë boll “municion” në çantë për të synuar njeherësh konsesusin dhe një kandidat të denjë për karrigen e kreut të shtetit. Nëqoftese korumi në fjalë nuk është i domosdoshëm, nga opozita pritet të ketë planin e saj të aksionit politik për Presidentin.
Opozita dhe Rama i kanë të gjitha arsyet të ngulmojnë fort për një president konsensual në Bruksel dhe Uashington si kompensim për moshetimin e zgjedhjeve të vitit 2009 sipas Rrezolutës së Parlamentit Europian dhe për gjithë parregullsitë dhe anomalitë e regjistruara në raportin e OSBE-ODHIR-it për zgjedhjet e 8 majit 2011 në Tiranë. Kompensimi me një president konsesual pas gjithë këtyre ngjarjeve dhe në kushtet kur vendi nuk ka një shumicë politike të votuar si e tillë, është një e drejtë e ligjshme e opozitës, sikurse është edhe një investim i veçantë për paqtimin politik të vendit.
Në mungesë të konsensusit të madh me PD-në, nga opozita pritet të ketë planin e saj për konsensusin e vogë me parti dhe deputetë të veçantë të Kuvendit të Shqipërisë. Kjo do të thotë që opozita t’i përgjigjet me të njëjtën monedhë opsionit të Berishës për një president politik dhe të zbresë në fushën e betejës për presidentin e saj politik. Opozita është më misionin e saj të testojë qëndrimet e LSI-së dhe PDIU-së për zgjedhjen e presidentit. Presidenti Bamir Topi është gjithnjë një aktor për t’u respktuar.Partia Demokristiane në opozitë, edhe pse parti joparlamentare, ka mbështetur rikandidimin e Topit. Nuk do të çuditej njeri, përkundrazi, që të nëjtën gjë ta bente fjala vjen PDIU-ja. Kjo parti, me aq sa e njoh, do të respektonte programin dhe frymën e saj, duke i dhënë mbështetje një presidenti që në disa çeshtje pikante kombëtare ka mbajtur edhe qëndrimet e një partiaku “çam”.
Në momentin e duhur PS duhet të dalë me kandidatët apo kandiatin e saj, në personalitetin e të cilit, më mirë se në asgjë, kjo parti do të dëshmonte vizionin e e saj për kreun e shtetit si funksion. Beteja për të ndërtuar një proces është e vyer. Por opozita nuk mund të kufizohet duke kënduar deri në fund psallmin e konsensusit dhe kaq. Kjo do të krijonte përshtypjen e indiferencës ndaj procesit. Konsensusi pa betejë është si një pemë pa kokrra. Opozita i ka shanset të fitojë me votim të fshehtë. Me një kandidat të mirë opozita fiton edhe duke humbur. Siç kanë ardhur punët, kandidati i opozitës do të jetë Presidenti moral i Republikës. Si i tillë ai do të jetë më i rendësishëm për shpresat e popullit shqiptar se sa presidenti kukull i zotit Berisha.