Koha për tu kthyer te morali

1
56

Isidor Koti

Nuk është perëndimore dhe as bashkëkohore t’ua hedhësh xhevahiret derrave.

Nga Isidor Koti

TIRANE – Ndoshta shumë lexues ose lexuese mund të nisin e ta paragjykojnë këtë artikull për të cilin s’jam menduar shumë gjatë, sepse s’është e nevojshme koha për t’i thënë të vërtetat e një ndjeshmërie që dhemb. Morali e mban shoqërinë dhe një prej arsyeve pse jeta jonë nuk po shkon mirë është tallja me këtë çështje.

Këto ditë po shikoja me qesëndi (brenda sinqeritetit të tepruar po e shkruaj edhe këtë detaj) vajza të reja, studente të mia dhe nxënëse gjimnazi që treçerek lakuriq shkojnë nëpër shkolla dhe dalin nëpër qytete ose fshatrat e tyre, sikur të jenë në një plazh gjigant, duke e shumëzuar me zero çdo normë veshjeje dhe sjelljeje.

Dhe nuk e kuptoj gjithë këtë prirje, ndonëse mund të thoni: doktor, shëro veten, sepse ende jam një 27 vjeçar ende i parrahur mirë me telashet e jetës. Veçse nuk mund të pranoja në çfarëdo moshe ose statusi, edhe pa bukën e gojës të isha, dhe të unifikohesha me standartet që veçse në lashtësinë e Sodomës dhe Gomorrës mund të ndodhnin me kaq përpikmëri.

Sa keq që në gjykimin e këtij veprimi ka një mëdyshje të madhe drejt shqyrtimit moral. Karakteristikat kanë ndryshuar në mënyrë aq simetrike, sa mund të thuhet që kultura e vërtetë e jetës morale dhe e virtytit në shoqërinë shqiptare të këtij dhjetëvjeçari të parë të shekullit XXI është zëvendësuar me atë të hapjes ose më saktë të shqyerjes së dyerve të blinduara të nderit dhe dinjitetit. Pjesa më komike nis sigurisht në përafrimin e kësaj prirjeje me fenomenet e sotme globaliste dhe përdoret ky argument për të justifikuar qëllimin.

Nuk është perëndimore dhe as bashkëkohore t’ua hedhësh xhevahiret derrave. Nuk mjaftojnë dhe nuk është e udhës që për lexuesin të sjellësh në këtë përsiatje mësime morale. Por, ndërsa në po përthyejmë trajektoren e rrjetës së merimangës, është më mirë të ngrihemi pikërisht në pasojat e dëmeve. E kam fjalën pikërisht për dëmet shpirtërore dhe trupore që po na sjell shthurrja e përgjithshme morale.

Sot (le të urojmë jo nesër) ka një bindje të fortë jo vetëm te brezat e rinj, por edhe deri te mosha e tretë që nuk ka siguri morale. Madje edhe më të moshuarit që e kanë për detyrim përkrahjen morale të brezave të rinj, jo vetëm që bëhen protagonistë të mbrojtjes së parimit, por edhe kthehen në aktorë praktikë të demoralizimit.

I gjithë ky arsyetim kërkon një fokus dhe një backround, por nuk ia vlen të fokusohesh në grupe dhe historinë e tyre, sepse të gjithë e njohin veten e tyre në këtë histori, prandaj modernizimi dhe të qenit demode shkrihen brenda personalietit të çdokujt. Duke e njohur këtë gjendje vjen edhe analiza pse tërësia e rregullave ose e normave të sjelljes midis nesh janë shprishur dhe nuk zbatohen, duke pjellë pikërisht marrëdhënien konfliktuale në një shoqëri të brishtë.

Për fat të keq, jo vetëm modeli por edhe forca e brendshme na mungon për të zhvilluar shpejt një të ardhme të shëndetshme morale. Fatkeqësia më e madhe që po na përshkruan dejet e mentalitetit është gjaku i keq i shthurrjes që e ka kthyer moralin në antikulturë. Prandaj sot dukesh jashtë kohe nëse flet për nderin, parimet, fenë, pastërtinë, virgjërinë etj.

Rryma e kësaj kulture të re ka marrë me vete, duke i lajthitur edhe një pjesë të madhe të prindërve që në vend të edukojnë fëmijët me dinjitet dhe fisnikëri në sjellje, iu injektojnë atyre moralin e ri të kohësh, duke e shitur trupin dhe shpirtin në degradim.

Është për të ardhur keq, madje për të ulëritur për klimën morale që ekziston edhe në institucionet e larta shtetërore, në media, në shkollë etj. Tendenca për të ekzagjeruar shfaqjen e sferës intime si majën më te epërme të moralit ka marrë formë të plotë dhe mund të quhet një krim i vërtetë që po kryhet ndaj çdo anëtari të pafajshëm të shoqërisë sonë.

Po prishet tradita, po rrezikohet bukuria e misterit të jetës, po rriten veprimet dhe sjelljet shtazarake, të cilat jo vetëm që kultivohen, por edhe po na imponohen. Kurrësesi nuk duam që ta veshim njeriun me “gjethe fiku”, por edhe nuk mund ta lëmë atë lakuriq, sikurse e përmenda që në fillim të këtij shkrimi për historinë e të rinjve të gjimnazeve dhe universiteteve tona. Këta të rinj duhet të jenë bartës dhe jo shpëlarës të vlerave, të japin garanci për të ardhmen e moralit të këtij populli që ka vuajtur shumë për bukën e gojës, por etërit dhe stërgjyshet tona nuk e kanë shitur moralin, përkundrazi kanë ditur ta mbajnë në piedestal.

Në gjithë këtë anarki dhe pushtet të imoralitetit, nëse nuk mund të ndryshojmë gjithçka, të paktën mund të bëjmë diçka. Të japim shembullin e vetes sonë, duke rregulluar së pari moralin personal, duke “predikuar” më pas edhe në heshtje ose përmes mjeteve publike disa sinjale të përfitimit të mbajtjes së këtij standarti.

Ky është një kundërveprim minimal, përballë qëndrimit të përgjithshëm të shoqërisë. Por arsyeja përpara instikteve, prandaj le të luftojmë me këto mjete që të shfaqet dritë në fund të tunelit. Ideja e Ajnshtajnit se përpjekja më e rëndësishme njerëzore është orvatja për moralitet në veprimet tona, shoqërohet edhe me faktin se barazpesha jonë e brendëshme dhe madje qenësia jonë varet nga kjo. Vetëm morali në veprimet tona mund t´i japë bukuri dhe dinjitet jetës.

Ata që kultivojnë rrëmujë morale për përfitim duhet të kuptojnë këtë: ne do t´i përmendim emrat e tyre dhe do ti korrisim ata siç e lypin të korriten. I pari jam unë në këtë korritje, prandaj po e marr përsipër autokritikën dhe ju kërkoj ta mbështesni këtë pendim si dikur demosi në Greqinë e lashtë. Nëse do të bëheshim disa, kjo do të ishte një vepër guximtare për të kërkuar te vetja dhe te njëri-tjetri kohën e humbur.

Sepse nëse turpi do të vlerësohet si shkathtësi dhe aftësi, atëherë nderi do të ishte mendjelehtësi dhe papjekuri. Ky sigurisht është morali i një shoqërie të degraduar dhe për hir të së vërtetës jemi në këtë gjendje. Prandaj le të ngrihemi për të pasur një zhvillim të shëndoshë.

1 COMMENT

  1. Nuk e kuptova pse autori i “BETEJA E SHPIRTIT”, per te cilin njeriu duhet te jete si nje ene e mbushur me virtute dhe vlera, dhe aty, ku ato mungojne, duhet te ndjejme vuajtje, brejtje, deshperim, artikullin e tij – KOHA PER T’U KTHYER TEK MORALI, e shoqeron me nje thenie nga Bibla, Mateu 6-6, te trasformuar ne: Nuk eshte perendimore dhe bashkekohore t’ua hedhesh xhevahiret derrave.

    Sprehja ne Bibel eshte tekstualishte: Mos u jepni qenve ç’eshte e shenjte dhe mos u hidhni margaritaret tuaj para derrave, qe te mos i shkelin me kembe dhe te kthehen kunder jush dhe t’ju shqyejne.
    Qe te gjitha problemet e shtruara ne artikull jane te drejta dhe thirrjes bere nga autori, nese do te beheshim disa dhe le te ngrihemi per te pasur nje zhvillim te shendoshe, i pergjigjem me gjithe zemer, dhe kjo le te jete dhe nje autokritike nga ana ime.
    Por ngelet diçka per t’u sqaruar: kush jane qente qe nuk duhet t’u hedhim gjera te shenjta qe te mos na shqyejne, dhe kush jane derrat qe te mos ju hedhim margaritaret TANE, qe te mos i shkelin me kembe?
    Ne nje shoqeri si e jona ku, -eshte per te uleritur-, sipas autorit, per klimen morale qe ekziston, ku e paturpshmja eshte shkathtesi dhe nderi, dinjiteti mendjelehtesi, ku gjithçka e mire qe ekzistonte, ne emer te modernizimit eshte shpallur e padenje, vetem morali ne veprimet tona mund t’i jap bukuri dhe dinjitet jetes.
    Ne nje shoqeri me moral te shendosh edhe hajduti, krimineli, i pamoralshmi, i paturpeshmi, i padrejti, i mbrapshti, kurvari, i ligu,vrasesi,grindaveci,mashtruesi,i poshteri,fyesi,krenari,mburraveci,trilluesi i ligesive,i pabinduri ndaj prinderve,i paarsyeshmi,i pabesi, i pameshirshmi jane te detyruar te hiqen si e kunderta e tyre: si te moralshem, ndersa sot manifestimi i virtyteve konsiderohet dobesi, paaftesi, frikacakllek, mungese kurajoje…
    Me keqja eshte, se sot, ata qe i bejne keto gjera jo vetem qe nuk denohen, por marrin dhe miratimin e atyre qe nuk i kryejne personalisht.
    Prandaj jemi te pafalshem te gjithe perballë ketyre gjerave. Zgjidhja ?
    Eshte e veshtire, momentalisht eshte e pamundeshme.
    Jemi ne nje situate, qe duhet te kesh kuraje te thuash se te miret, te mirat, virtutet u thyen jo se ishin te mira, por se ishin te dobeta.
    E verteta duhet thene, kjo duhet bere me qellim qe pasojat e saj te kene dobi praktike.

Comments are closed.