
Adri Nurellari
E gjithë vëmendja e opinionit publik tanimë është përqendruar tek greva e urisë që kërkon hapjen e kutive për hir të transparencës dhe për të bërë një pikë kthese njëherë e mirë nga tradita e deritanishme e cenimit të zgjedhjeve. Është më se qesharake të pretendohet se hapja e kutive për hir të hetimit, duke shmangur numërimin, është një precedent negativ. Transparenca në sistemin demokratik nuk duhet të jetë përjashtim, por rregulli. Fakti që transparenca nga një pjesë e mirë e opinionit po konsiderohet si precedent i rrezikshëm tregon se në Shqipëri ka një problem të madh me kulturën politike, e cila ndryshon në mënyrë shumë graduale e nuk çrrënjoset menjëherë, as me një grevë urie.
Perfektja do ishte që me një të shtënë të shkopit magjik të Merlinit gjithçka të ndryshohej në mënyrë drastike e radikale dhe kjo grevë të shërbente si epilogu i fundit të parregullsive në votime. Mirëpo siç thoshte Volteri, perfektja është armikja e së mirës, sepse duke pretenduar vetëm perfekten në Shqipëri po eliminohet ose nënçmohet plotësisht avancimi i bërë apo përmirësimi. Pra në qoftë se do pretendohet përsosmëri absolute në zgjedhje, atëherë ajo vështirë se arrihet ndonjëherë në Shqipëri.
Në vitet e ardhshme, çdo palë humbëse do ketë arsye për të pretenduar papërsosmëri të zgjedhjeve, mirëpo ndërkaq vendi ka nevojë për qeverisje. Në pamundësi të një përsosmërie të procesit duhet të biem dakord për një dimension relativ, për një maksimum rrethanor të rigorozitetit. Pra të mos shpresojmë për një revolucion që ndryshon e çon në përsosmëri, por për evolucion drejt së përkryerës. Kjo do të thotë që duhet të kemi një ide të tolerimit të deri dikurshëm të parregullsive, pra të kemi njëfarë mase kritike, përtej së cilës zgjedhjet quhen të papranueshme. Në fakt komuniteti ndërkombëtar kam përshtypjen se e ka pasur këtë përqasje dhe i ka pranuar rezultatet e zgjedhjeve, edhe pse ka pasur vërejtje boll.
Konkretisht mund të merret e mirëqenë që ka pasur parregullsi në zgjedhje, mirëpo vështirë të besohet që këto parregullsi në proces të kenë qenë më të mëdha se ato të vitit 2005, kur rezultati u pranua nga dy palët. Dallimi kësaj radhe është se sistemi i ri zgjedhor, në mënyrë të pashmangshme, do t’i çonte të dyja palët në një rezultat shumë të përafërt, duke bërë që secila palë të pretendonte fitoren. Pra ky proces me këto vota po të numëroheshin me sistemin e mëparshëm do sillte një rezultat më të qartë me diferencë më të madhe, ndërkohë që kësaj radhe doli 70 me 70.
Rasti i nxjerrë me të drejtë prej opozitës si cenues i votës së lirë, ai i Ruzhdies, duhet të shërbejë jo vetëm për të treguar një problem institucional të procesit demokratik, por edhe për të vënë në dukje një problem të mprehtë kulturor, që lihet pas dore me qëllim jashtë analizës. Argumenti im në këtë rast është se edhe po të ketë ujdi në nivel qendror për zgjedhjet, do ketë vështirësi të mëdha që ujdia të zbatohet në nivel lokal. Pra edhe po të ketë vullnet të mirë, liderët e të dyja partive kryesore që zotërojnë monopolin e administrimit të zgjedhjeve (gjë që s’ka qenë e vërtetë në qershor të 2009-s) do dojë kohë që edhe në nivel lokal të bëhet ndershëm loja.
Për të shtjelluar këtë përqasje të evolucionit përkundrejt revolucionit, të përmirësimit përkundrejt së përsosurës, të kontekstualizimit përkundrejt virtualizimit, do ishte mirë që të bënim paralel midis Ruzhdies dhe Komisionit të Shërbimit Civil. Fatkeqësisht problemet shumë serioze të këtij komisioni shumë të rëndësishëm janë eklipsuar nga opinioni në kushtet kur në qendër të vëmendjes ka ngelur komisioni zgjedhor i Ruzhdies. Po të lexohet raporti i progresit i Bashkimit Europian për Shqipërinë i tetorit 2009, shihet që një pjesë e mirë e vëmendjes, kritikës dhe rekomandimeve shkonin pikërisht për rritjen e kapaciteteve, efikasitetit dhe ndershmërisë të administratës publike.
Në pamje të parë, administrata publike duket si antitezë e demokracisë, duke qenë se të parët janë të emëruar dhe të dytët të përzgjedhur, mirëpo shumica e kontakteve midis votuesve dhe të zgjedhurve kryhet pikërisht nëpërmjet administratës. Administrata është aktor thelbësor në zbatimin e politikave, në kryerjen e shërbimeve, zgjidhjen e problemeve teknike, aplikimin e teknologjisë dhe procedurave, duke shërbyer shpesh si kutimatës i qytetarëve për realizimin e detyrave që ata presin prej shtetit.
Literatura shkencore ka treguar se problemet me administratën publike janë shumë të dëmshme për zhvillimin dhe konsolidimin e sistemeve politike demokratike, pikërisht sepse shërbimi civil luan rol thelbësor në përmbushjen e interesave dhe nevojave të qytetarëve. Nëse nuk ia del ta luajë siç duhet këtë rol, diskreditohet i gjithë shteti. Për më tepër ndryshe nga një shekull më parë, në epokën kur jetojmë, përmasa e shtetit dhe nëpunësve shtetërorë është shtuar shumë, duke e bërë akoma më të rëndësishme profesionalizmin, efikasitetin, etikën dhe cilësinë e veprimtarisë së tyre.
Për të bërë mbikëqyrjen e menaxhimit të shërbimit civil në të gjitha institucionet është krijuar si institucion i pavarur Komisioni i Shërbimit Civil. Ky është organi administrativ që zgjidh ankimet ndaj vendimeve, lidhur me nëpunësin civil e merr mandatin prej Parlamentit dhe ka autoritetin apo tipare të një gjykate administrative. Veprimtaria e viteve të fundit të këtij komisioni i ngjan një kalvari harbutlliku aspak të denjë për rolin dhe funksionin që ai ka, duke mos dalluar shumë nga komisioni zgjedhor i Ruzhdies.
Në vitin 2007, kryetari i mëparshëm, Samir Mani, u eliminua nga drejtimi i komisionit me një lloj puçi, pasi disa anëtarë të komisionit ia zaptuan postin duke i shqyer derën dhe ndryshuar çelësat e zyrës, ndërkohë që Mani ishte në një vizitë në Spanjë. Kryetarja e Parlamentit e ligjëroi këtë akt të pahijshëm, duke autorizuar si kryetare të KSHC-së vetëm znj. Mimoza Hysenaj, mirëpo kjo gjë nuk mjaftoi për ta bërë funksional dhe efikas këtë institucion kaq të rëndësishëm. Në mars të këtij viti, tre anëtarë të komisionit kësaj radhe vendosën të shkarkonin znj. Hysenaj dhe kjo e fundit dorëzoi për këta të tre një kallëzim penal në prokurori.
Kjo situatë qesharake e shkaktuar nga disa individë që hamendësoheshin të ishin shumë të kualifikuar dhe profesional bëri që Komisioni parlamentar i Ligjeve i Parlamentit ta shqyrtonte këtë situatë dhe të vendoste për eliminimin plotësisht të këtij komisioni. Relatorja, deputetja Arenca Trashani, deklaroi në prill tekstualisht se: “Konfliktet e brendshme tuaja nuk i ngjajnë një institucioni shtetëror, por një telenovele të dalë mode fare. Kanë shëmtuar imazhin e këtij institucioni si garant i zbatimit të ligjit për statusin e shërbimit civil. Kjo situatë absurde ka sjellë një kolaps të plote në shqyrtimin e ankesave të nëpunësve”.
Situata banale e KSHC-së dëshmon se në Shqipëri, fatkeqësisht është e pamundur të ndërtohet një institucion mbikëqyrës dinjitoz të nëpunësve civilë e jo më të mendohet për të krijuar një administratë publike funksionale dhe të ndershme e aq më pak për një strukturë dinjitoze të administrimit të zgjedhjeve në nivel lokal. Pra kur katandiset në këtë situatë, një grusht i vogël komisionerësh të KSHC-së në qendër të Tiranës, të ngarkuar me një detyrë kaq të rëndësishme prej Parlamentit, sa mund të pretendohet nga komisionerët e Ruzhdies dhe dhjetëra mijëra të tjerë që kanë qenë nëpër qendrat e votimit nëpër skutat më periferike të Shqipërisë? Ky paralelizëm e tregon qartë që lufta për të arritur një përsosmëri në procesin e organizimit të zgjedhjeve nuk mbyllet thjesht me një betejë ekstreme, si greva e urisë, por është një proces afatgjatë, i ngadalshëm dhe i lodhshëm.







