Kolumna: “Talebanizmi kosovar” – dhe qytetari n’mes t’zjarreve!

0
32

Bardhyl Metaj

Kur e lavdëron Hashim Thaçin, për guximin rreth ngritjes së pagave, ta vënë një zhig, “e paska ble PDK-ja!”, apo “e paska shtie n’dorë SHIKu, dhe e paska tredhë…”!
Kur e kritikon ndërkaq, atëherë Thaçi barazohet me shtetin kosovar, me UÇK, me vendin!?
Njëjtë, të ngjan nëse e kritikon Albin Kurtin! Atëherë, ta fusin një zhig: “qenka
kundër bashkimit kombëtar”!?

Kur i kritikon Rexhep Qosjen e Adem Demaçin, të cilëve, heshtjen, bukfalisht ua ka ble Qeveria, e i kanë fut’ vesht n’lesh, atëherë t’thonë je rugovist!?

Që nga dita kur rifillova sërish me botimin e kolumneve të mia në “Kosova Sot”, çdo të martë e të shtunë, pra tash e gjashtë javë – s’po prajnë letrat që m’i drejtojnë lexuesit dhe “lexuesit”!
Natyrisht, letrat e lexuesve të sotëm vijnë me sms, apo më shpesh me mail në adresën private, apo në Facebook, në formë të e-mailit a komentit të drejtpërdrejtë në shkrimin e botuar…
Komentet dhe përmbajtjet e shkrimeve që më drejtohen janë gjithëfare. Bukfalisht gjithëfare…! Dhe kështu, si me mua, besoj të jetë e t’u ngjajë edhe kolegëve tjerë që merren me shkrime autoriale e analiza politike e shoqërore…

Ka një traditë bukur të gjatë, kjo punë. Unë për vete, mbaj e kultivojë një korrespondencë me lexues të kahershëm, të dhjetë vjetëve të fundit, me disa prej të cilëve tani jemi miq e shokë, por edhe me të tjerë, që rishtas më lexojnë: me lexues që fare s’pajtohen, ngase jemi “gjenerata tjera mendësie”, me aso të tjerë, që mi pëlqejnë elaborimet, por edhe me aso që ma pëlqejnë stilin e të shkruarit, por s’ma pëlqejnë rezonimin dhe së këndejmi s’ma “bojnë hallall” që ua kritikoj idhullin politik e partinë e tyre! Sikur që ka edhe “korrespondencë” të njëanshme, ku “komisarë partiakë a kombëtarë” zbrazin mllef e sharje gjithëfare, të cytur me gjasë nga dreqi e i biri, apo thjesht militantë partiakë, t’cilët si duket ende s’kanë shijuar privilegje e përfitime materiale nga partia, andaj donë që duke e luftuar “anmikun” (si puna ime!), t’i bien n’sy shefit partiak për vigjilencën e tyre, devotshmërinë dhe pakompromisin që rrezatojnë ndaj armiqve…!

Por, ka diçka të përbashkët te lexuesit e pothuaj të gjitha “provinciencave e të mendësive” te ne shqiptarët?! Si shpërfaqet ky fenomen: Thjesht, devotshmërinë e tyre ndaj partisë e quajnë dhe e kuptojnë “si devotshmëri ndaj atdheut”! Kritikat ndaj prijësit e idhullit të tyre i përjetojnë e kuptojnë “si sulme ndaj shtetit tonë, luftës e përpjekjeve shekullore për liri, e pavarësi…”! Nuk bëjnë dallim mes shtetit e pushtetit, partisë e atdheut, tarafit që i përkasin, e interesave publike, qytetare e shoqërore!?

Talebanizmi i mentalitetit hipokrit kosovar!
Me qenë se më bie që dy herë në javë të botoj kolumnen ku shpalosi komentet e mia mbi fenomenet që ngjajnë ndërkohë, dhe ndërkohë që s’jam funksionar i asnjë partie, por shkruaj nga prizmi krejtësisht personal, çfarë përbën qasjen e çdo kolumnisti në botë – atëherë, me doemos, që më bie të merrem me aktet, veprimet apo mosveprimet e të gjitha partive, qofshin ato të qeverisë e pozitës, apo qofshin ato të opozitës. Ndërkohë, “opinionistët” dhe “analistët” kosovarë, “të gjithë – nga të gjithë”, ishin të identifikuar se “kah ju ngreh kerri”! Dhe çfarë ngjan me mua, rishtas t’ardhur n’Kosovë:

Kur e lavdëron, apo e kritikon Hashim Thaçin…!?
Kur e lavdëron Hashim Thaçin, për guximin rreth ngritjes së pagave, s’është se “oponentët” e hapin debatin me parametra profesionalë rreth çështjes!

Jo! Atëherë të thonë, e besa edhe ta vënë një zhig, “e paska ble PDK-ja!”, “p’u bojka shpejt këshilltar në ndonjë ministri”, apo, “e paska shtie n’dorë SHIK-u, dhe e paska tredhë…”!
Kur e kritikon Thaçin, ndërkaq, qoftë për korrupsionin e krimin e organizuar, që e ka etablue qeverisja e tij si asnjë tjetër, apo mos e bir Zot, kur e kritikon për perceptimet ndërkombëtare e vendore rreth SHIK-ut, atëherë Thaçi barazohet me ekzistencën e shtetit kosovar, barazohet me UÇK-në, barazohet me vendin. Ndërkohë që ky – Hashim Thaçi, ashtu si kryeministrat e gjithë botës civilizuar, është një qytetar i vendit si të gjithë të tjerët, me një dallim të theksuar, se është zgjedhur kryeministër i vendit, në një garë elektorale në bazë të premtimeve politike – dhe për këtë veprimtari n’shërbim të qytetarit, paguhet (rast) – nga taksat e qytetarëve kosovarë!

Pra, as s’është Thaçi Kosova, dhe as s’është Hashim Thaçi UÇK-ja, e aq më pak është Hashim Thaçi shteti kosovar, por është thjesht kryeministër – i cili si në çdo vend të civilizuar sadopak – duhet të japë llogari për të bërat dhe të pabërat, për dështimet e ngecjet, tragjeditë e marrit. Por jo, n’Kosovë, me kritikue kryeministrin Thaçi ke punë me shumë kënd: prej atij djaloshit që bën kafe te shoqatat e dala nga lufta, e deri te më i madhi aty.

Kur e lavdëron, apo e kritikon Albin Kurtin…!?
Por, s’është kështu vetëm me Thaçin. Ne kemi problem me mentalitetin tonë të tarafeve, kotillave e klaneve, që identifikohen pastaj me shtetin, pavarësinë e lirinë, bashkimin kombëtar e Skënderbeun: Kur e lavdëron Vetëvendosjen për përkushtimin e profesionalitetin që kishin aktivistët e saj gjatë zgjedhjeve të fundit, me ç’rast i demaskuan në masën më të madhe deri më sot të gjitha vjedhjet e votave anemban Kosovës, dhe kur i lavdëron të njëjtit, apo parlamentarët konkretë të Vetëvendosjes, si Visar Ymerin, Albin Kurtin apo Glauk Konjufcën, si gjithherë, pa asnjë përjashtim, po dalin më të përgatitur në foltore, se shumica e “yjeve” të partive të mëdha, sado që e thekson qartë se me shumëçka rreth platformës partiake të Vetëvendosjes nuk pajtohesh – megjithatë të ngjan komenti: “po de po, e kam ditë, paska vendos me dal te ‘Vetëvendosja'”, “s’ka, e ka hetue edhe ky, s’ka gja prej partive të vjetra”! Njëjtë sikur me Hashim Thaçin, të ngjan nëse e kritikon Albin Kurtin! Atëherë, ta fusin një zhig: “qenka kundër bashkimit kombëtar”!?

Kur e lavdëron, apo e kritikon Ramush Haradinajn…!?
Kur dy vjet më parë, atëherë kur ishte këndej Ramush Haradinaj, në një shkrim rreth partive politike kosovare, e lavdërova AAK-ën, ngase e njëjta, jo vetëm që e solli Blerim Shalën, por edhe i pastroi radhët e veta, bukfalisht e përjashtoi nga partia, me shumë transparencë, disa ish-ministra, që akuzoheshin nga opinioni për korrupsion, ngjau prapë e njëjta: “Hmmm, i paska ofrue Ramushi edhe këtij naj kaçik t’madh e naj post ngat veti”! Ndërkohë, unë vetëm po shënjoja të mirën, vetëm po i aplaudoja atij akti bashkëkohor, e po tentoja t’i nxis edhe partitë tjera, edhe LDK-në, edhe PDK-në, e edhe çdo parti vendore, që jo EULEX-i, por ato vetë, forumet e tyre, t’i jashtë-qesin nga partia mbetjet e pariciklueshme e të korruptuara – ashtu njëjtë, siç bën edhe njeriu çdo ditë n’toalet. E vetmja parti që u tregua në këtë drejtim konsekuente ishte AAK-ja, sa ishte këndej Ramush Haradinaj, andaj s’kisha si të mos e lavdëroja, por prapë keqinterpretimi…

Kur e lavdëron, apo e kritikon LDK-në, Fatmir Sejdiun e Eqrem Krye’Ziun…!?
Kur para dy vjetësh, më 23 dhjetor, e botova shkrimin “Si të ta uroj ditëlindjen e 20-të LDK – përveçse me Refuzim Estetik!”, e ku akuzoja kreun e partisë, Fatmir Sejdiun e Eqrem Kryeziun, se po sillen si uzurpatorë dhe se s’po i konsultojnë aspak organet e partisë, pra se po shkelin statutin partiak – se nuk e kanë mbledhë Këshillin e ërgjithshëm të LDK-së – as pas vdekjes së Rugovës, që ta zgjidhnin kryetarin e ri partiak, as që ta zgjedhin e nominojnë ashtu si duhet presidentin e ri të vendit, dhe se janë uzurpatorë e jo demokratë, ngase edhe Nexhat Dacin – njeriun më të votuar n’parti atëbotë – e shkarkuan nga pozita e kryeparlamentarit, pa i thirrë organet partiake e Këshillin e Përgjithshëm apo Kryesinë e Degëve dhe se po bëjnë gjithçka krye më vete, pa i respektuar organet partiake, procedurat demokratike të vendimmarrjes në parti etj., etj., më akuzuan gjithashtu: se “ka dalë si duket në PDK, ku i ka shokët e fëmijërisë e rinisë, këshilltarë të Hashim Thaçit: Astrit Salihun e Dukagjin Goranin!”

Kur i lavdëron, apo i kritikon Adem Demaçin e Rexhep Qosjen…!?
Kur në një shkrim tjetër po e lartësoja figurën intelektuale të shkrimtarit Rexhep Hoxha, ngase ky i njëjti e refuzoi çmimin qeveritar “Azem Shkreli” për veprën e tij jetësore, me arsyetimin se “nga kjo Qeveri (Thaçi1), e nga kjo klasë politike, nuk pranon të marrë çmim, “ngase është qeveri e korrupsionit, e krimit të organizuar, e tenderokracisë, dhe është Qeveri që ka ngritur pagat e veta mujore e të parlamentarëve sa pensionet 3-vjeçare të kolegëve të tij (Rexhep Hoxhës)” – atëherë më thoshin se qenkam rugovist, e së këndejmi po e lartësoj këtë akt të qytetëruar, intelektual e njerëzor?!

Ndërkohë, që unë thosha e pyesja shumë qartë se ku mbeti Rexhep Qosja, e ku Adem Demaçi, që autoritetin e tyre ta vënë në lëvizje bashkë me kritikën publike e kontinuale karshi padrejtësive sistemore që po ngjanin në vend, ta thonë edhe fjalën e tyre kundër korrupsionit të llahtarshëm, e kundër krimit të organizuar dhe partiokracisë, fenomene që jo vetëm se ia kanë zanë frymën shtetit kosovar e perspektivës së tij, por po ia marrin frymën e fundit edhe qytetarit kosovar, kulturës e ekonomisë.

Për më tepër, prisja reagimin e zëshëm të Demaçit e Qosjes, ngase trendet e vendit po e shfaqin dilemën edhe te miqtë e sponsorizuesit e Kosovës – nëse kosovarët janë t’aftë të mbajnë shtet!
Pse konstatoja kështu!?

Ngase sikur edhe çdo kosovar tjetër, po boja seri se si është e mundur të heshtin këta “intelektualë”, Rexhep Qosja e Adem Demaçi?!
Si është e mundur, çmimi i tyre të jetë aq i “lirë”!? Si është e mundur, që edhe këta të jenë të korruptueshëm nga kjo Qeveri!?

Po, është e mundur: Rexhep Qosja, nga Hashim Thaçi, e nga ministri Enver Hoxhaj mori rreth 200`000 euro honorary (taksa kosovare!) – për veprat, për të cilat e kishte marrë me kohë honorarin nga “regjimi i Titos”! Më falni për një gabim në fjalinë e mëhershme: Rexhep Qosja s’kishte si të merrte honorar për veprat që ka botuar nën “regjimin e Titos” nga Hashim Thaçi, jo kjo s’ka ngjarë?

Por, ka marrë honorar, ato 200`000 euro për heshtjen, ndaj realitetit të sotëm, ndaj korrupsionit e regjimit të sotëm. Me gjasë, janë marrë vesh me Thaçin: “shkruaj e shaj sa të duash z. Qosja, por vetëm për korrupsionin matanë kufirit, shaje Sali Berishën sa të duash – e kur të duash, por Qeverinë e PDK-së, as n’gojë mos e merr. Për të mirë po, të thërrasim ne në Skenderaj, e në përvjetorë epopesh, atëherë fol, shkruaj, e lartëso…!

Më tragjike se me Qosjen, më dukej ngjarja me Adem Demaçin: Një sekretareshë, një vozitës, një banesë në Sarandë (shih, në Sarandë, atje larg, “n’qoshe t’Perandorisë”!), një pension, dhe u ble heshtja e Adem Demaçit, luftëtarit të paepur për liri, demokraci e drejtësi…! E pabesueshme!? Hipokrizi, e pashembullt, n’botë!

Pra, në këto rrethana, kur janë korruptuar për honorarë çfarëdo qofshin ato, edhe atituda e Demaçit, e Rexhep Qosjes e shumë e shumëkujt – Laudatio e imja për Rexhep Hoxhën atëherë ishte shumë, shumë normale, e s’kishte të bënte fare, me Rugovën as me LDK-në, e cila atë kohë ishte partnere qeverisëse me PDK-në!

Por, jo kjo lëvdatë e imja Rexhep Hoxhës, e thirrje ndërgjegjes intelektuale e kurajës civile e qytetare të “intelektualëve”, tashmë n’thonjëza, Qosjes e Demaçit, s’ishte normale në Kosovën e yryshnikëve partiakë!

S ‘ishte e s’është normale as sot n’Kosovën ku është reduktuar gjithçka n’parti! Ku vlen formula, “ose je me ata – ose me ne”!?

Por, ky s’është fenomen i ri ndër shqiptarë! Si duket, s’kishte faj Faik Konica, kur më 15 shtator 1901, n’gazetën e tij “Albania”, mes tjerash, në “këshillat pasonjëse, për një djalë që kish nërment të botonte një gazetë shqip në Misir”, shkruante:

“Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s’është koha të punojmë për letratyrë, kur vendi ndodhet në rrezik; Në shkrofsh për politikë, do të thonë se prishë punë duke egërsuar qeverinë. Në folç për nevojën të përpiqemi t’a shpëtojmë gjuhën dhe kombësinë, duke vënë vendin nën hijen e një Fuqisë së Madhe, s’qënke shqiptarë i vërtetë.

Në folsh mirë për shqiptarët e krishterë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët që janë shqiptarë të mirë, e ligsht për të ligjt, aherë do të hidhërohen të gjithë. Aq për sot, se kam frikë mos të zërë gjumi”.