Alfred Lela
Z. Nikolla, jam kureshtar për temën: Pse keni zgjedhur, ose pse ju ka tërhequr më shumë ‘njeriu i ri’ i komunizmit kur, fare mirë, mund të kishit trajtuar ‘njeriun oriental’ të otomanizmit? Është bëra tashmë pjesë e ligjëratës publike, dhe pothuajse merret për aksiomatik përfundimi se në prapambetjen e shqiptarëve otomanizmi dhe komunizmi kanë luajtur rolin e dorës së parë.
E mendoj pak ndryshe termin “prapambetje e shqiptarëve”, pasi nuk shikoj ndonjë prapambetje të shqiptarëve kudo ndodhen, por prapambetje të Shqipërisë, që është diçka tjetër dhe për të cilën kanë dhënë një kontribut të madh një pakicë njerëzish të papërgjegjshëm moralisht, por më përgjegjësi të madhe përballë gjykimit të historisë. Historia, ndryshe nga gjykatat tona që bëhen “zemërbuta” me parà, është e pamëshirshme dhe e pakorruptueshme me pararojën e prapambetjes së Shqipërisë.
Ndërsa, për sa i përket zgjedhjes, “njeriu i ri” i komunizmit është më i kufizuar në kohë dhe kjo është metodologjikisht më e saktë për përmasat e studimit tim. “Njeriu oriental” është i shtrirë në një hapësirë kohore dhe gjeografike shumë më të madhe e për rrjedhojë kërkon më shumë kohë! “Njeriu i ri” i komunizmit mendoj se është çelësi më interesant për të kuptuar ngrehinën misterioze antropologjike të komunizmit dhe monstruozitetet e tij në Shqipëri.
Sa i përket ligjërimit publik mbi rolin e otomanizmit dhe komunizmit në prapambetjen shqiptare, e shikoj shpesh shumë të përgjithësuar dhe të instrumentalizuar politikisht dhe pa përmbajtje shkencore. E saktë do të ishte të flisnim për elementë specifikë të otomanizmit dhe komunizmit, dhe jo mbi rolin e tyre “në përgjithësi”.
Ideologjitë priren kryesisht kah grandiozja (madhështorja) dhe shpallin se duan të krijojnë Mbinjeriun; ç’ne kjo ‘modesti’ e komunizmit të Enver Hoxhës që kërkoi të krijonte Nënnjeriun, pra një qenie të zhveshur nga cilësitë individuale?
“Madhështorja” ishte e pranishme në humusin kulturor komunist shqiptar, por ajo ishte mishërimi i udhëheqësit dhe partisë (që ishte përsëri vetë diktatori!). Diktatori ishte i madhërishmi dhe idhulli që duhej adhuruar nga “të vegjlit”, “nën-njerëzit”. Idhulli kërkon përherë flinë e tij! Në libër, duke iu referuar pjesës studimore mbi komunitetin rom gjatë intervistave në terren, kam hasur termin “jo-njeri”! Pra, E. Hoxha nuk ishte modest, por detyronte masat të bëheshin modeste me dhunë!
Ju jeni antropolog, por libri juaj duket se e ruan edhe sensin historik. A mund të na thoni nëse formimi i ‘njeriut të ri’ të cilin trajton libri juaj, është një proces antropologjik apo historik. D.m.th, a është komunizmi ‘antropologjikisht i pajtueshëm’ me shqiptarin, apo ishte thjesht një ‘incident historik’?
Sigurisht që për ta bërë kërkimin rigoroz dhe që i reziston kohës, qasja me historinë është e domosdoshme. Unë e kam hulumtuar “krijesën” “njeri i ri” në udhëtimin e saj historik që nga 1944 deri në ditët e sotme. Krijimi i tij ishte një proces antropologjik i shtrirë në histori. Mendoj se as shqiptarët e asnjë popull në botë nuk është i pajtueshëm me diçka që nuk përputhet me thelbin e qenies njerëzore: dinjitetin dhe lirinë. Çdo ideologji apo model politik që cenon lirinë duhet t’i bëjë llogaritë mirë me reagimin e pashmangshëm të të shtypurve. Për rrjedhojë shqiptarët bënë, me vonesë, atë që bëjnë zakonisht popujt e shtypur e të dhunuar: rebelohen. Pra, komunizmi është i papajtueshëm me çdo shoqëri njerëzore të emancipuar.
Ku i shihni shenjat e këtij ‘njeriu të ri’ në Shqipërinë e sotme?
“Njeriu i ri” postkomunist nuk ka nevojë për shumë shenja që të kuptohet prania e tij. Atë e kemi në politikë, institucione publike e private, shkolla, spitale, me një fjalë kudo. Duke qenë se “njeriu i ri” ishte një projekt thelbësisht antropologjik, për largimin e tij nga skena do të duhen disa gjenerata me “njerëz të vjetër” (autentikë që i rezistuan eksperimentit).
Në libër trajtoni edhe ‘jo-njeriun’, kategori që përfshin të persekutuarit dhe pakicat (romët, egjiptianët). A nuk mendoni se këtu mund të hiqen paralele me ‘nënnjeriun’ e nacional-socializmit (nazizmit)? Si mund të ekzistojë një paradoks i tillë i trashë dhe ç’njerëzor brenda një ideologjie që lufton për ‘lirinë e proletariatit botëror’, ndërkohë që shtyp nënshtetasit e vet?
Nuk shikoj ndonjë paradoks të madh! Madje, mos u habisni, kam hasur ngjashmëri të “njeriut të ri komunist” me atë fashist dhe nazist. “Njeriu i ri” është diçka tipike për diktaturat dhe shndërrohet në një vegël të bindur për mbajtjen e pushtetit. “Njeriu fashist” p.sh, ka ngjashmëri të madhe me njeriun e ri komunist, sidomos në gatishmërinë për mbrojtjen e atdheut, besnikërinë ndaj Udhëheqësit (Duce-s), paraqitjen fizike.
Nëse njeriun e ri do ta përfaqësonte një slogan i vetëm, dhe ne e dimë se sloganet asokohe ishin një mjet i kudopërdorur i edukimit të masave, cili do të ishte ai?
“Njeriu i ri – vepër madhështore e Partisë”.
Në tekstin tuaj flisni për dhunën e përdorur nga komunistët për farkëtimin e ‘njeriut të ri’, por doja të dija se deri ku shkonte konformizmi i shqiptarit: a kishte shtresa që iu dhanë vullnetarisht kësaj farke shoqërore?
Fjala “farkëtim” është përdorur shumë në kontekstin shqiptar dhe atë rumun! Vetë kjo fjalë përmbledh në vetvete një dhunë të madhe. Ka dy procese gjatë fenomenit të farkëtimit të metaleve: temperaturë tejet e lartë deri në shkrirje të metalit dhe goditje me çekiç për t’i dhënë formën. Kishte shumë njerëz që vullnetarisht u shndërruan në “njerëz të rinj” dhe që u bënë vetë farkëtues të tij. Një përgjegjësi historike në sensin e konformizmit, veç strukturave dhunuese si sigurimi dhe policia e shtetit, kanë edhe Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve me trajtimin e “njeriut të ri” në art.
Sa ka ndikuar ndalimi i fesë në përshpejtimin e procesit të fermentimit të ‘njeriut të ri’ dhe pse Hoxha u tregua posaçërisht i ashpër me klerin katolik?
Feja, si strukturë shpirtërore e thellë morale kishte ndikim të madh në ruajtjen e integritetit moral të shqiptarëve. Për rrjedhojë, sulmi ndaj saj kishte ndikim direkt në fermentimin e “njeriut të ri”. Natyrisht, kleri katolik ishte ndër më të shkolluarit dhe si rezultat dhuna ndaj tij ishte më çnjerëzorja. Në këtë kontekst ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë vetë diktatori Hoxha me udhëzimet e tij për ashpërsi ndaj klerit katolik. Kujtoj sharrimin për së gjalli të dom Lazër Shantojës para syve të nënës së tij! Dhe ajo që u lutej torturuesve që ta vrisnin djalin e saj sa më shpejt për të mos e parë duke vuajtur!
Nëse ‘njeriun e ri’ e konsiderojmë si ‘proces akulturimi’ ose ‘proces të zhbërjes kulturore’, sa i gjatë do dhe duhet të jetë procesi i kundërt, ai i ‘kulturimit’ ose i ribërjes së ‘njeriut të lirë’?
Procesi i “akulturimit” është, për vetë natyrën e tij, më i shkurtër dhe më i lehtë se procesi i “kulturimit”. Mjafton të japim një shembull të thjeshtë: sa forcë morale (virtyt) e sa kohë, durim, pasion duhet për t’u bërë njeri i ndershëm dhe, anasjelltas, sa shpejt bie dikush pré e së keqes. Problemi dramatik i “kulturimit” në Shqipëri qëndron në faktin se ky proces ndalohet qëllimisht nga farkëtuesit e vjetër që, paradoksalisht duan prapë vetëm njerëz të rinj. Në një shkrim të vitit 2006, e kam cituar në libër, një politikan publicist kërkon sërish, duke iu referuar metodave të vjetra komuniste, formimin e njerëzve të rinj!!!
Duket se ‘njeriun e ri’ të komunizmit po e zëvendëson një tjetër ‘njeri i ri’ ose një ‘njeri material’. E kam fjalën për largimin nga shpirtërorja të shqiptarit të postkomunizmit. A ka një shteg daljeje nga kjo, apo ky rreth nuk ekziston dhe është vetëm një alarm i kotë mikroborgjezësh?
Edhe në libër është e pranishme një pikëpamje e ngjashme me pohimin tuaj. Ne shqiptarët nuk e kapëm dot shansin historik dhe nuk e jetuam revolucionin industrial dhe gjithë impaktin e tij kulturor, thjesht u spërkatëm me atë që në të vërtetë ishte revolucioni industrial në vendet e tjera. Ne patëm nxitës të fortë moralë për lëvizje të forta kulturore si vëllezërit Frashëri, Fishta e Noli, por që nuk patën shumë rezultat për shkak të kohezionit së dobët socio-kulturor të shqiptarëve.
Në sajë të këtij fenomeni, komunizmi gjeti një terren të përshtatshëm për projektin e tij, që po ta them me fjalët e profesor Sami Repishtit, ishte “krijimi i njeriut të ri që është monstruoziteti i shekullit të 20-të”. Rezultati është prania e konsiderueshme e “njeriut material” që kujdeset pak për shpirtëroren dhe, shpirtërorja është foleja e moralit, jashtë saj ai nuk jeton dot! Largimi nga lidhja e sëmurë me “materialen” do të na marrë shume kohë dhe sakrifica. Alarmi nuk është i kotë.
Për ta mbyllur, na flisni pak për librin tuaj: pse vendosët që ta botoni fillimisht në Itali dhe jo këtu në vendin e ‘njeriut të ri’? Si është pritur matanë Adriatikut dhe kur do të vijë në shqip?
Libri del në shqip pas tre muajsh, në qershor. Vendimi për të botuar në Itali nuk ishte i imi, por i kolegjit të docentëve të kursit të Doktoraturës në Universitetin e Firenze-s, pasi atje është prezantuar në fillim punimi. Libri është pritur shumë mirë në Itali pasi përkon me një fazë të re të mënyrës se si shihet tashmë Shqipëria nga studiuesit, gazetarët, politikanët dhe qytetarët italianë dhe që i ka tejkaluar klishetë e viteve ‘90-të.
Lindja e idesë së “Njeriut të Ri”, konteksti sovjetik dhe huazimi shqiptar
Albert Nikolla është një prej atyre pak autorëve shqiptarë që bën rrugëtimin e kundërt: botohet jashtë dhe më pas në vendin e vet. Libri i tij studimor L’uomo nuovo albanese-tra morale comunista e crisi della transizione është botuar në Itali nga Bonanno Editore dhe është në proces përkthimi e do të sillet së afërmi edhe për publikun shqiptar. Nikolla, një emër i njohur në shtypin e shkruar të Tiranës, ka marrë si case study ‘Njeriun e ri’, një huazim sovjetik të zbatuar edhe në Shqipëri, eksperiment që është pjesërisht përgjegjës për shtrembërimet psiko-sociale të shqiptarit dhe Shqipërisë së sotme.
Albert P. Nikolla
Duhet theksuar që në fillim se koncepti i “njeriut të ri” shqiptar është huazuar nga komunizmi sovjetik. Ndonëse i huazuar, ky koncept fiton veçori sui generis që kanë pak lidhje me reflektimin filozofik marksist mbi këtë argument.
Vizioni marksist mbi “njeriun e ri” bazohet kryesisht në çështjen e eliminimit të “ndarjes së punës”, që sipas Marksit përbën motivin kryesor të “tjetërsimit” dhe të stresit për punëtorët në sistemin kapitalist. Kjo “ndarje e punës”, sipas tyre, e skllavëronte njeriun dhe për rrjedhojë, në sistemin socialist duhet të synojmë të kemi një “njeri të ri” të lirë nga skllavëria e “ndarjes së punës”. Skllavërimi kishte të bënte me një realitet të dyfishtë: nga njëra anë punëtori ishte një krah pune nën sundimin e pronarit të ndërmarrjes dhe subjekt i përfitimit të mbivlerës, nga ana tjetër skllavërimi vinte edhe nga mjetet e prodhimit që ai përdorte, pasi ai kufizohej vetëm në përdorimin e një makine, ndrydhej krejtësisht dhe ishte i paaftë për të kryer një punë tjetër.
Përballë këtij punëtori të robëruar të sistemit kapitalist, duhet krijuar një “njeri i ri” krejtësisht i zhvilluar dhe “politeknik” që nuk ka vetëm një, por shumë profesione, që nuk është skllav i një makine në fabrikë, por që di shumë gjëra të tjera e madje ka edhe përmasë shpirtërore që kultivohet vazhdimisht. Ja si e përshkruan studiuesi italian B. Spirito “njeriun e ri” në këtë perspektivë:
“Gjithë problemi i eliminimit të ndarjes së parcelizuar të punës dhe reduktimit të nevojave në një minimum jetik përbën atë çka është parësore për të kuptuar figurën e njeriut të ri, i cili është një individ krejtësisht i zhvilluar, veçoritë e të cilit mund t’i përshkruajmë në këtë formë: ai është një punëtor, i cili në ndryshim nga figura e vjetër e punëtorit të parcelizuar (fragmentar) që është ingranazh i thjeshtë i një procedure prodhimi industrial, ushtron në mënyrë të këmbyeshme funksione të shumta në mjaft degë të prodhimit nëpërmjet zhvillimit të lirë të aftësive të veta”.
Pra, “njeriu i ri” do të jetë një lloj politekniku, që di të bëjë shumë punë njëherësh në bashkërendim me kolektivin komunist dhe sidomos në ambientin industrial të punës. Kujtojmë në këtë kontekst rëndësinë që i jepte Partia klasës punëtore si ndërtuese e socializmit dhe “syri kritik” ndaj kooperativistëve që ishin të lidhur akoma me pronën private.
Në ecurinë e reflektimin të Marksit, Engëlsit dhe disa mendimtarëve të tjerë marksistë, çelësi i interpretimit të figurë së njeriut të ri është teknik dhe vetëm rrjedhoja e mëvonshme mund të ketë efekte sociale mbi të. Nuk shohim pra elementë moralë tek figura e njeriut të ri në fillesat e reflektimit marksist. Aq e vërtetë është kjo gjë, saqë disa autorë të tjerë flasin, për më tepër, për një eliminim të “çështjes morale” në doktrinën marksiste. Lenini, në artikullin e tij “Përmbajtja ekonomike e Narodnizmit dhe kritika e tij në librin e Z. Struve” në vitin 1894 shkruante:
“Pra, nuk mund të mos e konsiderojmë të drejtë pohimin e Zombari-it që «në doktrinën marksiste, që nga fillimi deri në fund nuk gjejmë asnjë thërrmijë etike»: për sa i përket pjesës teorike, «pikëpamjen etike» marksizmi ia nënshtron «principit të shkakësisë», ndërkohë, për sa i përket pjesës praktike, ia nënshtron luftës së klasave”.
Duket qartë një mënyre e re e interpretimit të etikës marksiste nga Lenini. Interpretimi filozofik i etikës reduktohet vetëm në nivelin antropologjik të mënyrës së sjelljes dhe edukimit të vazhdueshëm të njerëzve të rinj, në mënyrë që të bëhen të mirë. Kjo mënyrë e të parit të gjërave nuk ka lidhje të fortë me vizionin marksist të etikës të shprehur nga Marksi dhe Engëlsi.
Nën këtë frymë arsyetimi lind koncepti i “njeriut të ri” në kontekstin e socializmit sovjetik. Njeriu i ri është një model moral që duhet të ndiqet nga të gjithë, pasi të gjithë, pa përjashtim duhet të bëhen “njerëz të rinj”. Ata që nuk bëhen, i nënshtrohen ashpërsisë së luftës së klasave.
Siç e thamë në fillim, socializmi shqiptar e huazon konceptin e njeriut të ri nga ai sovjetik. Kjo del në pah edhe në revistën Rruga e Partisë, numrat e së cilës janë analizuar që të gjithë që nga viti 1953 deri në vitin 1989. Në të njëjtën mënyrë, si autorët sovjetikë, edhe autorët shqiptarë e shikojnë krijimin e njeriut të ri si procedurë morale. Por, duke analizuar numrat e mëtejshëm të revistës, njeriu i ri shqiptar fillon e merr veçori tipike shqiptare që e bëjnë atë një figurë të mirëpërcaktuar e që dallon nga modeli klasik komunist.
Numri i parë i revistës Rruga e Partisë ka dalë në vitin 1953, ndërkohë që për herë të parë flitet për “njeriun e ri” një vit më vonë dhe vazhdimisht në vitet e tjera në çdo numër të saj. Nuk ka reflektim ku të mos dalë direkt apo indirekt kjo figurë kaq e rëndësishme për ndërtimin e socializmit. Përkufizimin e figurës së “njeriut të ri” nuk e japin autorët shqiptarë. Përkufizimi merret nga një autor sovjetik, Igor Kon, në numrin 8 të revistës të vitit 1954:
“Duke u nisur nga superioriteti i sistemit socialist dhe nga kujdesi i vazhdueshëm i Partisë për edukimin komunist të punonjësve të vendit tonë, është rritur njeriu i ri, i cili është bartës i vlerave të larta politike e morale, ndërtues i komunizmit dhe është pakrahasimisht më i denjë se çdo përfaqësues i botës së vjetër. Ai është një njeri, interesat personale të të cilit janë të lidhura pazgjidhshmërisht me interesat e popullit, ai është gati të luftojë deri në vetëmohim për kauzën e Komunizmit.
Ai është një njeri, qëndrimi i të cilit për jetën është përherë krijues, ai nuk mund ta mendojë jetën pa punë, është një humanist i cili, duke ngritur lart flamurin e dinjitetit njerëzor dhe është gati për të sakrifikuar vetveten në luftë për lumturinë e njerëzimit. Borgjezia që është duke vdekur ka frikë nga ai dhe e urren, vetë ekzistenca e tij është mohimi i regjimit kapitalist. Ideologët e borgjezisë janë të gatshëm të shpifin në çdo mënyrë kundër tij”.
Ky është përkufizimi më i plotë në panoramën ndërkombëtare komuniste dhe jo më kot autorët shqiptarë e konsiderojnë atë si pikë fillimi të analizave të mëtejshme në farkëtimin e njeriut të ri shqiptar. Duke analizuar artikullin e studiuesit sovjetik, bie në sy fakti që qysh në fillim ai flet për suksese të jashtëzakonshëm të njeriut të ri duke folur për fabrika e për uzina, por asnjëherë (sic!) nuk jep referenca se në cilin vend kanë ndodhur këto suksese të mëdha.
Manipulimi, siç do ta shohim edhe në kapitujt e tjerë, e shoqëron përherë farkëtimin e figurës së njeriut të ri. Një tjetër element interesant që delnga ky artikull qëndron në faktin se ai pohon se njeriu i i ri është krijuar përfundimisht në Bashkimin Sovjetik. Ndërkohë që në revistën Rruga e Partisë” duket se ka një përpjekje të vazhdueshme për krijimin e kësaj figure dhe hera herës ka konfuzion dhe pohohet nga disa autorë se akoma nuk është krijuar, nga autorë të tjerë pohohet se është krijuar dhe duhet ta ruajmë nga “infeksionet e mbeturinave të së kaluarës”.
Në Bashkimin Sovjetik, formimit të njeriut të ri i jepej një rëndësi e jashtëzakonshme. Në vitin 1970, L. Brezhnjev, kryetar i Partisë Komuniste të BS pohonte:
“ … në raportin e paraqitur në Kongresin XXII të Partisë në vitin 1970, që njeriu sovjetik përbën rezultatin më kuptimplotë të gjashtëdhjetë viteve të fundit”.
Me termin “njeri sovjetik” kuptohet “njeriu i ri” dhe të dy termat në literaturën mbi këtë argument janë të barazvlefshëm. Megjithëse Brezhnjev flet për gjashtëdhjetë vitet e fundit duke iu referuar krijimit të kësaj figure, termin “njeri i ri” në kontekstin rus e gjemë para vendosjes së komunizmit. Atë e gjejmë shtjelluar në romanin Ç’të bëjmë të autorit rus Çernishevskij. Lenini, pasi kishte lexuar këtë roman ishte shprehur se kishte ngelur tërësisht i impresionuar. Megjithëse si term është përdorur akoma më herët nga një grupim politik misterioz para revolucionit i quajtur “Komiteti Qendror Revolucionar”.
*Materiali, siç është dorëzuar nga autori, ka qenë i shoqëruar me footnotes. Ato janë hequr nga redaksia për arsye teknike.