Kolana me titull : Një shekull poezi

0
53

Arjan Th. Kallço

Pak kohë më parë në një nga artikujt e mi vura në pah pasionin e madh të njërit prej botuesve italianë të poezisë, Nicola Crocetti. Nuk kaloi shumë kohë dhe përsëri shfaqet emri i tij, por këtë rradhë me një kolanë tepër luksoze, madhështore dhe gjithëpërfshirëse, pasi në bashkëpunim me gazetën Corriere do të sjellë 30 emra dhe poezinë e penave më të fuqishme të shekullit të kaluar.

Një nismë tepër e guximshme jo vetëm për autorin, por edhe për gazetën që i shton kurrikulumit të vet edhe një gradë tjetër të rëndësishme. Nuk është e lehtë të mbledhësh gjithë poezinë e autorëve, të përzgjedhësh më të mirën dhe ta botosh për një publik në fundin e vitit 2011, një vit që do të mbahet mend gjatë për krizën e vet globale, për ndarjen nga jeta të disa prej korifejve të letërsisë, midis të cilëve edhe vetë çeku Havel.

Por arti, edhe sikur krizat të kanosen me gjithë furinë e tyre, nuk shuhet, nuk vdes, pasi do të duhet të shuhet dhe vdesë shpirti i mijëra poetëve, i miliona lexuesve në mbarë botën. E në këtë udhëkryq të njerëzimit në shekullit e modernitetit ekstravagand teknologjik, fundviti vjen edhe me një lajm të mirë, lajm që besoj duhet ta presin me dashamirësi edhe shtëpitë tona botuese dhe vetë gazetat që ato nxjerrin. Është një shembull i dashurisë sublime për të pavdekshmen, Artin, me qëllim që edhe shqiptarët të mund të lexojnë sa më shumë vepra të autorëve që kanë bërë epokë.

Por edhe unë në këto ditë të fundvitit do të sjell disa artikuj, sigurisht i ndihmuar nga shkrimet që zakonisht përcjellin këtë periudhë të bukur festash, në mbarë shtypin botëror, dhe shpresoj të ngjall sadopak interesin për debate lidhur me letërsinë, me formën më elegante dhe më të lartë, poezinë, larg rutinave të përgjumura të promovimeve. Edhe cikli i shkrimeve do të ketë si pika referimi intuitën, forcën, metamorfozën dhe këshillat për poetët bashkëkohorë. Kolana e Corriere della Sera mban një titull tepër të goditur dhe intrigues : Një shekull me poezi. Si fillim do të dalë përmbledhja e parë, më datën 27 dhjetor, me vargjet e Wislawa Szymborska-s, fituese e Çmimit Nobel në Letërsi në vitin 1996.

Vepra e plotë, nën kujdesin e Nicola Crocetti, përbëhet nga 30 volume monografike, që i dedikohet një mjeshtëri me famë që i kapërcen kufijtë kontinenatëlë të viteve ‘900. Sipas gazetës çdo libër prezanton një përzgjedhje të poezisë më kuptimplote – në disa raste edhe me poezi të pabotuara – të zgjedhura nga kuratorët e secilit volum, përkthime të reja, të shkruara për botim nga firmat e mëdha të gazetarisë dhe studiuesve të shquar. Për të gjithë lexuesit italishtfolës, qoftë emigrantë shqiptarë në Itali, por edhe tek ne, volumet do të dalin çdo të martë në të gjitha qytetet dhe i pari do të jetë në shitje me 1 euro plus koston e gazetës. Volumet e tjera që do të dalin më vonë do të kenë një çmim prej 7,90 euro. Volumi i parë që përmbledh poezitë më të bukura të Szymborska, mban titullin Elozh për ëndrrat.