Kokëdhima dhe Putinokracia

0
46

Eduard Zaloshnja

Eduard Zaloshnja, 15.12.2009

Rupert Murdoch në SHBA, ashtu si Koço Kokëdhima në Shqipëri, zotëron një grup mediatik që ishte kundër fituesit të zgjedhjeve të fundit atje. “Wall Street Journal” dhe “Fox News” në SHBA, ashtu si “Shekulli” dhe “TV A-1” në Shqipëri, kritikuan hidhtazi fituesin e zgjedhjeve, ndërkohë që përkrahën qartazi humbësin. Dhe ngjashmëria këtu mbaron.

Pavarësisht nga qëndrimi që mbajtën mediat e zotëruara nga Rupert Murdoch, kompanitë e përfshira në grupin “News Corporation” nuk u bënë objekt i sulmit të agjencive të ndryshme qeveritare amerikane.

Ndërsa e kundërta ndodhi me grupin “2K”, të zotëruar nga Koço Kokëdhima. Në një letër publike drejtuar ambasadave kryesore në Tiranë, z. Kokëdhima numëron plot 20 raste të sulmeve arbitrare të agjencive qeveritare shqiptare ndaj kompanive të grupit “2K”.

Për të gjetur një ngjashmëri me atë që po i ndodh z. Kokëdhima, në fakt, sytë nuk duhen hedhur përtej oqeanit Atlantik. Atje, ka shekuj që nuk ndodhin më gjëra të tilla. Ndërsa, po t’i kthesh sytë nga Lindja, diku në stepat ruse, mund të gjesh perandorinë e Vladimir Putin-it, ish-komunistit të flaktë, i cili, pasi mbretëroi si president për dy mandate, vazhdon të mbretërojë si kryeministër.

Në Rusinë aktuale, grupet e biznesit që e përkrahin carin Putin favorizohen nga qeveria, ndërsa ato që përkrahin opozitën bëhen objekt i gjobave të rënda, konfiskimeve, dhe madje edhe të shtetëzimeve. Rasti më i shquar është ai i Mikhail Khodorkovsky-t, biznesi i të cilit, sipas shtypit ndërkombëtar, u sulmua dhe eventualisht u shkatërrua, thjesht sepse kishte financuar media dhe grupe politike në opozitë me Putin-in.

Në Rusinë aktuale, mediat publike dhe shumica e atyre private janë vënë nën kontroll të plotë të Putin-it, ndërkohë që numri dhe zëri i mediave opozitare bëhet gjithnjë e më i vogël.

Duke i siguruar kështu atij fitore të njëpasnjëshme elektorale. Pra, Putin-i, në kushtet e një sistemi politik që në dukje paraqitet si demokraci, siguron ndejtjen në pushtet me zgjedhje të ndikuara haptazi prej mediave nën hyqmin e tij, të cilat ia mbysin zërin mediave opozitare të goditura keqazi nga makineria shtetërore putiniane. Për këtë arsye, në dhjetor 2008, “Washington Post” do të përdorte për sistemin politik rus termin “Putinokraci”.

Kushdo që kujton fushatën e shfrenuar të reklamave qeveritare para zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, si dhe dëgjon për sulmet që po u bëhen biznesmenëve që financojnë media opozitare, nuk e ka të vështirë të gjejë ngjashmëri mes sistemit politik shqiptar dhe atij rus. Por, sidoqoftë, kjo është një ngjashmëri që ka një kufi. Sepse, Shqipëria nuk është një superfuqi ushtarake dhe ekonomike si Rusia.

Madje, ajo nuk ka as dhe një pozicion strategjik si, p.sh., Bjellorusia, në të cilën Lukashenko ka kohë që qeveris nëpërmjet Putinokracisë falë përkrahjes së fuqishme ruse.

Shqipëria, si një vend që ka vetëm një opsion strategjik, atë të pjesëmarrjes në NATO dhe BE, do të jetë e detyruar që herët a vonë të adoptojë demokracinë liberale si sistem qeverisës.

Pra, herët a vonë, Berisha do të jetë i detyruar të zhvillojë zgjedhje që nuk ndikohen nga fushata mediatike të financuara haptazi ose fshehurazi me fonde qeveritare, ndërkohë që mediat kundër tij sulmohen arbitrarisht.

Gjithashtu, ai do të jetë i detyruar të mos i bëjë presione Kolegjit Zgjedhor për të marrë vendime të kundraligjshme për mos’hapje të kutive të votimit. Dhe më gjerë, Berisha do të detyrohet të pranojë ekzistencën e shtetit ligjor, në të cilin gjykatat e pavarura nuk lejojnë goditjen e bizneseve thjesht për arsye politike.

Kuptohet që në Shqipëri akoma nuk është instaluar plotësisht Putinokracia. Pikërisht për këtë arsye, zgjedhjet e fundit u certifikuan nga komuniteti ndërkombëtar si zgjedhje që plotësuan shumicën e standardeve të OSBE-së.

Por, me kursin që po ndjek Berisha ndaj bizneseve që financojnë media ose grupe opozitare, paralelet mes Rusisë dhe Shqipërisë do të bëhen më të dukshme. Dhe Perëndimi mund ta pranojë në heshtje Putinokracinë në Rusi, por jo në Shqipëri.

Ngritja e zërit nga opozita dhe mediat që akoma nuk janë vënë në kontrollin e Berishës eventualisht do ta fusë Shqipërinë në radarin e Brukselit dhe Uashingtonit si një vend ku rrezikon të instalohet Putinokracia. Dhe trysnia ndaj Berishës do të fillojë të rritet. Ashtu siç u rrit pas zgjedhjeve të majit 1996…