Komedia me aktorë dhe leje mjedisore

0
57


Nga Ardian Klosi

Zbatimi i projektit të unazës së re të Tiranës filloi te Kopshti Botanik në mënyrë provokative. Firma që ka marrë përsipër punimet hyri brenda në territorin e Kopshtit, vendosi gardhe, filloi shkuljen e bimëve dhe pemëve, pa pasur kurrfarë studimi për pasojat negative të projektit dhe atë që quhet leje mjedisore. Pati reagim të përfaqësuesve të shoqatave mjedisore dhe mediave, kronika të shumta televizive, deklarime për shtyp, artikuj. Për çudi, ministria e Mjedisit kërkoi bllokimin e punimeve përderisa të hartohej studimi përkatës dhe të nxirrej leja mjedisore. Për çudi, sepse nuk pritet nga kjo ministri kundërvënie ndaj vendimeve të qeverisë së vet.

Biseduam me Xhemal Maton, veprimtar i njohur i mjedisit dhe një ndër kundërshtuesit më të parë të projektit. Xhemali na shpjegon se gjurma e unazës së madhe është vizatuar më 1989, në një kohë kur gjithë zona në Selitë të vogël, ajo e kopshtit Botanik e më tej ishte thuajse e pabanuar, kurse sot është bërë një nga zonat më të populluara të kryeqytetit. Në vitet e kaluara, duke bërë njëfarë kompromisi, Bashkia e Tiranës miratoi një projekt unaze që lidh Selitën e vogël me rrugën e Elbasanit me 6 korsi, mirëpo qeveria shqiptare e zgjeron këtë projekt në 8 korsi, duke e kthyer praktikisht në një autostradë gjigante që lidh Durrësin me Elbasanin, d.m.th., pjesë të korridorit 8. Dhe kjo autostradë do të kalojë mes për mes pallateve dhe vilave të shumta që janë ngritur në dy dhjetëvjeçarë në këtë zonë, ndërsa duke u lidhur aty ku përfundojnë pallatet, pak a shumë anë liqenit artificial, me rrugën e Elbasanit, ajo do të çajë në midis të vetmen zonë të gjelbër kodrinore që i ka mbetur kryeqytetit. Rritja e vrullshme e popullatës së kryeqytetit, stresi që krijon denduria e ndërtimeve dhe trafikut, ka bërë që me mijëra qytetarë të gjejnë çlodhje te Shën Prokopi, i vetmi park i vërtetë i Tiranës. Shumë prej tyre dalin përtej tij dhe i bien rrotull Liqenit artificial me vrap ose biçikleta, me gjithë rrugën e keqe, baltën ose pluhurin. Në të ardhmen as që do mund të mendohet për kodrat, liqenin, pyllin e parkun si një kompleks çlodhës; vetë parku do të ndodhet anë një autostrade të rrëmujshme gjithë zhurma. Qysh tani ka filluar degradimi i bregut të liqenit, me hedhjen e dherave nga firmat e ndërtimit. Po në zonën e banuar, në Selitë të vogël, pranë qendrës “Kristal”, te “Komuna e Parisit” e Kopshti Zoologjik ç’do të ndodhë? “Projekti thotë që distanca minimale nga ndërtesat është 25m?! Nuk jam i bindur për vërtetësinë e kësaj, se po të maten distancat midis ndërtesave nuk del kjo llogari. Natyrisht kjo autostradë, ashtu si është projektuar nuk mund të bashkëjetojë me ndërtesat dhe jetën normale të këtyre banorëve”, thotë Xhemali. Zhvendosja e gjurmës së kësaj superstrade do ishte zgjidhja më e logjikshme, d.m.th., që trafiku i rëndë i korridorit 8 të kalonte në një rrugë të re përtej kodrave të Saukut, kurse unaza të ndërtohet për kryeqytetin sipas planit të mëparshëm.

Rastësia dhe arroganca e zbatuesve e pruri që të goditej në fillim Kopshti Botanik. Kjo preku ndjeshmërinë e specialistëve, mjedisorëve, medias. Kurse vetë banorët nuk kanë lëvizur, ata ndoshta ende nuk e përfytyrojnë se ç’do të thotë t‘u kalojë mes pallateve një autostradë me 8 korsi. Askush s’mund të parashikojë rezistencën që mund të lindë, sepse sikurse ndodh rëndom te ne, qytetarët bëhen të vetëdijshëm për një të keqe vetëm kur ajo u vjen te dera.

Po le të vazhdojmë rrëfimin e historisë. Duke parë që ishte në shkelje flagrante të detyrimeve që ka ndaj publikut, në radhë të parë detyrimit për informim të qytetarëve dhe tërheqjes së tyre në vendimmarrje, siç parashikon Konventa e Aarhusit, nën të cilën shteti shqiptar ka qenë një ndër nënshkruesit e parë(!), duke parë që projekti nuk kishte kurrfarë studimi për ndikimin mbi mjedis, ministria e Mjedisit porosit me të shpejtë një të tillë. Dhe sikundër ndodh shpesh në të tilla raste, ngarkohet me këtë VNM (Vlerësim i Ndikimit mbi Mjedis), prof. as. Sazan Guri dhe studioja e tij G&G (që do të thotë Guri dhe Guri). Të gjithë e njohim Sazanin si njeri pasionant në çështje mjedisore, madje me kostumin e tij bezhë dhe këmishën e verdhë është kthyer në njëfarë simboli televiziv të ekologjisë. Ka kundërshtuar me forcë, argumente e pasion, projekte të tilla si atë të importit të plehrave nga Italia, ose projektet TEC, Ambo e Petrolifera në Vlorë. Ajo që publiku njeh më pak është që Sazani, kolegu ynë i sa e sa protestave, është në të njëjtën kohë njeri i afërt i pushtetit, përligjja qeveritare për një numër projektesh, këshilltar ministrash e kryeministri, autor VNM-sh, madje edhe bashkautor projektesh, të cilat më pas ndodh që i lufton me shokët e tij të ekologjisë. Shkurt, lojë me dy porta, siç thotë populli. E pra, ministria e ngarkon me të shpejtë të bëjë një VNM për zonën e kopshtit Botanik dhe po aq me shpejtësi studioja G&G harton një të tillë. Ministria e Mjedisit fton disa ditë më parë përfaqësues të shoqatave mjedisore që të diskutojnë mbi këtë studim. Duket sikur kulisat për përshtatjen me Konventën e Aarhusit janë ngritur më së miri. Mirëpo “studimi” – duhet futur në thonjza se nuk ishte i tillë – kundërshtohet hapur nga të pranishmit. “Studimi i Sazanit kishte brenda disa njohuri për shtresat gjeologjike të zonës dhe disa masa që duhen marrë për makinat që do të punojnë në ndërtim, por aty nuk thuhej asnjë fjalë për ndotjen e ajrit ose për zhurmat. Ndërkaq, specialistët parashikojnë që nivelet e zhurmave në këtë zonë të jenë mbi standardet e BE-së, pra do të jenë mbi 75-80 decibel, gjë që ngjan sikur dikush e ka shtëpinë pranë një uzine”. Jo vetëm Xhemal Mato, por edhe të ftuarit e tjerë në takim e hodhën poshtë VNM-në e paraqitur, meqë ajo s’ishte e tillë. “Projekti i Unazës së madhe, deklaroi më pas veprimtari tjetër i mjedisit Lavdosh Ferruni, nuk ka studim për ndikimin në mjedis, mungon studimi për zhurmat dhe ajrin, që janë dy pikat kyçe për të cilat duhet të bëhej studimi. Pasi automjetet që do qarkullojnë, do emetojnë gazra që do ndotin ambientin, por edhe zhurma. Veç tyre nuk është respektuar ligji, pasi ligji për ndikimin në mjedis parashikon që të jenë tri projekte dhe të bëhet zgjidhja më e mirë midis tyre. Ndërkohë që këtu ka vetëm një projekt dhe një raport për ndikimin në mjedis, por që ka shumë mangësi”.

Ç’ndodh më pas? Të gjithë prisnin që drejtuesi i takimit, zv.ministri Demeti me ministrin e tij ta kthenin mbrapsht atë studim dhe të kërkonin një më të thelluar. Aspak: pas dy ditësh ministria lëshon lejen mjedisore për projektin, e mbështetur mbi atë VNM.

Ky shkrim ka titullin: Komedia me aktorë dhe leje mjedisi, sepse e gjitha s’është më shumë se një komedi e trishtuar. Një ministri mjedisi që bën sikur bllokon një projekt, një studiues mjedisi që bën sikur harton një VNM dhe një qeveri që bën sikur vepron në përputhje me konventat ndërkombëtare. Kurse në fund vendos vetëm paraja e madhe.

Lind pyetja: e për kë luhet kjo komedi, kë kërkon të bindë? Disa ndërkombëtarë që mbikëqyrin zbatimin e konventave? Ata duhet të jenë shumë të leshtë që ta quajnë këtë demokraci dhe përputhje. Disa qindra mijëra qytetarë, të cilëve do t’u prishet cilësia e jetës në këtë kryeqytet? Ata nuk e dinë se ç’janë VNM-të dhe konventa e Aarhusit. Ndoshta do të zgjohen kur t’u vijë e keqja te dera. Atëherë s’kanë punë më as ndërkombëtarët, as aktorët e mjedisit. Atëherë ka vetëm bllokime rrugësh dhe konfrontime. Sa të shkojë puna deri aty, është e mira që të gjenden zgjidhje të arsyeshme. Sepse ende është shpresa që interesi publik mund të fitojë ndaj parasë së madhe apo interesave të një grushti njerëzish.