Kokalari – Engelit: A e ka blerë Berisha mbështetjen tuaj me interesa biznesi?

0
29

 Berisha me Engel, Bajraktarin, Atifete Hajagen dhe te shoqen  

Në një letër të aktivistit shqiptaro- amerikan, Geri Kokalari, drejtuar kongresmenit Eliot Engel, i njohur gjerësisht si një mbështetës i kryeministrit Sali Berisha, hidhen dyshime mbi arsyet e vërteta pas këtij suporti.

Në fillim të letrës, Kokalari, vlerëson kontributin e Engel për të parandaluar pastrimin etnik në Kosovë dhe rrëzimin e diktatorit Sllobodan Millosheviç. Kokalari thotë se edhe ai ka kontributin e tij në pavarësinë e Kosovës, kontribut që është modest në krahasim me atë që mund të ketë bërë Engel. Por Kokalari thotë se nuk e kupton se përse Engel mbështet Berishën.

“Ndershmërisht, kjo është një çudi pasi gjithkush që është familjar me Shqipërinë, e di që Berisha së paku është një autokrat i korruptuar, dhe në rastin më të keq një diktator, i vërtetë për rrënjët komuniste,” shkruan Kokalari, që thekson se ka ndihmuar Shqipërinë postkomuniste, për shkak se të afërmit e tij janë torturuar, ekzekutuar e burgosur pa gjyq në komunizëm, ndërkohë që Berisha ishte një anëtar me kartë i këtij regjimi.
Kokalari i shkruan Engel, duke i dërguar raportin e ODIHR, e duke i thënë se Berisha ka vjedhur e ka dhunuar principin kryesor të demokracisë, zgjedhjet e lira e të ndershme. Më pas Kokalari përmend të gjitha metodat e përdorura nga Berisha për të manipuluar zgjedhjet.
“Në një tjetër denoncim të qeverisjes autokratike dhe korrupsionit endemik të Berishës, The Economist e quan së fundmi Shqipërinë një ‘demokraci hibride’, diçka mes demokracisë dhe totalitarizmit. Raporti e vendos Shqipërinë të fundit në Ballkan si më pak demokratike dhe thekson: përhapja e demokracisë në Shqipëri ka ndaluar,” shkruan Kokalari.
Po ashtu Kokalari i përmend Engelit sulmet e Berishës ndaj medias dhe përpjekjet e tij për të mbyllur gazetën e mirënjohur Tema, e cila kritikon qeverinë e tij.
Më pas Kokalari i përmend implikimin e djalit të Berishës në aferën e trafikut të armëve, dhe i thotë Engel që të pyesë gazetarin e Nju Jork Tajms më mirë për këtë gjë. Ndërkohë që në SHBA është kryer një hetim i plotë, në Shqipëri nuk është hetuar për këtë gjë. “Pyetja që kam është se përse qeveria amerikane nuk i ka bërë presion Shqipërisë që të hetojë për këtë abuzim me paratë e taksapaguesve amerikanë? A ke ndërhyrë ti për të mbrojtur Berishën? A kanë ndërhyrë Patton Boggs dhe Podesta Group për të mbuluar Berishën? Si kongresmen ju duhet të jeni të shqetësuar për abuzimet me paratë e taksapaguesve amerikanë,” shkruan Kokalari.
“Berisha dhe horrat e tij po vazhdojnë të përdhunojnë Shqipërinë, ekonomikisht dhe politikisht,” shkruan Kokalari, që në fund të letrës së tij hedh dyshimet mbi arsyet se përse Engel e mbron Berishën.
“E di që kosovarët, që kanë ofruar dollarët e duhur për fushatën tuaj elektorale, po përpiqen të bëjnë biznes në Shqipëri me ndihmën e Berishës. Në përpjekje për të avancuar interesat e tyre të biznesit në Shqipëri, a ka përdorur ndonjë nga këta biznesmenë marrëveshjen me ty për të ndikuar Berishën?
Në mënyrë anekdotike, kam mësuar se ju jeni partner i E&J Realty Group LLC, një kompani që ka në pronësi një godinë në 1142 Metcalf Avenue në Bronks, dhe partneri juaj është Harri Bajraktari, një biznesmen kosovaro- shqiptar. E njoh Bajraktarin dhe e di që ka shërbyer si mbledhës fondesh për ju në të kaluarën dhe po ashtu ishte me ju kur ngritët dolli me Berishën (shih në foto). Të dhënat tregojnë se ju keni një apartament ilegal në këtë pronë dhe sipas gazetës The New York Daily News, ju keni injoruar përpjekjet e inspektorëve për të hetuar këtë çështje. Të them të drejtën, këtë lloj sjellje pres nga një politikan shqiptar i regjimit famëkeq e të korruptuar të Berishës. Kam mëdyshjet e mia për rrethanat në të cilat jeni bërë partner në këtë marrëveshje dhe për deklaratën tuaj se morët një vendim të shpejtë për të investuar në pronë. Pavarësisht pretendimeve se keni përdorur trashëgiminë për këtë pronë, një rishikim i deklaratës suaj të pasurisë ngre disa pyetje, dhe numrat duket se nuk përputhen,” shkruan Kokalari.
Më poshtë Kokalari thekson se Harri Bajraktari, sipas raporteve të medieve shqiptare, ka takuar Sali Berishën me objektivin për të bërë biznes atje. Kokalari thotë se nuk ka asgjë të keqe me atë që bën Bajraktari, por ai duhet të kuptojë mospërputhjen mes rregullave të financimit të një fushate në SHBA dhe Aktit për Praktikat e Jashtme Korruptive.
“Në çdo rast, shpresoj se nuk po e përdorni investimin tuaj tek E&J Realty me Bajraktarin si model investimesh në Shqipëri,” thekson Kokalari.
Aktivisti shqiptaro amerikan e mbyll kështu letrën: A nuk do ishte mirë më mirë që të kujdesesh për elektoratin tënd në Bronks, me një papunësi shumë të lartë, në vend që të pastrosh emrin e një banditi të korruptuar të Ballkanit?