Shinasi Rama, 15.12.2009
Në thelb të marrëdhënies së shtetit me qytetaret e vet, dhe kjo vlen për të gjitha shtetet, qëndron një marrëveshje e pashkruar, rëndësia e së cilës bëhet e dukshme vetëm në momentet kur shteti gjendet në krizë të thellë. Kjo marrëveshje mbështetet në besimin reciprok se shteti do t’u ofrojë gjithë qytetarëve të vet sigurinë e jetës, të mirëqenies ekonomike dhe rregullin e duhur shoqëror. Të tria këto forma të sigurisë janë të ndërlidhura dhe të pashkëputshme nga njëra-tjera dhe të ndërlidhura në konceptin-bazë strategjik, që mandej bëhet themeli i politikave të shtetit. Shtetet që ua ofrojnë këtë siguri qytetarëve të tyre janë shtete të qëndrueshme, me qytetarë besnikë, me mirëqenie relative e me një rend shoqëror që pranohet nga të gjithë si legjitim dhe me koncepte strategjike që janë të dallueshme, por që mendohet se janë në shërbim të interesave të popujve të tyre.
Shtete të tilla janë Franca, Gjermania, Izraeli apo Tajvani. Mirëpo, ka shumë raste kur shteti kapet e vihet në shërbim të një grupi të caktuar dhe instrumentalizohet e shfrytëzohet prej këtij grupi. Ky grup, që merr kontrollin e shtetit, zakonisht fillon si një grup me interesa shume të ngushta, të dallueshme nga interesat e shtetit e të qytetarëve të tjerë. Duke përdoruar mjetet e shtypit e të propagandën, fuqinë ekonomike, lidhjet me politikën, me zyrtarët, ushtarakët, policinë, ky grup ia arrin që të zaptojë shtetin. Ajo çka është edhe më problematike, ky grup ia arrin që t’i imponojë shtetit e qytetarëve konceptin-bazë strategjik se si do të arrihet siguria e shtetit dhe e qytetarëve vetë dhe kështu bëhet paria sunduese e tyre. Ka një dallim midis parisë sunduese dhe elitës. Të paktën në parim, elita (të zgjedhurit) e udhëheq popullin e shtetin duke vepruar me mendësinë e shërbimit publik, paria (ata që kanë fuqinë) e sundon popullin e shtetin, duke vënë mbi të gjitha interesat e veta të ngushta.
Ky është thelbi dhe fillimi i ikjes nga realiteti dhe i ndërtimit të një realiteti absurd që jetohet nga qytetarët, në fakt është jeta e tyre, por që, gjithsesi është në shërbim të pastër të parisë. Ndërsa duket se shteti po i mbron qytetarët e vet, në fakt shteti e qytetarët po i shërbejnë parisë dhe i vetmi grup që përfiton nga kjo gjendje është paria. Duke mos pasqyruar interesat e vërteta, reale dhe jetike të qytetarëve dhe të shtetit vetë, koncepti strategjik i shtetit, i sendërtuar nga paria sunduese, bëhet baza për aventura politike, që natyrisht i shërbejnë këtij grupi dhe interesave të tij, por që janë shkatërrimtare për shtetin e qytetaret. Realiteti që krijohet e që është i mbështetur mbi këtë koncept fals sigurie është një realitet absurd.
Është realitet, sepse njerëzit e jetojnë përditë atë jetë, por është absurd, sepse është i ndërtuar mbi premisa që nuk janë reale e të vërteta, por të imagjinuara, të rreme dhe në shërbim të këtij grupi. Zgjidhjet që bëhen nga njerëzit, edhe kur ky sistem shembet, janë të mbështetura në këtë absurditet të jetës së tyre dhe prandaj ato janë të paparashikueshme, të paimagjinueshme dhe, në rastin më të mirë, anormale. Në rastin e shqiptarëve në shtetin shqiptar ka dy raste të shënuara kur paria sunduese ia ka arritur të kapë shtetin plotësisht, të kontrollojë plotësisht mjetet e informimit dhe të propagandës, strukturat ekonomike, politike e të sigurisë dhe të imponojë konceptin strategjik bazë të shtetit shqiptar. Është interesante dhe me vlerë që të gjykohet se prej nga ka ardhur paria sunduese, por këtë e kam bërë në një përrallë tjetër.
Por ia vlen që shkurtimisht të përmenden e të vlerësohen dy konceptet-bazë strategjike që kanë rezultuar shkatërrimtare për shqiptarët, por qe natyrisht kanë qenë e janë krejtësisht në interes të parisë sunduese. Në parantezë, duhet thënë se çdo shtet normal synon që, para të gjithave, të sigurojë mbijetesën e vet dhe kjo mbijetesë është në thelb të konceptit strategjik të shtetit. Mbijetesa sigurohet duke pasur bazën territoriale, ekonomike, ushtarake e demografike dhe mandej aleancat që të lejon që të ndjehesh i sigurt nga rreziqet që mund të kesh. Po të ishte një shtet e popull normal, interesi i shtetit shqiptar duhej te ishte fuqizimi i bashkëpunimit ndërshqiptar, përhapja e këtij koncepti strategjik të shtetit që e lidh kombin me shtetin dhe i bën qytetarët besnikë të shtetit.
Mandej, në kontekstin e lojës politike ballkanike, shteti i shqiptarëve do të ishte në gjendje që të jepte e merrte si i barabartë me shtetet fqinje e, në këtë mënyrë, të gjitha problemet e shumta do të mund të zgjidheshin pak a shumë drejt e në interes të shqiptarëve. Mirëpo, gjatë këtij gjyemë shekulli dy konceptet-bazë strategjike të adaptuara nga paria e Tiranës i kanë rënë ndesh katërçipërisht interesit strategjik të shtetit e të vetë qytetareve. Duke menduar për ruajtjen e sundimit të vet, paria e Tiranës, si gjatë kohës së Enver Hoxhës, si tani, synon vetëm e vetëm për me i ikë realitetit të politikës reale. Ajo ka ndjekur e po ndjek interesat e veta, që janë të qarta, por në kundërshtim të plotë me interesat e popullit të vet. Paria ka qenë e don të mbesë në kontroll të shtetit shqiptar me çdo kusht, të kontrollojë ekonominë e shoqërinë dhe ta transformojë shtetin në një instrument të vetin për pasurimin e fuqizimin e vet. Interesi strategjik i parisë është ky interes i ngushtë i saj. Ky interes ndahet nga të gjitha palët e parisë që, përveç rrahjeve të ditës e kanë gjetur e do ta gjejnë gjuhën me njëri-tjetrin.
Ia vlen që shkurtimisht të analizohen të dy konceptet strategjike të parisë së Tiranës, që e kanë formësuar politikën e shtetit shqiptar dhe që natyrisht na kanë sjellë në këtë gjendje të mjerë ku jemi sot. Kjo duhet bërë, sepse një krahasim me të shkuarën do të tregojë se si më parë, ashtu edhe tani, realiteti që jetohet sot në Tiranë është një realitet absurd, pa lidhje me të vërtetën e me jetiken, me interesin e shtetit e të qytetarëve. Pasojat e këtij absurditeti janë të frikshme dhe gjurmët që ato do të lënë në mendësinë kolektive të shqiptarëve duhen menduar mirë. Në thelb të konceptit-bazë strategjik të shtetit gjatë kohës së Enver Hoxhës ishte ideja e rrethimit. Si fillim, duhet thënë se Enver Hoxha nuk e ka dashur kurrë kombin shqiptar. Kur i lexon veprat e tij e sheh se atij i janë dashtë 10 vjet për me e përmendë njëherë Kosovën, dhe kur e përmend në takimin me malësorët e Tropojë flet për shfrytëzuesit feudalë. Prandaj, duke kërkuar me i ikë kombit e idesë se shtetit-komb, paria e Tiranës dhe Hoxha vetë fliste për rrethimin imperialisto-revizionist, dhe koncepti-bazë strategjik u bë ‘të jetojmë si në rrethim’, sepse do na pushtonte SHBA-ja dhe BRSS-ja.
Frika imagjinare nga një pushtim i tillë u intensifikua bash kur atij e parisë së Tiranës iu dhanë siguritë se shteti shqiptar nuk do të prekej, thjesht sepse ishte në interesin e fuqive të mëdha për të mos krijuar probleme të këtij lloji. E, megjithatë, paradoksalisht, shteti shqiptar u bë mishërimi i modelit makiavelian të sundimit nga paria e të vënies në plan të parë të mbrojtjes së territorit të shtetit. Mirëpo, edhe pse nuk kishte kërcenim direkt, parisë i duhej me çdo kusht ideja e rrethimit. Po të thuhej se nuk do të na pushtonte njeri, si do ta mbanin ato pushtetin? Si do të mund t’i mbanin ata shqiptarët në një shtet terrorist që kontrollohej me dhunë policore? Mbi të gjitha, pse duhej të mbeteshin ato në pushtet? E kështu, paria e Tiranës e ndërtoi realitetin absurd ku jetuan shqiptarët për disa dhjetëravjeçarë. Energjitë e burimet materiale, të pakta e shumë te çmueshme, u derdhën në ndërtimin e bunkerëve, në harxhimin e kohës se punës për zbore e stërvitje, për ndërtime e struktura, për tunele e armatime, që ishin krejtësisht joproduktive dhe në kundërshtim me interesin kombëtar të shqiptarëve.
Gazetarët e shkrimtarët, mësuesit e këngëtarët, inxhinierët, mjekët e partiakët, të gjithë u morën me rrethimin imperialisto-revizionist. Ana tragjikomike e kësaj loje, që u luajt me shqiptarët, është se paria e Tiranës nuk e besoi vetë rrenën e vet, por se, duke luajtur lojën si duhet e deri në fund, ajo filloi t’i tregonte botës, përmes propagandës së Radio Tiranës, se me të vërtetë realiteti absurd që përjetonte shteti shqiptar e qytetarët ishte realiteti që duhej të përjetonte edhe bota, sepse ky ishte realiteti i vërtetë. Por ndërsa shqiptarët në shtetin shqiptar e jetonin këtë realitet dhe në fakt kjo ishte jeta e tyre, paria e Tiranës bënte ç’ishte e mundur për të kontrolluar lëvizjet nacionaliste shqiptare jashtë vendit. Rrena ishte vetëm për popullin shqiptar, e jo për parinë. Paria e Tiranës e dinte se kush ishte armiku i saj i vërtetë dhe lufta e saj ishte për të mbytur nacionalizmin shqiptar e për ta mbajtur kontrollin e shtetit në duart e jeniçerëve e të aleatëve të tyre. Rrethimi imperialisto-revizionist ishte një koncept që i shërbente asaj për të kontrolluar popullin e vet, “për t’u hedhur trutë e gomarit” shqiptarëve, për t’i shmangur nga interesi i tyre jetik, që duhej të ishte fuqizimi i shtetit të tyre kombëtar.
Mbas vitit 1990, koncepti strategjik i shtetit shqiptar është i ndërtuar mbi idenë e integrimit, euroatlantik apo evropian. Paria e Tiranës, e të gjitha llojeve dhe e të gjitha ngjyrave ka qenë kundër vendosjes së idesë së shtetit-komb në qendër të konceptit strategjik të shtetit shqiptar. Arsyeja është e thjeshtë, krijimi i shtetit-komb do të çonte në minimin e kontrollit të saj mbi shtetin shqiptar, thjesht sepse strukturat që do të krijoheshin do të ishin të mbështetura në një ideologji e në një sistem tjetër vlerash. Dhe, duke ndjekur të njëjtat metoda si në kohën e Enver Hoxhës, paria e Tiranës, që prapë ishte e njëjta në thelb e në mendësi, edhe pse e zgjeruar me një tufë të re hajnash e arrivistësh, luftoi me të gjitha mjetet e mënyrat kundër kësaj ideje, duke synuar në të njëjtën kohë që ta përdorojë atë për interesat e saj të ngushta.
Interesat e saj për të promovuar idenë e integrimit evropian janë krejtësisht të qarta. Edhe pse duket se objektivi i integrimit po u shërben qytetarëve që, në fakt, mezi presin të marrin një vizë e të shkojnë e të punojnë në të zezë, e thjesht duan të ikin nga sytë këmbët nga vendi i tyre, paria po mendon për veten.
Objektivi i saj është t’i mbajë njerëzit nën kontroll. Nuk ka gjasa që shqiptarët të hyjnë në Europë. Mirëpo, po ta dinë këtë ata do të rebelohen, sepse nuk janë punët aq mirë sa duket në Bllokun e Tiranës. Atëherë, si pushtimi gjatë rrethimit, që nuk ndodhi kurrë, edhe evropianizimi gjatë integrimit nuk do të ndodhë kurrë, të paktën jo në atë formë që e duan dhe e presin shqiptarët. Mirëpo, për të mbajtur popullin nën kontroll, integrimi duhet paraqitur si një proces që kërkon energji e forca të mëdha e mbi të gjitha durim nga shqiptarët.
Në fakt, paria e Tiranës ka një sëmundje interesante të trashëguar nga koha kur dikur e diku, kanë qenë ‘dikushi’: marrëzinë e madhështisë. Untia e tyre për status e pushtet është përkthyer në objektivat e saj strategjike: pasurim i shpejtë dhe sa më i madh, ndërtimi i një jete luksi dhe moderne, kontroll pa kushte i shtetit, edhe kur ai shtet mund të përfundojë sa një tavolinë te Sheratoni, ikje nga përgjegjësia historike e morale dhe minim i çdo vlere shoqërore. Ato nuk ngopen po nuk e panë vetë, si më të fuqishmit në Europë. Prandaj, për të arritur objektivat e veta, paria lufton ta paraqesë integrimin si të pashmangshëm.
Kështu, Europa është bërë miti i Eldorados së politikës shqiptare. Mirëpo të gjitha konceptet dhe botëkuptimi që rrjedhin prej këtij miti janë ireale. Për shembull, thuhet se kur të hyjmë në Europë do t’i zgjidhim të gjitha gjërat, se në Europë do të hyjmë, në mos tjetër kontrabandë, se Europa nuk mund të na lërë ne jashtë saj, se gjithçka duhet ta bëjmë me objektivin e integrimit në mendje e me radhë. Kështu kemi parti që i janë përkushtuar objektivit të integrimit, ministri e qeveri të integrimit, OJQ e OJF, tekste shkollore e klasa të veçanta që i edukojnë shqiptarët për vlerat e integrimit e me radhë. Kemi edhe shkrimtarë që i nxjerrin shqiptarët si themelues të Evropës e ruajtës të vlerave të qytetërimit evropian, poetë që shkruajnë për Evropën, këngëtarë që këndojnë më mirë për Evropën sesa për katundin e tyre. Flamurët evropianë gjenden në të gjitha zyrat, bile edhe në mejhanet luksoze ta sjellin kafen me filxhanë me flamurin europian.
Histeria integruese është e të njëjtit nivel e intensitet si histeria e dikurshme e rrethimit. Në vend të zborit, shqiptarët shkojnë në klub e pinë kafe, duke pritur hyrjen në Europë. Paria, megjithatë e din se kjo është një rrenë e pastër. Europa ua ka bërë të qartë se nuk mund të hyjnë në Europë edhe për disa dhjetëravjeçarë. Mirëpo, rrena e integrimit duhet shitur dhe duhet që t’ua mbushim mendjen shqiptareve se jemi në rrugë të mbarë. Kështu që bëjmë kërkesa për anëtarësim pa na ftuar kush, flasim për përmbushje kushtesh e detyrimesh që nuk ka i ka vue kush, dhe i themi vetes europianë, kur të gjithë e dimë se në Europë na shohin si diçka krejt tjetër. E ndërkohë paria vazhdon me punue kundër interesit kombëtar të shqiptareve. Zgjidhja që ka gjet paria e Tiranës nuk është me i kthye lëvizjet nacionaliste në marksiste-leniniste, por me i kthye udhëheqësit politikë të shqiptarëve në trojet e tjera në hajna e cuba e jeniçerë si ata vetë.
Si përfundim, duhet thanë se, për shkak të këtyre koncepteve kriminale strategjike të parisë, shqiptarët i kanë humbur disa shanse historike që nuk do t’u kthehen kurrë më. Njerëzit që e kanë harxhuar jetën duke luftuar rrethimin apo duke dëshirue integrimin, janë të mbyllur në atë realitet absurd e imagjinar qe ua ka krijua paria e Tiranës; gjykimet e tyre për botën e për veten janë infantile dhe të shtrembëruara, të dëmshme për ata vetë e për të gjithë të tjerët. Askush më mirë se Europa nuk e din këtë gja. Mirëpo, është në interesin jetik të parisë së Tiranës që ta zgjasë këtë gjendje absurde sa më shumë që të jetë e mundur. Vetëm kështu mundet që të fuqizohet e të mbesë në kontroll të shtetit e të qytetarëve që i konsideron në shërbim të saj. Prandaj, si pushtimi që nuk ndodhi asnjëherë, gjasat janë se edhe integrimi nuk do të ndodhë asnjëherë. Ajo që mundet me u thanë është se në fund, kur të vijë momenti i zhgënjimit të frikshëm, që është i pashmangshëm, as paria e Tiranës nuk do t’i këtë arritur objektivat e saj, as shqiptarët nuk do t’i kenë arritur objektivat e tyre.