Koka e Aliut dhe koka e Saliut

1
21

Nga Mero Baze, 26 Dhjetor 2012

Pas Skënderbeut, Ali Pashë Tepelena është njeriu për të cilin janë shkruar më shumë libra në botë për figurat shqiptare. Ka qenë pashai më mizor i rajonit në Perandorinë Osmane, myslimani më tolerant për fetë e tjera, më inteligjenti ndër bashkëkombësit e vet dhe më i pabesi mes tyre, më trimi për tu përballur me kundërshtarët dhe më i dobëti për të bërë paqe afatgjatë me ta, më i egri me këdo që nuk i bindej, përfshi dhe fëmijët e tij, dhe më i buti para Vasiliqisë, grekes së fundit të haremit të tij. Ishte nga Tepelena, brezi i tretë i një familje të njohur në zonë, me nënë nga dera e Konicës. Ai arriti të bëhet Pasha i Epirit, në kuptimin e plotë të fjalës për këtë territor gjeografik, që përmbledh Shqipërinë jugore dhe Greqinë veriore, deri në Prevezë (atje ku ka dëgjuar dhe Berisha për kufirin).

Në kohën që sundoi e zhvilloi pashallëkun e tij, e lulëzoi tregtinë dhe e bëri një rajon ekzotik për vizitorët e Perëndimit. Tentoi të fitonte një lloj pavarësie nga Porta e Lartë, që shkonte deri në vetëqeverisje financiare dhe hapja e disa konsullatave perëndimore në Janinë, ndërtoi qindra vepra publike si ujësjellësa, kanale ujitës, ura, rrugë, kala dhe objekte kulti si kisha dhe xhamia.

Mbijetoi gjatë me diplomaci dhe forcë përballë Portës së Lartë, deri sa më në fund durimi i tyre humbi dhe e vranë. Trupi mbeti në Janinë, tek ishulli i liqenit, ndërsa koka u çua në Stamboll si trofe mbi të pabindurin e Epirit.

Janinës, historia e këtij pashai i ka sjellë më shumë të mira sot se sa ku e sundonte. Për çdo ditë ka qindra vizitorë në kalanë dhe muzeumin e tij. 80 km më tutje shtrihet Tepelena, me një kala gjigante, vendlindja e Ali Pashës dhe nuk ka asnjë vizitor. Kalaja po rrënohet, kryebashkiaku nuk ka para të paguajë dritat e zyrave dhe pastron kalanë me karroca privatisht, ndërsa brenda saj ka ndërtime të paligjshme dhe të legalizuara që kanë zhdukur çdo rrënjë të historisë. Nuk duhen më shumë se dhjetë milion euro ta rindërtosh dhe ta rikthesh në gjendjen fillestare, për të plotësuar udhëtimin e turistëve nga Janina në Tepelenë, për tu njohur dhe me vendin ku ka lindur pashai mizor i Epirit.

Sali Berisha ka vendosur të risjellë kokën e tij në atdhe. E ka thënë këtë gjë pa menduar shumë për Aliun, por për të shtyrë ca ditë me debate shterpë në këtë kohë krize. E thotë në një kohë kur vendi është kthyer në një shtet të dështuar, kur Familja sundon njësoj si në kohën e Ali Pashës, duke marr nën kontroll çdo pasuri të këtij vendi, kur pasuritë kombëtare po jepen me koncesion për të qenë nën kontroll të përjetshëm të Familjes, dhe mbi të gjitha kur rreziku i ikjes nga pushteti është më afër se kurrë. Ali Pashë Tepelena nuk është një figurë e shqiptarizmit apo identitetit shqiptar, biles na bën dëm ta kemi tonën gjithçka të tij. Mund të na vlejë vetëm për turizëm. Ta rivarrosim kokën e tij në Tepelenë, t’i rindërtojmë kalanë, ta ringjallim atë qytet dhe të bëjmë biznes me historinë e tij, siç bëri ai karrierë dhe pushtet me shqiptarë dhe grekët e Epirit.

Por Sali Berisha nuk ka këtë vetëdije. Ai përveçse mendon se me këtë shashkë mund të shtyjë Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, ka filluar e mendon për fundin e tij dhe mendja i ka shkuar tek fundi më i tmerrshëm i një pashai shqiptar, ai i prerjes së kokës. I trembur për çfarë do të ndodhë pas, ai mendon se duke rikthyer kokën e Aliut në Shqipëri, i ka lënë vend vetes për çfarëdo që ka bërë të ketë një copë varr dhe ta lënë të qetë në këtë vend. Duke sunduar si një pasha mediokër dhe pa asnjë ide, Sali Berisha nuk ka fuqi të bëjë as të mirat dhe as të këqijat e Ali Pashës. Ai ka adhuruar dhe adhuron vetëm pushtetin e pakufishëm të tij.

Problemi ynë është se shoqëria shqiptare është disa hapa para Sali Berishës. Ajo nuk adhuron një pasha në këtë vend dhe as ëndërron t’i presë kokën dikujt që qeveris si pasha. Koka e Aliut dhe rindërtimi i kalasë së tij në Tepelenë mund të jetë një lajm i mirë për turizmin në vendlindjen time, por koka e Saliut nuk i duhet askujt. Atë biles nuk ke as ku e varros. Në kullën e tij në Viçidol nuk e qasin të gjallë prej dhjetëra vitesh dhe as u hyn në punë i vdekur.

Drama e Berishës është se kokën e tij nuk e kërkon askush, as për ta prerë dhe as për ta varrosur. Gjithë çfarë shqiptarët do t’i bëjnë këtij njeriu është që do ta largojnë nga pushteti dhe ai ka për tu kalbur pak nga pak dhe do harrohet si një ëndërr e keqe. Nuk ka bërë asgjë në këtë vend që t’i mbahet mend për të qenë i vlefshëm qoftë si diktator, qoftë si demokrat. Ka qenë dhe mbetet diktatori më qesharak që kemi pasur, një njeri që kërkon të ketë pushtetet e diktaturës në pluralizëm dhe është kthyer në një karikaturë të korrupsionit dhe pushtetit familjar mbi shoqërinë.

Është larg mizorive dhe shkëlqimeve të Ali Pashës. Është shumë larg jetës së tij me aq shumë kontraste. Nuk do ketë famën dhe lavdinë e tij. Do të shkruhen shumë pak libra për të, nga ata që do dëshmojnë mediokritetin, ligësinë dhe marifetet e tij primitive. I mungon çdo gjë që kish Aliu. Shpresoj që në fund t’i mbeten besnikë fëmijët, se Aliut nuk i qëndruan. E vetmja që i shkoi pas kokës në Stamboll ishte Vasiliqia, por Berisha s’ka fuqi për një të tillë. Ndaj të mos shqetësohet për kokën e tij. Siç thotë populli, “nga sytë, këmbët”!

1 COMMENT

  1. Dy shqiptare e tre parti. Po te bashkepunonte Aliu me valiun e Shkodres, Shqiperia sot nuk do te ishte si nje gisht ne harte, por e rrumbullakte si nje yemer. Vasilikia nuk ishte greke por vllahe, e bukur, e mencur dhe e embel si une!
    https://www.google.com/search?q=admirime%20rumune%20per%20flamurin%20shqiptar&oe=utf-8&aq=t&rls=org.mozilla:en-US:official&client=firefox-a&channel=np&um=1&ie=UTF-8&hl=en&tbm=isch&source=og&sa=N&tab=wi&ei=3ojbUN2sOsbpswbM9oGQCg&biw=1024&bih=636&sei=44jbUJsE9LbRBcO-gbgL

Comments are closed.