ARS POETICA Nr. 1, Nëntor 2007
Ulrike Hoinkis
(Përkthyer dhe përgatitur për Ars Poetica nga: Lindita Komani, publikuar në Nr. 1, Nëntor 2007)
1. Hyrje
Rrethi linguistik i Pragës luajti një rol udhërrëfyes në shkencën moderne të artit. Strukturalizmi atje i përfaqësuar dhe më tej i zhvilluar ndikoi jo vetëm shkencën çeke të artit, por u përhap dhe në vende të tjera evropiane. Kështu për shembull strukturalizmi francez u ndikua nga ai i Pragës.
Jan Mukarovský luajti një rol domethënës në strukturalizmin çekosllovak. Ai qe jo vetëm ndër anëtarët themelues të rrethit linguistik të Pragës dhe një ndër kokat drejtuese të kësaj lëvizjeje, por qe dhe përfaqësuesi më i shquar i estetikës strukturaliste çeke. Mendimet kyçe të estetikës së tij do të paraqiten në këtë punim. Duke marrë parasysh madhësinë e këtij punimi për shembujt e aplikimit do të jepet vetëm referenca në literaturë.
2. Një shënim mbi strukturalizmin
Për strukturalizmin nuk ka asnjë pyetje në shkencën e letërsisë që mund t’i shmanget konceptimit thelbësor të të tërësishmes dhe në këtë mënyrë dialektikes; këtu mbështetet kompaktësia e tij e brendshme. (Mukarovský 1966:23) Strukturalizmi nuk është një sistem teorik i mbyllur, por një princip i përgjithshëm, i hapur shkencor, i cili mund të aplikohet në disa fusha shkencore. (Mukarovský 1977:295) Ai mbështetet mbi shkëmbimin e vazhdueshëm mes rezultateve të analizës së materialit konkret dhe modeleve e hipotezave teorike, të cilat sidoqoftë u saktësuan dhe korrigjuan sa i përket njohurive të reja. U bë përpjekja për krijimin e një njësie të re teorie dhe kërkimi empirik. (Mukarovský 1977:295) Mukarovský për shembull u mor intensivisht me Máchas Máj si dhe me vepra të tjera të autorëve çekë.
U analizua mes të tjerash aspekti i kuptimit të poezisë, cilësimi dhe struktura poetike (Mukarovský 1966:18f), zhvillimi imanent i strukturës poetike dhe rregullave të saj dhe roli i ndikimeve të jashtme (për shembull edhe personaliteti i poetit). Në vitet e veta të vona strukturalizmi iu afrua dialektikës materialiste dhe materializmit historik. (Mukarovský 1977:306)
3.1. Origjina të strukturalizmit çek
Strukturalizmi i Pragës pati (në fillimet e veta) qëllimin të zgjidhte pyetje, të cilat nuk qenë zgjidhur ose qenë zgjidhur pjesërisht nga rryma të mëparshme shkencore. (Mukarovský 1966:10)
Një rol të rëndësishëm në krijimin e strukturalizmit çek dhe të strukturalizmit në përgjithësi luajti gjuhësia dhe semiotika moderne. Në ndërrimin e shekujve u shfaq ndër gjuhëtarët një perceptim i ri mbi gjuhën. Në mënyrë aktive në këtë zhvillim u përfshi veçanërisht Ferdinand de Saussure (1857-1913). Ai e ndau gjuhën në langue dhe parole, në gjuhën si sistem dhe gjuhën si fjalë. Përtej kësaj ai e kuptoi gjuhën si sistem shenjash. Kështu me de Saussure u krijua një perceptim objektiv, në formë sistemi për gjuhën. (Chvatík 11f) Ky perceptim u ndërtua më tej prej strukturalistëve. Edhe formalizmi rus u përfshi dhe u zhvillua më tej në strukturalizmin e Pragës. (Mukarovský 1977:294)
3.2. Rrethi gjuhësor i Pragës
Rrethi gjuhësor i Pragës u themelua në vitin 1926 me iniciativën e Vilém Mathesius. Gjithashtu të përfshirë në themelim qenë mes të tjerësh Jan Mukarovský dhe Roman Jakobson. Rrethi nuk përbëhej vetëm nga gjuhëtarë, por edhe nga shkencëtarë të shkencave të natyrës, filozofë, estetë, etj. (Chvatík 13f) Rrethi gjuhësor i Pragës krijoi qendrën e një kuptimi “funksional-struktural të gjuhës” (Chvatík 13), që e mohoi kuptimin substancial të bukurisë në art. (Mukarovsky 1977:295)
3.3. Bazat e strukturalizmit çek
Përfaqësuesit e strukturalizmit çek, që u zhvillua në rrethin linguistik të Pragës, përpiqeshin ta analizonin gjuhën sipas funksioneve, të cilat ajo “përmbush në kuadër të veprimtarisë njerëzore” (Chvatík 14). Theksohej tërësia strukturore e gjuhës dhe e shfaqjeve gjuhësore. Për ta kuptuar gjuhën nevojitet një sistem, tek i cili bën pjesë shfaqja gjuhësore. Dëshirohej kështu t’i jepej gjuhës një strukturë (shih 4.3.). Struktura e gjuhës tek strukturalistët e Pragës është në këtë mënyrë dialektike, që do të thotë se ekzistojnë disa marrëdhënie shkëmbimi të forcave mes elementëve të gjuhës, të cilët janë shpesh kontradiktore. Prej kësaj strukturalistët nxorën një njësi të strukturës dhe procesit. (Chvatík 16)
Nisja më tej u bë nga njëjësia e sinkrones dhe diakrones dhe nga njëjësia e gjuhësisë dhe poetikës. Për të fundit u argumentua që pikërisht poezia përmes karakterit të saj funksional dhe semiotik e mundëson, që problematika gjuhësore të shihet në tërësinë e gjuhësisë (Chvatík 15)
Analiza strukturore e gjuhës së poezisë dhe ndërtimit të veprës së artit u kthye në pikë fillestare për studimin e letërsisë. Uniciteti i gjuhës së poetit dhe ndërtimit të një vepre arti nuk u pa në mënyrë individuale dhe thjesht të rastësishme, por u argumentua, që përmes automatizimit dhe deautomatizimit, kanonizimit dhe dekanonizimit të mjeteve të veçanta strukturore dhe proceseve artistike kristalizohet një radhë e caktuar. (Mukarovský 1977:304)
4.1. Zhvillimi i Mukarovský-t
Në veprën e Mukarovský-t sipas Chvatík (25) njihen katër shkallë zhvillimi. Periudha e parë zgjati që prej 1923 deri në 1928 dhe cilësohet nga Mukarovský vetë si periudhë e „objektivizmit estetik“. Në fillim të kësaj shkalle ai e gjen frymëzimin e tij ende në traditat çeke dhe autorët evropianoperëndimorë, i afrohet ama më vonë formalizmit rus. Ai u nis në fakt nga analiza e veprës, megjithatë tejkaloi kufirin e formalizmit me pyetjen rreth kuptimit të përgjithshëm, lidhjes me pjesën tjetër të shoqërisë, me tërësinë e realitetit shoqëror dhe kuptimit të njeriut në tërësi (Mukarovský)
Në këtë shkallë orientimi objektiv luan një rol primar mbi tekstin. Vepra më domethënëse e kësaj kohe është Machúv Máj (1928), me të cilën mbaron dhe kjo periudhë. Në parathënie ai paraqet një përcaktim detyrash të poetikës, që është shumë i ngjashëm me formalizmin e pastër. Një analizë estetike e veprës duhet të gjejë cilësitë në vepër, që „e kushtëzojnë veprimin e saj estetik“. Vepra duhet të analizohet pa marrë parasysh lidhjet me autorin e saj dhe të vërtetën e jashtme (Chvatík 25)
Në periudhën e dytë (1934-1941), periudhën e të ashtuquajturit „strukturalizëm klasik funksional“, Mukarovský distancohet nga formalizmi rus. Ai e përkufizon veprën e artit tani si „konkretizim të strukturës imateriale mbiindividuale, e cila zhvillohet në mënyrë të pandërprerë“ (Chvatík 25). Ai e percepton gjithashtu veprën si një strukturë shenjash dhe me dialektikën e estetikes e vendos poetikën mbi një bazë të re strukturale-funksionale.
Në fazën prej 1941 deri në 1948 Mukarovský zhvendos fokusin mbi kërkimin e pozicioneve fillestare filozofike të estetikës (Chvatík 25). Shumë prej mendimeve të lindura në këtë kohë u sqaruan në mënyrë të pakënaqshme. Mukarovský u përpoq nga njëra anë për një zgjerim të bazës noetike të estetikës, nga ana tjetër u mor me pyetje rreth universalitetit të veprës estetike, me rolin e personalitetit në art dhe kuptimin e këndvështrimit mbi botën që shprehet në vepër. Kështu ai e mbante personalitetin e artistit si instancën e fundit, tek i cili mund të depërtohet, nëse në kuadër të zhvillimit ndiqet çasti i rastësisë. (Mukarovský 1977:304)
Pas 1948 Mukarovský iu kushtua materializmit dialektik. Ai e pa estetikën strukturaliste si jo konsistente me këtë dhe e braktisi veprën e vet. Ai mendonte, se strukturalizmi qe forma e maskuar dhe për këtë arsye akoma më e rrezikshme se ajo e idealizmit në shkencë. Pak kohë para vdekjes së vet ai iu kthye pozicionit origjinar të veprës së vet. (Mukarovský 1966:19)
4.2. Jan Mukarovský në strukturalizmin e Pragës
Mendimet e strukturalizmit të Pragës, që lidhen me poetikën dhe estetikën, janë pandashëm të lidhura me veprën e Jan Mukarovskýt. (Chvatík 24) Mukarovský u përqendrua para së gjithash në argumentimin e ri teorik të poetikës dhe estetikës. Në zhvillimin dhe bazimin e teorive të tij ai u bazua para së gjithash në veprën e autorëve çekë të shekullit të 19-të dhe 20-të (Mácha, Erben, Hálek etj.). Poetikën ai e zhvilloi më tej si „estetikë të krijimit“ dhe pjesë përbërëse të teorisë së përgjithshme të artit. Në fakt, e reja tek Mukarovský nuk qe aq shumë ky konceptim, sesa më shumë studimi i karakterit të shenjave të teksteve poetike. (Mukarovský 1966:12f)
4.3. Struktura
Marrëdhëniet mes elementëve Mukarovský i quan strukturë. Elementët dhe në këtë mënyrë dhe marrëdhëniet mes tyre koordinohen dhe nënrenditen sipas dominantes. Dominantja është karakteristike për strukturën. Në hierarkinë e elementëve të pranishëm ajo qëndron më lart dhe drejton marrëdhëniet mes elementëve të tjerë (nën njëri-tjetrin ose dhe me veten). Këto marrëdhënie të ndërsjella ama nuk janë krijuar më së pari përmes veprës, por ekzistonin ndërkohë në material. Pozicioni i elementëve në radhën e sipërpërmendur është i ndryshueshëm, për shembull një element mund të nxirret në pah. Për këtë duhet prishur ekuilibri i zakonshëm i marrëdhënieve në të paktën një vend (Schwarz 37f). Në poezi në mënyrë të veçantë dhe në art në përgjithësi, funksioni estetik është dominantja, jashtë artit ajo është e nënrenditur. Dominantja përballë elementëve nuk është gjenetike, por konstruktive, duke qenë se jo vetëm dominantja vepron mbi elementët, por dhe anasjelltas (pikërisht në mënyrë të shkëmbyeshme). (Schwarz 39)
Marrëdhëniet mes elementëve shihen si tension në mes tyre. Përmes shkëmbyeshmërisë së tyre ata janë labilë dhe humbin me kalimin e kohës dinamikën e tyre, e cila krijohet përmes tensionit në fjalë. Nga kjo lind një nevojë për «rigrupim». (Schwarz 39) Jo vetëm elementët i nënrenditen këtij grupimi, por edhe dominantja vetë. Ajo nuk është përjetësisht «dominantja», por mund të shkëmbehet në çdo kohë.
Struktura përkufizohet në këtë mënyrë si një lloj sistemi, një renditje e caktuar e së tërës. Ajo bazohet në tensionin dialektik dhe në marrëdhëniet e shkëmbimit të komponentëve, rigrupimi i vazhdueshëm i të cilave dhe nënrenditja është burim i dinamikës së zhvillimit të strukturalizmit. (Mukarovský 197:295) Mukarovský theksonte objektivitetin e strukturave, vlefshmërinë e tyre intersubjektive. (Mukarovsky 1977:303)
Shmangiet nga norma (p.sh. gjuha, stili, ligjet e zhanrit) janë reagime mbi një gjendje të caktuar të strukturës estetike. (Mukarovský 1977:304)
Struktura përbën një kategori qendrore jo vetëm në estetikën e Mukarovský-t. Rëndësia e strukturës për gjithë strukturalizmin bëhet e qartë qysh me cilësimin strukturalizëm. (Mukarovský 1977:295) Modeli i strukturës nuk përdoret vetëm mbi një vepër të vetme arti, por dhe në marrëdhënien e artit me të tërën shoqërore.
4.4. Estetika dhe estetikja
Estetika përkufizohet në mënyra shumë të ndryshme në shkencë. Shumë i përhapur është përkufizimi i estetikës si «shkenca e së bukurës». Një përkufizim i njohur në mënyrë të gjithanshme ama nuk duket se ekziston. (Schwarz 7) Tema e estetikës strukturaliste është pyetja mbi arsyen dhe qenien e artit. (Mukarovský 1977:306) Estetiken Mukarovský e përkufizon si qëndrimin njerëzor dhe veçanërisht marrëdhënien e njeriut me botën. (Mukarovsky 1977:295) Ajo rrit veçanërisht vlerat konkrete përmbajtjesore të artit, nuk është një zbukurues formal i veprës, i cili mund të lihet mënjanë gjatë interpretimit. (Mukarovsky 1977:301) Ajo organizon dominanten e strukturës së vet të brendshme dhe influencon marrëdhënien e njeriut me botën. (Mukarovský 1977:302)
Fusha dinamike e estetikes, struktura e vërtetë estetike, gjendet midis tekstit dhe individit. Kjo vepron mbi ndërgjegjen kolektive si një kompleks forcash që kalon nëpër kohë, si eksperiencë e mbledhur nga ndeshja me vepra të tjera, mbi bazën e të cilave konkretizohet vepra e re. (Mukarovský 1977:298) Mukarovský theksonte rëndësinë e estetikes si “faktor domethënës dhe i shumanshëm i praktikës jetësore”. (Kindler)
4.5. Funksioni estetik dhe norma estetike
Mukarovský e plotësoi modelin e Bühler të tre funksioneve të gjuhës me një të katërt: funksionin estetik. Një funksion sipas Mukarovský-t është aftësia e të shërbyerit për implementimin e një qëllimi, pra e të qenit një mjet. (Mukarovský 1977:301) Funksioni estetik ka një pozicion të veçantë mes funksioneve të tjera: Ai ndërton një pol të kundërt me funksionet e ashtuquajtura jashtëestetike dhe ka përballë tyre një funksion organizues. (Shih 4.3.) Veçanërisht në krijim ai merr një pozicion dominant. Funksioni estetik mund të shihet dhe si „mohim i funksionueses“, siç qëndron në pasthënien e studimeve mbi estetikën dhe poetikën strukturaliste (fq.301), duke qenë se ai e tërheq vëmendjen mbi shfaqjen vetë dhe kjo në këtë mënyrë e kthen veten në qëllim. (Mukarovský 1977:301)
Funksioni estetik është një princip transparent, që i tëhuajëson dhe rrit vlerat e tjera të jetës (Mukarovsky 1977:295). Funksionet e tjera nuk humbin përmes transparencës. Ato nuk shtyhen, por vetëm se riorganizohen. (Kindler) Sikurse u përmend më parë, funksioni estetik e përqendron vëmendjen mbi ndërtimin e veprës së artit dhe domethënies së saj. Ai i tejshkon të gjitha fushat e jetës, fusha e mbartësve potencialë është praktikisht e pakufizuar. (Mukarovsky 1977:295) Veprimi i tij tëhuajësues bazohet në tensionin, i cili krijohet përmes asaj që, ai shërben për implementimin e një qëllimi të caktuar dhe njëkohësisht mundet të përqendrojë vëmendjen mbi një gjë të caktuar. (Mukarovský 1977:301)
Në lidhje me sociologjinë funksioni estetik është një normë e pozicionuar në ndërgjegjen kolektive. Norma estetike rregullon qëndrimin estetik të njerëzve përkundrejt gjërave. Ajo stabilizon, rregullon dhe përgjithëson funksionin estetik. (Chvatík 142) „Arti“ identifikohet në të shumtën e rasteve përmes një plagosjeje të normave të zakonshme, ndërkohë që në të kundërt, një përmbushje e pakusht e normës më së shumti përfundon në „kiç“, pra në asnjë mënyrë nuk njeh vlerësim pozitiv. (Kindler) Në të njëjtën kohë ekzistojnë (dhe konkurrojnë) vazhdimisht shumë norma estetike.
4.6. Vlera estetike në art dhe përtej tij
Problemi i vlerësimit dhe vlerave në shkencën e letërsisë nuk u zgjidh prej Mukarovský-t në mënyrë të plotë. (Mukarovský 1966:24) Qasjet mbi temën le të paraqiten këtu. Përtej artit norma është vlera estetike. Brenda artit në vend të aplikimit të normës hyn diçka, që Mukarovsky e cilëson si përjetim estetik. Në princip përjetimi dhe normimi janë e njëjta gjë. Vetëm automatizimi i tërësishëm i aktit ndryshon normimin nga përjetimi estetik (Schwarz 21) Vlera estetike e një vepre arti nuk është substanca e veprës, tek e cila më pas do të shtohen vlerat jashtëestetike, por cilësia strukturore e veprës. Ajo është, ashtu sikurse funksioni estetik, transparente, dhe krijohet përmes integrimit dialektik të vlerave jashtëestetike, pra nuk është e mëvetësishme.
Ajo është më tepër «cilësimi shumator i tërësisë dinamike të [vlerave të saj jashtëestetike] marrëdhënieve të ndërsjella të saj» (Mukarovský 1977:301f) Vepra e artit vetë nuk është objekti i vërtetë i vlerësimit. Më tepër vlerësohet objekti estetik. Vlera objektive e një vepre arti është aq më e lartë, «sa më e shumtë në numër është tërësia e vlerave jo estetike, të cilat struktura mund t’i lidhë pas vetes, dhe sa më shumë t’ia arrijë ajo, të dinamizojë marrëdhënien e tyre të ndërsjellët.» Vlerat i nënshtrohen ashtu si normat një ndryshimi historik. (Kindler)
4.7. Objekti estetik
Një tekst letrar nuk shihet më nga Mukarovský si një e dhënë faktike joproblematike, por përbën një pikë fillestare për procesin e leximit, në zhvillim të të cilit vepra do të konkretizohet në objekt estetik nga lexuesi. Një vepër arti mund të konkretizohet në objekte të ndryshme estetike, të cilat ndërtohen mbi elemente të ndryshëm dhe cilësi të ndryshme të veprës së artit. (Schwarz 22)
Objekti estetik nuk konstituohet në ndërgjegjen subjektive të individit, por në rrafshin mbi individual dhe intersubjektiv të ndërgjegjes shoqërore (Mukarovský 1977:298) dhe mundëson në këtë mënyrë, që principi i vlerës estetike të çlirohet nga varësia e vet prej arbitraritetit subjektiv.
4.8. Përjetimi dhe shenjat
Mukarovský doli kundër asaj që një përjetim, pra një fakt jete jashtëletrar, që duhet të sqarojë veprën, në të shumtën e rasteve të derivohet pikërisht nga vepra. Ai nuk e mohon përjetimin si një burim i mundshëm i veprës, siç quhet shpeshherë, por vetëm se e refuzon, që ta derivojë këtë përjetim nga vepra vetë, në strukturën e së cilës ai është ndryshuar dhe kodifikuar shumë herë, kështu që forma e tij e vërtetë pa ditarë dhe gjëra të tjera të ngjashme nuk mund të gjendet më.
Mukarovský donte më shumë që ta studionte veprën letrare bashkë me vepra të tjera letrare, të cilat kishin pasoja të rëndësishme në shoqërinë letrare në fjalë. (Mukarovský 1966:10) Për Mukarovský-n çështja e përjetimit si fillesë e veprës nuk ka relevancë për vlerën letrare të saj. Një vepër letrare nuk është një shfaqje direkte e gjendjes shpirtërore të autorit, por para së gjithash një fakt letrar, që krijohet në një kontekst të caktuar letrar dhe që interpretohet si shenjë. Një shenjë sipas Mukarovský-t është një dukuri mbi individuale sociale, vlefshmëria e së cilës është e një natyre shumë më të përgjithshme. (Mukarovský 1977:296)
4.9. Gjeste semantike
Një gjest semantik është njësia e formës dhe kuptimit të veprës. Ai është një udhëzues kuptimor dhe një kategori qendrore e interpretimit strukturor të kuptimit të teksteve letrare. Gjesti semantik thotë në pak fjalë, që çdo element i gjuhës krijuese duhet parë me të njëjtën të drejtë si mbartës kuptimi. Mukarovský u përpoq në këtë mënyrë, që t’i përmblidhte të gjithë elementët në një emër, atë të kuptimit. Në rastin e gjestit semantik bëhet fjalë para së gjithash “për rindërtimin e atyre gjesteve jo të specifikuar nga ana e përmbajtjes, … me të cilat krijuesi ka zgjedhur pjesët e veprës së vet dhe i ka bashkuar në një njësi të kuptimtë.”
Gjesti semantik nënvizon kuptimin e veprës së përgjithshme semantike të një autori të posaçëm dhe implikon si kategori të nënrenditura stilin individual të autorit dhe nënshkrimin autorial. (Kindler) Ajo “hap veprën e artit në drejtim të pritësit dhe aktivitetit të tij si lexues”. (Mukarovský 1966:13) Mukarovský e tejkaloi këtu ndarjen e zakonshme në dy pjesë të përmbajtjes dhe formës përmes përkufizimit dinamik të Sinngeschehen (~ ngjarje e kuptimit) të veprës së artit gjatë procesit të prodhimit të dhe recepsionit të saj. (Mukarovský 1966:13)
4.10. Kuptimi
Gjithçka në vepër është kuptim. (Mukarovský 1977:298) Kuptimi është prezantimi i së vërtetës. Përmes saj jepet një sugjerim për kuptimin, që nënkupton shenjën. Ajo krijohet përmes lidhjes së shenjës me procesin historik, në të cilin stabilizohet kuptimi i tij. (Mukarovský 1977:300) Pika fillestare e kuptimit është qëndrimi tërësor i njeriut mbi botën dhe drejtimi i ndryshëm i funksionit estetik mbi aspekte të ndryshëm të lidhjes mes njeriut dhe botës. Lloji dhe mënyra, në të cilën një send (vepra e artit) strukturohet, i jep pamjes mbi të vërtetën një drejtim të caktuar. (Mukarovský 1966:27)
4.11. Vepra e artit
Vepra është një kompleks shenjash, të cilat mbajnë kuptime, dhe që në këtë mënyrë nuk janë shprehja direkte e jetës shpirtërore të autorit dhe biografisë së tij. (Mukarovský 1977:298, 1966:39) Kompleksi i shenjave është një proces dinamik i Sinngeschehen (~ ngjarje e kuptimit) dhe një stabilizim i kuptimit. Vepra e artit ndërmjetëson mes dërguesit (artistit) dhe pritësit (lexuesit etj.) me ndihmën e shenjave. (Mukarovský 1966:39)
Përmes një vepre shfaqet një e vërtetë, e cila nuk ishte e pranishme si një e vërtetë e gatshme dhe që përtej strukturës konkrete unike dhe realitetit të veprës nuk mund të perceptohet. (Mukarovský 1977:300) Shenjat në veprën e artit e zhvendosin vëmendjen mbi ndërtimin e vetë veprës. (Mukarovský 1977:299)
Si shenjë artistike vepra synon një veprim të caktuar estetik, i cili krijohet si një reaksion mbi një traditë të caktuar formale, stilistike ose zhanri. Teksti ia falënderon strukturën e vet konkrete letrare më shumë teksteve të tjerë sesa cilësive subjektive të autorit. (Mukarovský 1966:39) Vepra e artit është më tej mbartës i një numri të madh vlerash dhe funksionesh jashtestetike. (Mukarovský 1977:301) Në kundërshtim me estetë të tjerë Mukarovsky në përkufizimin e vet të veprës së artit e përfshiu qëllimin brenda: “Artefakti [=vepra si send] krijohet, për të nxjerrë në dritë një sjellje estetike që bazohet në të (sjellja estetike).” (Schwarz 10)
5. Përfundim
“Destruksioni i estetikës tradicionale” i Mukarovský-t (Mukarovský 1977:295) nuk u zhvillua, sikurse mund të mendohet, përmes heqjes dorë nga qasja estetike ndaj artit, por vetëm përmes të menduarit deri në fund të principeve ekzistuese estetike. (Mukarovský 1977:295) Mendimet e tij mbi estetikën dhe poetikën ndikuan mbi bashkëkohësit e tij në mënyrë të qëndrueshme. Është e vërtetë që puna e tij u kufizua në fushat e përmendura – një teori mbi prozën dhe kategoritë letrare u zhvillua vetëm në koncept – megjithatë pikërisht aty ai realizoi diçka të mrekullueshme.
Tre aspektet e tij të estetikes, – funksioni estetik, norma dhe vlera estetike – ndikuan shkencëtarë të mëvonshëm të artit dhe letërsisë.
Megjithatë nuk qenë vetëm strukturalistët ata që kritikuan idetë e paraardhësve të tyre, edhe ata vetë u kritikuan: Ata u akuzuan, që përmes mënyrës së tyre sistematike të të vështruarit, ata injorojnë personalitetin e artistit dhe unicitetin e tij ashtu sikurse injorojnë dhe problematikën e këndvështrimit mbi botën (Mukarovský 1966:24)
Literatura:
Chvatík, Kvetoslav (1981). Tschechoslwakischer Strukturalismus: Theorie und Geschichte. München: Fink.
Göpferich, Susanne (1998). „Text. Textsorte. Textty.“ In: Snell-Hornby, Kußmal, Hönig, Schmitt (Hrsg.): Handbuch Translation. (S.61ff9. Tübingen: Stauffenburg.
Mukarovský, Jan (1966). Kapitel aus der Ästhetik. Frankfurt/Main.
Mukarovský, Jan (1977). Studien zur strukturalistischen Ästhetik und Poetik. Frankfurt/Main: Ullstein.
Wolfgang F. Schwarz (Hrsg.) (1997): Prager Schule, Kontinuität und Wandel: Arbeiten zur Literaturästhetik und Poetik der Narration. Frankfurt/Main: Vervuert.
Jens, Walter (Hrsg.) (1991). „Jan Mukarovský“: ne Kindlers neues Literaturlexikon: Band 12. München: Kindler.
Friedenthal, Richard (Hrsg.) (1932). Knaurs Konversationslexikon. Berlin: Knaur.
Bibliographisches Institut Leipzig (VEB) (Hrsg.) (1983). Handlexikon. Leipzig: Bibliographisches Institut.
Duden (1997). Fremdwörterbuch: Der Duden in 12 Bänden: Band 5. Mannheim: Brockhaus.
Pavelka, Pospísil (1993). Slovník epoch, smeru, skupin a manifestu. Brno.
Përktheu dhe përgatiti për Ars Poetica: Lindita Komani