Shekulli Online, 13.04.2010
TIRANË – Gjatë paradites së djeshme, është shqyrtuar në ambientet e Gjykatës së Lartë edhe seanca gjyqësore e pajtimit mes të dëmtuarit akuzues biznesmenit Koço Kokëdhima dhe të akuzuarit kryeministrit Sali Berisha për akuzën e Shpifjes.
Të pranishëm në sallën e gjyqit ishin pesëshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Guxim Zenelaj, mbrojtësi ligjor i kryeministrit Berisha, dhe përfaqësuesit ligjorë të biznesmenit Kokëdhima.
Këta të fundit, pas fjalës së kryesuesit të trupës gjyqësore, gjyqtarit Zenelaj, nëse janë dakord që çështja e tyre të zgjidhet me pajtim, u shprehen se pala akuzuese nuk pranon pajtimin. “Pala akuzuese, nuk pranon zgjidhjen e çështjes me pajtim” – tha përfaqësuesi ligjor i biznesmenit Kokëdhima para trupës gjyqësore.
Në fjalën e tij, edhe përfaqësuesi ligjor i shefit të ekzekutivit, deklaroi se klienti i tij, kryeministri Berisha, i përmbahet të gjitha deklaratave të tija kudo që i ka bërë.
Më pas trupi gjykues i Gjykatës së Lartë duke parë mospajtimin e palëve mes tyre, kaloi në seancë gjyqësore duke ftuar avokatët e palës akuzuese të paraqesin provat.
Përfaqësuesit e këtij të fundit, paraqiten një sërë provash materiale si dhe një CD-i me fjalën e kryeministrit Berisha. Pas dorëzimit të këtyre provave, avokati i kryeministrit Berisha, kërkoi kohë nga Gjykata që të përgatisë pretendimet mbrojtëse.
Togat e zeza të këshilluar në vend, vendosen ndërprerjen e seancës gjyqësore dhe vazhdimin e saj me datën 3 maj ora 10:00, për të dëgjuar pretendimet e mbrojtjes.
Aktualisht S. Berisha eshte paditur per shifje nga nena e liderit te opozites Aneta Rama, si dhe nga biznesmenet Koco Kokedhima dhe Artan Dulaku, qe te dy botues dhe investitore mediash perkatesisht Shekulli dhe TV Vizion Plus.