Konsensusi i frikshëm i oligarkisë

0
35

Nga: AFRIM KRASNIQI

TIRANE – Në shoqëritë moderne perëndimore ka tri kategori politikanësh të pasur. Të parët, janë ata politikanë që kanë qenë aktiv në biznes, kanë pasur biznese legale, korrekte, të suksesshme, dhe me meritat e suksesit të sipërmarrjes, janë promovuar edhe në politikë. Të dytët, janë politikanët e shquar në profesionet e tyre të mëparshme, me fonde të trashëguara familjare apo me merita personale në profesionet e mëparshme.

Kategoria e tretë, janë politikanët që bëhen të pasur sapo marrin një post, nuk kanë profesion, nuk kanë biznes të qëndrueshëm, me-gjithëse bëjnë jetë luksoze dhe gjithnjë e më të pasur. Mund të ketë raste abuzimi, por në çdo shtet demokratik trajtohet me hetim, drejtësi dhe transparencë. P.sh, në Britani në zgjedhjet e fundit më shumë se 150 deputetë nuk u kandiduan më nga partitë e tyre, për shkak të dietave të përfituara në mënyrë abuzive.

Në Shqipëri praktika të tilla janë ende “mollë të ndaluara”. Modeli shqiptar është larg atij të demokracisë funksionale, dhe gjithnjë e më pranë modelit të oligarkisë, ku klane dhe grupe interesi kontrollojnë politikën, tregun, zgjedhjet, median dhe shoqërinë. Ky zhvillim negativ u konfirmua me deklarimet e fundit të pasurisë nga politikanët dhe drejtuesit e lartë ekzekutiv dhe publikë. Deklarimet patën tre tipare paradoksale: konsensus maksimal mes pozitës dhe opozitës, kur bëhet fjalë për paratë; kryetarët e partive rezultojnë “të varfër”; dhe, deputetë, ministra apo vartës të kryetarëve në nivelet e ndryshme të qeverisjes publike janë bërë milionerë me kursin europian të euros.

Kontrasti i thellë midis modelit tonë dhe atij perëndimor këtu del më në pah. Sepse, tek ne nuk kemi politikanë të pasur për shkak të trashëgimisë familjare; nuk kemi politikanë që kanë shkëlqyer në profesionet e tyre të mëparshme, përkundrazi; si dhe nuk kemi politikanë që kanë pasur biznese legale të qëndrueshme dhe jashtë ndikimit vendimmarrës politik. E kundërta, ne kemi e vijojmë të kemi gjithnjë e më shumë politikanë të pasur, madje shumë të pasur.

Kemi politikanë, kur brenda një viti krize ekonomike, kanë shumëfishuar pasurinë e tyre. Kemi politikanë që përfitojnë vetëm me dieta udhëtimi, më shumë se rroga vjetore e kryetarit të Akademisë së Shkencave. Kemi politikanë që transferojnë para, prona dhe kapitale tek fëmijët e tyre ende në bankat e shkollës. Kjo ndodh kur ne kemi me shumicë politikanë, pa profesion, pa identitet personal, pa merita profesionale, pa pasuri të trashëguar, dhe natyrisht edhe pa transparencë në bizneset formale dhe informale të tyre. Ligji zgjedhor 2008 u bë proporcional për te eliminuar biznesmenët aventurierë që blinin vota e mandate, por në fakt parlamenti aktual, edhe pse i hartuar me listë, pra me deputetë të emëruar, ka 1.5 herë më shumë deputetë biznesmenë sesa parlamenti i mëparshëm.

Natyrisht kemi edhe njerëz biznesi, pas të cilëve politika ka vrapuar ta fitojë, siç kemi politikanë biznesmenë që janë bërë të tillë falë punës dhe kurajos së tyre. Por, në tërësi, lista e milionerëve të rinj në parlament dhe në qeveri, në bashki dhe në ente publike, ka brenda një CV me qark të shkurtër midis politikës dhe pasurisë. Rrugët janë të njohura, shkeljet janë të dukshme.

P.sh, ligji ndalon biznesin e politikanëve me fondet publike, por nga Vlora në Shkodër, nga Korça në Durrës, nga Kukësi në Sarandë, kushdo është në gjendje të identifikojë disa dhjetëra politikanë, të cilët kanë kompani ndërtimi (me leje dhe para publike), kanë kompani rrugësh (me fonde publike), kanë firma prodhimi dhe konsumi (me klientë, entet publike), kanë në përdorim ndërtesa publike dhe janë realisht, aktorët kryesorë në tregun publik e privat.

Konflikti i interesit është institucional. Ne kemi rreth 10 deputetë që kanë votuar pro/kundër masave financiare në biznesin e cigareve, kazinove, ndërtimit apo arsimit privat, dhe që njëherësh, janë aksionerë në biznese të tilla. Në çdo nivel kemi ministra, drejtues entesh publike dhe funksionarë të lartë që marrin vendime në fusha, në të cilat konkurrojnë edhe anëtarët e familjes së tyre. Kemi politikanë që miliona të fondeve publike ua delegojnë OJF-ve të tyre private, ku formalisht kanë deleguar ndonjë besnik të tyre.

Kemi politikanë që vrapuan të miratojnë ligjin qesharak për heqjen e makinave zyrtarëve të lartë në emër të antikorrupsionit, kur në fakt tani del në pah qëllimi i vërtetë: sepse shumica kanë makina luksoze personale, dhe ata që nuk kishin i blenë muajt e fundit me çmime qesharake nga vetë shteti.

Skeptikët kërkojnë prova. Provat janë aty, tek vetë deklarimet. Ne kemi një ILDKP, që në vend të hetimit, justifikon pasuritë e politikanëve; kemi organe që çdo muaj ndërsehen edhe kundër pensionistëve, por që heshtin në raste të tilla; kemi organe hetimi antikorrupsioni apo të pastrimit të parave, që janë vartës besnikë të politikanëve të tillë. Të gjithë heshtin dhe kështu, të gjithë rrezikojmë të pranojnë një sistem të ri politik, të bazuar në oligarkinë konsensuale, ku nuk ka vend për vlera, moral dhe parime.

Alibia se kritikat ndaj biznesit politik janë mentalitete të së kaluarës, është arrogante dhe cinike. Demokracia kërkon mbi të gjitha moral, përgjegjshmëri dhe qytetari, tre tipare që shumë prej aktorëve tanë politikë i kanë humbur prej kohësh. Konsensusi politik për të ndarë zonat e fitimit dhe influencës, bizneset publike, lejet abuzive të ndërtimit, për të hequr dorë nga premtimi për transparencë e politikë të moralshme, mbetet një zhvillim i frikshëm dhe me pasoja.

Rreziku nuk është vetëm kultivimi i modelit të keq, i modelit abuzues të të “aftit që për një vit në post u bë i pasur”, të atij që tund paratë për të blerë postin, median, mandatin, tenderin, dhe pushtetin. Rreziku kryesor është humbja e vlerave dhe e shpresës tek kjo politikë moçalore, e cila nëse vijon kështu, rrezikon të krijojë në Shqipëri një sistem oligarkik me pasoja shumë të mëdha për të sotmen dhe sidomos të ardhmen e ligjit, shtetit dhe demokracisë.

(G.SH/BalkanWeb)