Kompleksi i përdhunuesit

0
21

Nga Mero Baze

Ajo që po ndodh me debatin e shpikur nga Berisha mbi dialogun e nevojshëm me opozitën pas zgjedhjeve të 8 majit, i përngjet kompleksit që kanë përdhunuesit ndaj opinionit publik. Pasi ka grabitur mandatin e Tiranës, pasi ka humbur përfundimisht standardin e zgjedhjeve, pasi ka humbur mbështetjen e Perëndimit për standardin e zgjedhjeve, pasi ka marrë kritika të qarta nga Bashkimi Evropian dhe SHBA për zgjedhjet në Tiranë, pra, përfundimisht pasi është shpallur përdhunues, Sali Berisha kërkon të ulë me zor në tavolinën e tij opozitën dhe t’i thotë ‘bëj sikur flet me mua se na shikojnë bota dhe më akuzojnë që të kam përdhunuar’. Vetëm një njeri që vuan nga ky kompleks mund të guxojë t’i kërkojë opozitës së përdhunuar në këto kushte dialog dhe ulje në tavolinë për “të mirën e Shqipërisë”, e cila rrezikon të zhytet në humnerë nga përdhunimi i zgjedhjeve prej Sali Berishës.

Rritur me idenë se poshtërimi përmes përdhunimit është hapi i parë drejt nënshtrimit, Sali Berisha mendon se ka ardhur koha që pasi e ka poshtëruar opozitën me grabitjen e mandatit të Tiranës për një manekin të tij, është koha ta nënshtrojë atë dhe ta kthejë në një kone që ta ndjekë atë nga pas e frikësuar. I formuar me një kulturë sundimi me çdo mjet, ai ka gjithë tiparet psikologjike të një përdhunuesi, që mendon gjithmonë se viktimat pasi janë përdhunuar s’kanë më të drejta dhe arsye të kërkojnë dinjitetin e tyre.

Me logjikën me të cilën ai po përpiqet të veprojë tani, ai e mirëkupton faktin që e ka përdhunuar opozitën, dhe po flet për mos kthim koke mbrapa, për “të ardhmen e Shqipërisë” apo broçkulla të tjera. Kjo do të thotë se në mendjen e tij ideja se opozita e përdhunuar është një opozitë e nënshtruar, është një ide fikse dhe spontane që i buron nga formimi i tij. Ai e shikon opozitën siç do ta shikonin në fshatin e tij një vajzë të çnderuar në një pyll afër Viçidolit, që pasi e ka përdhunuar një “Berishë”, s’mund të ngrejë më kokën në fshat dhe të thotë kam të drejtat e mija.

Një tjetër kompleks që duket se sundon sjelljet politike të Berishës pas përdhunimit të 14 majit, është e ardhmja e fëmijës ilegjitim që ka dalë nga ky përdhunim. Lulëzim Basha, me gjithë tiparet e një “kopili” të dalë në jetë nga përdhunimi i 14 majit, po i krijon atij probleme brenda familjes politike si një fëmijë i jashtëligjshëm. Për t’i forcuar autoritetin ai po përpiqet t’i japë pjesë nga pushteti politik brenda PD-së, gjë që ka nervozuar dukshëm pjesëtarët normalë të familjes politike. Por, kompleksi i Berishës ndaj fëmijës kopil është aq i madh sa është gati të përmbysë gjithçka për t’i siguruar atij qetësinë e humbur që i vjen nga fakti që është një fëmijë kopil i këtyre zgjedhjeve.

Meqë lindjen e kryebashkiakut të ri nga përdhunimi i 14 majit nuk e ka uruar askush, përkundrazi e kanë mallkuar të gjitha institucionet perëndimore, Berisha kërkon të prodhojë një institucion ku Lulëzim Basha të mos ndjehet fëmijë kopil, por djalë natyral. Ky institucion sipas tij duhet të jetë PD-ja, atje ku Lulëzim Basha tashmë është thjesht një emër që nervozon të gjithë. Berisha po përpiqet të formojë një kor brenda PD-së dhe në mediat e rreshtuara pas Bashës, që të këndojnë për lindjen e kryebashkiakut të ri, por duket siç thonë në malësi “asnjë punë s’po i këndon”.

Por kompleksi më i qartë si përdhunues po i shfaqet tek makthi dhe xhelozia me të cilën ndjek hapat e viktimës së tij drejt dinjitetit. Nëse e vini re, ai komenton çdo gjë që bën opozita, çdo kërkesë të saj, hesht për çdo mbështetje ndërkombëtare për të, kontrollon shtypin të zhdukë çdo deklaratë të Brukselit apo SHBA për përdhunimin e Tiranës, dhe mbi të gjitha kërkon të flasë për normalitet dhe dialog me viktimën. Është fiks në momentin kur ka frikë se mos dikush troket në zyrën e tij dhe zyrtarizon akuzën për përdhunim.

Është fiks në momentin kur edhe pse është i bindur se fshatin e ka tredhur dhe njerëzit nuk i ha shumë meraku për dinjitetin e grabitur prej tij, sërish ka një dyshim se mos viktima ngjall më shumë simpati se përdhunuesi. Ky dyshim po i rritet dita- ditës ndaj po nxiton të duket se e respekton atë, të tentojë të jetë i barabartë, të ulet në një tavolinë me të, të flasin për paqe dhe Bashkimin Evropian, të flasin për të mirën e Shqipërisë… Fiks për ato arsye për të cilat nuk duhet të përdhunonte zgjedhjet dhe mandatin e kryetarit të opozitës.