Kolegji Zgjedhor merr vendimin e parë për zgjedhjet e 2013. Dhe është (siç pritej) kundër opozitës

0
43

ResPublica.al, 3 janar 2013

Kolegji Zgjedhor vendosi sot që numri i Zonave të Administrimit Zgjedhor (ZAZ), (të cilit i korrespondojnë edhe qendrat e numërimit të votave për zgjedhjet e 23 qershorit) të jetë 89, nga 66 që kanë qenë më parë. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk kishte mundur të merrte një vendim duke qenë se nevojitej mbështetja e 5 prej 7 anëtarëve. Socialistët e cilësuan si një shkelje të rëndë vendimin e Kolegjit pasi sipas tyre ai nuk mund të merrte një kompetencë të cilën e ka KQZ. Ndërsa për demokratët të cilët kishin kërkuar 100 zona të administrimit zgjedhor, vendimi i sotëm ishte sipas tyre “një leksion ndaj kujtdo që kërkon bllokimin e procesit”.

Më 21 dhjetor pas polemikave, KQZ nuk arriti të merrte një vendim për numrin e ZAZ në bazë të të cilave ndërtohet më pas edhe e gjithë infrastruktura zgjedhore si dhe vend numërimet e votave. Palët ishin dakort që numri i zonave të administrit zgjedhor të rritej, nga 66 që kishin qenë më parë. Por u ndanë në numrin e propozuar. Fillimisht KQZ paraqiti nje variant me 76 zona të administrimit zgjedhor.

Ky propozim u mbështet nga socialistët. Por më pas, papritur KQZ paraqiti një propozim të dytë për 89 zona, i cili u kundërshtua nga opozita sipas të cilëve duhej që zonat e administrimit zgjedhor të kishin një numër të përafërt zgjedhësish. Demokratët nga ana e tyre kërkuan 100 zona të administrimit zgjedhor. (ose bënë sikur kërkuan për të arritur tek numri 89). Sidoqoftë përplasjet bllokuan vendimarrjen për këtë cështje dhe pozita në pushtet ju drejtua Kolegjit Zgjedhor. Kolegji vendosi sot për numrin 89.

Për socialistët, vendimi i Kolegjit është në kundërshtim të hapur me ligjin, pasi merr një komptencë e cila i njihet eskluzivisht KQZ-së. Vendimi i sotëm i Kolegjit i hap rrugën KQZ-së për të vazhduar më tej me hapat e tjerë të procesit zgjedhor, por në të njejtën kohë duket se ka ndezur edhe dyshimet e forta të opozitës mbi paanësinë e tij.

Foto: Gjate hedhjes se shortit qe perzgjodhi emrat e rinj te gjyqtareve qe do te jene ne perberje te Kolegjit Zgjedhor te Gjykates se Apelit: Andi Civici, Edlira Petri, Fuat Vjerdha, Gjinovefa Gaba, Ilir Toska, Kriton Spahiu, Petrit Ceno dhe Valbon Cekrezi (LSA)