Arjan Th. Kallço
Nuk ka dyshim që Fan Noli është një prej figurave më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, bile edhe më i rëndësishmi, pasi gërsheton në vetvete njeriun diplomat, poltikan, prift, përkthyes, shkrimtar, eseist, poet. Nuk ka figurë të tillë në historinë tonë që të ketë këtë gjithëpërfshirje në veprimtarinë e tij dhe bashkëjetojnë me të në mënyrën më të qartë dhe me një lidhje të pandarë, ashtu si vetë Noli që edhe pse jetoi në mërgim, nuk rreshti së punuari për atdheun e vet. Në këtë pikë të gjithë janë dakort dhe nuk ka asnjë tezë tjetër që ta kundërshtojë, veç disa teoriçka të shtrembra që lindën pas viteve ’90 në uraganin e shkatërrimit të gjithçkaje që ishte krijuar nga brezat dhe rishikimit turkoshak të historisë që sot më shumë se kurrë ka zënë rrenjë tek xhuxhët e revizionimit të histories, që nuk mund të maten kurrë me viganët e mendimit dhe përparimit të vendit.
Në datat 30-31 maj u mbajt në Universitetin e Korçës pikërisht në përkim me datëlindjen e Nolit, një konferencë me rastin e 130 vjetorit të lindjes dhe 100 vjetorin e Pavarësisë sonë kombëtare.
Në ditën e parë u përurua në një nga mjediset e universitetit busti i Nolit që do ta zbukurojë edhe më shumë figurën e tij në këtë vit jubilar. Në sallën e amfiteatrit në një senacë plenare hapi siparin konferenca në të cilën morën pjesë studiues nga universitete të vendit dhe të huaja, nga institucionet e shkencës shqiptare, por edhe të shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia, arbëreshët e Italisë etj.
Në fjalën e hapjes Dekani i Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, Ali Jashari, u shpreh se Universiteti i Korçës mban emrin e Nolit dhe kjo ka rëndësi për vlerat dhe momentin në të cilin mbahet. Rëndësinë e saj e tregon edhe fakti që marrin pjesë 115 kumtues nga 14 universitete dhe institucione shkencore si dhe një prej studiuesve më të shquar nolianë, Nasho Jorgaqi.
Rektori Gjergji Mero e quajti konferencën një eveniment të shquar për universitetin dhe mbarë shqiptarët. Noli është një prej figurave më të mëdha të kombit, pasi është shkrimtar, përkthyes, patriot, eseist. Nga kjo konferencë duhet të nxjerrim në dritë punë e Nolit, por edhe të patriotëve të tjerë që punuan për zgjimin e vetëdijes kombëtare. Universiteti e ka nder dhe detyrë, duke qënë nismëtar i konferencës, në kuadrin e ngjarjeve të mëdha të 100 vjetorit të Pavarësisë, prandaj duhen nxjerrë vlerat e larta patriotike të dijetarëve të shquar shqiptarë.
Studiuesi Jorgo Bulo e quajti Nolin smbol i liberatorit që sfidon konjukturat e çdo kohe. Morali i mesazhit i kapërcen caqet e kohës.
Më pas u shfaq një dokumentar mbi jetën e Nolit.
Studiuesi Nasho Jorgaqi e vlerësoi lart figurën e nolit si i pari që bëri të mundur futjen e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Mesazhi i Nolit se do të kem një zë dhe do ta përdor për paqen janë fjalët më të vyera të kësaj figure. Kontributi i tij del në lidhjet që Shqipëria pati me Amerikën dhe përkrahja e kauzës sonë kombëtare. Noli shkroi shumë artikuj dhe në shumë takime me personalitete të botës ai e mbrojti Shqipërinë. Gazeta Adriatike ishte pasqyra e ideve të tij. Në vitin 1922 ai e quajti nder të madh që ishte firmëtari i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Fjalimi i tij në parlamentin shqipatr është nga më të fuqishmit që ka njohur historia jonë. Veprimtaria e tij pas lufte synon njohjen politike të Shqipërisë, si njohja e rezistencës së popullit shqiptar gjatë luftës. Edhe në vitet e mëvonshme treguan se këshillat e tij ishin të drejta, por nuk u dëgjuan nga autoritetet shqipatre të kohës. Herën e fundit që ai loboi për Shqipërinë ishin ndihmat që Amerika do t’i jepte vendit, por ato u refuzuan dhe më pas u zhvillua një propogandë e gjerë ndaj tyre.
Studiuesja tjetër Floresha Dado u ndal në rrugën e letërsisë pas viteve ’90 dhe përfshirjen e autorëve të përjashtuar dhe trajtimi i tyre është i vështirë, prandaj i kushtohet rëndësi vlerave si kategori estetike dhe historike. Për Nolin theksoi se vepra dhe veprimtaria e tij si strukturë është e qëndrueshme dhe e pranueshme nga të gjithë kritikët. Historia e letërsisë vështron fushën dhe kriteret, reflekton realitetet dhe jo thjesht i pasqyron ato.
Imzot Johani e quajti Nolin si figura më e fuqishme dhe më e njohur për Kishën ortodokse shqiptare dhe lidhjet i ka tek fëmijëria e tij, kur kisha ishte institucioni që kishte rolin kryesor në shoqëri. Noli u ngrit mbi kohën e tij dhe si intelektual apo kërkues u ndikua, por fara e tij nuk u tha. Besimi është kërkim dhe Noli ishte kërkues. Noli e ka deklaruar vetë se feja ishte puna e jetës së tij dhe dashuria e parë është kisha. Ai është ati i Kishës autoqefale shqiptare.
Pas kumtesave studentët e Fakultetit të edukimit në një veprimtari artistike i sollën konferencës një atmosferë tjetër, atë që i duhet sot vendit në Festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë.
Në ditën e dytë u vijua me kumtesat në seksione ku u soll i gjithë kontributi i Nolit për Shqipërinë, gjuhën, letërsinë, historinë, kritikën.