KOMUNISTI ISA MUSTAFA NUK E REFORMON LDK-në DHE AS NUK E PËRPARON KOSOVËN [1]

0
30

– Një analizë e vitit 2010, që ia vlen të ribotohet pasi flet edhe për aktualitetin e tanishëm që Isa Mustafa ia shkaktoi LDK-së dhe Kosovës –
Autori


Më datën 23 dhjetor 2010 në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë, në mjediset e Hotelit “GRAND” – Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar 21 vjetorin e themelimit. Këtë eveniment e shënuan edhe mediat kosovare të informimit, kurse Qendra për Informim e Kosovës e dha fjalimin e Isa Mustafës në mënyrë integrale duke e potencuar si autor të shkrimit vetë kryetarin e LDK-së, dr. Isa Mustafën.[2]

Shkruan: Shefqet DIBRANI


Para diplomatëve të akredituar në Kosovë, para funksionarëve, mysafirëve dhe shumë anëtarëve të tjerë, sipas rendit dhe “Kanunit partiak”, ka folur e përshëndetur njeriu që më së paku ka merita për LDK-në, pra kryetari i saj aktual, z. Isa Mustafa.

Ai tashti na rikujton se LDK-ja u “krijua në kohën kur kishte nisur shembja e një sistemi të egër, nga i cili kishin vuajtur shumë popuj në Evropën Juglindore, por vuajtjet më të mëdha i përjetoi populli ynë shqiptarë në Ballkan”[3]. Dhe kjo është mbase e vërtetë, pasi Isa Mustafa e di se ka qenë vetë komunisti i fundit që do t’ia kthente shpinën Qeverisë së përfolur të Jusuf Zejnullahut[4]. Por njerëzit e LDK-së sikur janë bërë harrestarë dhe durojnë çdo palaço t’u mbajë “derës”, sepse nuk ka gjë më fyese për elitën patriotike të LDK-së se sa t’u flasë Isa Mustafa.
Askush më mirë se LDK-ja nuk ka kultivuar patriotizëm nacional, ndjenja këto që janë sprovuar për vite të tëra, atëherë kur soldateska serbe bënte kërdinë mbi Kosovën dhe qytetarët e saj, në njërën anë, kurse në anën tjetër grupe titoiste në Kosovë shantazhonin përmes militantëve të tyre të infiltruar qoftë në LDK, e qoftë në Qeverinë e përkohshme në Ekzil, duke i kryer me besnikëri urdhrat e djallit të mallkuar, duke i satanizuar veprimet politike të LDK-së, dhe duke i bllokuar shumë procese të rëndësishme politike e diplomatike, që i bënte LDK-ja, po veçmas Presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova.
Kurse tani në këtë 21-vjetor, në cilësinë e njeriut të I në LDK, pikërisht dr. Isa Mustafa jo që ligjëron, po më shumë nënçmon dhe anashkalon personalitete me ndikim që themeluan LDK-në, nënçmon dhe i harron militantët ldk-ist që shkrinë jetën dhe kohën për të ardhur në këtë ditë. Por tmerri i këtij përvjetori mund të llogaritet nënçmimi dhe anashkalimi qoftë i djalit të Presidentit Historik të Kosovës Ukës, po më shumë injorimi i Familjes RUGOVA, pa prezencën e së cilës nuk duhej të fliste e mbllaçiste Isa Mustafa, e aq më pak të na tregonte se “LDK ja dhe lideri i saj, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, punuan pareshtur për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, duke proklamuar fuqishëm platformën e saj, e cila u bë program politik i popullit të Kosovës, për Liri, Pavarësi dhe Demokraci”[5].
Tani mund të pyetet publikisht dr. Isa Mustafa, në cilësinë e kryetarit të LDK-së, pasi e ka shansin historik të rrëfehet, dhe t’i qartësojë dilemat e politikës së tij antirugoviane që ka ndjekur gjatë gjithë mandatit të tij si Ministër i Ekonomisë dhe Financave në kohën kur President të Kosovës e kishte dr. Ibrahim Rugovën.
Pasi dr. Isa Mustafa po besuaka thellësisht se Ibrahim Rugova paska punuar për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, pikërisht në kohën kur ai ishte Ministër për Ekonomi dhe Financa në Qeverinë e Kosovës[6] në Ekzil duhet të tregojë pse ia patën rrudhur buxhetin, dhe pse patën bërë aq përpjekje për t’ia kufizuar të gjitha lëvizjet dr. Ibrahim Rugovës, madje duke e lënë disa herë nëpër aeroportet e Evropës Perëndimore, gjë që në atë kohë pikërisht kryetari i Degës së LDK-së në Zvicër z. H. Sadrija, u detyrua të mblidhte para nëpër anëtarësi për t’ia mundësuar Liderit Historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, që të vazhdonte Misionin e tij drejt ShBA-ve, për t’u treguar miqve të tij, për dhunën serbe në Kosovë e mbase të ankohej për kleçkat e pengesat që ia bënte pikërisht ky Isa Mustafa që tashmë po mbllaçit për vlerat e njëmendta të LDK-së dhe të “Njeriut Ibrahim!”, që askush më shumë për të gjallë nuk e ka urryer se sa Isa Mustafa dhe Bujar Bukoshi.
A nuk është për t’u trishtuar dhe për të lebetitur dhe për të të ardhur keq për mjerimin politik të LDK-së, a nuk e dinë liderët e kësaj partie se pikërisht dr. I. Mustafa bashkë me sivëllain e tij të madh, dr. B. Bukoshin janë fajtorët kryesor për mos hapjen e Zyrave diplomatike të Kosovës nëpër botë.
Ju lutem kthejeni kujtesën te skandali që pat plasur me Zyrën e Kosovës në Tiranë, pastaj me Zyrën e Kosovës në Bon, me ministrinë e Informatave. E tani z. Isa Mustafa e ka kohën të flasë pse nuk u lejua të hapej as Zyre e Kosovës në Uashington.
Kryesia e LDK-së të mos bëjë hajgare se ka ardhur kohë kur duhet t’i raportojë Kuvendit të LDK-së se çfarë e pengonte dr. Isa Mustafën diplomacia e Ibrahim Rugovës i cili të tëra shpresat i pat varur në Uashington, dhe është i vetmi njeri, (jo vetëm i LDK-së), që ia pat hapur dyert Kosovës nëpër të gjitha kancelaritë botërore.
U dashtë të ndodhte vdekja (i lutem Zotit jo e porositur?!), e Ibrahim Rugovës dhe sidomos të vinin në Kosovë personalitete me ndikim të fuqishëm botërorë, për të besuar ne se “Ai njeri ka qenë i shenjtë”, se për të gjallë kancerin në shpirt ia patën qitur (pos të tjerëve), edhe dr. Isa Mustafa me sivëllain e tij të madh, Bujar Bukoshin.
LDK-ja e mori verdiktin nga populli atë që e meritoi, sepse ky popull nuk e duron këtë kreaturë komuniste, e cila nuk arriti ta mashtrojë elektoratin e LDK-së me reformat e rreme, verdikt ky që nëse merr vesh Kryesia e LDK-së, elektorati i saj ia tregoi vendin e merituar, dhe nuk pi ujë mbllaçitja e dr. Isa Mustafës bashkë me ato të Lutës e autorit të dramës “Futa” se LDK-ja i paska marrë kësaj radhe mbi 40 mijë vota më shumë.
Kështu Lutfi Haziri është deklaruar edhe në zgjedhjet paraprake dhe ky refren nuk pi ujë më. LDK-ja ka mbetur në pozitën e njëjtë, ku moralisht dhe politikisht nuk ka të drejt, as të mendojë ta krijojë qeverinë, dhe as të mashtrohet për t’u futur në qeveri, e ruana zot të kërkojë zgjedhje të reja pa i bërë reformat partiake, dhe pa i shporrur të gjitha vemëzat e mbetjet e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë nga kjo parti, duke filluar me dr. Isa Mustafën i cili edhe ashtu është deklaruar se “nëse nuk i fitoj zgjedhjet unë do të jap dorëheqje”[7].
Dr. Isa Mustafa as në këtë përvjetor nuk arriti të flasë një fjalë të vetme nga ndonjë takim a kujtim që ka pasur drejtpërdrejt ndonjëherë në jetën e tij me dr. Ibrahim Rugovën, në kohën kur ai ishte i strukturave shtetërore që president e ka pasur dr. Ibrahim Rugovën. Madje dr. Isa Mustafa nuk arriti që në spotet e shumta televizive ta prezantonte qoftë edhe një fotografi të vetme që ka pasur dikur me dr. Ibrahim Rugovën, ashtu siç nuk prezantoi as edhe një sekuencë filmike kur ka marrë pjesë në kortezhin e gjatë në Kuvendin e Kosovës për t’ia dhënë edhe ai lamtumirën Presidenti historik të Kosovës. Këto detaje nuk mund të kërkohen nga një brez i ri që aspiron për politikë në radhët e LDK-së, por nga Isa Mustafa janë domosdoshmëri e kohës sepse ai i takonte kohës së Ibrahim Rugovës, dhe madje është ndër personalitet e rralla që ka pasur fatin të jetë Ministër kur Rugova ishte President Shteti, dhe ligjshmërish ka qenë i obliguar t’i respektojë urdhrat e Presidentit që tashmë po flet me pietet për të.
Tani dr. Isa Mustafa na kallxon se “Liria dhe Demokracia u arritën”[8], siç na kallëzoi se me të do të nisë një “LDK tjetër”?!… Po një gjë që dhemb edhe më shumë është e dhëna kur ai tashti thekson se “LDK ja ishte simbol i përkushtimit, punës dhe sakrificës së shqiptarëve në Kosovë dhe në diasporë”[9].
Ne nuk arritëm ta kuptojmë nëse Isai e kishte fjalën për atë diasporën që pikërisht ky, Isa Mustafa ia pat pirë gjakun, e pat satanizuar, qoftë duke ia lëshuar në qafë tagër mbledhësit e 3% që për diasporën luanin rolin e “poreznikëve” të dikurshëm, duke u bërë oponentë të padurueshëm brenda LDK-së, pastaj e di ai si ka punuar me sektorin e LAPSH-it në diasporë që u karakterizuan bashkë me Isa Mustafën si dy strukturat më kundërshtuese të mendimit demokratik që kultivonte LDK-ja.
Dr. Isa Mustafa asnjëherë nuk ka bashkëpunuar me LDK-në, kjo është një e vërtetë e madhe, ai në tubimet e LDK-së, më shumë ka marrë pjesë në cilësinë e xhandarit se sa të një Ministri që duhej të kishte një komunikim më qytetarë, dhe pak më qytetërues edhe me anëtarësinë e LDK-së, popullatë kjo e cila ishte e vetmja strukturë që paguante 3% dhe merrte përbuzjen e vazhdueshme nga kryetari i tanishëm i LDK-së dr. Isa Mustafa.
Kundërshtitë e Isa Mustafës ndaj konceptit politik të LDK-së do të manifestohen gjatë kohës së luftës ku bashkë me Bujar Bukoshin do ta qesin pothuajse jashtë loje ndikimin dhe kontributin e LDK-së, dhe në këtë plan do të pësojnë të gjitha strukturat ushtarake që besonin në Zot, në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe që njihnin jo vetëm si President të tyre dr. Ibrahim Rugovën, por atë e konsideronin edhe si Gjeneral të Armatës së Kosovës dhe të mbarë UÇK-së, sado që kjo gjë nuk u lejua kurrë të bëhej realitet, edhe pse të gjitha forcat politike dhe ushtarake në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ishin të obliguara ta njihnin dr. Rugovën si Gjeneral të tyre.
Konstatimi kaq i vonshëm i Isa Mustafës se LDK-ja ishte “shenjë njohjeje për botën demokratike”, vetvetiu të shtyn që t’ia shtrojmë një pyetje se ku ishte ky zotëri deri sa u bë kryetar i LDK-së(?) dhe pse nuk e kishte këtë qëndrim për dy dekada sa ka vepruar me dinjitet LDK-ja, dhe po ashtu shtrohet pyetja tjetër logjike pse Isa Mustafa nuk iu bashkëngjitë kurrë korit të këtij zëri kur e dinte se: “LDK ja u bë zëri i Kosovës në Evropë dhe në ShBA, zëri i kërkesës së drejtë të një populli për të qenë pjesë e barabartë e botës së qytetëruar, nga e cila ishte i privuar padrejtësisht”[10].
Por dihet se për gati dy dekada, ky zotëri ka mbajtur qëndrim jo vetëm indiferent por frenues për të gjitha proceset politike që kalonte LDK-ja, ashtu sikurse po të mos ishin pengesat që i bëheshin LDK-së nga Qeveria në Egzil të cilët tërë arsenalin financiar e kanë pas drejtuar në shkatërrimin e LDK-së. Këto fakte janë të njohura edhe për barinjtë e Kosovës, por pse nuk donë ta dinë Kryesia e LDK-së, këtë nuk mund ta kuptojmë. Të gjitha vizionet dhe projektet nacionale nisen me LDK-në, por dihet se në të gjitha këto procese nuk ka qenë i involvuar kurrë Isa Mustafa edhe pse ka pasur obligim kushtetues.
Ai ka të drejtë kur konstaton se “Programi i veprimit politik e nacional i LDK-së me kohë u përqafua nga i tërë populli i Kosovës dhe u bë program politik e nacional i Kosovës”[11], por askush nuk mund ta thotë saktë se prej cilës kohë ishte edhe për Isa Mustafën.
Dihet se të gjitha krijimet e sistemeve shtetërore që i thekson Mustafa janë punë dhe angazhim i pamohueshëm i veprimtarëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë, se “nën drejtimin e LDK-së u krijua sistemi i mëvetësishëm qeveritar, sistemi institucional i financimit, i arsimit, i informimit, i shëndetësisë, i sigurisë, i përkrahjes sociale, i sportit”[12], por është po aq e vërtetë se këta sektorë janë penguar dhe janë ndëshkuar nga inatet politike që i kishin dueti Mustafa&Bukoshi kundër dr. Ibrahim Rugovës dhe LDK-së në përgjithësi. E duke mos arritur ta mposhtnin dr. Ibrahim Rugovën që kishte marrë famë, ata arsenalin poshtërues e derdhnin kundër LDK-së, dhe mekanizmave[13] që themeloi LDK-ja, si dhe kundër veprimtarëve të kësaj Lëvizjeje Nacionale, nëpër vendet evropiane dhe më larg. Po aq cinike duken tashti deklarimet e tija se “Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetari i saj, dr. Ibrahim Rugova punoi në mënyrë të veçantë për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës”[14], kur i madh e i vogël e kanë ditur se pikërisht Ibrahim Rugova shantazhohej e përmbytej nga Qeveria e Kosovës në Ekzil[15] dhe sidomos binomi Bukoshi &Mustafa ose anasjelltas Mustafa&Bukoshi, por nuk e di sa e paskan ditur qoftë Fatmir Sejdiu që iku, e qoftë dr. Sabri Hamiti që mbeti, për të bërë atë që nuk e bëri Sejdiu. Po ashtu ka qenë e ditur se Presidenti historik dr. Ibrahim Rugova “i kishte dyert e hapura anekënd botës”, por kurrë nuk i ka pasur të hapura dyert në Qeverinë e vendit të Tij që e udhëhiqte Bukoshi dhe Mustafa. Se kjo është e vërtetë s’ka dyshim, në të kundërtën ata do ta jepnin ndonjë fotografi a sekuencë filmike që paskan pasur me dr. Rugovën apo që paskan pritur diku Kryetarin e Kosovës në Zyrat e Qeverisë: Madje Isa Mustafa nuk qe në gjendje të jepte qoftë edhe pamje filmike për një drekë a darkë pune që paska shtruar për dr. Ibrahim Rugovën, për të cilin tashti flet me pietet dhe me respekt kaq të lartë.
Ndonëse dihet se urtësia dhe mençuria e tij çau edhe gurin por kurrë nuk ua la shenjë as B. Bukoshit dhe as Isa Mustafës të cilët udhëhiqeshin nga “filozofia e vetë shkatërrimit”[16], duke bërë çmos, që filozofia e tij të mos shkëlqejë, sepse si duket shkëlqimi, përkatësisht suksesi i tij këtyre dy injorantëve politikë vazhdimisht ua verbonte sytë.
Të gjitha meritat për pasimin e të vërtetës në botë, i mbetën vetëm Ibrahim Rugovës, të gjitha arritjet ishin po ashtu meritë e tij, por nuk dihet nëse elita udhëheqëse e LDK-së ishte e vetëdijshme për krimin e ri që po i bën LDK-së me zgjedhjen e Isa Mustafës kryetar i LDK-së dhe tani ai po bën gallata, duke na u shitur “Engjëlli Mbrojtës” i demokracisë dhe mendimit politik jo vetëm në LDK, por madje iu ka mbushur mendja se pa të nuk mund të ekzistojë as Kosova.
Isa Mustafa e di se “me intervenimin e NATO-s në Kosovë më 1999, ndodhi saktësisht ajo që e kishte kërkuar për një dekadë Presidenti Rugova”, madje Mustafa me qëllim nuk e thekson, por ai e di se: “Presidenti Rugova e dinte fare mirë kush ishte edhe Bujar Bukoshi por e dinte fare mirë se kush ishte edhe Isa Mustafa”[17], dhe Ai si i madh që ishte pranoi ta bëjë Isa Mustafën Ministër për Ekonomi dhe Financa në Qeverinë e Kosovës[18], por Isa Mustafa si mistrec që ishte, u tregua i pamëshirshëm, duke mos pranuar as në këtë kohë, (që ishte bukur gjatë pas mbarimit të luftës) të afrohej afër dr. Ibrahim Rugovës, ndonëse kur i duhet i shkon te varri dhe përulet para kamerave televizive.
Nëse LDK-ja mendon se duhet ta udhëheq Kosovën atëherë duhet ta pastrojë oborrin e saj, por jo të presin këta si dhelprat deri sa t’i bien “koçet në tokë Hashim Thaçit” të cilat po i shkojnë varur nga babaxhanllëku e kapadaillëku strategjik që ka ditur ta sjellë, por Hashim Thaçi, jo që e ka lënë LDK-në dhe Isa Mustafën në opozitë, por me këtë avaz shkatërrues, LDK-në pas katër vitesh do ta sjellë në pikëpyetje për të kaluar pragun zgjedhor.
Kjo veprimtari kaq destruktive bëhet në saje të një komunisti i cili nuk njeh vlera morale dhe nuk mban as premtimin e dhënë, sepse ai është deklaruar në Kuvendin e LDK-së se “nëse nuk i fitoj zgjedhjet do të jap dorëheqje”[19].
Lojërat politike që bëhen tashti duke mos ia pranuar zgjedhjet PDK-së, kurrë nuk do t’i sjellin rezultate as Isa Mustafës e as LDK-së. E kuptojmë se ai bën çmos për të shantazhuar Kosovën vetëm sa për të mbetur në krye të LDK-së, por nuk duhet Kryesia e LDK-së, veprimtarët e shumtë dhe as elektorati të mashtrohet se gjoja me Isa Mustafën, LDK-ja paska shënuar ngritje për dyzet e sa mijë vota më shumë. Ai si një komunist i rryer që është, e di se ujku do mjegull, dhe mjegulla e krijuar në katërjavëshin para zgjedhjeve do të davaritet dhe të gjitha pështirosjet do të dalin në fushë, prandaj është mirë të shkojë ai sa më parë, se sa të presë deri sa të dalë ndonjë Parlamentar Evrope, e t’ia bëjë të ditura edhe Isa Mustafës të gjitha pisllëqet ekonomike, të gjitha bizneset që ai i kontrollon, qoftë edhe pasuritë e patundshme që mund t’i ketë shtuar nëpër zonat e Gallapit e vendet turistike që i ka Kosova.
Është mbase e vërtetë se “Presidenti Rugova arriti t’i krijojë miq e përkrahës Kosovës në çdo cep të botës”[20], por për të gjallë të tij nuk arriti ta bëjë mik të tij, as Isa Mustafën dhe as Bujar Bukoshin.
E, pse ka ndodhur bash kështu tashti mundet kryetari i LDK-së z. Isa Mustafa të rrëfehet e të shpjegojë para Kuvendit të LDK-së, kurse ai kuvend duhet të mbahet jo sa më shpejt siç do ai, por duhet të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme nëpër të gjitha nivelet e partisë për t’u ndryshuar komplet struktura që e pështirosi kaq shumë dhe kaq herë LDK-në.
Pasi të pensionohet kjo garniturë, dhe pasi LDK do të profilizohet, dhe posa t’i kthehet dinjiteti moral dhe politik i filozofisë rugoviane, atëherë udhëheqësit e rinj mund të shikojnë për mundësinë e zgjedhjeve të reja edhe në nivelin parlamentar, por Isa Mustafa të mos luaj me Kosovën për t’i ruajtur pozitën e tij.
Ai erdhi si reformator dhe nuk bëri asnjë reformë.
Ai premtoi fitore dhe nuk e realizoi.
Ai premtoi se do të japë dorëheqje dhe tani nuk do, por kërkon nga PDK-ja që të ketë mëshirë, e për nevojat mbase skizofrenike, ta çojnë Kosovën edhe një herë në krizë institucionale, sepse qenka “Lënduar procesi zgjedhor”, të cilin nuk po e mbrojmë, por shihet qartë se kjo ka të bëjë me konceptin e një komunisti të cilit iu ka kallur bishti, dhe për fajin e tij do ta kallë gjithë Kosovën.
Isa Mustafa po shpreson se me këto obstruksione do të mbijetojë, por duhet ta dijë se elektorati i LDK-së nuk është aq injorant sa ai po kujton, sepse mjegullën e rrejshme të një “reformatori i cili nuk ia doli të reformojë listën sipas pritjes së elektoratit”[21] do ta davarisë koha në të ardhmen e afërt, prandaj Isai nëse e do veten duhet t’i mbajë fjalët dhe të japë dorëheqje të menjëhershme dhe t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme partiake duke mos lejuar asnjë nga humbësit nëpër degë të kandidohet, kurse vetë me tërë suitën duhet të largohet nga Kryesia Qendrore e LDK-së.
Isa Mustafa është një demagogë i specializuar, sepse vetëm një demagog dhe një njeri pa ndjenjë morale, mund t’ua përmendë emrat vizionarëve të LDK-së siç ishin: ”Fehmi Agani, Xhemail Mustafa, Enver Maloku, Salih Çekaj, Latif Berisha, Agim Hajrizi, Shaban Manaj, Ukë Bytyçi, Ismet Rraci, Smajl Hajdaraj, Xhavit Ahmeti, Bardhyl Çaushi, Fadil Ferati”[22], dhe nuk flet Isa Mustafa për këto personalitete si miq dhe të njohur të tij, si bashkëveprimtarë e intelektualë që jetuan dhe u flijuan në kohën e Isa Mustafës, kur ky kridhej nëpër Evropë duke shantazhuar veprimin e tyre të mirë, veçmas po ia theksoj të Salih Çekajt[23] i cili ka pasur një rol specifik në krijimin e strukturave ushtarake të UÇK-së, nën organizimin e të cilit kanë qenë për t’u përgatitur në Shqipëri edhe Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti, dhe bashkë me ta edhe shumë e shumë komandantë e luftëtarë të tjerë, që edhe sot janë gjallë, dhe mund të flasin me përgjegjësi për pengesat që ua ka qitur Isa Mustafa si Ministër i Ekonomisë dhe Financave, nga buxheti i mbledhur me mbi 99%, vetëm nga aktivistët dhe veprimtarët e LDK-së.
Unë dhe qytetarët e Kosovës e kemi kuptuar që moti se Presidenti historik kishte ideale dhe ato ideale janë bërë realitet, por dua ta dijë cili ishte ideali i Isa Mustafës sa ishte gjallë dr. Ibrahim Rugova? Dhe shtrohet pyetja pse nuk i vjen turp ta zë në gojë emrin e tij, dhe pse nuk i frikohet Zotit kur shkon të përkulet te varri i tij. Por Isa Mustafa si komunist që është nuk njeh fe e as Zot, ai njeh ideale komuniste të cilat kanë qenë gjithmonë kundër interesit nacional dhe kombëtar të popullit tonë.
Dr. Isa Mustafa, ka sfida të mëdha para vetes, por ato sfida nuk mund të kalohen as me të e as me këtë garniturë të instaluar në Kryesinë Qendrore të LDK-së e cila nëse nuk është e njëjtë me strukturat mafioze që aludon Isa Mustafa, e garantoj unë se të gjithë nuk janë me duar të pastra. Prandaj as populli i Kosovës dhe as elektorati i LDK-së nuk do t’u besojë me këtë mënyrë udhëheqjeje e cila u tregua anemike dhe nuk ka qëllime ta nxjerrë nga kriza Kosovën, përkundrazi kjo kampanjë është e interesuar që një grupi të interesave të instaluar në Kryesinë e LDK-së t’ua plotësojë ambiciet për t’u pasuruar edhe më tej pa zgjedhur rrugë dhe mënyra.
Të gjitha premtimet e Isa Mustafës bien ndesh me realitetin në LDK, kjo tashmë dihet, pasi pikërisht kjo kampanjë ka qenë pjesë përbërëse e strukturave shtetërore që nga mbarimi i luftës dhe këtej.
Shembulli që ka dhënë LDK-ja është më i keqi që e jep një parti për vendin e vet. Reformat që u pritën nga Isai, ato i zhgënjyen anëtarët e Kuvendit VII, të nesërmen u zhgënjyen edhe anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe për pak ditë edhe elektorati i LDK-së i cili ishte i vetëdijshëm pse nuk doli në zgjedhje, sepse nuk donin agoninë e rrejshme t’ia zgjasnin një reformatori, po ashtu i rrejshëm, po më shumë nuk donin të zgjatej e trashej e keqja deri në absurd.
Dr. Isa Mustafa si kryetar dhe dr. Sabri Hamiti si nënkryetar i parë duhet të vetëdijesohen dhe t’i kthehen realitetit, dhe të mos e shkatërrojnë edhe më tej LDK-në. Ata pa asnjë diskutim duhet të japin dorëheqje të parevokueshme, dhe me ta duhet të ik edhe garnitura tjetër që përbëjnë atë kampanjën e veprimeve antidemokratike në LDK.
Por nëse me të vërtetë e ka përnjëmend Isa Mustafa se në Kosovë duhet për t’u fuqizuar sundimi i ligjit pasi qytetarët e meritojnë një qeverisje të pastër atëherë duhet ta dijë se do të jetë personi i parë nga LDK-ja që duhet të përballet me ligjin pasi ai mjetet e qeverisë i ka privatizuar në një fond privat, dhe bashkë me Bujar Bukoshin ka bërë hajgare me buxhetin e shtetit, mjete këto që bashkatdhetarët i kanë dhënë për Qeverinë e Kosovës por jo për fondin privat të quajtur “UFORK”, siç ka bërë Isa Mustafa bashkë me Bujar Bukoshin.
Ai duhet ta dijë se ligjet e reja nuk e pranojnë një veprim të tillë, sepse atëherë, shtrohet pyetja: Me sa miliarda duhet të ikë Hashim Thaçi, dhe a duhet edhe ai, ato para të buxhetit të shtetit t’i kthejë në ndonjë Fond privat siç ka bërë dikur Isa Mustafa me buxhetin e shtetit të Kosovës.
Këtë gjë është dashur ta analizojnë dhe studiojnë fort mirë Kryesia e LDK-së kur paskan menduar se dr. Isa Mustafa mund ta reformojë LDK-në, e mbase do të jetë me përmasa tragjike, nëse ndodh që edhe ky nga ndonjë post me rëndësi në Qeverinë e Kosovës, të detyrohet të shkojë “për shkelje të rënda kushtetuese” ashtu siç shkoi eprori i deritashëm i tij, z. Fatmir Sejdiu. Ndonëse shteti juridik[24] edhe tani duhet të kërkojë edhe nga dr. Isa Mustafa llogari për keq menaxhimin dhe privatizimin që ai ia ka bërë buxhetit të Qeverisë së Kosovës[25].
Kryesia e LDK-së nuk duhet të bëjë hajgare me partinë, por sa më shpejtë ta pyesin Gjykatën Kushtetuese nëse i lejon Isa Mustafës luksin për shpërdorim të buxhetit të shtetit, dhe ta pyesin po atë gjykatë edhe për njëfarë “Huaje popullore” që Isa Mustafa, bashkë me Bujar Bukoshin e kanë vjel dikur në diasporë në emër të Qeverisë për ta ndihmuar Luftën e Kosovës. Çeçe këto me vlerë, e që janë me mijëra sish në duart e qytetarëve të Kosovës dhe që presin vazhdimisht nga dr. Isa Mustafa se do t’i mbajë premtimet dhe betimet që ua jepte në atë kohë bashkatdhetarëve nëpër Evropë. Por premtimet e Isa Mustafës ngjajnë me ato që i ka thënë se “nëse nuk i fitoj zgjedhjet do të jap dorëheqje nga posti i kryetarit të LDK-së”, pasi dihet se Isa Mustafa është i njohur për këso spekulimesh, por të shpresojmë se shteti ligjor[26] i Kosovës, mbase një ditë do të merret edhe më këto gjëra të Isa Mustafës, dhe po ai shtet të gjejë mënyra se si duhet t’ua kthejë borxhin qytetarëve të saj. Prandaj themi se dr. Isa Mustafa duhet sa ma shpejt t’i pastroj së pari duart e veta nga këto përgjegjësi e pastaj të kërkojë edhe nga të tjerët për duar të pastra, sepse Isa Mustafa e di se “nëse është hëngër pitja, ka mbetur tepsia”.
Me të vërtetë shteti duhet të udhëhiqet nga ata që kanë marrë besimin e qytetarëve ashtu sikurse që duhet një kryetar partie të zgjidhet në krye të partisë duke i kaluar të gjitha rregullat partiake, dhe madje duke e bërë një stazh pune si përvojë në atë parti, madje, madje do të ishte mirë që e kaluara e tij të ishte më e pastër se sa ajo që ka pasur Isa Mustafa qoftë në Qeverinë komuniste të Jusuf Zejnullahut ose në Qeverinë kontroverse të Bujar Bukoshit.
LDK-ja ka qenë gjithmonë parti e hapur ndaj ideve përparimtare, por guximi i saj jo rrallë ka qenë i marrëzishëm, dhe kjo mund të lidhet pikërisht me zgjedhjen e dr. Isa Mustafës kryetar i LDK-së, edhe pse nuk e ka merituar edhe pse sa ishte gjallë dr. Ibrahim Rugova ai ka qenë kundërshtar i pa kompromis, jo vetëm i koncepteve por edhe qenies së tij fizike[27]. Kurse në strategjinë e tij për të ardhmen e LDK-së ai shprehet se LDK-ja si “parti moderne e qendrës së djathtë, me vend tashmë të nderuar ndër Partitë Popullore Evropiane”[28], por në doktrinën komuniste të Isa Mustafës ka mbetur fjala ”popull”, pa dalluar se gati të gjitha “Partitë Popullore në Evropë” i takojnë të majtës ekstreme dhe kritikohen vazhdimisht.
Ndër shakat më të mira të këtij “shakaxhiu?!” është thirrja e Tij që ua bëri të gjithë veprimtarëve të LDK-së, të cilët për arsye të ndryshme aktualisht nuk janë pjesë e LDK-së, “të rikthehen në familjen e tyre të madhe dhe ta fitojmë betejën që kemi përpara”[29], duke theksuar se “dera e LDK së do të jetë një portë e hapur për të gjithë ata që e duan Kosovën e prosperuar dhe dinjitoze”[30], por ka harruar se elektorati i LDK-së dhe populli i Kosovës e dinë mirë se si veproi Isa Mustafa me elitën intelektuale në Këshillin Qendror, pastaj ai mendon se populli ka harruar se si veproi me Djalin e Presidentit Historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, pastaj me Familjen Rugova, kujton Isa Mustafa se elektorati dhe populli harron se si ka vepruar ai me “Listën Dr. Ibrahim Rugova”, me LDD e të tjera, dhe ai mendon se elektorati dhe populli demokratik i LDK-së, nuk e di se dr. Isa Mustafa në emër të LDK-së është dashur t’i privilegjojë të gjithë, jo më shumë por as më pak, se sa e ka privilegjuar një organizatë joqeveritare të quajtur “ORA”, që botërisht dihet se ishte një mbetje e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, që e përbënin nostalgjikë dhe bijë e bija funksionarësh të lartë federativë, të cilëve Isa Mustafa ua dhuroi dy vende në Kryesinë Qendrore të LDK-së, dhe flet për procesin më demokratik që e ka mbajtur ndonjë parti politike, duke i sugjeruar edhe partitë e tjera të marrin shembullin e tij.
Me një fjalë, reformat e Isa Mustafës kanë rënë ndesh me premtimet e tij dhe ai nuk e nxori LDK-në nga kriza, përkundrazi e thelloi krizën në LDK. Prandaj mund të themi lirisht se këto që i theksuam janë vetëm disa nga arsyet pse themi se Isa Mustafa as nuk do ta reformojë LDK-në dhe as nuk do ta përparojë kurrë Kosovën.
Ai duhet të shkojë sa më parë nga LDK-ja, sa më shpejt dhe pa asnjë diskutim është më mirë. Bile bashkë me të edhe klani për rreth tij i cili është e keqja më e keqe e LDK-së dhe e Kosovës në përgjithësi[31].

Zvicër/ St. Gallen, 24 dhjetor 2010.

*Botuar: “SHQIPËRIA ETNIKE” – janar 2011.
– Internet: http://filolet.com
– https://www.facebook.com/notes/186598624686164/
– http://www.noa.al/…/isa-mustafa-nuk-e-reformon-l…/31565.html
– http://www.radiokosovaelire.com/archive.php?nav=40%2C1&id=11
– Shefqet Dibrani: “11 MINUTA PARA ORËS ’00”, Prishtinë 2011. faqe 347 – 367.