Preç Zogaj, 07.06.2011
Kolegji Zgjedhor, kjo gjykatë zgjedhjesh e krijuar me short nga trupa e gjykatave të Apelit, iu ka një borxh të madh publikut shqiptar, opozitës politike dhe faktorit ndërkombëtar. U ka borxh argumentimin e plotë nga pikëpamja ligjore të vendimeve për zgjedhjet në bashkinë e Tiranës.
Fjala “argumentim”, në fakt, nuk e thotë tamam rëndësinë e momentit. Kolegji është thirrur në kauzë t’i superargumentojë vendimet e veta. Pse? Inteligjenca e lexuesve do të fyhej po të ndaleshim për t’i renditur një për një arsyet. Gjithkush i di tashmë. Mjafton të përsërisim se kryeministri i vendit Sali Berisha, kandidati i tij për Tiranën, Lulëzim Basha, dhe shërbëtori i tyre i bindur në krye të KQZ-së, Arben Ristani, vendosen të ndryshojnë rregullat e lojës, pasi përfundoi loja-maratonë e numërimit të fletëve , që i nxori të humbur me dhjetë vota. Pasojat e këtij komploti të hapur kundër zgjedhjeve janë sot në dritë të diellit.
Një opozitë e provokuar dhe njëherësh e zemëruar, që ka parë t’i rrëmbehet në tryezën e Arben Ristanit fitorja e ngushtë e liderit të saj, e arritur në fotofinish, në sheshmejdanin e betejës. Një Kod Zgjedhor i shqyer dhe i shkatërruar së bashku me historinë bipartizane dhe konsensuale që e ka pas lindur. Një KQZ e flijuar përgjithnjë në vesin qeveritar të votëvjedhjes dhe në këmbët e një karrigeje fiktive, që në rastin më të mirë do të notojë gjithë kohës mbi dallgë. Dhe pastaj edhe qershia mbi tortë apo më saktë, brumbulli mbi bajgë: qindra vota me shumë se votues, që na qenkan shtuar si bletët në zgjoje në magazinat e Ristanit – fakt skandaloz që demaskon manipulimin e kutive dhe katandisjen përfundimtare të zgjedhjeve në një farsë kaçakësh.
Ç’do të bënte dhe ç’do të bëjë Kolegji Zgjedhor në këtë situatë? Do t’i nxjerrë zgjedhjet e Tiranës nga xhungla, Kolegji me vendimet që do të japë? Apo do të bëjë bis me KQZ-në dhe do të marrë përsipër të argumentojë se në Shqipërinë e vitit 2011 është e ligjshme të ndodhë ajo që nuk parashikohet në Kodin Zgjedhor, ajo që nuk ka ndodhur asnjëherë në zgjedhjet e mëparshme në Shqipëri dhe në asnjë vend të perëndimit demokratik?
Nuk kemi tagër t’i tregojmë rrugën Kolegjit. Por kemi të drejtë, i madh e i vogël, i djathtë dhe i majtë, i rreshtuar apo i pavarur, opozitar apo qeveritar t’u kërkojmë dhe të presim nga këta gjyqtarë vendime të nivelit më të lartë të profesionalizmit, që të jenë bindshëm në pajtim me legjislacionin tonë dhe njëherësh të jenë bindshëm në pajtim me sistemin perëndimor të gjykimit të zgjedhjeve.
Kemi për detyrë t’u bëjmë me dije këtyre gjyqtarëve, që nuk vinë nga marsi, por janë pjesë e opinionit publik shqiptar, se vendimet e tyre për zgjedhjet në Tiranë do të jenë bazamenti, mbi të cilën do të ngrihen marrëdhënie dhe realitete politike të reja. Brenda vendit dhe në rrafshin e marrëdhënieve me Perëndimin. Me fjalë të tjera, vendimet e tyre do të kenë një ndikim të dorës së parë për të prodhuar paqen ose përplasjet e reja politike-shoqërore në Shqipëri. Sikurse do të jenë po aq vendimtare për statusin që do të këtë Shqipëria në familjen europiane dhe euroatlantike.
Nëse ndokush mendon se po e teprojmë, unë do t’i përgjigjesha telegrafikisht me shembullin e zgjedhjeve të vitit 2009. Kolegji Zgjedhor i asaj kohe hodhi poshtë kërkesën e opozitës për rinumërim votash në Berat, Tiranë dhe Shkodër në bazë të neneve 136 dhe 138 të Kodit Zgjedhor që ua njohin pa kushte këtë të drejtë dy anëtarëve të KQZ-së. Në përfundim të gjykimit, Kolegji arriti në përfundimin absurd dhe qesharak se votat e kërkuara nuk mund të rinumërohen, pasi në kuptimin e Kodit togfjalëshi “vota të caktuara” kishte, sipas Kolegjit, kuptimin “vota të kontestuara”.
Me një lajthitje dhe akrobaci semantike të këtij tipi Kolegji Zgjedhor i zgjedhjeve të vitit 2009 u ngrit mbi Kuvendin e Shqipërisë dhe paralizoi zbatimin e dispozitave konsensuale për rinumërim pa kushte të votave në qarqe dhe qendra të caktuara. Duke futur në një thes me guximin e injorancës “votave e caktuara” me “votat e kontestuara”, Kolegji Zgjedhor i vitit 2009 prodhoi një ilaritet që do të jehojë gjatë në historinë e drejtësisë shqiptare. Por, çfarë është më e keqja, ajo lajthitje e kërkuar për interesat e qeverisë, vuri bazat e një krize dhe konflikti politik të rëndë, që në evoluimin e vet dyvjeçar çoi në refuzimin e Shqipërisë në Europë dhe në vrasjet e 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e kombit”.
Kur nuk ka drejtësi dhe transparencë për zgjedhjet si themeli i demokracisë, ka vetëm krizë, stanjacion, përplasje, rrëshqitje. Këtu nuk është fjala për një raport politik dhe partiak me drejtësinë. Zakoni është që pala humbëse të reklamojë për shkelje të ligjit. Pala fituese të himnizojë triumfin e ligjit. E vërteta qëndron përtej këtyre steriotipeve. Sa i argumentuar është vendimi i Kolegjit? Ky është terreni ku ndizen ose shuhen debatet, sherret, krizat. Drejtësia ia ka borxh palës humbëse argumentimin bindës e të kuptueshëm të vendimit që merr.
Drejtësia më e mirë, ashtu si shkenca më e mirë dhe letërsia më e mirë, është qartë, e kulluar e thjeshtë për këdo. Po të kishte nxjerrë Kolegji Zgjedhor i verës së vitit 2009 një vendim të thjeshtë e bindës, opozita politike, edhe pse e pakënaqur, nuk do të ishte investuar siç u investua për kauzën e transparencës. Por vendimi ishte plotësisht arbitrar dhe politik. Dhe pasojat nuk mund të mos ishin ato që kemi jetuar.
Kolegji Zgjedhor edhe kësaj herë, në vendimin e parë që ka dhënë për Tiranën të premten e javës së kaluar është afishuar si një zgjatim i KQZ-së dhe qeverisë. Katër-pesë rreshtat që shqiptoi gjyqtari Tom Ndreca, kur njoftoi rrëzimin e padisë së Partisë Socialiste, janë një tallje e rrallë me pritjen kombëtare e ndërkombëtare ndaj vendimeve të këtij Kolegji. Ndërkombëtarët janë investuar shumë në lidhje me fletët e hedhura në kutitë e gabuara.
S’kanë lenë gjë pa thënë. Kanë bërë objeksione të qarta e të kujdesshme, që edhe mesazhi se këto fletë nuk mund të klasifikohen të vlefshme të kalojë, edhe dinjiteti i gjyqtarëve të Kolegjit të ruhet. Duke dëgjuar gjyqtarin Tom Ndreca të premten, të vinte t’ia plasje gazit (ngaqë nuk ia merrje dot vajit) me zhvlerësimin dhe shpërfilljen banale të gjithë këtij investimi cilësor në rreshtat e njoftimit të Kolegjit. Më kishte thënë, besa, një jurist i njohur: “Dikush duhet t’i verë ndërkombëtarët të shohin filmin “Koncert në vitin 1936” dhe t’u sqarojë kuptimin e gjallë të shprehjes “lulet në Shqipëri i hanë gomarët”. Gjyqtarët tanë nuk marrin vesh me diplomaci, me elegancë. Qeveria Berisha u flet më qartë, më kuptueshëm”.
Sidoqoftë, Kolegji ka detyrimin ligjor dhe tashmë edhe shoqëror e atdhetar të argumentojë hollësisht vendimet e veta për Tiranën, duke filluar me atë të datës 3 qershor dhe duke vijuar me vendimet e tjera që do të marrë në bazë të padive të reja të Partisë Socialiste. Kolegji mund të vazhdojë të mbajë anën e Berishës, askush nuk mund ta ndalojë ta bëjë këtë. Por duam ta stërpërsërisim se vendimet e tij duhet të lenë pa fjalë dhe kokulur gjithë ato burra dhe gra dhe gjithë ato institucione nga Uashingtoni në Bruksel e në Tiranë që kanë shprehur habi dhe shqetësim për përmbysjen e rezultatit të Tiranës nga KQZ.
Miratimi ndërkombëtar i vendimeve të Kolegjit nuk është një çështje karrigesh e karrierash, por është një çështje kombëtare që ka të bëjë me konvergimin e sistemit shqiptar me sistemin perëndimor të gjykimit; rrjedhimisht me fatin e integrimit europiano-perëndimor të Shqipërisë.
Nëse Kolegji, bashkë me arbitrin ndërkombëtar do të linte pa fjalë edhe opozitën, apo një pjesë të saj, aq më mirë. Ndërkaq dy gjëra duhet të jenë shumë të qarta në këtë histori: E para, Kolegji nuk ka as tagër, as staturë të flasë me katër-pesë rreshta, si të ishte një Budë. E dyta, Kolegji kësaj radhe nuk mund ta hedhë lumin duke lozur budallain, që nuk di apo bën sikur nuk di çfarë bëhet prapa dyerve të gjykatës dhe zyrës së kryeministrit. Vendimet arbitrare të mbështetura në injorancë do të prodhojnë një krizë edhe më të rëndë se ajo që prodhoi vendimi i verës së vitit 2009. Dhe atëherë Kolegji nuk mund të justifikohet si Shvejku “ku di unë se ç’po bëj unë!”.