Koncepti i mikut e armikut në politikë

0
32

Moikom Zeqo

MOIKOM ZEQO, 03.11.2009

Libri i mrekullueshëm i politologut të njohur gjerman dhe personalitetit të shkencës të ditëve tona, Erhard Epler “Die Widerkehr der Politik” (Rikthimi i Politikës), ka ringjallur tezën e dinjitetit të politikës, të një rikonceptimi më të drejtë dhe më autentik të politikës në rrafshin e dyfishtë, në atë shkencor dhe në atë moral. A kemi të bëjmë me një ringjallje historike të politikës, apo kemi të bëjmë me një dëshirë utopike të admirueshme? A kemi të bëjmë me një realitet, apo thjesht me një ëndërr? Eshtë e besueshme që politika të aktualizohet dhe të njësohet me qytetërimin botëror me parametra moderne, pra me një ndryshueshmëri të përhershme.

Erhard Epler është politikan tepër i njohur në Gjermani, ka marrë pjesë drejtpërdrejt në jetën parlamentare, është figurë e socialdemokracisë gjermane. Në vitin 1999, shkrimet e tij politike në përkrahje të luftës së Kosovës, ishin tejet të rëndësishme. Njohës i figurave më të mëdha politike të Evropës, Epleri ka patur interes të jashtëzakonshëm për të vërtetat e politikës. Ai ka thënë: “Politika është bërë më e vështirë, por është më e nevojshme se kurrë, politika nuk mund të zhduket, por rikthehet. Politika i drejtohet edhe shkencëtarit, edhe politikanit, politika merret me të mirën e përbashkët të gjërave. Në rast dhe shkenca dhe pasioni për politikën, e përjashtojnë njëra-tjetrën, atëherë nuk mund të flitet për pretendime shkencore në politikë.

Kështu, edhe Maks Veberi nuk do të quhej shkencëtar. Veberi nuk kërkonte të zbulonte vetëm të vërtetën, por kishte edhe vullnet politik. Nëse politika është tkurrur, është tharë, ka vdekur, dhe veç kësaj, është e panevojshme, por e pashmangshme, kockëfortë dhe e paasgjësueshme, nga kjo mund të varet e ardhmja e të gjithëve ne, veçanërisht e gjeneratave që do të vijnë. Nuk besoj se jam në gjendje të nëdrtoj një urë që ndan teorinë dhe praktikën e politikës, por dëshiroj të vendos një tra aq të fortë sa të mbajë të guximshmit që duan të shohin pak më shumë nga ana tjetër, sepse kanë mësuar ose kuptuar: pa politikë nuk bëhet dot”. Pikërisht, analizat e shkëlqyera të Erhard Epler unë i detyrohem në subjektin e këtij shkrimi, për të folur për politologun e madh dhe të njohur Karl Shmit si dhe kundërvënien dhe krijimin e koncepteve të mikut dhe të armikut në politikë.

Kush është (ishte) Karl Shmit (1888-1985)? Gjatë viteve ’20 të shekullit të kaluar, Karl Shmit bënte pjesë në rrethet e djathta të konservatorëve. Në fillim, nuk e kuptoi rrezikshmërinë e të ashtuquajturit “revolucion hitlerian”, por në vitin 1936 u grind me nacional-socialistët. Teoria e tij mbi shtetin dhe mbi politikën, ka patur shumë më tepër ndikim nga ç’mendohet. Vepra kryesore e Karl Shmit “Mbi nocionin e Politikës”, i ka paraprirë disa koncepteve të shtetit totalitar, por megjithatë ka një autonomi hulumtimi interesante. Karl Shmit niset nga koncepti se ashtu siç ka për estetikën një ndryshim midis të bukurës dhe të shëmtuarës, për moralin një ndryshim midis të mirës dhe së keqes, për ekonominë një ndryshim midis së dobishmes dhe së dëmshmes, ose më saktë mes rentabilitetit dhe jorentabilitetit, për politikën ka një çift tjetër nocionesh, miku dhe armiku.

Kjo kredo, ka patur një mbështetje historike, por nuk mund të jetë shteruese, përfundimtare për shkak të ndryshimeve të koncepteve mbi vetë politikën. Për Karl Shmit, politika nuk është aty ku bëhet konsensusi, aty ku negociohen kompromiset, por në binomin e mikut dhe të armikut. Këto koncepte lindin historikisht nga vetë shoqëria, por përcaktohen nga elita shtetërore dhe jo nga populli. Shmiti ka hedhur poshtë akuzën logjike se gjoja ai ka nënvleftësuar paraprakisht çdo politikë paqeje “në asnjë mënyrë nuk është i vërtetë supozimi se prania politike nuk qenka gjë tjetër veçse luftë e përgjakshme apo çdo veprim politik qenka vetëm negocim ushtarak lufte, a thua se çdo popull kundrejt një tjetri gjendet vazhdimisht përpara alternativës: mik, ose armik dhe se veprimi i drejtë politik nuk qëndron pikërisht në shmangien e luftës”.

Ky mendim që ka Shmiti, është tepër realist në rastin e gjysmës së shek. Karl Shmit, që u karakterizua nga Lufta e Ftohtë. Kjo ka qenë epoka më klasike e përcaktimit të koncepteve të mikut dhe të armikut, çdo lloj neutraliteti ishte i dyshimtë. Politika brenda dhe jashtë përcaktohej nga antagonizmi i dy blloqeve dhe dy ideologjive e megjithatë, kishte për të dyja palët arsye substanciale për shmangien e betejës, luftës së nxehtë dhe kjo u shmang. Ç’gjë e përcakton konceptin e mikut dhe të armikut në politikë? Koncepti i mikut (aleanca), koncepti i armikut (lufta). Pa këto koncepte, nuk mund të kuptohet historia botërore për fat të keq. Europa është karakterizuar nga një antagonizëm politik midis Francës dhe Gjermanisë. Për Gjermaninë, Franca ishte armiku, për Francën, Gjermania ishte armiku. Por në të vërtetë, midis popujve francez dhe gjerman, komunikonte gjithçka kulturore dhe progresive, kulturat e të dy popujve nuk kishin në esencë asgjë armiqësore.

Nga kjo pikëpamje, popujt e Francës dhe të Gjermanisë, nuk mund të ishin jashtë politikës armiq. Kjo do të thotë se konceptet e mikut dhe të armikut në politikë, kanë një karakter relativ të vazhdueshëm dhe të përcaktuar nga zhvillimet historike. Le të marrim një shembull substancial: Të krishterët e hershëm në kontinentin evropian. Për afro 4 shekuj, ata u luftuan dhe u masakruan sepse u quajtën “armiqtë më të përbindshëm dhe më të frikshëm” të Perandorisë Romake. Ata nuk lejoheshin që të kishin edhe varre, ndaj përdorën katakombet, varret e nëndheshme. U persekutuan në mënyrë të pabesueshme. Po kur Perandori me origjinë ilire Konstandini i Madh e shpalli krishterimin fe shtetërore, koncepti i të krishterit armik u tjetërsua në konceptin jo vetëm të mikut, por të vetë qenies së Perandorisë së vonë Romake, që u quajt Perandoria Bizantine.

Në Mesjetë, dukuria e Kryqëzatave të mëdha, kishte krijuar konceptin e armikut drejt Jerusalemit, Tokës së Shenjtë. Në këtë rast, koncepti i armikut përfshinte edhe hebrenjtë, edhe myslimanët. Në invers të kundërt, të krishterët konsideroheshin armiq të Zotit, nga ana e invazionit otoman, apo nga xhihadet e sotme të terrorizmit botëror. Ky ideologjizim i skajshëm, bën arsyetimin e konceptit të armikut, pikërisht në terren në tillë të realitetit që nuk ka arsye që popujt pavarësisht ndryshimeve etnike, qytetëruese dhe fetare, të jenë armiq. Optika e politikës së sotme moderne, ka një kujdes të veçantë, për të mos thënë një vëmendje të madhe për të mos rënë në apelacionet arkaike të konceptit të armikut përsëri. Le të marrim historinë shqiptare. Në shek. XV, osmanët ishin armiq të shqiptarëve dhe krishterimit, në shek. e Karl Shmitit, turqit modernë konsiderohen miq.

Italianët e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore ishin armiq të shqiptarëve, kurse sot janë miq. Gjatë regjimit komunist, koncepti i mikut alternohej thjesht në armik. Në fillim Jugosllavia, Rusia dhe Kina, ishin mike (aleate), pastaj armike, por pas vitit 1991, koncepti i armikut u shkarkua nga ngarkesa e tij e rëndë dhe klasike, pra kemi një vetasgjësim të konceptit. Sipas Karl Shmit, armiku është ai që shpallet nga “shteti”. Po kush është shteti, bashkësia e organizuar që ka të drejtë të caktojë armiqtë? Nga ky rreth vicioz nuk mund të dalësh, por mund ta identifikosh. Pas Luftës së Ftohtë, pati një çorganizim të koncepteve të mikut dhe të armikut. Ku e ka burimin çoroditja e çuditshme e politikës perëndimore pas shpërbërjes së komunizmit? Çfarë ndodh kur armiku ynë, të cilit i kishim kushtuar mendimet dhe veprimet tona për dekada dhe vite me radhë, papritur zhduket? Kur asnjë armik i ri, nuk merr vendin e të vjetrit? Kur miqtë të cilët ishin vënë dikur bashkë kundër armikut të përbashkët, e konsiderojnë tani veten konkurrentë? Në këtë rast, humbet orientimi.

E zakonshmja bëhet e pakuptimtë, rutina bëhet absurde. Kjo çon në ndryshimin e konceptimit të politikës, pra të rilindjes së saj. Kohëra të reja, politikë e re. Romani i jashtëzakonshëm dhe tronditës i Dino Buxatit “Shkretëtira e Tartarëve” flet për mitologjizimin e konceptit të armikut. Një kështjellë buzë një shkretëtire, përherë është e përgatitur në ankth për të pritur armikun. Vitet kalojnë, koha pluhurizohet, por armiku nuk vjen asnjëherë. Eshtë një ankth ekzistencial kafkian. Buron nga një tjetër vepër e Kafkës “Kështjella”. Duket si një punë sizifiane, çdo përpjekje, në të vërtetë historia botërore ka qenë plot luftëra, por në rrafshin metafizik, parabola e Buxatit dhe e Kafkës, ka një kuptim shumë të thellë. Nëse në rrafsh ndërkombëtar koncepti i armikut, sidomos në Evropë ka pësuar një evoluim të çuditshëm, në rrafshin e brendshëm, ende mbijeton koncepti arkaik i “armikut të brendshëm”.

Gjatë shtetit totalitar, koncepti i armikut të brendshëm, është përherë ideologjik, është një politikanizim i skajshëm, jo thjesht i individit, por i grupeve të caktuara, pra një penalizim politik. Dihet se ku çoi kjo katrahurë e tmerrshme. Por në demokracinë e brishtë shqiptare, për shumë arsye të retrogradeve, formimeve të politikanizuara të zhvillimeve të politikës, ende gjallon koncepti i panevojshëm dhe i dëmshëm i “armikut”. Kundërshtarët politikë konsiderohen si armiq, kemi kështu një segregacion, një tendencë përjashtuese, një mungesë qytetërimi të vërtetë, shkëlqen në dukje varaku i demokracisë, por jo brendia e saj. Kemi një lundrim aventurier në detin e koncepteve, pra një padituri. Mungon qartësia si shkëlqimi i zjarrit bengalez mbi dukuritë dhe njerëzit.

Nëse ka qenë e vështirë ringjallja e politikës për popuj me tradita më të mëdha demokratike të Evropës, kjo shpjegon se është shumë më e vështirë ringjallja e një politike moderne të vërtetë për shqiptarët, me mungesa të theksuara të traditave demokratike. Megjithatë shembujt shqetësues mungojnë edhe në Evropë. Vetë Erhard Epler e citon një shembull të tillë. “Në një fushatë të politikanizuar elektorale, në Gjermani (1976), pati reflekse të ngjalljes së konceptit të armikut të brendshëm. Kështu, një nga politikanët Manfred Cah, zyrtar i lartë ministror botoi në formën e një romani aludues, përvojën politike që vetë Cah e quan “mobilizim të marrëzisë”. Autori e përshkruan pa zbukurime dhe me llogari cinike, se ç’u bë me shpurën e kryeministrit Filbinger (në roman- Braisinger), në këtë lak kohor: “Kreshendoja e polarizimit pa kushte u rrit deri në kongresin e Partisë, në të cilin Braisinger mbajti një fjalim me polemikë të pashembullt dhe e ndau botën në të mirë dhe të këqij, në forca konstruktive dhe forca destruktive. Varret që ai hapi, ishin aq të thella dhe të gjera, sa edhe vetë ai, me vullnetin më të mirë nuk mund t’i kapërcente më. Duhej vendosur: kush nuk ishte me të, ishte kundër tij.

Oskar Shpeht (në libër – Lothar Shpeth) dhe fraksioni që u bashkua me të, ishin tradhtarë … Si kalorësi në kështjellë, u trumbetua sinjali i zgjimit. Tashmë kushdo e dinte “kjo nuk ishte më thjesht një fushatë zgjedhore, kjo ishte një fushatë kryqëzatash të krishterë kundër vandalëve të kuq, të cilët në rast fitore do t’i vinin flakën, do të plaçkitnin dhe do të robëronin gjithçka”. Ky antagonizëm mes kundërshtarëve politikë, ishte shkatërrues. Kjo do të thotë që në një shoqëri demokratike, duhet përjashtuar antagonizmi midis kundërshtarëve politikë. Antagonizmi politik çon në penalizime kolektive dhe të fut në hullinë e një purizmi partiak, të monopolit të së vërtetës vetëm nga një parti. Për fat të keq, lufta politike midis dy partive të mëdha në Shqipëri ka patur shpesh simptomat e një antagonizmi. Janë shfaqur si parti përjashtuese për njëra-tjetrën dhe në thelb nuk janë të tilla.

Të gjithë janë shqiptarë, si në njërën parti, ashtu edhe në tjetrën. Madje ndryshimet në programet e të dyja partive nuk janë të dukshme, dhe janë gati të palexueshme qartë. Madje as koncepti klasik i “së djathtës” dhe i “së majtës”, nuk përbën identifikimin programor të këtyre dy partive. Përse vallë kjo betejë kaq e tmerrshme midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike? A nuk janë gjëra më të rëndësishme që i bashkojnë sesa gjërat që i ndajnë? Ç’është ky antagonizëm ad-absurdum? Përse duhet të ndodhë kështu edhe pas 18 viteve? A nuk kanë reflektuar politikanët diçka më të rëndësishme? A janë kulturuar politikanët me idetë e demokracisë së vërtetë, apo kanë mbetur prapa? A është përmirësuar përbërja e Parlamentit shqiptar nga përbërja cilësore dhe profesionale, apo deputetët e dale edhe nga zgjedhjet e fundit elektorale, kanë mjerisht një nivel ende diletant?

A mund të kemi në vitin 2009 një politikë kameleoneske me shembuj sinkron të budallallëkut dhe jo një politikë të vërtetë “argumentum ad hominem” (provë ndaj njeriut)? A është politika një “bellum internecenium” (luftë shfarosëse pa fund), apo është një politikë konstruktive? Ajo që nuk është kuptuar në politikë, është se nuk mund të ecet më me konceptin gjemba-shpues të armikut të brendshëm. Ajo që nuk është kuptuar në politikën shqiptare, është se nuk ka ardhur koha e integrimit të brendshëm. Atë që duhet të kuptojë Njëshi i Ekzekutivit është se duhet të ndjekë dhe të sendërtojë tendencën e integrimit, madje dhe të kundërshtarëve të tij politikë, jo vetëm në shoqëri, por edhe në administratë, dhe sidomos të vlerësojë vlerat e larta intelektuale dhe morale të personaliteteve të kulturës së kombit shqiptar, pavarësisht bindjeve të tyre.

Ajo që nuk është kuptuar në politikën shqiptare lidhet me faktin e kuptimit të qeverisjes. Nëse politika është administrim i pushtetit, atëherë ky administrim varet nga vetëdija. Po kush e përcakton këtë vetëdije? Vetëm krerët e partive? A nuk është absurde që ata të luajnë role mesanikë, kaq shumë të dështuar dhe pa kuptim? A nuk duhet hequr dorë nga purizmi partiak? Parti e madhe politike është ajo që kultivon tolerancën dhe integrimin e parti e mjerë politike është ajo që kultivon përçarjen dhe dualizmin politik-shoqëror. Politika e madhe ngre ura, politika e vogël dhe e verbër, ngre mure midis njerëzve. Si vallë nuk kuptohet një gjë kaq e thjeshtë dhe kaq njerëzore? Kostumet partiake nuk janë parzmore të hekurta të kalorësve të Mesjetës. Kontributet intelektuale nuk mund të refuzohen për shkak të paragjykimeve, apo për shkak të cilësimit armik të njërit apo tjetrit lider politik.

Koncepti i besnikërisë ndaj liderit, është një koncept arkaik dhe patriarkal, e ashtuquajtura besa e dhënë dhe e ashtuquajtura tradhti e atij që e thyen këtë besë të dhënë nuk ka të bëjë me demokracinë, por me kodet e ngurta mesjetare të feudalit dhe të vasalit. Kur do të çlirohet Shqipëria jonë nga kjo mendësi e tmerrshme, e prapambetur që sjell humnera dëmesh? Nuk është kuptuar ndërkaq në politikën shqiptare edhe koncepti modern i qeverisjes. Postet politike në një qeveri, nuk kanë të bëjnë me pastrimin e administratës nga të pangjashmit politikë, sepse administrata është një substancë, një mekanizëm specialiteti dhe profesional. Nuk është kuptuar në thelb se në qeverisje është edhe opozita, madje në mënyrë konkrete në pushtetin vendor, opozita e sotme ende ka peshën kryesore. Si mund të kemi një ndarje kaq të humnershme midis qeverisjes vendore dhe as qendrore?

Ç’kuptim ka një segregacion i tillë i neveritshëm? Ku na çon kjo rrugë? Asgjëkund. A ka një ringjallje të politikës shqiptare? A është e denjë politika shqiptare si veprimtari, si vizion, si vendimmarrje? A është politika shqiptare instrument i humanizmit apo është një dehumanizim i vrazhdë? A është politika shqiptare një përmirësim apo një përkeqësim? A është ajo e dobishme apo shkatërruese (vetëshkatërruese)? Çfarë përfaqëson dhe ndërton politika shqiptare? A ka një politikologji serioze në Shqipëri? Që të ketë një gjë të tillë, duhet të ketë politikanë seriozë, të ditur dhe me vizion. Por për fat të keq, politikanët janë të rutinës dhe vulgariteti i gjuhës në polemikat e tyre, është shprehje e vulgaritetit të shpirtit dhe kulturës së tyre të pakët. Nga kjo pikëpamje, nuk është e pavend që shkruam për kapërcimin e koncepteve të mikut dhe të armikut në politikë, duke mësuar diçka edhe nga politologu gjerman Karl Shmit. Le të shpresojmë në një ringjallje të vërtetë të politikës shqiptare!