Nga Tema
UPDATE – Komuniteti ndërkombëtar në Shqipëri shpreh shqetësimin serioz për raportimin e papërgjegjshëm dhe diskriminues ne disa media mbi dhunën në familje, trafikimin si dhe grupet e tjera vulnerabël. Raportimi i fundit për strehëzat e viktimave të trafikimit dhe dhunës në familje, ka injoruar privatësinë, dinjitetin dhe të drejtat njerëzore të viktimave. Miratimi i mirëpritur i Ligjit Kundër Diskriminimit nga Parlamenti më 4 shkurt nënvizon se një situatë e tillë nuk mund të tolerohet.
Komuniteti ndërkombëtar vlerëson mbështetësit e shumtë në media të cilët përpiqen të sigurojnë raportim të lirë, të drejtë dhe etik. Ne inkurajojmë këta mbeshtetës te fuqishëm të vendosin standarte të larta në raportimin etik për veten dhe për kolegët e tyre.
Ne gjithashtu inkurajojmë institucionet shqiptare si Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit dhe Parlamentin që të ndihmojnë për të siguruar në media respekt për dinjitetin, privatësinë dhe të drejtat e individëve dhe familjeve që ndeshen me dhunë seksuale, emocionale dhe fizike.
Dhuna në familje dhe trafikimi njerëzor mbeten një problem i përhapur në Shqipëri. Të dhënat e fundit të publikuar nga INSTAT tregojnë se 50.6% e grave në Shqipëri kanë vuajtur nga abuzimi emocional, 31.2% kanë vuajtur nga dhuna fizike dhe 12.7 % nga abuzimi seksual; 57% e fëmijëve janë përballur me dhunë fizike. Trafikimi mbetet një çështje e fshehur brenda komuniteteve. Viktimat jo vetëm që vuajnë nga abuzimi fizik, por përballen dhe me përjashtimin nga komunitetet e tyre. Strehëzat janë shpesh të vetmet vende të sigurta për viktimat e abuzimeve. Këto strehëza dhe shërbimet mbeshtetese kanë rëndësi të jashtëzakonshme dhe duhet të mbrohen dhe ndihmohen sa më shumë që të jetë e mundur.
Media ka një rol thelbësor në luftën kundër qëndrimeve dhe barrierave në shoqërinë që toleron këto fenomene. Media që injoron, ose akoma me keq, që keqpërfaqëson situatën e viktimave të dhunës në familje apo trafikimit, jo vetëm që e rëndon ketë dhunë, por mund të bëjë dhe që viktimat të heshtin.
Një media e lirë dhe e pergjegjshme është përfaqesuese e një demokracie moderne europiane; ekzistenca e saj është një hap themelor në proçesin e integrimit Europian. Ne u bëjmë thirrje të gjithë perfaqesuesve të medias që të marrin me seriozitet rolin e tyre të rëndësishëm, të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe të lobojnë për mbrojtjen dhe respektin e vlerave, të drejtave dhe lirive themelore të shoqërisë.
Kjo letër e hapur dërgohet në emër të institucioneve dhe ambasadave te meposhteme ne Republiken e Shqiperise:
UNDP – Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri
UNIFEM – Fondi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë
UNICEF – Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët
IOM – Organizata Ndërkombëtare për Migracionin
Banka Botërore
ILO – Organizata Ndërkombëtare e Punës
ËHO – Organizata Botërore e Shëndetësisë
Ambasada e Mbretërisë së Hollandës
Ambasada e Zvicrës
UNFPA-Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë
Agjencia Austriake e Zhvillimit
Ambasada e Mbretërisë së Spanjës
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim
Shoqëria shqiptare ka rrëshqitur në krizë
Lajmit të tmerrshëm të një personi në Librazhd që qëlloi dje për vdekje nënën e tij, dhe plagosi të bijën e vogël, që donte të mbronte gjyshen, i është shtuar sot një tragjedi edhe më e rëndë. Një nënë e re, së bashku me beben e saj është hedhur nga tarraca e pallatit dhe kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ka ndodhur në Kavajë dhe bëhet fjalë për një nënë 22 vjeçare dhe të bijën 2 vjeçare.
Lajme të tilla po mbushin çdo ditë faqet e gazetave dhe lajmet televizive. Sinjali është tepër i rëndë, shoqëria është në krizë të thellë. Krimi në familje po bëhet i frikshëm. Varfëria dhe papunësia duken arsyet themelore të kësaj krize të thellë.
Ky viti nisi me dy vrasje të trefishta në një hark kohor të shkurtër.







