KOLEGJI, KALLAUZI PER FSHATIN QE DUKET

0
88

Andrea Stefani, 27.05.2011

Një fshat që duket, nuk do kallauz – thotë një shprehje e moçme shqiptare. Shkelja e ligjit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për të konsideruar të vlefshme votat e hedhura në kuti të gabuara, është pikërisht një “fshat” i tillë. E megjithatë, edhe pse duket qartë, ai është një fshat që kërkon kallauz. Sepse, kështu e kërkon ligji. Dhe ky kallauz, që do të na tregojë me anë të një vendimi atë që tashmë e dimë dhe e shohim, pra, dhunimin e ligjit nga një KQZ e dominuar në shumicë nga pushteti, është Kolegji Zgjedhor.

Por nëse për habi, jo vetëm të një pjese të mirë të opinionit vendas, por edhe të jo pak prej “ndërkombëtarëve”, Kolegji do të vazhdonte në shtegun e KQZ-së duke shpallur fitues Lulzim Bashën? Atëherë, do konfirmohej edhe me një tjetër fakt skandaloz; kapja e shtetit nga pushteti, do konfirmohej se në Shqipëri nuk ekziston drejtësia, institucionet e pavarura, pra as edhe liria e demokracia.

* * *

Po si kështu, dëgjojmë të thërrasin “demokratët”, nëse Kolegji merr një vendim pro Edi Ramës do të qe e drejtë dhe nëse merr një vendim pro Bashës qenka e gabuar në avancë? A nuk kemi të bëjmë me një paragjykim të një institucioni, pra edhe me një padrejtësi ndaj tij? Përkundrazi! Ajo që shumë avoketër të pushtetit berishist e quajnë një paragjykim të Kolegjit Zgjedhor, është në fakt një gjykim i shëndoshë i bazuar në përvojë dhe fakte.

Sepse, është fakt i hidhur që në mbarim të zgjedhjeve të vitit 2009, ishte ky Kolegj që u sinkronizua me shumicën berishiste në KQZ duke keqinterpretuar ligjin. Gjë që çoi në bllokimin e transparencës dhe rinumërimin e votave të kërkuara nga opozita. Dhe pikërisht ai vendim i Kolegjit u bë edhe guri i themelit i një krize të stërgjatë, që nuk është mbyllur edhe sot e kësaj dite. Ai vendim është në zemër të një konflikti politik që çoi deri edhe në vrasjen e protestuesve në 21 janar të këtij viti. Kjo përvojë negative është e mjaftë për çdo logjikë të shëndoshë, për ta pritur me skepticizëm atë që mund të bëjë Kolegji Zgjedhor sot.

Por ndërkaq, po për logjikën e shëndoshë, nuk mund të mos ekzistojë shpresa se, meqenëse faktet e shkeljes së ligjit nga KQZ-ja janë shumë evidente, Kolegji Zgjedhor nuk do të mund të guxojë të dalë kundër asaj që shihet qartë nga të gjithë. E përsërisim, kemi të bëjmë me një çështje që është si një fshat që duket dhe nuk do kallauz. Kolegji do japë një vendim gjyqësor për një krim elektoral që e kanë parë të gjithë. Nuk është fjala për një krim apo incident që ha diskutime. Dhe jo vetëm shumë juristë vendas janë shprehur në media për shkeljen e ligjit nga KQZ-ja, por nuk kanë munguar as kritikat e vëzhguesve vendas dhe të huaj si edhe ato të “ndërkombëtarëve”.

Koalicioni i vëzhguesve vendorë, në një deklaratë të tij flet edhe për “veprimet joligjore të ndërmarra nga KQZ-ja” dhe për shkeljen nga kryetari dhe shumica në KQZ të “të gjitha procedurave ligjore” në rastin e vendimmarrjes për konsiderimin të vlefshme të votave të hedhura në kuti të gabuara. Madje, për këtë Koalicion, rastet e moskorrespondimit të vulave të sigurisë, të gjetjes së një flete votimi të një QV-je në kutinë e një QV-je tjetër si dhe një numër faktesh të tjera, “po ngrenë dyshime mbi paprekshmërinë e kutive të votimit”. Ndërkaq, në raportin e vet paraprak edhe OSBE/ODIHR-i konstaton atë vartësi të KQZ-së nga PD-ja dhe Kryeministri Berisha.

Në raport konstatohet se, pas rezultateve paraprake që nxirrnin fitues Ramën me 10 vota (dhe që KQZ-ja ia dha vetë vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it) ishte Berisha që i kërkoi KQZ-së “të konsideronte si vota të vlefshme për kryetar Bashkie të Tiranës ato që u gjetën gjatë numërimit për zgjedhjet për kryetar minibashkie”. Tashmë është fakt se KQZ-ja ju përmbajt direktivës së Kryeministrit me një besnikëri aspak në frymën e shtetit ligjor, që binte në kundërshtim me ligjin dhe praktikat e deriatëhershme të vetë KQZ-së. Shkelja arrogante e ligjit nga KQZ-ja e detyroi edhe Baroneshën Ashton dhe Komisioinerin Fule të deklarojnë se, “çështja e logjikës ligjore të vendimeve të KQZ-së për të numëruar të ashtuquajturat vota të hedhura gabimisht, është një çështje shqetësuese”.

Në të njëjtën linjë ishte edhe ndihmës zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Tomas Kantrimen kur deklaroi se: “Çështja e votave të hedhura në kuti të gabuara nuk u trajtua siç duhet. Ne thamë që në fillim që rregullat duhet të jenë të qarta dhe duhen zbatuar në mënyrë të drejtë dhe transparente”. E ndërsa Berisha vazhdon të betohet për “shtetin ligjor” dhe “transparencën”, shihet qartë se e vetmja gjë vërtet transparente në këto zgjedhje është përpjekja e Berishës për të manipuluar rezultatin në shkelje të hapur të Kodit Zgjedhor, duke vënë në lëvizje institucione të kapura si KQZ.

Është një përpjekje nga e cila ai nuk do heqë dorë deri në minutën e fundit. Por ndërkaq, ndërkombëtarët, pasi nuk kanë shfaqur dyshim mbi praktikat e ndjekura nga KQZ-ja për rinumërimin e votave në kuti të gabuara, kanë nënvizuar se presin që Kolegji Zgjedhor të marrë vendim në pavarësi dhe në përputhje me kuadrin ligjor të vendit. Prandaj, Kolegjit i mbeten vetëm dy rrugë: ose të zhgënjejë Berishën duke vënë në vend drejtësinë, ose të kënaqë Berishën duke zhgënjyer drejtësinë. Por po të bëjë këtë të fundit, do detyrohet t’i thotë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se nuk ekziston ajo që ata e kanë parë dhe e shohin shumë qartë: fshatin që nuk do kallauz!