
Rexhep Meidani, 21.05.2010
Ndërprerja e grevës së lirë, me kontributin e saj të madh në shërbim të rritjes së ndjeshmërisë qytetare ndaj procesit zgjedhor dhe votës së lirë, ishte një ngjarje çliruese për mjedisin politik, social-ekonomik e kulturor shqiptar. Por, ama, në këtë çlirim mbetej përsëri diçka shqetësuese dhe e pakëndshme në sedrën qytetare dhe dinjitetin institucional. Ishte Strasburgu që impononte takimin e dy liderëve politikë shqiptarë, ishte ai, që nëpërmjet një “darke pune” mundësonte dialogun, pse jo dhe ofertën e zgjidhjes, në prani apo nëpërmjet drejtuesve të grupeve kryesore parlamentare evropiane.
Pra, nuk mjaftonte Tirana, as institucionet shqiptare dhe mbi të gjitha as institucioni i Kryetarit të Shtetit, që sipas Kushtetutës “përfaqëson unitetin e popullit”. (neni 86, 1). A nuk mishëron një gjë e tillë një kompleks inferioriteti ndaj të huajve dhe po ashtu, a nuk reflekton e dëshmon kjo se “piedestali” kushtetues është thjesht retorikë për drejtuesit e partive kryesore, por jo themel e bindje për veprim politik e institucional?!…
Kompleksi i inferioritetit
Parë në një plan individual, kompleksi i inferioritetit është një mungesë sigurie, një mosbesim ndaj vetvetes dhe kapaciteteve personale, një ndjenjë e lidhur ngushtësisht me reagimin, veprimin e sjelljen e ndrojtur, deri të përulur, para një individi të dytë apo një strukture të dhënë. Madje, në këtë kuptim, origjina e tij ka të bëjë si me një situatë konkrete, ashtu edhe të imagjinuar, si të thuash një kombinim midis imagjinimit dhe aktualitetit, pasigurisë e ndrojtje-përulësisë.
Jo rrallë, me kompleksin e inferioritetit lidhet dhe statusi social, pushteti, egoja e dominimi, sidomos kur gjykohet se të tjerët janë më të mirë se ju. Po të mos ishte ky kompleks i tillë kudo në botë nuk do të ndodhte që disa miliardë njerëz ta manifestonin jo pak këtë kompleks edhe në ditët tona. Bile, si i tillë ai shpreh ende një plagë psikologjike të shoqërisë së sotme. Por, edhe mungesa e një standardi minimal kulture, analize e argumentimi e favorizon këtë kompleks. Sidomos në fushën politike!…
Kompleksi i inferioritetit, më shpesh i pandërgjegjshëm, shpreh një mënyrë konkrete kompensimi të turbullimeve të brendshme dhe të jashtme, një pamundësi reflektimi e ”brejtje” të brendshme, pse jo edhe frikë, për gabime apo veprime korruptive në veprimtarinë individuale e kolektive. Si i tillë, kompleksi i inferioritetit mund të shfaqet dhe si një gjendje e avancuar e dekurajimit, të mishëruar në mënyrën e reagimit dhe sjelljes, mënyrës së kalimit të vështirësive, luhatjeve nga një pozicionim në tjetrin, nga një tension e trysni e brendshme, të mbuluar me “kapërdisje” të jashtme force, etj.
Pa u marrë me klasifikimin “adlerian” të kompleksit primar apo atij sekondar të inferioritetit, që lidhet me individin dhe përvojën e tij (nga fëmijëria në një moshë madhore), në rastin e sjelljen dhe veprimit politik, në nivel partiak apo qeveritar, ky kompleks shpreh, po ashtu, sa një kokëfortësi e refuzim, po aq edhe pasiguri subjektive dhe mosbesim të ndërsjellë në arritjen e një qëllimi përfundimtar. Në thelb, mosarritja e qëllimit, distanca e konsiderueshme prej objektivit të përcaktuar, shumë shpesh çon në një pozicionim të tipit negativ, të veshur me “trimëri” të shtirë dhe retorikë të ashpër, duke rënë gradualisht në një përsëritje spontane dhe të pandërgjegjshme, brenda një rrethi vicioz qëndrimi, deklarimi e sjelljeje.
Madje, dhe duke rënë në “pakujdesi”, nga njëra anë me boksim “të altoparlantëve ambasadorakë apo të ambasadorëve autoparlantë” dhe nga ana tjetër, me turrje joetike ndaj të kujto që nuk mendonte ndryshe. Por, dhe një sjellje e tillë mishëron dhe vetë psikozën e kompleksit të inferioritetit, ku pjesë jo e vogël e tij është kompleksi i të huajit. Shqetësuese janë kufizimet mendore, krijimi i “situatave neurotike”, që cenojnë përballimin e suksesshëm të vështirësive, kapërcimin e hezitimeve e mosbesimeve, aq më tepër kur në vend analizës së detajuar dhe performancës, ndeshet qejfmbetja, emocioni e retorika!…
Do të gënjehej gjithsecili, nëse do të thuhej se ky kompleks është vetëm në mendje. Pra, mjafton të ndërpritet ky lloj të menduari inferior për t’i kapërcyer aspektet konkrete të tij. Por, nuk është kështu në praktikë. Në mënyrë të veçantë në politikë!…
Kompleksi i të huajit
Për çështjen e mishëruar në titullin e këtij shkrimi, kam shkruar në mënyrë të ngjashme dhe shumë vite më parë në një të përditshme. Në atë kohë titulli i shkrimit ka qenë thjesht “Kompleksi i të huajit” (“Korrieri”, 6 prill 2003). Aty, pa pretenduar për të analizuar historinë tonë nga periudha e lashtë ilire tek pushtimet e mëvonshme romake, në perandorinë bizantine dhe më tej në atë osmane, aradhat sllave apo pushtimet e tjera më kohëshkurta, paralelisht me kryengritjet e luftërat e vazhdueshme vetëmohuese të të parëve tanë për liri e pavarësi, flitet dhe për përpjekje të pandërprera nga pushtuesit për të “farëzuar” në popullsinë tonë embrionet e kompleksit të inferioritetit. Ende sot nuk e kemi çrrënjosur ndikimin e tij brenda individit e shoqërisë.
Madje, kompleksi inferioritetit ka vazhduar të shfaqet jo vetëm ndaj të huajve, por edhe ndaj komandantit, “prijësit” e shefit të klanit, në mënyrë të veçantë në kuadër të një sistemi të mbyllur dhe të izoluar. Sot, normalisht, pas shumë vite përpjekjesh për zhvillim të lirë e demokratik, në një sistem të hapur, edhe pse tingëllon si shumë artificiale, kompleksi i inferioritetit është ende i fuqishëm, diku me shfaqje të drejtpërdrejtë, diku në trajtë të kamufluar, si shprehje interesash nga më të ndryshmet. Akoma më i theksuar vazhdon të mishërohet ai në gjirin e politikës!…
Në mënyrë të natyrshme, çdo ditë e më shumë qytetari i thjeshtë shqiptar, pavarësisht vështirësive aktuale të tranzicionit, në një kontakt shumë më të gjerë e dinamik me botën e përparuar, dhe në mënyrë më të veçantë të rinjtë shqiptarë, që sot po arrijnë rezultate shumë të larta në universitete të huaja; artistët, sportistët, shkencëtarët, intelektualët e specialistët e çdo fushe, por dhe biznesmenët e suksesshëm, kanë manifestuar partneritet e konkurrencë dinjitoze, deri dhe epërsi, në shkallë ndërkombëtare dhe janë shkëputur tërësisht në sajë të aftësive, kapaciteteve, talentit, punës e kurajës së tyre, nga kompleksi i të huajit. Madje nga ata është kuptuar më së miri se zhvillimi e demokracia, ecja e përgjithshme nuk “lypen, huazohen e importohen”, por ndërtohen prej vetë qytetarëve, me punën e sakrificat, me vetë ndërgjegjësimin e brendshëm dhe emancipimin shoqëror të tyre.
A nuk ekzistojnë mundësi të tilla, në një sistem të hapur, edhe për politikën apo për shumë nga institucionet e prodhuara prej saj, që të shkëputen nga ky kompleks i të huajit, që të jenë sa më pak ose aspak inferiore e “peqelepe”, as të zhytura në servilizëm. Pra, janë të gjitha kushtet e nevojshme për partneritet real. Politika shqiptare dhe institucionet e saj duhet të jenë plotësisht partnere e denjësisht të barabarta në veprimtarinë e tyre në kuadër të reciprocitetit dhe binomit të sovranitetit të ndërvarur dhe të ndërvarësisë sovrane, në shërbim të qytetarit shqiptar dhe problemeve madhore, që ende e preokupojnë atë, në funksion të ardhmërisë së tij të plotë në gjirin e familjes evropiane. Ndërkohë, për fat të keq, ne shohim ende të kundërtën e pakëndshme, gati çdo ditë në ekranet tona, në joreciprocitetin e aspektet protokollare, në referimet e interferencat e pajustifikueshme, në fjalët dhe sjelljen tepër inferiore e servile të drejtuesve politikë e partiakë…
Me të drejtë, shtrohet pyetja: Si shpjegohet ky kompleks inferioriteti tek politika, sidomos ajo qeverisëse? Mos vallë mungon aftësia e qartësia, mungon kuraja e energjia, apo ka arsye më të thella, ndonjëherë mjaft më shqetësuese, siç janë manipulimi, politik-zgjedhor, korrupsioni, shkeljet ligjore e kushtetuese, etj.? Si shpjegohet që mundësitë janë normale për dialog e bashkëpunim midis liderëve politikë antagonistë para të huajve apo nëpërmjet të tyre, dhe nuk ekziston as dëshira më e vogël e forcave politike të anëve të kundërta për të gjetur zgjidhjet e duhura pa një ndërhyrje të tillë. Aq më keq kur drejtuesit e tyre refuzojnë ofertën kushtetuese të kryetarit të shtetit dhe i binden me turravrap “fishkëllimës darkore” të Brukselit apo Strasburgut!…







