Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe Reporterët pa Kufij: Të ndëshkohen agresorët

0
36

Nga Tema

Dy nga organizatat lider në botë për mbrojtjen e lirive të gazetarëve kanë dënuar me forcë sulmin e dhunshëm ndaj gazetarit Mero Baze.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe organizata Reporterë pa Kufij në Francë bënë apel që autoritetet shqiptare të japin një sinjal të qartë duke dënuar autorët e kësaj dhune.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, që para disa vitesh e futi kryeministrin, Sali Berisha, në listën e 10 armiqve më të mëdhenj të shtypit, publikoi që të mërkurën në mbrëmje një qëndrim në lidhje me ngjarjen e rëndë.

“Ne e mirëpresim dënimin që kryeministri Berisha i bëri sulmit ndaj kolegut tonë, Mero Baze”, – tha zëvendësdrejtori i KMG, Robert Mahoney. “Ne kemi besim se policia do ta dëgjojë këtë dhe do t’i dërgojë agresorët para drejtësisë. Autoritetet duhet të dërgojnë një sinjal të qartë se dhuna ndaj gazetarëve nuk do të tolerohet”.

KMG bëri të ditur në deklaratën e saj se ajo i ka dërguar një e-mail edhe Taçit për të reaguar për ngjarjen në fjalë, por ai nuk kishte kthyer përgjigje.

Megjithatë, ditën e djeshme Taçi ka kthyer një përgjigje, duke bërë që Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve të publikojë një deklaratë të plotësuar me qëndrimin e tij se ai nuk ka sulmuar gazetarin Mero Baze. KMG i ka bërë thirrje në fund Taçit se ai duhet të bashkëpunojë me drejtësinë që autorët të përgjigjen ligjërisht.

Ndërsa organizata Reporterë pa Kufij, që para pak ditësh e renditi Shqipërinë të fundit në rajon për lirinë e medies, me një përkeqësim të ndjeshëm në krahasim me vitin e kaluar, tha se ishte e shokuar me ngjarjen.

“Ky përdorim dhune është i patolerueshëm”, – bëri të ditur Reporterë pa Kufij. “Kjo tregon se këta biznesmenë, që janë të lidhur me qeverinë, mendojnë se janë të plotfuqishëm dhe se nuk kanë përgjegjësi për veprimet e tyre. Ne e vlerësojmë dënimin e këtij sulmi nga klasa politike dhe reagimin e shpejtë të policisë, çka sugjeron se ka një vullnet për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.”

Më poshtë vijojnë deklaratat e plota të këtyre organizatave.

* * *

Botuesi shqiptar sulmohet pas shkrimeve investigative
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve
4 nëntor 2009

Agresorët goditën keq Mero Bazen, drejtorin e gazetës së pavarur “TemA” dhe drejtuesin e emisionit televiziv “Faktori Plus”, të hënën në një bar në kryeqytetin Tiranë, sipas raportimeve të shtypit. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve dënon sulmin dhe iu bën thirrje autoriteteve të çojnë para drejtësisë agresorët.

Mero Baze humbi vetëdijen pas sulmit dhe u dërgua në spital gjatë natës, sipas shtypit. Ai doli nga spitali të martën në mëngjes.

Balkan Insight, publikim online i rrjetit raportues investigativ ballkanik, BIRN, tha se sulmi ndaj Bazes kishte dëshmitarë të zotët e barit, përfshirë dy kolegë që ishin ulur me gazetarin. Duke cituar burime të shtypit vendas, Balkan Insight raportoi se biznesmeni Rezart Taçi dhe katër truprojat e tij goditën gazetarin dhe pastaj u larguan nga bari. Në një deklaratë për një televizion lokal, Taçi tha se ai ishte i pranishëm gjatë sulmit, por nuk u përfshi në të.

Besar Likmeta, kryeredaktor shqiptar për BIRN, i tha Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve se Baze ka botuar një seri shkrimesh që akuzojnë biznesmenin për shmangie fiskale dhe kritikojnë autoritetet se nuk kanë vepruar ndaj tij. Baze gjithashtu i ka diskutuar këto akuza edhe në “Faktorin Plus”, një emision që transmetohet në televizionin e pavarur, Vizion Plus. Një e-mail i dërguar nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve të mërkurën dy kompanive të biznesmenit, “Taçi Oil” dhe ARMO, për të kërkuar përgjigje për akuzat për shmangie taksash dhe komente për sulmin, nuk mori përgjigje.

Të martën, kryeministri Berisha dënoi sulmin dhe bëri thirrje që policia të dërgojë para ligjit agresorët. Policia njoftoi se ajo ka ndaluar dy të dyshuar, i tha Likmeta KMG.

“Ne e mirëpresim dënimin që kryeministri Berisha i bëri sulmit ndaj kolegut tonë, Mero Baze”, – tha zëvendësdrejtori i KMG, Robert Mahoney. “Ne kemi besim se policia do ta dëgjojë këtë dhe do t’i dërgojë agresorët para drejtësisë. Autoritetet duhet të dërgojnë një sinjal të qartë se dhuna ndaj gazetarëve nuk do të tolerohet”.

Kjo nuk është hera e parë që Baze sulmohet për shkak të shkrimeve dhe punës së tij si gazetar, tregojnë të dhënat e KMG. Në janar, policia e Tiranës ndaloi stafin e gazetës “TemA” të hyjë në redaksinë e saj, duke zbatuar një vendim qeverie të dhjetorit 2008 për të nxjerrë gazetën nga zyrat në pronësi të shtetit. “TemA” më pas u largua.

* * *

Sulmi në Tiranë sjell reagime të shpejta nga botuesi dhe biznesmeni

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve

5 nëntor 2009

Lajmi në lidhje me sulmin mizor ndaj botuesit Mero Baze solli dhe reagime përmes e-mail-it, si nga viktima, ashtu dhe nga biznesmeni i akuzuar për sulmin. Baze thotë se ai po e merr veten, por ka dhimbje koke.

Ai gjithashtu bëri të ditura dëshmitë e raportuara që e identifikojnë Rezart Taçin, një drejtues në kompanitë vendase të naftës, si të përfshirë në sulm. Taçi, që na u përgjigj përmes njërës prej kompanive të tij, hodhi poshtë përfshirjen në sulm.

Duke cituar dëshmitarët, shtypi vendas raporti se Taçi dhe disa truproja të tij goditën Bazen, botues i të përditshmes “TemA” dhe drejtues i emisionit televiziv “Faktori Plus”, duke e lënë pa ndjenja në një bar në qendër të Tiranës, të hënën në mbrëmje.

Baze ka transmetuar së fundmi një seri raportimesh, duke akuzuar biznesmenin për evazion fiskal dhe kritikuar autoritetet për mosveprim. Më herët, të hënën në mbrëmje, gazetari e kishte ngritur çështjen në programin e tij televiziv.

Baze, që u shtrua në spital gjatë natës që pasoi sulmin, i tha KMG se ai është nën mjekim dhe se gjendja e tij do të monitorohet për dy javë. Ai tha se mjekët nuk presin dëme të gjata.

Duke kujtuar sulmin, Baze thotë se, “biznesmeni erdhi drejt tavolinës ku isha ulur me dy kolegë. Ai nisi të shajë dhe të më ofendojë dhe më pas më goditi. U përpoqa të tërhiqem pas dhe të mbroja veten, por vura re se isha rrethuar nga truprojat e tij. Mbeta pa ndjenja pas disa minuta goditjesh dhe, kur u përmenda, ata ishin larguar.”

Në një e-mail, dërguar nga një llogari e “Taçi Oil International”, Taçi tha: “Hedh poshtë akuzat se kam marrë pjesë në sulmin e dhunshëm që i shkaktoi shumë plagë zotit Baze. Jo vetëm që mohoj pjesëmarrjen time, por gjithashtu dënoj dhunën që shpesh dëmton shoqërinë tonë moderne.”

Ai gjithashtu hodhi poshtë akuzat për evazion fiskal e shtoi se ato po bëhen për të dëmtuar biznesin e tij. Ai garantoi se po thoshte të vërtetën.

Autoritetet shqiptare dënuan sulmin, dhe policia raportoi se kishte arrestuar dy persona. Ne shpresojmë që Taçi dhe të tjerët të bashkëpunojnë me hetimin zyrtar dhe që autoritetet të sjellin autorët përpara drejtësisë.

* * *

Të shokuar nga agresioni ndaj gazetarit
Reporterët pa Kufij
5 nëntor 2009

Reporterët pa Kufij janë të shokuar, pasi mësuan se botuesi Mero Baze u rrah barbarisht nga një biznesmen proqeveritar dhe dy truprojat e tij, tri ditë më parë. Qindra demonstrues u mblodhën jashtë zyrave të kryeministrit shqiptar në Tiranë për të protestuar kundër përpjekjeve të vazhdueshme për të terrorizuar gazetarët në Shqipëri.

“Ky përdorim dhune është i patolerueshëm”, – bëri të ditur Reporterë pa Kufij. “Kjo tregon se këta biznesmenë që janë të lidhur me qeverinë, mendojnë se janë të plotfuqishëm dhe se nuk kanë përgjegjësi për veprimet e tyre. Ne e vlerësojmë dënimin e këtij sulmi nga klasa politike dhe reagimin e shpejtë të policisë, çka sugjeron se ka një vullnet për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.”

Organizata e lirisë së medies shton: “Fakti që personat e përfshirë në këtë incident janë të mirënjohur duhet të ndihmojë njerëzit që të ndërgjegjësohen për problemin dhe të inkurajojnë një debat në lidhje me situatën e lirisë së shtypit në Shqipëri.”

Baze, që boton gazetën kryesore “TemA” dhe prodhon dhe emisionin investigativ televiziv, “Faktori Plus”, u sulmua dhe u dhunua rëndë nga biznesmeni Rezart Taçi dhe dy nga truprojat e tij rreth orës 11 të darkës, më 2 nëntor. Pas sulmit, Baze u dërgua pa ndjenja në spital.

Truprojat u arrestuan dhe një urdhër-arresti është lëshuar dhe për Taçin që vijon të këmbëngulë se ai vetë nuk e ka goditur Bazen. Një aleat i ngushtë i kryeministrit, Sali Berisha, Taçi është pronar i ARMO-s, një kompani nafte që është privatizuar vitin që shkoi. Në raportet e tij investigative, Baze e ka akuzuar shpesh atë se po përdor autoritetin qeveritar për të shmangur pagimin e taksave.

Baze ka publikuar raste të mëdha të korrupsionit në të kaluarën dhe kjo nuk është hera e parë kur ai bëhet objektiv dhune. Në një rast makina e tij u qëllua me armë, dhe në fund të vitit që shkoi, makina e tij u dogj për arsye të paqarta. Ai u godit publikisht nga mbështetësit e disa prej liderëve socialistë në vitin 2005.

Në janar të këtij vitit, policia ndaloi gazetarët e “TemA”-s që të hyjnë në zyrat e saj, si rezultat i një vendimi të Ministrisë së Ekonomisë, pavarësisht faktit se ai vendim ishte rrëzuar nga gjykata.

Korrupsioni, marrëveshjet për pronësinë dhe trafiku janë çështje mjaft të ndjeshme në Shqipëri, e cila u rendit në vendin e 88 nga 175 vende në raportin e vitit 2009 të Reporterëve pa Kufij për indeksin e lirisë së shtypit.

Shtypi është shumë i polarizuar politikisht dhe disa gazeta në pronësi private janë të lidhura me grupe të fuqishme biznesi. Kjo lë shumë pak hapësira për gazetarinë investigative dhe analizat e pavarura ekonomike.