Komunizmi në vendet ish-komuniste, nuk u mund kurrë

0
99

Nga Claire Bigg, RFE

Lituania ka qenë republika e parë sovjetike që shpalli pavarësinë, çfarë ia hapi rrugën rënies së Bashkimit Sovjetik. Njëzet vjet më vonë, vendi baltik ende përballet me trashëgiminë komuniste. Kjo betejë vazhdon, me gjithë faktin se në fillimvitet e ‘90-ta Lituania miratoi Ligjin e lustracionit apo pastërtisë së figurave publike. Ligji ndalonte drejtuesit e rëndësishëm komunistë nga mbajtja e posteve publike. Por, si e sheh zbatimin e ligjit Vitautas Landsbergis, presidenti i parë i Lituanisë paskomuniste.

“Kur unë isha president, reformat sapo kishin filluar. U përpoqëm të miratonim një ligj lustracioni, të ngjashëm me atë në Çekosllovakinë e kohës. U bazuam mbi ligjin çekosllovak kur bëmë projektligjin tonë”.

“Por, më pas, u përballëm me rezistencë nga e majta. Ishte aq rezistencë e fortë, saqë ata morën madje dhe parlamentarë nga qendra, në mbështetje të kundërshtimit të tyre. Më në fund, ata krijuan një shumicë parlamentare dhe ligji i lustracionit u bllokua”.

“Fakti që isha në krye të vendit, nuk ndryshonte gjë. Në republikat parlamentare mund të manipulohet duke korruptuar deputetët, e në këtë mënyrë krijon dhe shumicat e nevojshme parlamentare”, kujton për Radion Evropa e Lirë Landsbergis. Madje, ai nuk ngurron të drejtojë gishtin ndaj atyre që paguan dhe korruptuan deputetët e kohës.

“Forcat e së shkuarës, ish-regjimi”, thotë Landsbergis. Ai shton se një vend me trashëgimi komuniste nuk mund të arrijë konsensusin. Edhe tani, vendi është thellësisht i ndarë rreth kësaj teme, pohon ish-presidenti i parë i Lituanisë paskomuniste.

I pyetur se ku gjenden sot ish-politikanët e sistemit komunist, prokurorët dhe pjesëtarët e shërbimit sekret të regjimit të shkuar, Landsbergis sqaron: “Ne vendosëm disa kufizime për ta, por ligji ka ende të çara, që u mundëson këtyre grupeve t’i anashkalojnë kufizimet”.

Në vendet ish-komuniste nuk ka pasur gjykime të tipit të Nurembergut. Pas Luftës së Dytë Botërore, krerët e nazizmit u përballën me drejtësinë në atë që njihet si Gjyqi i Nurembergut. Përse nuk ka pasur diçka të ngjashme me drejtuesit e regjimeve komuniste?

“Sepse, komunizmi në vendet komuniste nuk u mund asnjëherë. Këto vende nuk e kanë dëshirën e nevojshme për t’u pastruar nga e shkuara”, thotë për Radion Evropa e Lië Landsbergis.

Por, a do ta kishin ndihmuar Lituaninë dhe vendet e tjera ish-komuniste gjyqe të tilla? Landsbergis përgjigjet: “Nuk bëhet fjalë për ne, në lojë është drejtësia. Nëse nuk ka drejtësi, njerëzit më pas nuk besojnë në përgjithësi në konceptin e drejtësisë”.

“Ata janë të pakënaqur me demokracinë, me politikat shtetërore, pasi ata shohin personalitetet e njëjta në pushtet apo që kanë ndikim të madh”, përgjigjet Landsbergis.

Nga kjo distancë kohore, Landsbergis i sheh gjërat ndryshe dhe do të donte të kishte vepruar ndryshe për çështje të caktuara. “Do të isha më i kujdesshëm ndaj formave të sofistikuara të korrupsionit politik. Unë besova, ndoshta më shumë se ç’duhej, në vullnetin e mirë të njerëzve. Jo të gjithë e meritonin këtë besim”, përfundon ish-presidenti i parë i Lituanisë paskomuniste.

Si të dënohen krimet e komunizmit?

Nga RFE

“Krimet e komunizmit” është titulli i konferencës që ka filluar në Pragë e që po fokusohet te trashëgimia e komunizmit, rrugët e ndëshkimit për shkelësit e të drejtave të njeriut të asaj kohe, si dhe në faktin se regjimet komuniste ende ekzistojnë.

Zyrtarë qeverish, intelektualë dhe ish-disidentë, shumica nga vendet e Evropës qendrore e lindore, po ndjekin punimet e konferencës.

Irzhi Liska, nënkryetari i Senatit çek, në fjalën hyrëse theksoi nevojën për të ekzaminuar në tërësi të shkuarën komuniste dhe veprimet që duhen marrë sot.

“Është detyra, përgjegjësia dhe angazhimi ynë, jo vetëm ndaj miliona viktimave të komunizmit totalitar, por ndoshta edhe më shumë për hir të së ardhmes sonë të lirë e demokratike, që të analizojmë të shkuarën tonë”, tha Liska.

“Dështimi për t’iu qasur si duhet së shkuarës komuniste ka çuar në thyerjen e besimit ndaj institucioneve demokratike që zëvendësuan komunizmin,” tha Liska.

Shumica e vendeve të Evropës qendrore e lindore e kanë dënuar të shkuarën e tyre komuniste. Shumë prej tyre kanë ndaluar me ligj kthimin në pozita të caktuara për ish-funksionarët e regjimit komunist.

Në Poloni, shumë nga krerët e komunizmit, përfshirë dhe gjeneralin Jaruzelcki, janë në gjyq për krimet e kryera gjatë komunizmit.

Por, hapa të tillë kanë qenë të rrallë në vendet e tjera. Liska, megjithëse kërkoi dënimin e përgjegjësve për krime, pranoi dhe faktin se është e vështirë për t’u bërë një gjë e tillë në praktikë.

“Mendoj se duhet të pranojmë që totalitarizmi është fenomen që përfaqëson krim kundër shoqërisë e moralit në tërësi, që nuk mund të dënohet thjesht me mjete juridike. Së paku kështu duket prej brenda vendeve që dolën nga totalitarizmi”, tha Liska.

Ky i fundit kërkoi hapjen e plotë të arkivave si dhe studimin e dëbimeve, ekzekutimeve, kampeve të punës në kohën e komunizmit, në mënyrë që gjithçka e çdokush të ketë një emër.

Një nga folësit kryesorë të konferencës ishte një kujtesë për shumëkënd se komunizmi nuk është diçka e së shkuarës.

“Komunizmi është krim. Por, sot, ju po mbani një konferencë, ku flisni për të dhe kjo është e jashtëzakonshme. Duhet ta vlerësojmë si duhet trashëgiminë e komunizmit. Por, komunistët ende janë në drejtimin e punëve në Kinë. Nuk mund ta harrojmë këtë”, tha Harri Vu, i cili ka kaluar afro 20 vjet në kampet e punës së detyruar në Kinë.

Në vitin 1979, pas lirimit nga kampet e punës, ai emigroi në Shtetet e Bashkuara dhe drejton një fondacion që merret me studimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kinë.

Vu theksoi se Perëndimi është përfshirë ekonomikisht me Kinën, por nuk duhet të harrojë natyrën shtypëse të regjimit komunist.

Kina është një nga katër vendet komuniste sot në botë. Të tjera vende komuniste janë: Laosi, Kuba dhe Vietnami. Ka nga ata që e konsiderojnë dhe Korenë e Veriut si shtet komunist.

Konferenca është organizuar nga Instituti për Studime të Regjimeve Totalitare, i cili e filloi aktivitetin në vitin 2008.

Në të njëjtin vit, në Pragë u organizua nënshkrimi i Deklaratës së Pragës për ndërgjegjen evropiane mbi komunizmin, e cila bën thirrje për t’i dënuar përgjegjësit për krimet e kryera nën komunizëm.